Ramazani dhe shpresa e formimit të myslimanit shëmbëlltyrë

Allahu xh.sh. në Kuran thotë: "O ju që besuat, agjërimi u është bërë obligim, sikurse që ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush, kështu që të bëheni të devotshëm..." (El Bekare, 183).
Koncepti i adhurimit (El Ibadeh) në Islam ka një ndikim të madh në edukimin-formimin e anës shpirtërore, në orientimin e sjelljes, pastrimin dhe lartësimin e shpirtit, reformimin e tij dhe përtëritjen e kthimit për te Zoti xh.sh.. Ky koncept ka një ndikim të qartë në orientimin e drejtë të karakterit të myslimanit, në pastërtinë e shpirtit të tij dhe në kryerjen me përpikëri të detyrave që i janë besuar.
Adhurimet të cilat Zoti xh.sh. i ka urdhëruar për krijesat e Tij, realiteti dhe forma e tyre janë që ato të krijojnë lidhjen e drejtpërdrejtë ndërmjet njeriut dhe Krijuesit të tij, dhe nëpërmjet tyre të njihet myslimani që është i përkushtuar ndaj fesë së tij nga ai që nuk përkushtohet fare.
Adhurimet në Islam, figurativisht mund t'i llogarisim si stacione në rrugën e jetës, ku njeriu ndalet dhe në mënyrë të drejtpërdrejt i drejtohet Zotit të tij dhe i lutet Atij, në mënyrë që të fitojë devotshmëri dhe drejtësi, t'i mposhtë egot dhe dëshirat e tij dhe t'u drejtohet atyre sa herë që e shqetëson ose e brengosë ndonjë çështje.
Adhurimet, përveçse që janë një lidhje ndërmjet robit dhe Zotit të tij, ato janë një mjet për të krijuar një lidhje të mirë midis individit dhe shoqërisë. Ato e edukojnë individin, e përgatisin atë për jetën dhe mënyrën e ballafaqimit me çështjet e kësaj bote.
Meqë jemi në muajin Ramazanit dhe besimtarët janë duke shijuar ditët e fundit të këtij muaji, atëherë themi se agjërimi është njëri nga pesë shtyllat e fesë islame, dhe njëri nga aktet e adhurimit që ka ndikimin më të madh në jetën e një myslimani, si nga aspekti shpirtëror, ashtu edhe nga aspekti moral dhe shoqëror. Kjo sepse muaji Ramazan është një momentum i madh i mirësisë. Në të pastrohen shpirtrat, zemrat afrohen me Krijuesin e tyre dhe hapen dyert e Xhenetit. Pejgamberi a.s. ka thënë: "Është muaj në të cilin hapen dyert e mëshirës dhe dyert e Xhenetit, mbyllen dyert e Xhehenemit, dhe lidhen shejtanët."(1) Në këtë muaj, Zoti ia shpalli Kuranin Pejgamberit të Tij, Muhamedit a.s. si udhërrëfyes për njerëzit, një dallim midis së vërtetës dhe të pavërtetës dhe një sqarim i rrugëve të mirësisë. Allahu xh.sh. thotë: "Muaji i Ramadanit që në të (filloi të) shpallet Kurani, që është udhërrëfyes për njerëz dhe sqarues i rrugës së drejtë dhe dallues (i së vërtetës nga gënjeshtra)." (El Bekare, 185).
Agjërimi si rit është prej ibadeteve të cilat Zoti ua ka bërë obligim edhe popujve të mëhershëm. Edhe pse forma dhe mënyra kanë qenë të ndryshme, mirëpo qëllim dhe efekti sigurisht janë të njëjta.
Muaji Ramazan është muaj i begatshëm dhe një moment madhështor, i cili në veten e tij përmban virtyte dhe begati që nuk mund të numërohen. Nuk ka dyshim se është muaji i Kuranit famëlartë dhe në të është "Nata e Kadrit", e cila është më e mirë se njëmijë muaj, është muaj që ngulit te njeriu shumë virtyte dhe efekte të shkëlqyera, të tilla si mëshira, dhembshuria dhe mirësia ndaj të varfërve, nevojtarëve dhe të mjerëve. Është muaji i durimit, sepse agjërimi është gjysma e durimit, kurse durimi është gjysma e besimit, gjithashtu është muaji i devotshmërisë. Kjo sepse agjërimi është një shkollë e madhe islame, e cila e edukon njeriun me të gjitha komponentët e tij psikologjike, fizike, shpirtërore, morale dhe sociale. Agjërimi ka shumë rregulla dhe shumë dobi nga aspekti social dhe nga aspekti individual, duke përfshirë kështu dhembshurinë për të varfrit. Kjo sepse kur agjëruesin e godet uria, ai kujton gjendjen e tij gjatë gjithë kohës dhe kjo e shtyn atë të mëshirojë të varfrit, ngase mëshira te njeriu lind nga dhimbja, kurse agjërimi është një mënyrë praktike për të ngritur mëshirë në shpirt dhe kur arrihet mëshira e të pasurve për të varfrit dhe të uriturit, atëherë fjala e brendshme njerëzore bëhet e fuqishme dhe me ndikim.
Agjërimi ia mëson myslimanit durimin me të gjitha format e tij. Ia mëson durimin gjatë veprimit të punëve të mira, dhe durimin me rastin e braktisjes së punëve të liga. Gjithashtu ia mëson durimin në caktimet-kaderet e Zotit. I Dërguari a.s., pikërisht këto virtyte kishte për qëllim kur ka thënë në një hadith të tij lidhur me agjërimin e Ramazanit: "...ai është muaji i durimit, ndërsa shpërblimi për durimin është Xheneti."
Agjërimi e forcon vendosmërinë e besimtarit dhe aftësinë e tij për të duruar, e përgatit atë që të përballet me vështirësitë dhe fatkeqësitë me të cilat mund të ballafaqohet në jetën e tij, me një shpirt pozitiv dhe vendosmëri të lartë. Agjërimi gjithashtu forcon prirjen e natyrshme të besimtarit ndaj shoqërisë, kështu që ai punon për t'u kujdesur për të drejtën e shoqërisë, dhe është i prirë për bashkëpunimin, solidaritetin, dhembshurinë dhe kohezionin e tij, siç është e zakonshme. Agjërimi përhap në mesin e shoqërisë drejtësinë, barazinë, dashamirësinë dhe dhembshurinë.
Nëse dikush bën një pyetje se si ndikon agjërimi në formimin e një myslimani ideal, atëherë ne mund të themi se ndikimi i agjërimit në sjelljen dhe përsosmërinë e një besimtari mund të shfaqet përmes disa pikave:


