Gëzimi dhe dashuria mbretërojnë gjithkund për ardhjen e muajit të Ramazanit. Këtë muaj Hafiz Ali Korça e quante hënëz e uruar, pra lindja e hënës së re. Njeriu si krijesë i krijuar prej balte, vlera e njeriut nuk është në trupin e tij të cilin e ushqen dhe e veshë, por vlera e tij qëndron në shpirt i cili e lëviz atë. Sikur të ishte vetëm trup s'do të kishte nderë dhe nuk do të obligohej askush t'i bënte sexhde atij. Por, respekti i veçantë erdhi atëherë kur u urdhëruan melaqet që t'i bënin sexhde atij.
Agjërimi i Ramazanit është bërë farz në Medine dy vjet pas hixhretit, ndërkaq Muhamedi a.s. arriti të agjëroj vetëm 9 ramazana.(1) Muaji Ramazan mbetet muaji më i rëndësishmi dhe më i vlefshmi në mesin e muajve tjerë pasi që është muaji i begative, të mirave dhe mëshirës. Muaj të cilin e veçoi Allahu xh.sh., për krijesën më të dashur të Tij, njeriun besimtar, ndërsa ibadetin e çmon dhe vlerëson në mesin e ibadeteve duke e ndërlidhur me Vetveten. Zoti xh.sh në një hadith kudsij thotë: "Çdo vepër që bën i biri Ademit, e bën për vete, pos agjërimit; meqë ai më takon Mua dhe Unë e shpërblej për të."(transmetojnë pesë përmbledhësit e librave të vërtetë të hadithit).
Veprat shumëfishohen në këtë muaj
Të mirat që njeriu i bën shumëfishohen deri në shtatëqind fish, kurse Ramazani bëhet për Zotin. "Çdo e mirë që bën i biri Ademit, ajo shumëfishohet për të gjer në shtatëqind fish, pos agjërimit, meqë ai bëhet për Mua, dhe shpërblimi Im për të është xheneti, meqë robi Im abstenoi nga epshi, haja dhe pija, për hir Timin." (Muslimi, nr. 1151).
Agjërimi është qëndrimi i myslimanëve larg çdo nevoje fizike, si dhe larg çdo lloj pije dhe ushqimi në muajin e Ramazanit, duke filluar prej mëngjesit ende pa lindur dielli, e deri në mbrëmje kur perëndon dielli, dhe është durim ndaj aspiratave të ndryshme. Qëllimi i këtij ibadeti është që njeriun ta mësojë që ai të kontrollojë dëshirat dhe ambiciet, aspiratat dhe ndjenjat e tij. Vetëm se ky ibadet iu është bërë detyrim (farz) atyre që janë në gjendje në aspektin e fuqisë fizike. Kurse ata që nuk janë në gjendje, si të sëmurët, udhëtarët, lehonat dhe gratë me menstruacion, kur të shërohen dhe të arrijnë në gjendje për të agjëruar, do të agjërojnë aq ditë sa nuk kanë pasur mundësi t'i agjërojnë më herët.
Agjërimi, është i njohur edhe te fetë e tjera, por me disa dallimeve, siç është në hebraizëm Behor dhe Te sha-Beav, kurse në krishterim është agjërimi i Pashkëve.(2)
Synimi i agjërimit është të arrihet devotshmëria që Allahu e dëshiron këtë prej nesh. Devotshmëria është dobia kulminante. Devotshmëri do të thotë t'i druhesh Allahut, drojë që të shtyn në punë dhe që në ty kultivon besimin. Kurse, Imam Aliu për devotshmërinë pati thënë: "Sipas meje, devotshmëria do të thotë drojë nga i Madhërishmi, të veprosh sipas asaj që ka zbritur Kurani dhe Suneti, të pajtohesh me të paktën dhe të përgatitesh për ditën e udhëtimit (ditës së vdekjes).
Edhe sahabët tjerë kështu e kanë kuptuar dhe perceptuar këtë cilësi shumë të lartë. Ebu ibën Kabi për devotshmërinë e kishte pyetur Omer ibën Hatabin r.a., i cili në formë pyetjesh ishte përgjigjur : "A ke udhëtuar nëpër rrugë me ferra?" Ai u përgjigj: "Po". Ai e pyeti: "Si veprove?" Ai tha: "U ruajta dhe u lodha." Ai (Omeri) tha: "Kjo është devotshmëria."
