Filloi implementimi i projektit Shporta Ushqimore 5 në Republikën e Kosovës – 2026

 


Në prag të fillimit të muajit të bekuar Ramazan, sot në Prishtinë, ka filluar së implementuari projekti "Shporta Ushqimore 5 në Republikën e Kosovës - 2026", e cila mundësohet nga Qendra e "Mbretit Selman" të Arabisë Saudite. 
Në hapje të këtij projekti, i pranishëm qe edhe kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, ambasadori i Mbretërisë së Arabisë Saudite në Tiranë, z. Feisal Hifzi, drejtoresha e Mirëqenies Sociale në komunën e Prishtinës, znj. Adelina Sahiti dhe përfaqësuesi i Qendrës së "Mbretit Selman".
Në fjalën e tij përshëndetëse, Myftiu Tërnava, falënderoi shtetin mik të Arabisë Saudite për ndihmat e vazhdueshme që kanë dhënë për Kosovën në përgjithësi dhe për Bashkësinë Islame të Kosovës në veçanti.
"Më lejoni që para jush të përmendi hadithin e Pejgamberit a.s., i cili ka thënë se nuk e falënderon Allahun, ai i cili nuk ka falënderuar njerëzit, andaj më lejoni që të falënderoj Mbretin e Arabisë Saudite, ambasadorin Feisal Hifzi, përfaqësuesit e Qendrës së "Mbretit Selman" për kontributin dhe përkushtimin e tyre për të qenë pranë popullit të Kosovës dhe pranë Bashkësisë Islame të Kosovës", tha ndër të tjera Myftiu Tërnava.
Ambasadori i Arabisë Saudite, z. Fejsal Hifzi, në fjalën e tij tha se këto ndihma janë vetëm një prej dëshmive të vëllazërisë sonë, andaj sot jemi këtu për të falënderuar Myftiun Tërnava për gatishmërinë e tij dhe të institucionit që ai drejton për të bashkëpunuar me ne.
Edhe drejtoresha e Mirëqenies Sociale në komunën e Prishtinës, znj. Adelinë Sahiti, falënderoi ambasadorin e Arabisë Saudite për këto ndihma të cilat tashmë janë bërë tradicionale. Ajo tha se përveç tyre, shteti mik i Arabisë Saudite, ka kontribuuar në vazhdimësi për popullin e Kosovës në sfera të ndryshme.
Projekti synon të shpërndajë 8,017 pako ushqimore, që përmbajnë artikuj ushqimorë thelbësorë, si: oriz, vaj, makarona, fasule, sheqer dhe miell.
Kjo iniciativë është pjesë e përpjekjeve humanitare dhe ndihmëse të Mbretërisë, të përfaqësuara nga Qendra e Ndihmës Humanitare "Mbreti Selman", e cila synon të ofrojë siguri ushqimore në shumë vende vëllazërore dhe miqësore anembanë botës.



Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Shkolla Verore mirëpret fëmijët nga data 6 korrik