Gjatë vizitës zyrtare në kryeqytetin e Turqisë, Myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava, është takuar me kryetarin e Dijanet-it të Republikës së Turqisë, dr. Safi Arpagush.
Takimi u zhvillua në një atmosferë të ngrohtë dhe vëllazërore, ku u diskutua për bashkëpunimin ndërinstitucional dhe për avancimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ndërmjet Bashkësisë Islame të Kosovës dhe Dijanet-it të Turqisë.
Me këtë rast, Myftiu Tërnava shprehu mirënjohjen e tij për pritjen e ngrohtë, si dhe falënderoi Diyanet-in për mbështetjen e vazhdueshme që i ka dhënë Bashkësisë Islame të Kosovës dhe besimtarëve në vend. Ai theksoi rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit në fusha të ndryshme, veçanërisht në zhvillimin e jetës fetare, arsimit islam dhe aktiviteteve kulturore.
Nga ana e tij, kryetari i Dijanet-it, dr. Safi Arpagush, vlerësoi lart marrëdhëniet e deritanishme ndërmjet dy institucioneve, duke shprehur gatishmërinë e plotë për zgjerimin dhe fuqizimin e bashkëpunimit dypalësh. Ai theksoi se Dijaneti do të vazhdojë të mbështesë projektet që kontribuojnë në avancimin e jetës fetare dhe në forcimin e lidhjeve ndërmjet dy vendeve.
Gjatë takimit, bashkëbiseduesit diskutuan edhe për projekte konkrete të përbashkëta, si dhe për mundësitë e rritjes së bashkërendimit në të ardhmen. Një vëmendje e veçantë iu kushtua edhe rrjedhës së ndërtimit të Xhamisë Qendrore në Prishtinë, me ç'rast u theksua nevoja për vazhdimin e punimeve sipas dinamikës së paraparë dhe shqyrtimin e mundësive për përshpejtimin e tyre, me qëllim përfundimin sa më të shpejtë të këtij projekti të rëndësishëm.



