Nata e Kadrit, vlera dhe shfrytëzimi i saj


Hyrje


Muaji i bekuar Ramazan, është padyshim muaji që Zoti e dalloi nga të tjerët, në të cilin bëri obligim agjërimin, si falënderim për dhuntinë e dhënë, siç potencon Kurani fisnik: "Muaji Ramazan është ai në të cilin zbriti Kurani, (që është) udhërrëfyes për njerëzit, platformë i udhëzimit, dhe dallues (i së mirës nga e keqja), andaj kushdo që e dëshmon (me prezencë) kur ai të vjen, le ta agjërojë atë!...", duke përmbyllur këtë ajet në këtë kontekst, duke thënë: "...dhe që ju t'i plotësoni ditët (e mbetura), ta madhëroni Allahun për udhëzimin që ju dha, dhe që të falënderoni." (El Bekare, 185).
Kështu, Ai, me urtësinë absolute, dhe nga bujaria e Tij, dalloi në mesin e netëve dhe ditëve të këtij muaji, Natën e Kadrit, duke e veçuar atë me veçori dhe vlera, të cilat nuk gjinden në netët e tjera të vitit. Për atë, i Dërguari i Zotit përgëzoi kur tha: "Juve ju erdhi Ramazani, muaj i bekuar... në të është një natë, e cila është më e mirë se një mijë muaj, kush privohet nga mirësitë e saj vërtetë është i privuar".(1) Kështu, nëse Zoti caktoi agjërimin si adhurim të veçantë dhe specifikues në këtë muaj, ai veçoi Natën e Kadrit, si kohën më të mirë dhe të volitshme, për t'u ngritur lart në vlera, dhe për t'u pasuruar me mirësi dhe shpërblime.


Kuptimi i fjalës "Nata e Kadrit"


Nata e Kadrit (arab. ليلة القدر), është një emër, i lidhur me lidhje të ngushtë gjinore, i përbërë nga dy fjalë: natë, që nënkupton kohën prej perëndimit të diellit e deri në agim, dhe "Kader", që nënkupton vlerën dhe rëndësinë, apo gjykimin dhe vendimin, nënkupton edhe ndarjen dhe dallimin.(2)
Nata e Kadrit është njëra nga netët e muajit të bekuar Ramazan, dhe në këtë nuk ka asnjë mëdyshje, ngase Zoti i Madhërishëm e filloi zbritjen e Kuranit në muajin Ramazan. Kurani e vërteton këtë kur thotë: "Muaji Ramazan, është muaji në të cilin zbriti Kurani..." (El Bekare, 185), dhe po ashtu thotë: "Ne e zbritëm atë, në Natën e Kadrit" (Kadr, 1), e që nënkupton se Nata e Kadrit është një nga netët e bekuara të këtij muaji, në të cilën zbriti Kurani famëmadh. Dhe, duke qenë se vlera dhe madhështia e një gjëje, korrespondon me vlerën dhe madhështinë e asaj që përmban ajo, kjo natë mori këtë vlerë dhe madhështi, ngaqë në të zbriti fjala e Zotit të Madhërishëm, për këtë arsye Zoti e cilësoi si natë të bekuar kur tha: "Ne e zbritëm atë, në një natë të bekuar..." (Duhan, 3).
Pra, Nata e bekuar e Kadrit, është ajo natë në të cilën toka vuri kontakt me qiellin, ku zbriti drita hyjnore dhe ndriçoi tokën, duke shënuar kështu një nga ngjarjet me brilante dhe madhore të historisë së njerëzimit, me ç'rast u nda e vërteta nga gënjeshtra, dhe u dallua e sakta nga e kota.