Dhe sigurisht se devotshmëria ka shpërblim të veçantë. "Ta keni të ditur se të dashurit e Allahut (evliatë) nuk kanë frikë (në botën tjetër e as kurrfarë brengosjeje. (Ata janë ata) Të cilët besuan dhe ishin të ruajtur. Atyre u jepet myzhde në jetën e dynjasë (në çastin e vdekjes) dhe në jetën tjetër (për shpëtim dhe Xhenet). Premtimet e Allahut nuk mund të pësojnë ndryshime. E, ai është sukses i madh."(Junus, 62-64).
Umetit të Muhamedit a.s. në Ramazan iu janë dhënë pesë çështje që nuk iu është dhënë askujt prej pejgamberëve para tij. "Në muajin Ramazan umetit (popullit) tim i janë dhënë pesë (çështje, të cilat nuk i janë dhënë ndonjë pejgamberi para meje. Sa i përket njërës prej tyre, ajo është: Në natën e parë të Ramazanit, Allahu xh.sh., i shikon ata, dhe cilin shikon Ai, atë kurrë nuk e dënon."
Edhe jeta e Muhamedit a.s. ishte e mbushur me dua dhe kërkim prej Zotit që Ai ta ruaj dhe ta bekoj në dy botët. " O Zot kërkoj mbrojtje tek Ti nga kufri dhe varfëria. O Zot kërkoj mbrojtje nga dënimi i varrit, s'ka tjetër pos Teje."(3)
Shpirti i Kuranit është në kuptimin e tij
Në këtë muaj të shtohet jo vetëm leximi i Kuranit si fjalë e Zotit, por edhe të meditohet qëllimi dhe sinjalizimi i ajeteve të Allahut xh.sh. Leximi nuk duhet të jetë vetëm sa për t'u lexuar, apo lexim i thjesht sepse kjo i bie që ne lexojmë vetëm shkronja e fjalë, porse shpirti i Kuranit është në kuptimin e tij të duhur. Shpeshherë kur dikujt ia lexojmë ajetet e Kuranit shohim se nuk kanë gatishmëri të dëgjojnë këto argumente, kurse Allahu për këtë lloj të njerëzve thotë: "E kush është më zullumqarë se ai që këshillohet me ajetet e Zotit të vet, e pastaj u kthyen shpinën atyre? Ne me siguri do të hakmerremi kundër kriminelëve." (Es Sexhde,22).
Nuk mund të jetojë njeriu në natyrën materialiste, sepse ka një zbrazëti të thellë shpirtërore dhe vakum, që asgjë pos fesë nuk e mbush. Feja plotëson anën fizike, shpirtërore dhe materiale të njeriut.
Në agjërim kemi një dominim të aspektit shpirtëror ndaj atij material
Materializmi (materialism) është emërtim i përgjithshëm i mësimeve që materien e konsiderojnë për qenie të vetme, duke e cilësuar dhe domethënien si produkt të saj. Rrymë ideore që materien e merr si substancë të pandryshueshme dhe dinamike, që thotë se materia është primare dhe përcaktuese që kundërshton ide alet shpirtërore. Materializmi përbën një botëkuptim, sipas të cilit mendimi mund të shpjegohet përmes qenies, arsyeja përmes materies, shpirti me organizmin shoqëror, d.m.th., çdo realitet mund të shpjegohet përmes materies dhe mund të reduktohet në materie.
