Rëndësia e nijetit në vlefshmërinë e agjërimit

 


Agjërimi është ndër ibadetet më madhore në Islam, në të cilin ndërthuren përkushtimi shpirtëror dhe përmbajtja fizike. Një prej kushteve themelore për vlefshmërinë dhe pranimin e agjërimit është nijeti, domethënë vendosmëria e sinqertë e zemrës për të agjëruar vetëm për hir të Allahut. Në mungesë të këtij kushti, përmbajtja nga ushqimi, pija, dhe veprimet e tjera që e prishin agjërimin, nuk e merr karakterin juridik dhe adhurues të agjërimit, por mbetet një akt i zhveshur nga dimensioni normativ dhe, për pasojë, privon nga shpërblimi. Pejgamberi Muhamed, a.s., e përmbledh këtë parim në hadithin e njohur: "Vërtet veprat shpërblehen sipas qëllimit."(1) 
Duke qenë kështu, çështja e nijetit ka zënë një vend të rëndësishëm në trajtimet klasike dhe bashkëkohore të fikhut islam, veçanërisht në lidhje me kohën e realizimit të tij, dhe ndikimin që ai ushtron në vlefshmërinë e llojeve të ndryshme të agjërimit. Punimi shqyrton pozitën juridike të nijetit në agjërim, duke trajtuar kushtet, kohën, dhe klasifikimin e tij sipas natyrës së agjërimit, me shembuj praktikë. Ai analizon transmetimet dhe argumentet për kohën e nijetit dhe lidhjet e tyre me zbatimin.


Përkufizimi dhe vendi i nijetit


Nijeti është vendim i prerë i zemrës për ta kryer një veprim të caktuar në mënyrë të sinqertë për Allahun. Në rastin e agjërimit, nijeti e shndërron abstenimin nga të ngrënit dhe të pirët në një akt adhurimi. Mungesa e qëllimit të pastër e bën agjërimin të pavlefshëm. Prandaj, nijeti është elementi që i jep vlerë agjërimit, duke e bërë atë të pranueshëm dhe të shpërblyeshëm para Allahut. Për pasojë, në mungesë të nijetit të sinqertë, agjërimi e humb dimensionin e ibadetit dhe rrezikohet shpërblimi.
Ta thuash nijetin me zë nuk është e detyrueshme, por është e preferueshme, pasi ndihmon në koncentrimin dhe forcimin e vendimit të besimtarit. Një shembull i thjeshtë i deklarimit gojor, nëse nijeti bëhet gjatë natës: "Po e bëj nijet të agjërojë nesër për Zotin e Plotfuqishëm, nga obligimi i Ramazanit." Nëse nijeti bëhet gjatë ditës, thuhet: "Po e bëj nijet të agjërojë sot për Zotin e Plotfuqishëm, nga obligimi i Ramazanit."(2)


