Mesditën e djeshme, në Aeroportin Ndërkombëtar "Adem Jashari" në Prishtinë, arriti grupi i dytë i haxhilerëve nga Podujeva, Fushë Kosova, Obiliqi, Gjakova dhe Klina. Ndërkaq, pas mesnatës, në Kosovë mbërriti edhe grupi i tretë i haxhilerëve nga komunat e Prizrenit dhe Shtimes.
Haxhilerët u pritën ngrohtësisht nga familjarë dhe të afërm të shumtë, të cilët u uruan haxh të pranuar dhe ibadete të pranuara.Të emocionuar dhe të gëzuar për përfundimin me sukses të këtij obligimi fetar, haxhilerët theksuan se përjetimet e tyre gjatë qëndrimit në vendet e shenjta janë të papërshkrueshme me fjalë.
Gjatë ditës së sotme dhe deri të hënën pritet të arrijnë edhe katër grupet e tjera të haxhilerëve, duke përmbyllur kështu kthimin e të gjithë 1.576 haxhilerëve nga Kosova, të cilët këtë vit udhëtuan drejt vendeve të shenjta për ta kryer haxhin.