Një nga kuptimet e materializmit është se i ka rrënjët në moralin popullor ose në mosmarrëveshjet politike, materialiste në vend të moralit të lartë e vlerave shpirtërore u referohet kënaqësive ndijore e të thjeshta dhe interesave material. Në këtë kontekst mbron idenë se s'ekziston botë tjetër pos kësaj.(5)
Librat e mëparshëm të zbritur nga Zoti gjatë periudhave kohore nuk e kanë ruajtur origjinalitetin e vet dhe kështu kohë pas kohe dora e njeriut ka ndërhy në tekstet e shenjta duke ndryshuar dhe dhënë kuptim sipas dëshirave të tyre. Kurse versetet e librave të shenjtë që janë në kundërshtim me librin e fundit, Kuranin, pranohen si ndryshime apo deformime gjatë përkthimeve të bëra në lidhje me ta. Atëherë Kurani për to është " korrigjues, përmirësues". Për këtë, në kundërshtim në librin e shenjtë, apo në çështjet diskutabile, Kurani merret për bazë dhe versetet e Inxhilit komentohen sipas Kuranit. Për këtë çështje në një ajet thuhet"... Allahu me mëshirën e Tij, i udhëzoi ata që besuan tek e vërteta e asaj për çka ishin kundërshtuar (El Bekare, 213). Nga këto shprehje kuptohet se Kurani, në kundërshtitë në komentimin e librit të shenjtë, luan rolin e përmirësuesit.(6)
Pos kësaj, Kuranin e ka garantuar Zoti Vetë. Zbritja e tij filloi në muajin Ramazan. "Ne zbritëm atë (Kuranin) në Natën e Kadrit. E ç'të bëri ty të dish se ç'është Nata e Kadrit? Nata e Kadrit është më e rëndësishme se një mijë muaj! Me lejen e Zotit të tyre në (atë natë) të zbresin engjëj dhe shpirti (Xhibrili) për secilën çështje. Ajo (që përcakton Zoti) është paqe deri në agim të mëngjesit.(El Kadër,1-5). Kurani ishte dhe vazhdon të jetë deri në pafundësi mrekulli e përhershme e pashtershme. Kurani i tëri është mrekulli dhe ka më shumë se një mrekulli dhe ato janë të natyrës dhe të fushave të ndryshme. Mrekullia e Kuranit manifestohet në shumë sfera: në shpalljen e tij, në ligjërimin e tij, në nxënien tij, në ruajtjen e tij, në vlerat sublime- fetare e shpirtërore, morale e humane, ekonomike, sociale, materiale, shkencore.(7)
Shfrytëzojeni këtë muaj dhe pendohuni tek Ai
Hafiz Ali Korça thotë se si mund të ketë natë më të "Madhënueshme e më të nderçme se Lejlei kadri, që nd'atë naët filloi të zbresë ay Kurani i madhnueshëm?. Atë natë filloi të zbresë ay Kuran, që na kallëzoi Njëtimin e Krijuesit të vërtetë, na largoi nga të falurit karshi puteve, na shpëtoi nga errësira e shirqit, nga e shoqëruara Zotit shokë nga robët e vetë të krijuar, na qiti në dritë të Teuhidit (Njëtimit). Kjo natë i vuri kufi kohës që pat shkuar në shirq dhe kohës së re, që filloi të mbretërojë Njëtimi i vërtetë."(8)
Tregon Ibën Omeri r.a. se disa burrave nga shokët e Pejgamberit a.s. iu shfaq në ëndërr se Nata e Kadrit është në shtatë netët e fundit të Ramazanit. Nga kjo, i Dërguari a.s. tha: 'Duket se ëndrrat e ju të gjithëve puqen, se Nata e Kadrit është në shtatë netët e fundit dhe, kushdo që dëshiron ta kërkojë atë, le ta kërkojë atë në shtatë netët e fundit (të Ramazanit)." (Buhariu,nr. 2015). Kurse në një transmetim tjetër thuhet "Kërkojeni Natën e Kadrit në dhjetë ditët e fundit të Ramazanit, natën kur kanë mbetur edhe nëntë ose shtatë ose pesë net (d.m.th. natën e 21-të, 23-të, 25-të, 27-të, ose të 29 të)" (Buhariu, nr.2021).