Në raport me krijuesin e tij


Fillimisht do të fokusohemi te ndikimi që ka agjërimi i Ramazanit në raport mes robit dhe Krijuesit të tij.
Agjërimi i Ramazanit ndikon në ngritjen e devotshmërisë në zemrat e besimtarëve dhe ripërtëritjen e besimit - imanit.
Këtë e potencon Allahu xh.sh. në Kuran, kur flet për qëllimin e agjërimit: "O ju që besuat, agjërimi u është bërë obligim sikurse që ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush, kështu që të bëheni të devotshëm..." (El Bekare, 183). Nuk ka dyshim se agjërimi i Ramazanit ka ndikim të thellë në parandalimin e shumë veprave të liga dhe të ndaluara. Këtë e vëren çdo besimtar i cili agjëron gjatë muajit Ramazan. Së këndejmi, kur një besimtar largohet nga veprat e ndaluara dhe vepron punë të mira që i ka porositur Allahu xh.sh. dhe i Dërguari i Tij, kjo ndikon në ngritjen e të qenët të tij si besimtar i përkushtuar dhe besimtar shëmbëlltyrë.
Agjërimi i Ramazanit ndikon në rritjen e ndjenjës së përcjelljes së Zotit xh.sh. ndaj robit.
Agjërimi i Ramazanit ndikon në fuqizimin e lidhjes shpirtërore mes robit dhe Zotit të tij, kjo lidhje e fuqizon ndjenjën e përcjelljes së Zotit ndaj robit në çdo aspekt. Si rezultat i kësaj ndjenje, ai largohet nga çdo punë, vepër e cila është e ndaluar dhe sjell dëme, gjithashtu ai mundohet që të bëjë çdo punë, vepër e cila është e dobishme dhe Zoti është razi me të.
Agjërimi i Ramazanit ndikon në konceptimin e mirësive të shumta që i ka robi. Natyrshëm njeriu e koncepton vlerën e një dhuntie atëherë kur ajo i mungon ose privohet prej saj. Për këtë arsye, edhe agjëruesi arrin ta konceptojë edhe më vlerën e ushqimit, pijeve, dhe intimitetit, pikërisht gjatë agjërimit, për shkak të privimit të tij prej tyre për një kohë të caktuar.
Agjërimi i Ramazanit ndikon në edukimin e besimtarit që vazhdimisht të jetë korrekt në fjalë dhe vepër.
Kjo arrihet përmes përkushtimit të besimtarit gjatë muajit Ramazan, që të jetë sa më korrekt dhe i përkushtuar në adhurime. Të jetë në kontiunitet dhe përputhje të plotë mes fjalëve dhe veprave të tij. Pejgamberi a.s. ka thënë: "Nëse dikush nuk i braktis fjalët e kota dhe veprat e këqija, Allahu nuk do që ai ta braktisë ushqimin dhe pirjen."(2)


