Urtësia dhe konteksti i muajve të shenjtë në kaptinën Tevbe

 


Kaptina Tevbe, e shpallur në Medinë pas kaptinës Maide(1) e renditur në Mushaf si kaptina e nëntë, përfaqëson një nga kaptinat e fundit medinase dhe pasqyron një fazë vendimtare të konsolidimit normativ,- politik dhe shoqëror të shoqërisë islame. Ajo u shpall në rrethana historike të ndjeshme, pas kthimit të Pejgamberit a.s. nga ekspedita e Tebukut,(2) në vitin e nëntë të hixhretit, një periudhë që karakterizohet nga rregullimi përfundimtar i marrëdhënieve ndërmjet myslimanëve dhe grupeve të tjera fetare e shoqërore. Në këtë kontekst, surja adreson çështje thelbësore që lidhen me rendin kohor dhe juridik të shoqërisë, përfshirë respektimin e muajve të shenjtë dhe refuzimin e praktikave arbitrare, përmes të cilave normat hyjnore u nënshtroheshin interesave njerëzore. Këto parime vendosen brenda një kornize të qartë teologjike dhe ligjore, ku theksohet se dispozitat e Allahut, përfshirë sistemin e muajve dhe shenjtërinë e disa prej tyre, janë të pandryshueshme dhe nuk varen nga rrethanat apo kalkulimet pragmatike të shoqërisë. 
Njëkohësisht, kaptina shënon ndarjen përfundimtare dhe të hapur nga idhujtarët, të cilëve u jepet një afat i caktuar për ta rishikuar qëndrimin e tyre, si dhe trajton në mënyrë kritike sjelljen e ithtarëve të librit ndaj myslimanëve. Pjesë e rëndësishme e saj i kushtohet edhe ekspeditës së Tebukut, e cila shërben si një provë e madhe e besimit dhe përkushtimit të myslimanëve si dhe si një mjet për demaskimin e hipokrizisë dhe intrigave të mynafikëve. Përmbajtja normative dhe diskursi kritik i kësaj kaptine, shpjegojnë edhe mospërmendjen e formulës Bismil-lahi'r-Rahmani'r-Rahim në fillim të saj, pasi theksi vihet jo mbi mëshirën, por mbi përgjegjësinë, ndarjen e qartë nga kundërshtarët dhe zbatimin e vendosur të urdhrave hyjnorë. Në këtë mënyrë, kaptina Tevbe shfaqet si një tekst themelor për kuptimin e kalimit nga toleranca e përkohshme drejt konsolidimit përfundimtar të rendit islam, si në aspektin doktrinar ashtu edhe në atë juridik e shoqëror.


Emërtimi i kaptinës


Kaptina Tevbe, e cila pasqyron çështje kyçe teologjike, normative dhe shoqërore, njihet me disa emërtime që lidhen me përmbajtjen dhe mesazhin e saj, duke treguar pasurinë dhe kompleksitetin e trajtimit të temave si pendimi, ndëshkimi dhe demaskimi i hipokrizisë. Këta emra zakonisht janë marrë nga fjalët dhe përmbajtja që përmenden brenda vetë kaptinës Tevbe, siç janë: Et-tevbe, el-Berae, el-Fadiha, Suretul-Adhab, el-Munakkira, el-Buhuth, el-Hafira, el-Muthira dhe el-Mubathira. Sujutiu thekson se këta janë kryesisht emrat e kaptinës Tevbe, por disa dijetarë përmendin edhe emërtimet Muhzije, Munekkile, Musherride dhe Mudemdime(3), duke treguar diversitetin e perceptimeve të hershme mbi këtë kaptinë dhe rëndësinë e saj në strukturën dhe kuptimin e Kuranit. Përveç kësaj, kjo kaptinë trajton edhe çështje të veçanta historike dhe sociale, si ndarja përfundimtare nga idhujtarët, muajt e shenjtë dhe përgatitja për ekspeditën e Tebukut, duke shërbyer si një udhërrëfyese për rregullimin e marrëdhënieve fetare dhe shoqërore në një bashkësi në zhvillim.