Kushtet e nijetit për vlefshmërinë e agjërimit


Që agjërimi të jetë i vlefshëm, nijeti për agjërim duhet të përmbushë tri kushte kryesore:
Kushti i parë, kërkon që personi të jetë i vetëdijshëm se po ia fillon një adhurimi siç është agjërimi;(3) vetëm abstenimi nga të ngrënit dhe të pirët, ose shmangia e veprimeve që e prishin agjërimin pa qëllimin e vetëdijshëm për të agjëruar, nuk e përmbush këtë kusht. Personi duhet të marrë një vendim të qëllimshëm dhe të vetëdijshëm, në mënyrë që akti të marrë statusin e një adhurimi të pranueshëm.
Kushti i dytë, kërkon që të dihet lloji specifik i agjërimit që ndërmerret. Specifikimi i llojit të agjërimit është veçanërisht i rëndësishëm për agjërimet që kërkojnë një përcaktim të veçantë, i cili përfshin të gjitha agjërimet, përveç agjërimit të detyrueshëm të Ramazanit, zotimit të përcaktuar, dhe agjërimi vullnetar (nafile).(4)
Kushti i tretë, vendimi duhet të jetë i pandryshuar deri në kohën e lejuar të ndërprerjes (deri në agim). Nëse dikush e braktis qëllimin e tij për të agjëruar para agimit (domethënë, para se të fillojë periudha e agjërimit të ditës) dhe nuk e ripërtërin nijetin brenda kohës së lejuar, agjërimi i tij për atë ditë nuk konsiderohet i vlefshëm. Agjërimi është i vlefshëm nëse personi e përsërit nijetin para se të përfundojë koha e caktuar.(5)
Shembuj ilustrues: Në rast se një person e bën nijetin gjatë natës për të agjëruar gjatë muajit Ramazan, ose për një agjërim të zotuar për një ditë të caktuar, por e ndërpret para ardhjes së agimit, ai është i detyruar ta kryejë kaza ditën e humbur. Por, nuk i detyrohet kefareti, për shkak se dijetarët nuk bien dakord nëse nijeti i bërë gjatë natës para agimit e kushtëzon detyrimin. Nëse dikush e bën nijetin natën për një agjërim vullnetar, dhe më pas e ndërpret, por e ripërtërin nijetin përsëri para mesit të ditës, sipas sheriatit (edDahvetu elKubra),(6) dhe nuk ka kryer ndonjë veprim që e prish agjërimin, atëherë agjërimi konsiderohet i vlefshëm.
Një nijet që shoqërohet vetëm me mendim për ta prishur agjërimin, pa ndonjë veprim konkret që e prish atë, nuk e bën agjërimin të pavlefshëm. Kjo mbështetet në hadithin e transmetuar nga Ebu Hurejra, r.a., ku Pejgamberi, a.s., ka thënë: "Allahu i Plotfuqishëm ia ka falur umetit tim çdo gjë që i pëshpërit vetvetja e tij, përderisa nuk flet apo nuk vepron sipas atij mendimi."(7) Nijeti për prishjen e agjërimit në këtë rast nuk është shoqëruar me ndonjë veprim, prandaj agjërimi nuk konsiderohet i prishur vetëm sepse personi mendoi ta prishte. Nijeti që nuk shoqërohet me veprim, nuk e prish agjërimin.(8)


Koha e bërjes së nijetit dhe klasifikimi sipas llojit të agjërimit


Nijeti i agjërimit ndahet në dy lloje sipas kohës së pranuar: agjërimet për të cilat është kusht që nijeti të bëhet natën, dhe agjërimet për të cilat nuk është kusht që nijeti të bëhet natën.
Megjithatë, për të gjitha llojet, më e mira është që nijeti të bëhet natën e ditës së agjërimit, ose në momentin e shfaqjes së agimit. Kjo praktikë shmang dyshimet dhe synon pajtueshmëri me shumicën e mendimeve juridike.


Agjërimet për të cilat është kusht të bëhet nijeti natën


Agjërimet për të cilat është kusht që nijeti të bëhet natën përfshijnë: kompensimin e ditëve të Ramazanit, agjërimin vullnetar që është prishur, kompensimin e agjërimit për të cilin është zotuar - pa kohë të përcaktuar, si dhe kefaretet (p.sh. kefareti për dhënie dëmshpërblimi, për thyerje të betimit, për vrasje, për prishje të Ramazanit, për shkelje të rregullave në haxh etj.,). Për secilin prej këtyre rasteve, njeriu duhet ta bëjë nijetin natën, ose ta bëjë nijetin njëkohësisht me shfaqjen e agimit, dhe duhet ta caktojë qartë se cilin lloj agjërimi do ta kryejë.(9)


Shembuj:
- Nëse dikush e bën nijetin për një prej këtyre llojeve pas agimit, atë e konsiderojmë se ka nisur një agjërim vullnetar; nëse ky agjërim prishet, duhet të kompensohet.
- Nëse dikush mendon se i detyrohet një kompensimi dhe fillon agjërimin me të gjitha kushtet, por më pas kupton se nuk ka qenë i obliguar, nuk obligohet ta përfundojë atë agjërim, për sa kohë që e ndërpret menjëherë pasi e ka kuptuar se nuk kishte obligim. Por, nëse vazhdon agjërimin pasi kupton se nuk ishte i obliguar, ky vazhdim bëhet i detyrueshëm dhe nuk lejohet ndërprerja; në rast ndërprerjeje, duhet të kompensohet.(10)


