Kupa e Botës FIFA 2026 ka mbërritur dhe do të shënojë një numër rekord të vendeve me shumicë myslimane që po marrin pjesë në turne.
E organizuar bashkërisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanadaja dhe Meksika, gara është zgjeruar në 48 kombëtare, duke hapur dyert për më shumë vende myslimane që të marrin pjesë.
Vendet me shumicë myslimane që do të garojnë janë:
Algjeria, Bosnja dhe Hercegovina, Egjipti, Irani, Iraku, Jordania, Maroku, Katari, Arabia Saudite, Senegali, Tunizia, Turqia dhe Uzbekistani.
Një përmendje e veçantë i takon gjithashtu Bregut të Fildishtë, ku myslimanët përbëjnë rreth 43% të popullsisë.
Mes skuadrave pjesëmarrëse këtë vit janë ekipe me traditë në Kupën e Botës, si Maroku dhe Senegali.
Maroku bëri histori në Kupën e Botës 2022 duke u bërë kombëtarja e parë afrikane dhe arabe që arriti në gjysmëfinale. Edhe Senegali la përshtypje në Katar duke arritur në çerekfinale.
Turqia arriti në gjysmëfinale në vitin 2002 duke siguruar vendin e tretë. Megjithatë, ajo nuk arriti të kualifikohej në turne pas atij suksesi dhe rikthehet tani pas një mungese 24-vjeçare.
Turneu do të ketë edhe dy debutues të rëndësishëm si Jordania dhe Uzbekistani që po marrin pjesë për herë të parë në skenën më të madhe të futbollit botëror.
Ndërkohë, Iraku rikthehet në Kupën e Botës për herë të parë që nga paraqitja e tij e vetme në Meksikë 1986, duke i dhënë fund një mungese 40-vjeçare nga ky kompeticion.