Lidhmëria e kaptinës tevbe me kaptinën enfal


Nga përmbajtja, kaptina Tevbe ka një lidhmëni të dukshme me kaptinën paraprake që zë vend në mushaf, pra Enfal, duke trajtuar çështje të ngjashme, por në një mënyrë më të detajuar dhe analitike. Përderisa në kaptinën Enfal flitet për luftën kundër idhujtarëve, në kaptinën Tevbe jepet detajisht udhëzimi mbi kohën e ndaluar dhe mënyrën e veprimit: "Tek Allahu numri i muajve është dymbëdhjetë (sipas hënës), ashtu si është në librin e Allahut prej ditës kur krijoi qiejt dhe tokën. Prej tyre katër janë të shenjtë. Kjo është fe e drejtë."(4) Gjithashtu, marrëveshjet që përmenden në kaptinën Enfal analizohen dhe sqarohen më tej në Tevbe: "Denoncim nga Allahu dhe i Dërguari i Tij ndaj idhujtarëve me të cilët ju patët lidhur kontratë (kumtesë për shkëputjen e marrëveshje).(5) Kjo qasje tregon lidhjen hermeneutike midis dy kaptinave dhe rëndësinë e Tevbes për interpretimin dhe zbatimin praktik të dispozitave të dhëna më parë, duke ofruar një udhëzues të qartë për besimtarët në çështje të besimit, normative dhe shoqërore.