Agjërimet për të cilat nuk kushtëzohet nijeti gjatë natës


Agjërimet për të cilat nuk është kusht që nijeti të bëhet gjatë natës përfshijnë: agjërimin e muajit Ramazan, agjërimet vullnetare (nafile), si dhe agjërimet që burojnë nga zotime të lidhura me një afat të caktuar.
Për këto agjërime, koha e pranueshme për bërjen e nijetit fillon nga nata e mëparshme e ditës që do të agjërohet, dhe zgjat deri para gjysmës së ditës, e njohur në terminologjinë juridike si ed-Dahvetu el-Kubra.
Disa hadithe dhe praktika të Pejgamberit Muhamed, s.a.v.s., lidhur me çështjen e agjërimit, mbështesin qëndrimin se, në raste të caktuara, nijeti mund të bëhet edhe pas kalimit të natës, për sa kohë që ai realizohet brenda pjesës së parë të ditës, para mesditës. Si dëshmi për këtë, përdoret hadithi i transmetuar nga Seleme ibën el-Ekva, r.a., në të cilin tregohet se Pejgamberi, a.s., urdhëroi një njeri nga fisi Eslem që t'u shpallte njerëzve: "Kush ka ngrënë deri tani, le ta agjërojë pjesën e mbetur të ditës; dhe kush nuk ka ngrënë, le të agjërojë, sepse me të vërtetë sot është dita e Ashurës."(11)
Ky hadith tregon qartë se nijeti i bërë pas agimit nuk e pengon vlefshmërinë e agjërimit të ditës së Ashurës. Për këtë arsye, ai përdoret si argument se për disa lloje agjërimesh, koha e nijetit mbetet e pranueshme edhe gjatë orëve të mëngjesit të hershëm, përpara mesditës.
Historiku i agjërimit të Ditës së Ashurës forcon idenë se nijeti nuk është përherë i lidhur me natën. Para se agjërimi i Ramazanit të bëhej obligim, ishte obligim Ashura. Aishja, r.a., transmeton se: "Ashura ishte një ditë që e agjëronin kurejshitët në kohën e injorancës. Edhe i Dërguari i Allahut, a.s., e agjëronte. Kur erdhi në Medinë, ai e agjëroi dhe i urdhëroi njerëzit ta agjërojnë. Kur u bë obligim Ramazani, Ashura u la (e lirë). Kush dëshironte e agjëronte, dhe kush dëshironte e linte."(12)
Imam et-Tahaviu thekson se urdhri i Pejgamberit, a.s., për agjërim pas sabahut, tregon se ai që ishte i detyruar të agjërojë në një kohë të caktuar dhe nuk e ka bërë nijetin natën, mund ta bëjë atë pas sabahut, për sa kohë nijeti kryhet brenda afatit të lejuar deri para gjysmës së ditës sipas sheriatit (ed-Dahvetu el-Kubra).(13) Nga këto transmetime nxirren dy përfundime:
Kur agjërimi është farz (p.sh. Ramazani), ku agjërimi ka kufizim kohor (p.sh. zotimet me afat të përcaktuar), nijeti mund të bëhet edhe pas agimit, për aq kohë sa realizohet brenda pjesës së parë të ditës sipas sheriatit, dhe agjërimi konsiderohet i vlefshëm. Një transmetim tjetër i Aishes, r.a., përdoret gjithashtu si argument: "Hyri Pejgamberi, a.s., tek unë një ditë, dhe më tha: A keni diçka?' Ne thamë: 'Jo'. Ai tha: 'Atëherë unë po agjëroj'. Ajo thotë: 'Një ditë tjetër na sollën një dhuratë ushqimi; ne ia dhamë lajmin dhe ai tha: 'Me trego'. Al tha: 'Me të vërtetë isha agjërueshëm: por hëngri."(14)
Ky transmetim dëshmon se ndonjëherë, Pejgamberi, a.s., e fillonte ditën si agjërues, dhe më vonë e ndërpriste atë për ndonjë arsye, çka tregon se gjendja e nijetit dhe fillimi i agjërimit nuk lidhen domosdoshmërisht me natën për të gjitha llojet e agjërimeve.
Për ilustrim, po sjellim disa shembuj:
Nëse dikush vendos të agjërojë gjatë pjesës së parë të ditës, dhe më parë nuk ka ngrënë ose nuk ka bërë veprime që e bëjnë agjërimin të pavlefshëm, agjërimi konsiderohet i drejt. Nga ana tjetër, nëse pas fillimit të ditës personi kryen veprime që prishin agjërimin, agjërimi i tij bëhet i pavlefshëm, pavarësisht se nijeti ishte bërë.
Nëse dikush e bën nijetin para perëndimit të diellit për të agjëruar ditën e nesërme, por më pas fle, alivanoset, ose harron deri në mesditë të nesërmen, agjërimi konsiderohet i pavlefshëm, sepse nijeti nuk është bërë brenda kohës së përcaktuar (prej fillimit të natës deri para gjysmës së ditës, sipas sheriatit). Ndërkaq, nëse nijeti bëhet pas perëndimit të diellit, atëherë agjërimi është i vlefshëm.(15)


