Fjala arabe "Inshallah", që do të thotë "nëse do Zoti", po përdoret gjithnjë e më shpesh në mediat anglishtfolëse, duke u shndërruar gradualisht në një term të njohur edhe jashtë botës arabe.
Sipas një analize të gazetës The National, të bazuar në të dhënat e platformës globale GDELT, përmendjet e fjalës "Inshallah" në mediat në gjuhën angleze janë trefishuar që nga viti 2017. Termi tashmë shfaqet shpesh në artikuj dhe reportazhe pa u shoqëruar me përkthim apo shpjegim, çka tregon se është bërë pjesë e fjalorit të zakonshëm të shumë lexuesve anglishtfolës.
Analiza lidh këtë rritje me disa ngjarje të rëndësishme ndërkombëtare. Në vitin 2017, aktorja Lindsay Lohan tërhoqi vëmendjen, pasi publikoi fjalën "Inshallah" në Instagram. Dy vjet më vonë, zgjedhja e Ilhan Omar dhe Rashida Tlaib si gratë e para myslimane në Kongresin amerikan e solli termin më shpesh në raportimet politike. Në vitin 2020, presidenti amerikan Joe Biden e përdori shprehjen gjatë një debati presidencial, ndërsa lufta në Gaza, që shpërtheu në tetor 2023, rriti më tej përdorimin e saj në mediat dhe rrjetet sociale.
Interesimi për kuptimin e fjalës është rritur edhe në internet. Të dhënat e Google tregojnë se kërkimet për shprehjen "meaning inshallah" janë rritur me rreth 130 për qind gjatë pesë viteve të fundit. Ndërkohë, kërkimet për "translate inshallah from Arabic" janë rritur me më shumë se 700 për qind, ndërsa ato për "mashallah vs inshallah" janë shtuar me afro 1.800 për qind.
Ekspertët vlerësojnë se ky trend pasqyron ndikimin në rritje të kulturës arabe në komunikimin global, ku media, rrjetet sociale, migracioni dhe industria e argëtimit po bëjnë që gjithnjë e më shumë fjalë arabe të hyjnë në përdorimin e përditshëm të anglishtes.
Përveç "Inshallah", edhe terma si "Habibi" ("i dashuri / e dashura ime") dhe "Mashallah" ("siç ka dashur Zoti") po përdoren gjithnjë e më shpesh në bisedat dhe mediat anglishtfolëse. Një shembull i fundit është albumi "Habibti" i reperit Drake, i cili dëshmon praninë në rritje të gjuhës dhe kulturës arabe në kulturën pop ndërkombëtare.