Urtësia hyjnore e muajve të shenjtë: konteksti normativ dhe historik


Muajt e shenjtë trajtohen në kaptinën Tevbe në kontekstin e marrëveshjeve dhe disiplinës normative për besimtarët, sidomos përmes ajetit 5 dhe 36. Ajeti i pestë, që lidhet me katër ajetet e mëparshme, u shpall si paralajmërim për idhujtarët që shkelën Marrëveshjen e Hudejbijes. Në këtë kontekst, thuhet: "Denoncim nga Allahu dhe i Dërguari i Tij ndaj idhujtarëve me të cilët ju patët lidhur kontratë (kumtesë për shkëputjen e marrëveshje)."(6) Sipas dijetarëve islam, ky ajet përmban një ultimatum të qartë. Marrëveshja e Hudejbijes parashikonte një armëpushim dhjetëvjeçar midis myslimanëve dhe idhujtarëve të Mekës, por gjatë ekspeditës së -Tebukut disa fise shkelën këtë marrëveshje, duke nxitur shpalljen e këtij ajeti me një ton sfidues.(7) Në ajetin e dytë u dha një afat katërmujor për ata që shkelën marrëveshjen, ndërsa ajeti i tretë i sugjeronte rikthimin në marrëveshje si opsion më të mirë për ta. Ajeti i katërt sqaronte se, fiset që nuk e shkelën marrëveshjen, mbeten të paprekura nga këto dispozita.(8) Pas çlirimit së Mekës, haxhi i parë u udhëhoq nga Ebu Bekri, r.a., ndërsa Pejgamberi, a.s., nuk mori pjesë, për ta shmangur përzierjen me idhujtarët. Ultimatumi i ajetit u shpall për haxhinjtë dhe u përhap jo vetëm rreth Qabesë, por edhe në tregjet e zonës, duke paralajmëruar se pas përfundimit të muajve të shenjtë, myslimanët nuk do t'i respektonin më kufizimet e marrëveshjes. Gjithashtu, u sqarua se myslimanët dhe idhujtarët nuk do të kryenin më haxhin në të njëjtën kohë, dhe se respektimi i marrëveshjes nga fiset me të cilat Pejgamberi kishte lidhur marrëveshje, do të vazhdonte deri në përfundimin e muajve të shenjtë. Ndërsa, ndaj fiseve pa marrëveshje, do të zbatoheshin dispozitat e përgjithshme të muajve të shenjtë.(9) Në ajetin e pestë urdhërohet që, pas përfundimit të muajve të shenjtë, idhujtarët që nuk shfaqën pendesë dhe nuk u kthyen në marrëveshje, por vazhduan qëndrimet e tyre nxitëse dhe agresive, të kapen, të ndalohen dhe të luftohen. Shprehja kuranore "Luftoni idhujtarët kudo që t'i gjeni"(10) nuk nënkupton se një mysliman duhet ta vrasë çdo idhujtar, por duhet kuptuar brenda kontekstit të veçantë normativ dhe historik të ajetit.(11) Kuptimi i saj është se, edhe nëse ata gjenden brenda kufijve të Mesxhidul-Haramit, mund të kapen, të arrestohen pa hezitim, pasi që pas përfundimit të afatit të caktuar ata konsiderohen si palë që kanë zgjedhur konfliktin. Kjo nënkupton se, ndalimi i luftimit brenda hapësirës së shenjtë nuk vlen më për ata që, pavarësisht ultimatumit të qartë të katër ajeteve paraprake, kanë refuzuar paqen dhe kanë vazhduar armiqësinë. Ndërsa, në ajetin e 36-të të kësaj kaptine, muajt e shenjtë paraqiten jo thjesht si një realitet faktik apo zakon shoqëror, por si një rend juridik i vendosur drejtpërdrejt nga Allahu. Në këtë ajet theksohet se numri i muajve tek Allahu është dymbëdhjetë: "Tek Allahu numri i muajve është dymbëdhjetë (sipas hënës), ashtu si është në librin e Allahut prej ditës kur krijoi qiejt dhe tokën. Prej tyre katër janë të shenjtë."(12) dhe se ky rregull është i përcaktuar që nga dita e krijimit të qiejve dhe të tokës, si dhe katër prej këtyre muajve janë mua) të shenjtë duke u paraqitur si një ligj hyjnor i pandryshueshëm. Kur shqyrtohet literatura e hershme tefsirore, vërehet se, pjesa e ajetit që thekson se numri i muajve është një dispozitë e vendosur nga Allahu ose nuk është trajtuar fare, ose është pranuar drejtpërdrejt në kuptimin e saj literal. Në disa komente kjo shprehje është interpretuar si një referencë ndaj rendit hyjnor të paracaktuar, ndërsa në të tjera është theksuar veçanërisht rëndësia dhe shenjtëria e muajve të ndaluar. Ka edhe qasje që e lënë këtë pjesë pa koment të veçantë, duke u mjaftuar me kuptimin e dukshëm të tekstit kuranor.(13) Në këtë kontekst, Fahruddin er-Razi e ka interpretuar shprehjen "në librin e Allahut" si një tregues të kuptimit të vendosjes së një norme dhe obligimi juridik, ashtu siç haset edhe në ajete të tjera kuranore. Sipas tij, kjo nënkupton se dispozita e muajve të shenjtë është një rregull hyjnor që ekziston që nga dita e krijimit të botës. Po ashtu, ai shton se dijetarët kanë arritur konsensus se muajt e shenjtë janë gjithsej katër, prej të cilëve tre janë të njëpasnjëshëm - Dhul-Kadeja, Dhul-Hixheja dhe Muharremi - ndërsa i katërti është i veçuar, përkatësisht muaji Rexheb. Në këtë kontekst, Pejgamberi, a.s., në hytben e tij të njohur gjatë Haxhit të Lamtumirës, ka përshkruar katër muajt e shenjtë duke theksuar: "Viti ka dymbëdhjetë muaj, prej të cilëve katër janë të shenjtë; tre prej tyre janë të njëpasnjëshëm: Dhul-Kadeja, Dhul-Hixhxheja dhe Muharremi, ndërsa i katërti është muaji Rexheb i fisit Mudar."(14) Ky deklarim ilustron shpalljen normative, dhe rëndësinë e shenjtërisë së këtyre muajve në rendin kohor dhe moral të komunitetit mysliman. Termi "i shenjtë" (haram) nënkupton se, shkeljet dhe mëkatet e kryera gjatë këtyre muajve konsiderohen më të rënda dhe ndëshkohen më ashpër, ndërsa veprat e bindjes dhe adhurimit gëzojnë shpërblim më të madh.(15) Maturidiu ndan një qasje të ngjashme, duke e lidhur përmendjen e numrit të muajve në përgjithësi dhe të muajve të shenjtë në veçanti me Levh-i Mahfudhin dhe me dijen e Allahut, gjë që e përforcon idenë se kjo dispozitë nuk është produkt i rrethanave historike, por pjesë e rendit të përhershëm hyjnor.(16) Pra, Zoti i Madhërishëm ka dalluar disa net nga të tjerat, siç është Nata e Kadrit, dhe ka veçuar disa individë nga pjesa tjetër e njerëzimit, duke u dhënë atyre misionin e pejgamberisë. Duke qenë se këta shembuj janë të qartë dhe gjerësisht të njohur në traditën islame, veçimi i disa muajve me një shkallë më të lartë shenjtërie nuk paraqet asgjë të pazakontë. Në këtë kuadër, mund të pranohet se Allahu i Madhëruar e di se kryerja e veprave të bindjes në këto kohë ushtron një ndikim më të madh në pastrimin shpirtëror të njeriut, ndërsa kryerja e mëkateve në të njëjtat periudha ka një efekt më të theksuar në ndotjen dhe prishjen morale të tij. Një urtësi tjetër e këtij veçimi qëndron në natyrën njerëzore, e cila është e prirur drejt padrejtësisë dhe prishjes, ndërkohë që shmangia e plotë nga këto vese paraqet vështirësi të konsiderueshme. Për këtë arsye, Zoti i Lartësuar ka veçuar disa kohë dhe disa vende me një nivel më të lartë nderimi dhe respektimi, me qëllim që njeriu, gjatë këtyre periudhave dhe në këto hapësira, të përmbahet nga veprat e shëmtuara. Ky veçim prodhon një sërë dobish dhe virtytesh: së pari, braktisja e mëkateve në këto kohë përbën një kërkesë në vetvete, pasi e ushtron individin në largimin prej tyre edhe në mënyrë të përgjithshme; së dyti, kryerja e veprave të mira në këto periudha forcon vetëpërmbajtjen dhe disiplinën morale; dhe së treti, individi që angazhohet në adhurime gjatë këtyre kohëve, e ka më të vështirë ta pranojë që përpjekja dhe lodhja e tij të shkojnë dëm përmes shkeljeve morale, gjë që e nxit atë drejt shmangies së plotë nga mëkatet. Në thelb, kjo përbën urtësinë e veçimit hyjnor të këtyre muajve. Në këtë kontekst, Pejgamberi, a.s., ka thënë: "Pas agjërimit të muajit Ramazan, agjërimi më i merituar është ai i kryer në muajin Muharrem, që është muaji i Allahut"(17) Në vijim të ajetit thuhet: "Kjo është fe e drejtë. Pra, mos e ngarkoni (me mëkat) veten tuaj në ata (katër muaj)"(18) - ku shprehja "atë" i referohet numrit të dymbëdhjetë muajve që ka përcaktuar Allahu, prej të cilëve katër janë të shenjtë, duke korrigjuar kështu manipulimet e idhujtarëve që kishin shtuar një muaj dhe kishin shkelur rendin e muajve. Sa i përket termit "din); ai mund të kuptohet si një sistem i drejtë dhe i qëndrueshëm, në të cilin llogaritet dhe vlerësohet veprimi i individit, ndërsa "el-kajjimu" nënkupton drejtësi dhe qëndrushmëri,(19) duke treguar se ky sistem udhëzon drejt moralit, disiplinës dhe pastrimit shpirtëror. Shprehja " فِيهِن" në ajet,. interpretohet në dy mënyra: e para, ajo i referohet të dymbëdhjetë muajve, me kuptimin që njeriu të mos kryejë padrejtësi ndaj vetes gjatë gjithë vitit, ndërsa qëndrimi i dytë më i zakonshëm, e lidh atë me katër muajt e shenjtë (haram), për shkak se këto kohë kanë ndikim të veçantë në shtimin e shpërblimit për adhurimet dhe rritjen e ndëshkimit për mëkatet. Ky veçim tregon një urtësi hyjnore, sepse i jep njeriut mundësinë të përqendrojë devotshmërinë në periudha të caktuara, duke theksuar rëndësinë e vetëpërmbajtjes dhe disiplinës morale, dhe përforcon idenë se koha nuk është neutrale, por ka një ndikim të drejtpërdrejtë në pastrimin shpirtëror dhe fuqizimin e virtyteve. Trajtimi i muajve të shenjtë në kaptinën Tevbe, nxjerr në pah rëndësinë e tyre normative, historike dhe shpirtërore. Veçimi hyjnor i këtyre muajve nuk është thjesht një përcaktim kohor, por një udhëzim për disiplinë morale, vetëpërmbajtje dhe respekt ndaj ligjit të vendosur nga Zoti. Urtësia e këtij rregulli qëndron në mundësinë që besimtari të përqendrohet në devotshmëri, të shmangë mëkatet dhe të rrisë shpërblimin për veprat e mira gjatë këtyre periudhave të veçanta, duke forcuar kështu vetëdisiplinën dhe kultivimin e virtyteve të qëndrueshme.