Hadithi që transmeton hafsa, r.a., dhe diskutimet rreth statusit të tij


Hadithi që transmeton Hafsa, r.a.,: "Kush nuk e bën nijet agjërimin para agimit, ai nuk ka agjërim:"(16) ka ngjallur diskutime ndër dijetarë lidhur me statusin e tij, nëse është merfu' (i lidhur drejtpërdrejt me Pejgamberin, s.a.v.s.) apo mevkuf (i ndaluar në sahabiun). Imam Tirmidhiu dhe Imam Nesaiu i japin përparësi vlerësimit mevkuf, duke argumentuar se Imam Nesaiu ka përmbledhur të gjitha rrugët e transmetimit të këtij hadithi, dhe se këto transmetime, në tërësinë e tyre, e mbështesin këtë qëndrim. Në veprën e tij Tirmidhiu përmend se edhe Imam Buhariu e ka pranuar këtë qëndrim.
Nga ana tjetër, një grup imamësh e pranojnë senedin në kuptimin e dukshëm, dhe e konsiderojnë hadithin të saktë, përfshirë Ibën Huzejmen, Ibën Hibanin, el-Hakimin dhe Ibën Hazmin. Darekutni, transmetuesi i një rruge tjetër, i konsideron transmetuesit e tij të besueshëm.(17)
Imam et-Tahaviu vë në dukje se hafidhët që e përcjellin këtë hadith nga Ibën Shihabi, r.a., nuk e ngrisin atë në nivelin merfu: Sipas tij, rreth këtij hadithi ekzistojnë mospajtime të tilla që shkaktojnë çrregullim (idtirab) në rangun e hadithit. Megjithatë, ai e pranon përdorimin e tij për agjërime të veçanta që nuk kanë kufizim strikt kohe, si agjërimi i kompensimeve të Ramazanit, agjërimi i kefareteve, dhe zotimet pa afat të caktuar(18)
Medhhebi hanefi harmonizon këto transmetime, duke ndarë rastet sipas natyrës së agjërimit. Për agjërimet me kufizim kohe (agjërimin e Ramazanit, zotimet me afat të përcaktuar dhe për nafilet), veprohet me transmetimet që lejojnë nijetin edhe pas natës, por brenda afatit. Ndërsa, për agjërimet pa kufizim kohe (kompensimit të Ramazanit, kefareteve, dhe zotimit pa afat të caktuar) veprohet sipas transmetimeve që kërkojnë nijetin gjatë natës.(19)


Përfundim


Nijeti është kusht thelbësor për vlefshmërinë e agjërimit. Pa të, agjërimi humb dimensionin e ibadetit. Për praktikë dhe për shmangie të dyshimeve, më e mira është që nijeti të bëhet gjatë natës që paraprin ditën e agjërimit, ose menjëherë para agimit. Kur agjërimi ka kufizim kohor, ekziston fleksibilitet sipas transmetimeve të ndryshme që lejojnë nijetin edhe pas natës, por brenda afatit, deri para gjysmës së ditës, sipas sheriatit. Kur agjërimi nuk ka kufizim kohe, kërkohet nijeti gjatë natës. Medhebi hanefi ofron një qasje të balancuar që ndan rastet sipas natyrës së obligimit, duke lejuar zbatimin praktik dhe harmonizimin e transmetimeve.