Ibën Haxheri pasi që paraqiti deri në 50 mendime të dijetarëve rreth përcaktimit të Natës së Kadrit, ka përkrahur mendimin se ajo është në netët tek të dhjetëshes së fundit. Diç kuptohet nga hadithet, Nata e Kadrit nuk është e (përcaktuar me saktësi). Sipas imam Shafiut, ajo është në netët tek të dhjetëshes së fundit, në natën e 21 ose 23, kurse shumica e dijetarëve të tjerë përkrahin mendimin se ajo është në natën e 27. Dhe ky është mendimi më i njohur te myslimanët në botën islame tash e sa shekuj, dhe sikur është bërë ixhmaë, konsensus i plotë nga ana e tyre.(9)
Një ditë Muhamedi a.s., i përmendi katër persona nga beni israilët, të cilët e kishin adhuruar (i kishin bërë ibadet) Allahut tetëdhjetë vjet, pa treguar në asnjë moment padëgjueshmëri. Të përmendurit ishin: Ejubi, Zekirijau, Hazkajl ibën el Axhuz dhe Jush'a ibën Nun. Për këtë u çuditën sahabët e Muhamedit a.s., dhe lakmuan. E, Xhibrili i erdhi Muhamedit a.s., dhe i tha; " O Muhamed, popullit tënd ia lë lakmi adhurimin tetëdhjetëvjeçar të atyre personave, të cilët në asnjë moment nuk kishin treguar padëgjueshmëri. Megjithatë, Allahu të ka zbritur diç më të mirë se ajo. Dhe ia lexoi: "Ne e zbritëm atë (Kuranin në Natën e Kadrit. E ç'të bëri ty të dish se ç'është Nata e Kadrit. Nata e Kadrit është më e rëndësishme se një mijë muaj!"( El Kadër,1-3).(10)
Ky muaj përbën një mundësi ideale për të shprehur pendesën për gabimet që bën njeriu gjatë jetës së tij. "Pendimi, në të vërtetë, ka qenë edhe virtyt i Pejgamberit a.s., i cili, edhe pse ka qenë i mbrojtur nga gabimet dhe i falur nga Allahu xh.sh., megjithatë, pendohej shpesh dhe kërkonte falje tek Allahu. Prandaj edhe ju vëllezër e motra, shfrytëzojeni këtë muaj dhe pendohuni tek Ai, duke synuar që gabimet e tilla të mos i përsëritni kurrë."(11)
Muhamedi a.s. po ashtu na këshilloi që mos t'i ndahemi namazit të natës meqë kjo ka qenë cilësi e njerëzve të mirë para nesh. Ky namaz i natës për besimtarin është nder dhe respekt. Allahu për këtë në Kuran thotë: "A jobesimtari e ka gjendjen më të mirë, apo ai që kohën e natës e kalon në adhurim, duke bërë sexhde, duke qëndruar në këmbë, që i ruhet (dënimit të) botës tjetër dhe shpreson në mëshirën e Zotit të vet? Thuaj: A janë të barabartë ata që dinë dhe ata që nuk dinë?" Ez Zumer, 9).
Netët duhet t'i ngjallim, kurse ditët t'i agjërojmë
Vetëm kështu do të jemi nga ata që Allahu për ta në Kuran thotë: " Të devotshmit janë në kopshte e burime. Të kënaqur se kanë shtënë në dorë atë që u dha Zoti i tyre, ata edhe më parë (në dynja) ishin mirëbërës. Ata qenë që pak flinin natën. Dhe, në syfyr (kah mbarimi i natës) ata kërkonin falje për mëkatet (Edh Dharijat, 15-18).
Ajo që mund të jetë shqetësim është se disa njerëz i përkushtohen leximit të Kuranit vetëm gjatë Ramazanit duke mos iu përkushtuar edhe gjatë muajve tjerë, pra kemi një shpërfillje. Ndaj mos u bëj nga ata për të cilët Allahu ka thënë: "E i dërguari tha: 'O Zoti im, vërtet, populli im e konsideroi këtë Kuran si (diç) të hedhur!" (El Furkan, 30).
Për leximin e Kuranit Zoti ka përgatitur shpagim dhe shpërblim të madh
"Ata që lexojnë librin e Allahut, e falin namazin dhe nga begatitë që Ne u kemi dhënë japin fshehtazi e hap tazi, ata e shpresojnë në një fitim që kurrë nuk humbet. Që Ai (Allahu) do t'ju plotësojë shpërblimin e tyre, e edhe do t'ju shtojë nga mirësia e Tij, vërtet Ai është mëkat falës dhe shumë mirënjohës."(Fatir, 29-30). Nga leximi i Kuranit ka bereqet edhe vetë shtëpia. Muhamedi a.s. thotë: "Në një shtëpi ku lexohet Kurani, të mirat shtohen; në një shtëpi ku nuk lexohet Kurani, të mirat pakësohen."
