Premtimet hyjnore të Allahut të Lartëmadhëruar për mbulimin e agjëruesve me bekime e mirësi mbesin shtytësit kryesorë që i bëjnë ata të garojnë me vepra të mira pa ndalur gjatë gjithë muajit Ramazan. Shtegu fisnik i garës së virtyteve në këtë muaj, si kurrë njëherë më parë mbushet me aspiruesit e faljes e amnistisë së Zotit Fuqiplotë. Asnjëri nga ta nuk dëshiron që të hyjë në një muaj brenda së cilit është një natë më e vlefshme se sa një mijë muaj - nata e Kadrit - e të mos arrijë diçka nga vlerat e saj. Privimi nga mirësitë e bekimet e muajit Ramazan, në përgjithësi, e të Natës së Kadrit, në veçanti, është privimi më brengosës për një besimtar vizionar. Andaj, në këtë sens duhet kuptuar edhe ato fjalë që na i drejtoi i Dërguari i Allahut, Muhamedi a.s. kur tha: "...në këtë muaj është një natë që ka vlerë më të madhe se një mijë muaj të tjerë, e kush privohet nga mirësitë e saj, ai vërtet është i privuar." (Nesaiu, 2106; Imam Ahmedi, 7148). Ne, me agjërimin tonë, abstenojmë nga gjëra të nevojshme në një segment kohor të përballueshëm, me shpresën që ky privim të mos mbetet thjesht një privim yni fizik, pra i pa shoqëruar me ndryshime substanciale në karakterin tonë. Ky abstenim, që nuk bënë diferencën në mes ditëve para Ramazanit dhe atyre brenda dhe pas tij, nuk mëton të realizojë synimet fisnike të një ibadeti hyjnor që Ligjvënësi i Urtë na ka ngarkuar me të. Xhabir ibën Abdullahu r.a. thoshte: "....mos e bëjë ditën tënde të agjërimit të mbetet e njëjtë me ditën tënde që nuk je agjërueshëm...". S'mund të ishte ndryshe ai që u edukua nga edukata profetike e Muhamedit a.s.. Ai dhe të tjerët nga shokët e tij fisnikë dëshmuan se kurrë në jetën e tyre nuk janë mjaftuar me gërvishtjen e lehtë në koren e kuptimësive të ibadeteve islame. Ata lëvronin thellë në urtësitë dhe porositë madhështore, dhe nga të tillat hulumtime gjithnjë dilnin të furnizuar me urtësi e dobi që ata i kishin për fituar.
Vazhdimi i trendit të nëpërkëmbjes së porosive të Zotit Fuqiplotë dhe mosgatishmëria për t'u larguar nga traseja e mëkatimit ndaj Tij nuk janë pritjet e aspiruara nga asnjëri prej nesh. Për më tepër, ky është një ogur jo i mirë dhe tregon se të tillët agjërues, për mëri të fatit, qenkan mjaftuar me urinë e etjen si arritje të shënuar nga ajo sakrificë, që do të duhej të kishte tjetër qëllim. Kjo ngase, nëse ritualet fetare islame nuk kanë produkt të natyrshëm të vetin sjelljen e mirë dhe transformimin pozitiv brenda njeriut, ato mbesin pa shije dhe s'kryejnë funksionin për çka janë destinuar.
Një besimtar i mirëfilltë, që thesarin e veprimtarisë së tij gjatë Ramazanit e ka të mbushur me namaz, lutje, agjërim, sadaka, bamirësi, shtruarje të i iftareve, fuqizim të lidhjeve familjare e farefisnore, buzëqeshje në fytyrën e vëllait, etj., i tilli është njeriu më i denjë që meriton t'i gëzohet arritjes së festës së Bajramit të Fitrit. Ai që ka çiltërsuar shpirtin e tij në këtë muaj dhe ka arritur të gdhendë në shpirtin e tij virtytet e përsosura morale në këtë muaj, i tilli është triumfuesi i vërtetë. E zezë mbi të bardhë është thënë në ajetin kuranor: "Me të vërtetë ka shpëtuar (do të jetë i lumtur), ai që e pastron atë (shpirtin). Dhe, me të vërtetë do të zhgënjehet ai që e ka lajthitë atë (shpirtin)!" (Esh Shems, 9-10).
Të dalësh në festën e Bajramit, duke e përjetuar një paqe të munguar me vetveten, por dhe duke dhuruar rehati, paqe e siguri për të gjithë njerëzit që ty të rrethojnë, kjo po që është fitorja më e madhe që neve na është premtuar. Ç 'lumturi mund të ndiej njeriu në ditën e Bajramit, nëse në rrethin e tij shoqëror nuk ka luajtur asnjë rol për t'ia tejkaluar një brengë një njeriu të sprovuar. Apo, nëse nuk ka shprehur gatishmëri që të harrojë e të falë keqbërjen e mizorinë e tjetrit që në lëkurën e tij ai e ka përjetuar. E nëse faljen e Zotit dhe mëshirën e Tij e shpresojmë, ne duhet që këto dy tipare, së pari ne vetë t'i aplikojmë me të tjerët.
E kështu, ai që amnistinë e Zotit në këtë muaj ka rritur ta fitojë, i tilli është i denjë që Ditën e Bajramit me ngazëllim e lumturi edhe ta festojë.
Editorial
Dituria Islame 401