 


______________________________
1 El-Buhari, nr: I, 1/6.
2 Shih: e1-Muhit, 3/282, dhe Meraki el-Felah, fq. 285, el-Xhevhere, 1/136, ed-Durr el-Mulitar ve hashijetuhu, 2/380.
3 EI-Ihtijar, 1/126.
4 EI-Xhevhere, 1/136.
5 Meraki el-Felah, fq. 289.
6 Dita, sipas Sheriatit, fillon nga agimi dhe përfundon me perëndimin e diellit, ndërsa gjysma e kësaj dite është koha e ed-Duhvetu el-Kubra. Shih: el-Binajeh, 4/11, Meraki el-Felah, fq. 238. Njohja e Dahvetul-Kubra është shumë e rëndësishme, sepse ajo është koha e fundit në të cilën lejohet të bëhet nijeti për agjërimin e Ramazanit, për zotimin e caktuar dhe për agjërimin vullnetar. Nëse nijeti për këto agjërime bëhet pas kësaj kohe, nuk pranohet. Për llogaritjen e kohës së Dahvetu el-Kubra ekziston kjo mënyrë : llogaritim kohën prej fillimit të agimit deri te lindja e diellit , pastaj marrim gjysmën e saj dhe e heqim nga koha e drekës ; rezultati do të jetë Dahvetu el-Kubra . Për këtë domethënë na nevojiten koha e agimit, lindja e diellit dhe koha e drekës Shembull : Nëse agimi fillon në ora 4:07, lindja e diellit është në 5:37 dhe koha e drekës në 12:43 , prej agimit deri te lindja e diellit janë 90 minuta; gjysma e saj është 45 minuta . Këta 45 minuta i heqim nga koha e drekës: 12:43 - 0:45 = 11:58. Kjo është koha e Dahvetu el-Kubra.
7 Ahmedi, nr: 10363, 16/237, Ibn Hibani, nr: 4334, 10/178, et-Tirmidhi, nr: 1183, 2/480 dhe thotë: "/ mirë sahth".
8 El-Bedai, 2/92.
9 Durrer el-Hukam, 1/198, dhe ed-Durr el-Muhtar ve hashijetuhu, 2/380.
10 Ed-Durr el-Muhtar ve hashijetuhu, 2/380-381.
11 El-Buhari, nr: 2092, 3/290.
12 El-Buhari, nr: 2002, 3/44, Muslimi, nr: 1126, 2/792.
13 Sherh Meani el-Athar, 2/73.
14 Muslimi, nr: 1154, 2/809.
15 Redu el-Muhtar ala ed-Durr, 2/377.
16 Ebu Davudi, nr: 2454, 2/329, Sunen en-Nesai, nr: 2331, 4/196, Ibn Huzejmeh, nr: 1933, 3/212, et-Tirmidhi, nr: 730, 2/100 dhe thotë: "Hadithin e Hafses nuk e di që dikush e ka ngritur te Pejgamberi, a.s., përveç Jahja ibn Ejubit. Ky hadith, mevkuf (i ndaluar te sahabiu), është transmetuar nga Nafiu, nga Ibën Umeri, dhe nga Zuhri, dhe ky është më i vërtelë."
17 I'lau es-Sunen, 9/116.
18 Sherh Meani el-Athar, 2/54.
19 I'lau es-Sunen, 9/116.


 


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Kur profesioni bëhet mision - Dr. Qazim Qazimi - 46 vite në shërbim të arsimit