Në raport me vetveten e tij


Agjërimi i Ramazanit është një shkollë e madhe, e cila në karakterin e besimtarit lë gjurmë të thella, prej të cilave mund të veçojmë:
Agjërimi i Ramazanit ndikon në përforcimin e vullnetit dhe gatishmërisë së besimtarit.
Kjo për arsye se agjërimi e edukon besimtarin si ta përmbajë vetën e tij dhe si t'i shmanget dëshirave dhe egove të tij. Përmes agjërimit, arrin të avancohet edhe nga aspekti i sjelljeve të tij me të tjerët, sepse ai e dinë se sjellja e mirë e ka vlerën e agjëruesit. Pejgamberi a.s. ka thënë: "Me të vërtetë besimtari ka mundësi që përmes sjelljeve të mira ta arrijë gradën e agjëruesit dhe namazfalësit."(3)
Agjërimi i Ramazanit ndikon në edukimin e besimtarit duke përforcuar durimin e tij.
Kjo realizohet përmes frenimit të vetës së tij dhe ndalimit të saj nga ushqimet dhe pijet gjatë ditëve të Ramazanit, me qëllim të arritjes së kënaqësisë së Allahut xh.sh.. Agjërimi gjithashtu kultivon durimin, i cili ndërlidhet me çështjen e braktisjes së mëkateve dhe veprave të liga. Në këtë mënyrë, besimtari, i cili agjëron dhe largohet nga mëkatet e shijon vlerën e durimit ndaj mëkateve.
Agjërimi i Ramazanit ndikon në krijimin e shprehisë së falënderimit ndaj Allahu xh.sh.
Agjërimi është një mjet i cili të çon deri te krijimi i shprehisë për të shprehur falënderim ndaj mirësive dhe dhuntive të Allahut xh.sh., kjo sepse abstenimi nga ushqimi, pijet dhe gjërat e tjera që e prishin agjërimin, është abstenim nga begatitë më të mira që i ka njeriu. Së këndejmi, njeriu e di vlerën e një dhuntie atëherë kur nuk e posedon atë, dhe kjo e shtyn atë që ta falënderojë Zotin për dhuntitë dhe begatitë e Tij. Këtë e vërejmë në momentin kur agjëruesi e çel agjërimin e tij duke pirë një gotë ujë e cila e flladitë atë, dhe në momentin kur ha ushqimin. Çështja e falënderimit është potencuar tërthorazi në ajetet e agjërimit, "... dhe që të falënderoni.". (El Bekare, 185).