Pra, vlerësimi i gjërave bëhet në masën që i vlerëson Kurani, dhe ky vlerësim rreth një çështje është kriter për rëndësinë e tij. "Kështu për ato gjëra që Kurani flet më fort, që i përsërit ato në një formë apo në një tjetër, duhet që edhe ne t'i kushtojmë rëndësi, si dhe të bëjmë vend në vetët tona në të gjitha aspektet si edukative edhe ligjore. Për gjëra që interesi i Kuranit është i pakët, s'ka pse të jepemi tepër pas tyre. Për mua ky është një kriter i pagabueshëm. Çështja të cilën e vlerëson Kurani duke e përsëritur e përforcuar në më shumë se një sure e në disa forma, tregon se ka një rëndësi specifike dhe peshë në fe dhe në jetë, gjë që kërkon vëmendje dhe interes në aspektin logjik e praktik, sipas masës që i jep Kurani."(12)
Agjërimi , edhe nga një pikëpamje tjetër, ndikon shumë mbi shoqërinë, mbasi të gjithë myslimanët, pa marrë parasysh gjendjen dhe pozitën e tyre, duhet të agjërojnë gjatë të njëjtit muaj. Kjo gjë vë në dukje barazinë kryesore të njerëzve, dhe si rrjedhim krijon në ta ndjenjat e dashurisë dhe të vëllazërimit. Gjatë Ramaza nit e keqja fshihet dhe e mira del në shesh, dhe e gjithë atmosfera mbushet me mëshirë dhe pastërti shpirti.(13)
Agjëruesi gjatë këtij muaji duhet të jetë i vëmendshëm se nata e Ramazanit respektin e ka barabar me atë të ditës. Ky muaj përfshinë ditën dhe natën dhe nga besimtari kërkohet që me tërë qenien t'i drejtohet Allahut. Nata është për adhurim dhe ai që lënë gjumin, i lutet Zotit për siguri dhe kërkon falje e mëshirë. Zoti nuk kthen prapa zërat e lutjeve të natës. Allahu xh.sh. thotë: "I heqin trupat e tyre prej dyshekëve, duke e lutur Zotin e tyre nga frika dhe nga shpresa dhe, nga ajo që Ne u kemi dhënë (pasuri) atyre, ata japin. Pra, për ata që kanë vepruar, nuk di askush për atë kënaqësi (të zemrës e të shpirtit) që u është caktuar atyre si shpërblim." (Es Sexhde, 16-17).
Gëzim i madh e pret besimtarin ditën e Bajramit kur edhe e përfundon agjërimin një mujor. Dhe sigurisht se do të jetë nga ata që Muhamedi a.s. i ka veçuar në hadithin e tij. "Në ditën e Bajramit melaqet (engjëjt) qëndrojnë në krye të rrugëve dhe thërrasin: "Herët në mëngjes shkoni te Zoti Fisnik, t'ju bekojë me të mirë, pastaj t'ju shpërblejë shumë (i Madhërishmi), meqë ju urdhëroi me namazin e natës e ju e falët, ju urdhëroi me agjërimin e ditës, ju e agjëruat dhe e respektuat Zotin tuaj, andaj, merrni shpërblimet tuaja". E, pasi të falen, një zë thërret: "Zoti juaj ju fali, prandaj kthehuni të udhëzuar (të bekuar)".
Rezyme
Në këtë muaj qëndron filozofia e Islamit në ndërlidh jen e dynjasë me ahiretin, lidhjen e shpirtit me trupin, tokës me qiellin, njerëzit me shpalljen hyjnore, lidhjen e kësaj bote me librin i cili ia ndriçoi rrugën asaj dhe ia caktoi synimin. Ky është muaji që myslimanët duhet t'ia dinë vlerën dhe fadiletin që ka dhe të përgatitën për të.
________________________________
(1) Ibën Kajim el Xhevzije, Zadul Mead, v.2,f.30 me rezension të Shuajb dhe Abdulkadër Arnauti, Muesesetu errisale, Bejrut, 1992.
(2) Ekrem Sarëkçëogllu, Historia e feve prej fillimit deri sot, përktheu Qani Nesimi, Logos-A,2010,Shkup, f.627, bot. i dytë.
(3) Transmeton Ebu Davudi (13/433, Nesaiu (8/267), Hakimi 1/252, Bejhekiu 7/12, Ahmedi 5/42 etj.
(4) Muhamed el Gazali, Hutab esh-shejh Muhamed el Gazali. v.1, Darul Iëti sam,1987, f.191.
(5) Ali Pajaziti, Fjalori i Sociologjisë, f.383, Lo gos-A & Uejl,2009, Shkup.
(6) Ekrem Sarëkçëogllu, Ibid.f.614.
(7) Qazim Qazimi, Njohuri mbi Kuranin , Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës, Prishtinë, 2006, f.119.
(8) Hafiz Ali Korça, Ve pra 12,f.244, Logos-A, Shkup. 2006.
(9) Vehbi Sulejman Gavoçi, Dispozitat e agjërimit, Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës, Prishtinë, 2008,f.122.
(10) Abdullah Halife, Mirësia e Ramaza nit, si ta arrish atë?, përktheu nga arabishtja: Ataullah Aliu, Lo gos-A, Shkup, 2010.
(11) Naim Tërnava, Ligjërime për fenë dhe atdheun, v. 2, Prishtinë, 2015, f.437, Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës.
(12) Jusuf Kardavi, Kejfe neteamel mea el kuran el adhim, Dar esh-shuruk, 1999, f.451, bot. i parë, Kajro.
(13) Imam Vehbi Ismaili, Vepra 8, Logos-A, 2009, Shkup, f.165.