Arsyeja e emërtimit me këtë emër


Mendimtarët islam kanë shfaqur mendimet e tyre, duke përmendur arsye të ndryshme të emërtimit të kësaj nate me këtë emër. Ata kanë disa mendime, dhe më të dalluarat janë këto:
Mendimi i parë - është quajtur kështu, për shkak të vlerës që ka, ngase fjala "kader" nënkupton vlerën, siç përmend Kurani: "...وما قدروا الله حق قدره "dhe ata nuk e vlerësuan Allahun siç Ai e meritoi... (En'am, 91), dhe kjo padyshim për shkak të vlerës së ngjarjes madhore të ngjarë në të, apo edhe vlerës së madhe që kanë veprat dhe adhurimet nëse ato veprohen në të, dhe kjo veçori nuk i është dhënë ndonjë nate tjetër.(3) Kështu jep të kuptojë hadithi profetik ku thekson: "...kush e ngjallë (në adhurim) Natën e Kadrit, me besim dhe shpresë në pranim, do t'i falen mëkatet e kaluara."(4)
Mendimi i dytë - për shkak të ngushtësisë që ajo natë gjen, me rastin e zbritjes së melaikeve, të cilat mbushin horizontin dhe tokën,(5) siç përmendet në po këtë sure: "Në të zbresin melaiket dhe Shpirti (Xhibrili), me lejen e Zotit të tyre, me (duke bartur) çdo çështje" (Kadr, 4), dhe fjala "kader" nënkupton këtë, siç përmend ajeti "...ومن قدر عليه رزقه" dhe atij që i ngushtohet furnizimi…" (Talak, 7).
Mendimi i tretë - për shkak se në të caktohen gjërat dhe sillen vendimet, që do të ndodhin gjatë një viti, deri në Natën tjetër të Kadrit, siç përmendet në ajetin: "Ne e zbritëm atë në një natë të bekuar, Ne (me këtë) ishim paralajmërues. Në të caktohet (ndahet) çdo çështje me urtësi" (Duhan, 3-4). Muxhahidi kishte thënë: "Nata e Kadrit është nata e gjykimit (vendimit)." Ngjashëm kishte thënë edhe Imam Neveviu: "Është quajtur kështu, sepse është nata e gjykimit dhe vendimit."(6)