_________________________________
1 Shihab ez-Zuhri, en-Nasihu ve'l-Mensuh, f. 42.
2 Es-Sujuti, el-Itkan fi Ulumi'l-Kur 'an, f. 118.
3 Es-Sujuti, el-Itkan fi Ulumi'l-Kur 'an, f. 119.
4 Tevbe, 9/26.
5 Muhammed b. Siddik, Xhvahiru'l-Bejan fi Tenasubi's-Suveri'l-Kur 'an, 32.
6 Tevbe, 9/1.
7 Taberi, Xhamiu'l-Bejan fi Te'vili'l-Kur 'an, XI/94.
8 Kurtubi, Xhamiu li'Ahkami'l-Kur'an, VIII/71.
9 Ibn Atijje, el-Muharreru'l-Vexhiz, IV/131.
10 Tevbe, 9/5.
11 Taberi, Xhamiu'l-Bejan fi Te'vili'l-Kur'an, XIV/1344.
12 Tevbe, 9/36.
13 Ebu Ubejde, Mexhazu'l-Kur'an, 1/258; Zexhxhaxh, Meani '1- Kur 'an, 11/445.
14 Buhari, "Tefsir", 9/8.
15 Razi, Mefatihu'l-Gajb, XVI/41.
16 Maturidi, Te 'vilatu ehli's-sunne, V/367.
17 Muslim, "Sijam", 202.
18 Tevbe, 9/36. 19 Razi, Mefatihu'l-Gajb, XVI/41.


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Kur profesioni bëhet mision - Dr. Qazim Qazimi - 46 vite në shërbim të arsimit