Në raport me shoqërinë dhe rrethin ku jeton


Agjërimi i Ramazanit, siç u theksua edhe më lartë, është një shkollë gjithëpërfshirëse dhe shumëdimensionale. Ai ka ndikimin e tij edhe në shoqërinë e cila e praktikon këtë adhurim.
Agjërimi i Ramazanit ndikon në edukimin e shoqërisë myslimane për solidaritet.
Kjo veti arrihet duke ndjekur shembullin e Pejgamberit a.s., i cili ishte shumë solidar dhe dorëdhënë gjatë muajit Ramazan. Abdullah ibën Abasi r.a. tregon se Pejgamberi a.s. ishte njeriu më dorëdhënë, ndërsa në Ramazan, për çdo natë kur takohej me Xhibrilin për përsëritje të Kuranit, ishte akoma edhe më dorëdhënës. Kjo për arsye se edhe shpërblimi gjatë muajit Ramazan është i shumë fishuar, prandaj është një element nxitës, i cili ndikon në rritjen e solidaritetit dhe humanizmit ndërmjet njerëzve gjatë këtij muaji.
Agjërimi i Ramazanit ndikon në promovimin e unitetit mes niveleve të shoqërisë myslimane.
Ky unitet shfaqet qartazi gjatë muajit të bekuar Ramazani, ku myslimanët, varësisht prej dallimeve që kanë në përkatësinë e tyre, nivelet, gjuhën dhe përgjegjësitë e tyre, ata që të gjithë agjërojnë në kohë të njëjtë dhe bëjnë iftar në të njëjtën kohë. Nuk ka dallime ndërmjet të varfrit apo të pasurit, ndërmjet femrës apo mashkullit. Që të gjithë në mënyrë të unifikuar e përmbushim këtë obligim ndaj Krijuesit të tyre me qëllim të arritjes së kënaqësisë së Tij dhe përkushtimit ndaj kryerjes së obligimeve të tyre.
Agjërimi i Ramazanit ndikon në arritjen e barazisë ndërmjet shtresave të shoqërisë dhe eliminimin e dallimeve mes tyre.
Agjërimi është një faktor i rëndësishëm dhe efektiv në ngritjen e nivelit të individëve dhe shoqërive në të gjitha nivelet; shpirtërore, psikologjike, edukative, sociale, shëndetësore dhe të sigurisë. Agjërimi ndikon te të gjithë në ngritje dhe lartësimin më të madh material e moral. Me këtë efekt avancohen lidhjet vëllazërore dhe realizohet kuptimi i hadithit të Pejgamberit a.s., në të cilin ka thënë: "Do të shohësh se besimtarët janë si një trup në dhembshurinë ndaj njëri-tjetrit, në dashurinë ndaj njëri-tjetrit dhe në butësinë ndaj njëri-tjetrit!.. Kur një gjymtyrë e këtij trupi të ndjejë dhimbje, edhe gjymtyrët e tjera nuk flenë dhe përpëliten me dhimbjen që ndjen ajo."(4)
Si përfundim, agjërimi është një adhurim madhështor, të cilin Zoti xh.sh. fillimisht e ka detyruar për të arritur devotshmërinë. Mirëpo, nëse një mysliman e kryen atë në mënyrën më të mirë të mundshme, atëherë ndikimi i tij do të reflektohet në të gjitha aspektet e jetës. Për shkak të efektit të tij të mirë në rritjen e nivelit të besimit, edukimin e shpirtit dhe mësimin e tij me durim dhe përpjekje, agjërimi me të vërtetë konsiderohet një shkollë stërvitore-trajnuese që e afron myslimanin me Krijuesin e tij. Efekti i agjërimit nuk kufizohet vetëm tek individi, ky efekt shtrihet përtej kësaj edhe në nivel social. Gjatë këtij muaji vëmë re një rritje të manifestimeve të solidaritetit social, dhe rritjen e lidhjeve të vëllazërisë dhe unitetit ndërmjet anëtarëve të shoqërisë.


___________________________
1 Transmeton Imam Muslimi, hadithi nr. 1039.
2 Transmeton Imam Buhariu, hadithi nr. 1903.
3. Transmeton Ebu Davudi, hadithi nr. 4798.
4. Transmeton Imam Buhari, hadithi nr. 6011.


 


 


Dituria Islame 401


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Atmosferë madhështore e Festës së Bajramit në Prishtinë