Koha e saktë e kësaj nate


Nata e Kadrit është njëra nga netët e muajit të bekuar Ramazan, siç sqaruam, dhe këtu nuk ka asnjë dilemë, ndërsa janë të shumta mendimet dhe idetë që flasin se cila është ajo natë, kjo për shkak të shumëllojshmërisë se argumenteve në këtë temë.
Mendimi i parë - se ajo është në muajin Ramazan, e lëvizshme në tërë muajin, autorët e këtij mendimi madje thonë se ajo mund të jetë në tërë vitin, duke mos caktuar natë të veçantë, dhe ky mendim i atribuohet imamit Ebu Hanife, Allahu e mëshiroftë, Ibën Abasit, Ibën Mesudit, Ikrime, etj..(7) Ibën Umeri kishte thënë: E pyeta të Dërguarin e Zotit për Natën e Kadrit, se kur është ajo? Ai më tha: "Ajo është në tërë Ramazanin."(8) Dhe, ky është argument i qartë, nëse nuk do të ishte për qëllim çdo Ramazan, ngaqë hadithi هي يف كل رمضان nënkupton të qenët e saj në tërë Ramazanin, apo në çdo Ramazan, sepse fjala كل (çdo/secili) nënkupton tërësinë në një kohë, por edhe një kohë të caktuar, në formë të përsëritur.
Mendimi i dytë - ajo është në dhjetëshin e mesëm të Ramazanit, dhe e paqartë për ne cila është ajo, kështu mendonte Imam Neveviu, Hasan el Basriu, dhe disa nga shafitë.(9)
Mendimi i tretë - është në dhjetëshin e fundit të Ramazanit, pa theksuar një natë të veçantë prej tyre. Kështu i kishte orientuar i Dërguari a.s. disa nga shokët e tij, të cilët e pyetën për këtë natë, duke ju thënë: "Kërkojeni atë në dhjetëshin e fundit."(10)
Mendimi i katërt - është i përafërt me mendimin paraprak, i cili kufizon Natën e Kadrit në dhjetëshin e fundit të Ramazani, por duke precizuar më shumë, dhe duke e kufizuar atë në netët tek, konkretisht në natën e njëzet e një, tre, pesë, shtatë dhe nëntë. Kështu duke u bazuar në hadithin e lartpërmendur dhe në hadithin e Ubade ibën Samit r.a., i cili e kishte pyetur të Dërguarin për Natën e Kadrit, i Dërguari i kishte thënë se: "Ajo është në Ramazan, andaj kërkojeni në dhjetëshin e fundit të netëve, ajo është në ato tek, në njëzet e një, ose njëzet e tre, ose njëzet e pesë, ose njëzet e shtatë, apo njëzet e nëntë apo në natën e fundit...".(11)
Hadithi i lartshënuar është bazë në këtë mendim, ndërsa fjala e fundit e tij "ose në natën e fundit", sado që disa janë bazuar në të për të ndërtuar kështu mendim të ri, ai nuk bie ndesh me të qenët e asaj nate në netët tek, ngase muaji është njëzet e nëntë ose tridhjetë ditë, siç është shpjeguar në hadithe të tjera, andaj atëherë kur muaji është 29 ditë, i bie që nata e fundit të jetë tek, dhe me gjasë të madhe që ajo të jetë Nata e Kadrit, ashtu siç mund të kuptohet si shpjegim i pjesës së fundit të këtij hadithi, në ndërkohë që Shuajb Arnauti, këtë pjesë e konsideronte të dobët dhe shtojcë të pasaktë.(12)
Mendimi i pestë - është i ngjashëm me atë paraprak, e që e përkufizon Natën e Kadrit në dhjetëshin e fundit të netëve të Ramazanit, më konkretisht në netët tek të tij, por në mënyrë më decidive në natën e njëzet e shtatë. Argumentet për këtë janë më të shumta, duke qenë ky edhe mendimi i shumicës se dijetarëve, andaj edhe është përmendur në mënyrë decidive, në ndërkohë që, edhe argumentet e tjera e përfshijnë atë. Të këtij mendimi janë shumë nga sahabët, prej tyre: Ubejj ibën Ka'bi, i cili edhe ishte betuar se ajo është nata e njëzet e shtatë, duke thënë: "Për Zotin, unë e di cila është ajo, është nata për të cilën i Dërguari na urdhëroi që ta ngjallnim me ibadet, e ajo është nata e njëzet e shtatë." I këtij mendimi është edhe Enes ibën Maliku, dhe, ky është njëri transmetim i imam Ebu Hanifes, Imam Ahmedit, etj.. Ndërsa kur ishte pyetur Ubejj ibën Ka'bi për f jalën e Ibën Mesudit r.a: "Kush falet tërë kohën (në kërkim të Natës së Kadrit), do ta qëllojë atë", ishte përgjigjur duke thënë: "Zoti e mëshiroftë Ibën Mesudin, ai deshi që njerëzit mos të pasivizohen, sepse për Zotin ai e dinte që ajo është në Ramazan, madje në dhjetëshin e fundit të tij, dhe më konkretisht është nata e njëzet e shtatë..."13
Ngjashëm transmetohet nga Ibën Abasi r.a., i cili tregon se një njeri kishte ardhur tek i Dërguari i Allahut, duke u ankuar se ishte plakur dhe lodhur, andaj nuk mundte që të qëndronte gjatë, duke kërkuar t'i tregonte për një natë, me shpresë që Zoti do t'ia mundësonte ta qëllonte Natën e Kadrit, andaj i Dërguari atij i tha: "Përpiqu në të shtatën"(14), që është për qellim nata e shtatë e dhjetëshit të fundit.
Këto janë mendimet më kryesore rreth ndodhjes së Natës së Kadrit në muajin Ramazan, ndonëse ka edhe mendime të tjera, por thuajse të gjitha shpien në atë se Nata e Kadrit është në muajin Ramazan, në mes të pjesës së parë të muajit, të mesmes dhe asaj të fundit, pastaj në net të caktuara të këtyre tri pjesëve. Ndërsa, arsyeja e ekzistimit të argumenteve të shumta dhe të ndryshme, gjegjësisht arsyeja e mosdefinimit të kohës së saktë të saj, është ajo që qëndron në hadithin e të Dërguarit të Zotit, i cili përcillet të ketë thënë: "Mua më është shfaqur Nata e Kadrit, por më ka dalë nga mendja, ndërsa ju kërkojeni atë në dhjetëshin e fundit, respektivisht në netët tek...".(15) Kurse, arsyeja pse dija rreth saj është ngritur nga i Dërguari i Zoti duke e harruar atë, është ajo që transmeton Ubade ibën Samiti r.a., i cili thotë: "Doli (nga dhoma e tij) i Dërguari i Zoti për të na lajmëruar për Natën e Kadrit, dhe gjeti dy nga myslimanët tek grindeshin, me ç'rast ai tha: "Dola për t'ju lajmëruar për Natën e Kadrit, dhe gjeta filanin dhe filanin tek grindeshin, pastaj (dija rreth saj) u ngrit nga unë, e shpresoj të jetë më mirë për ju..."(16)
Nuk ka dyshim se harresa e shkaktuar nga grindja, është një mësim i madh dhe mesazh i qartë, se grindjet në mes të myslimanëve nuk janë në dobi të tyre, ato shkaktojnë ngecje, privim nga dija, dhe jo qartësi në vizion. Megjithatë, në rastin në fjalë duket se ka qenë urtësi e Krijuesit të Madhërishëm, dhe kjo kuptohet nga fjala e të Dërguarit ku thotë: "...dhe unë shpresoj të jetë më mirë për ju." Kështu e kuptoi këtë Imam Bejhekiu, andaj edhe tha: "I Dërguari i Zotit, në fillim e dinte kohën e saj, përveçse nuk i ishte lejuar ta kumtonte atë, në mënyrë që njerëzit mos të pasivizoheshin dhe ta ngjallnin atë natë përveç të tjerave, më pas i Dërguari i Zotit e harroi atë, në mënyrë që të mos pyetej për diçka nga feja dhe ai të mos përgjigjet për të."(17)


Si (të) shfrytëzohet kjo natë?


Vlera dhe rëndësia e natës së Kadrit është e jashtëzakonshme dhe me peshë të madhe. Madhështia e saj qëndron në veprat që kryhen brenda asaj nate. Këtë e vërteton i Dërguari i Zotit kur thotë: "Kush e ngjallë (në adhurim) Natën e Kadrit, me besim dhe shpresë në pranim, do t'i falen mëkatet e kaluara."(18) Zbritja e një sureje dhe emërtimi i saj me emër të kësaj nate, dëshmon më së miri për pozitën dhe vlerën që ka kjo natë te Zoti i Madhërishëm, andaj nuk do fjalë që vlerësimin më të mirë kjo natë e mori nga Zoti i gjithësisë, kur Ai tha: "Nata e Kadrit është më e mirë se një mijë muaj." (Kadr, 3). Muxhahidi thoshte: "Vepra në të, agjërimi i ditës që pason këtë natë dhe ngjallja e saj, janë më me vlerë se të gjitha këto në një mijë muaj, dhe kjo padyshim se është madhështi dhe vlerë e madhe."
Vlerën kësaj nate, ia shton edhe më, zbritja e melaikeve në krye me Xhibrilin, të cilat vijnë me shpërndarjen e vendimeve dhe përcaktimeve, sjellin furnizimet dhe caktojnë afatizimet. I Lartësuari thotë: "Në të zbresin melaiket edhe Shpirti (Xhibrili), me lejen e Zotit të tyre, me (duke bartur) çdo çështje." (Kadr, 4). Zbritja e melaikeve, shoqërimi i tyre ata që ngjallin këtë natë, mbushja e tokës me mysafirë të ndritur dhe të dalluar të qiellit, ndër ta edhe meleku Xhibril, i cili solli Kuranin në këtë natë të bekuar, nuk ka dyshim se ia rrisin vlerën dhe madhështinë kësaj nate. Ndërsa, Ebu Hurejre transmeton se i Dërguari i Zotit kishte thënë: "Nata e Kadrit është e njëzet e shtata apo njëzet e nënta, dhe se melaiket në atë natë do të jenë në tokë, më shumë sesa numri i guralecëve."(19) (Ibën Huzejme, 2196).
Këto melaike, përveç pranisë së tyre, me vete sjellin paqen, qetësinë dhe sigurinë, rehatinë, lumturinë dhe stabilitetin, dhe kjo natë mbaron, ashtu siç edhe vetë surja, me: "Selam (paqe) është ajo, deri në agim të mëngjesit." (Kadr, 5).
Nata e vlefshme, është e bekuar, kështu e cilësoi Zoti në Kuranin fisnik: "Ne e zbritëm atë në një natë të bekuar." (Duhan, 3), andaj si e tillë, ajo është dhuratë e madhe që i është dhënë njerëzimit në përgjithësi, dhe veçanërisht besimtdrejtëve, andaj nuk duhet neglizhuar dhe as anashkaluar, ngase ai që privohet nga të mirat e saj, vërtet është i privuar.
Duke parë vlerën e madhe që ka kjo natë, dhe që mos të privohet nga përfitimet e mëdha të saj, Aisheja r.a., e kishte pyetur të Dërguarin e Zotit, se çfarë të thoshte gjatë kësaj nate. II Dërguari e orientoi që të shpeshtonte së luturi me këtë lutje: "O Zot, Ti vërtet je Falës (dhe Sigurues), dhe e do faljen (e sigurinë), andaj të lutem, më fal mua!"(20) (Ahmedi, 25384). Fjala "el afv" (falje, siguri) e përmendur në këtë hadith, është nga kuptimet më madhore dhe shprehjet më përmbledhëse në të cilat orientonte i Dërguari i Zotit kur i mësonte besimtarët se si të luteshin, duke qenë se kjo fjalë nënkupton faljen dhe sigurinë në këtë, por edhe Botën Tjetër, e që është aseti më i vlefshëm në jetën e kësaj bote, por edhe fitimi më i madh i botës së amshuar.
Nga ajo që kam përmendur mund të konkludojmë se:
1- Nata e Kadrit është njëra ndër netët e muajit Ramazan, dhe është nata në të cilën zbriti Kurani fisnik, si e tillë ajo është nata më e vlefshme e vitit.
2- Mendimet rreth ndodhjes së saj në muajin Ramazan janë të shumta dhe të llojllojshme, dhe sipas mendimit më të saktë, ajo është në netët tek të dhjetëshit të fundit të Ramazanit, e argumentet se ajo është në natën e njëzet e shtatë janë më të zëshmet, megjithatë, kërkohet që besimtari të jetë përherë aktiv, e më aktiv në dhjetëshin e fundit, e posaçërisht në natën e njëzet e shtatë.
3- Atë natë, banorët e qiellit nga melaiket e ndritura, dhe ata të tokës nga besimtarët e përkushtuar, bëhen bashkë si një xhemat, të unifikuar rreth madhërimit dhe lavdërimit të Zotit të gjithësisë, andaj ajo natë është paqe dhe rehati, deri në agim të diellit.
4- Besimtari, pasi të kuptojë vlerën dhe peshën e kësaj nate, me përkushtim dhe aktivitet si asnjëherë më parë, angazhohet duke kërkuar mirësitë dhe shijuar frytet e saj, ngase ai e kupton që, neglizhimi i asaj nate dhe humbja e mirësive të saj, është humbje e madhe dhe privim real nga çdo e mirë.


_____________________
1. Ahmed ibën Hanbel, Musned Ahmed, (i recensuar nën mbikëqyrjen e Shuajb Arnautit, muesseset er risale, 2001), nr.7148, 12/59.
2. Muhamed ibën Mukerrem, Lisan el Arab, (Kairo, Dar el Mearif), lënda قَدَر.fq. 3545-3547 ,
3. Mahmud Shukri el Alusi, Ruh el Meani fi Tefsir el Kuran el Adhim ve es Seb' el Methani, (Bejrut, Dar ihja et turath el arabi), 30/192.
4. Muhamed ibën Ismail el Buhari, Sahih el Buhari, (Damask-Bejrut, Dar ibën Kethir, 2002), nr. 2014, fq.484.
5. Ahmed ibën Ali ibën Haxher el Askalani, Fet'h el Bari bi sherh Sahih el Buhari, (recensoi Shuajb Arnauti dhe Adil Murshid, muesseset er Risale, 2013), 6/554.
6. Ahmed ibën Ali ibën Haxher el Askalani, Fet'h el Bari 6/554.
7. Ibën Haxher el Askalani, Fet'h el Bari, 6/569.
8. Sylejman ibën el Esh'ath es Sexhistani, Sunen ebi Davud, (recensoi Shuajb Arnautit, dar er risale el alemije, 2009), nr.1387, 2/535.
9. Ibën Haxher el Askalani, Fet'h el Bari, 6/571.
10. Muhamed ibën Ismail el Buhari, Sahih el Buhari, (Damask-Bejrut, Dar ibën Kethir, 2002), nr. 2021, fq. 485.
11. Ahmed ibën Hanbel, Musned Ahmed, nr.22741, 37/406.
12. Po aty, gjykimi i hoxhës mbi pjesën e fundit, në fusnotën me nr.2.
13. Muslim ibn el Haxhaxh, Sahih Muslim, (dar Tajjibe, 2006), nr.220 (762), fq.524.
14. Ahmed ibn Hanbel, Musned Ahmed, nr.2149, 4/49-50.
15. Muhamed ibn Ismail el Buhari, Sahih el Buhari, nr. 2016, fq.484.
16. Muhamed ibn Ismail el Buhari, Sahih el Buhari, nr. 2023, fq.486.
17. Ahmed ibn el Husejn el Bejheki, Fedail el evkat, (Bejrut, dar el kutub el ilmije, 1997), fq.62.
18. Buhariu në Sahih, nr. 2014.
19. Muhamed ibn Is'hak, Sahih iben Huzejme, (el mekteb el islamij), nr. 2196, fq.1048-1049.
20. Ahmed ibn Hanbel, Musned Ahmed, (nr.25384, 42/236, dhe të tjerë.


 


Dituria Islame 389


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Atmosferë madhështore e Festës së Bajramit në Prishtinë