Të dhëna statistikore(1):
• Emri ndërkombëtar në anglisht: Republic of Mozambique.
• Emri zyrtar: Republika e Mozambikut.
• Sistemi i qeverisjes: Republikë.
• Sipërfaqja: 801,590 km².
• Numri i banorëve: 22.894.000 (2009).
• Dendësia: 28,7 (banorë në 1 km²).
• Feja: katolikë 32.8%, myslimanë 27.8%(*), protestantë 17.5%, të tjerë 16.8%, pa fe 5.1%.
• Kryeqyteti: Maputo (konsiderohet qyteti më i madh në vend).
• Qytete të tjera: Manica, Nampula, Niassa, Sofala, Tete, Zambezia, etj.
• Grupet etnike: Disa fise afrikane vendëse (Tsonga, Lomwe, Sena, Makhuwa, etj) 99.66%, evropianë 0.06%, euro-afrikanë 0.2% dhe indianë 0.08%.
• Gjuhët kryesore: emakhuwa 26.1%, xichangana 11.3%, portugeze 8.8% (gjuhë zyrtare, 27% e popullit e flet si gjuhë të dytë), elomwe 7.6%, cisena 6.8%, echuwabo 5.8%, gjuhë të tjera mozambikane 32%, gjuhë të tjera të huaja 0.3% dhe gjuhë të papërcaktuara 1.3%.
• Njësia monetare: Metikal Mozambiku (1.00 MZN = 0.025 eur).
• Data e pavarësisë: 25 qershor 1975 (nga Portugalia).
• Festë kombëtare: 25 qershor 1975 (Dita e Pavarësisë).
Pozita gjeografike
Republika e Mozambikut është një shtet afrikan, që shtrihet në jug-lindje të kontinentit të Afrikës, përkatësisht del në Oqeanin Indian, përmes brigjeve që kanë gjatësinë deri në 2470 km. Vendi arriti pavarësinë e tij në vitin 1975 nga Portugalia. Pushtimi portugez kishte zgjatur më shumë se katër shekuj e gjysmë. Shumica e popullit të vendit vendbanimet e tyre i përqendruan në zonat bregdetare e më pak në rajonet e tjera të vendit. Shumica dërrmuese e popullit të Mozambikut i përkasin racave të zeza, të quajtura Bantu. Më shumë se 33% e tërë popullit të vendit jetojnë në qytete dhe pranë porteve bregdetare. Shumica e banorëve punojnë në sektorin e bujqësisë, kurse veprimtaria e dytë në vend është rritja e bagëtive. Edhe pse vendi vuan nga prapambetja, kryesisht në fushën e arsimit dhe në kushte të vështira jetese; sidomos çrregullime të mëdha dhe revolucione të ndryshme kanë dobësuar Republikën e Mozambikut, të cilat e shoqëruan vendin që nga pavarësimi i tij, për të pushuar këto trazira në vitin 1992. Përveç kësaj, në Mozambik ndodhen ende ushtarë të Kombeve të Bashkuara për ruajtjen e sigurisë, rendit dhe paqes.(2)
Republika e Mozambikut kufizohet me gjashtë shtete fqinje. Pra, nga veriu kufizohet me Tanzaninë - në një gjatësi 756 km, nga perëndimi me Malavin në një gjatësi deri në 1569 km, me Zambian në një gjatësi deri në 419 km dhe me Zimbabvenë në një gjatësi deri në 1231 km, nga jugu me Afrikën e Jugut në një gjatësi deri në 491 km dhe me Suazilandin në një gjatësi 105 km.(3) Bazuar në të dhënat e vitit 2007, Republika e Mozambikut ka gjithsej 147 aeroporte, prej të cilave 22 të asfaltuara dhe 125 të paasfaltuara.(4) Republika e Mozambikut ka një numër të konsiderueshëm institucionesh të larta arsimore. Prej universiteteve më të njohura në vend janë: Universiteti Enes ibn Malik, Universiteti Pedagogica, Universiteti Lurio, Universiteti Politecnica, Universiteti Zambeze, Universiteti Tecnica de Mocambique, etj(5)..
Maputo: Si kryeqytet i Republikës së Mozambikut, konsiderohet qyteti më i madh i vendit. Ky qytet ndodhet në jug të vendit, respektivisht në brigjet e Oqeanit Indian, 77 km larg kufijve të Afrikës së Jugut. Gjithashtu Maputo ka shtrirje në grykën e lumit Tempe, ndërsa gjatësia e shtrirjes bregdetare të qytetit arrin deri në 95 km dhe 30 km gjerësi. Numri i banorëve të këtij qyteti arrin deri në 1.099.102 banorë (sipas vlerësimeve statistikore të vitit 2007), e bashkë me rrethinat e tij, numri i banorëve arrin në 2.000.000 banorë. Maputo si qytet u themelua në vitin 1876. Në fillim u quajt në emër të tregtarit portugez Marquis Lorenzo, i cili zbuloi këtë zonë për herë të parë në vitin 1544, e pastaj mori emrin Maputo. Kurse ngritja e linjës hekurudhore e këtij qyteti që e lidh me Pretorian - qytet në Afrikën e Jugut - ka rezultuar rritjen e popullsisë së qytetit. Maputo konsiderohet prej qyteteve më me vlerë të vendit dhe konsiderohet si qendër e rëndësishme tregtare, duke pasur dhe portin kryesor të vendit, përmes të cilit kryhen aktivitete të eksport-importeve të mallrave, të prodhimeve të konsumit dhe të industrisë me shtete të tjera.(6)
Përhapja e fesë islame në Mozambik
Arritja e Fesë Islame në Mozambik ishte e lidhur ngushtë me përhapjen e Islamit në Afrikën Lindore. Para asaj kohe, tregtia në mes arabëve dhe popullatës së rajoneve të Afrikës lindore kishte marrë hov të madh, saqë kishte edhe migrime arabe drejt qyteteve bregdetare përgjatë bregdetit afrikan. Kështu, myslimanët kishin filluar të orientoheshin në drejtim të bregdetit lindor të kontinentit të Afrikës. Pastaj, tregtarë dhe pedagogë myslimanë vazhduan këtë nismë dhe synonin brendësinë e këtyre zonave. Këtë zonë, myslimanët e njohin me emrin Ishulli Musa Es-sambik - dhe nga këta dy emra mund të ketë ardhur emri i shtetit Mozambik. Emigrimi i myslimanëve drejt këtyre zonave shtohej dhe me aktivitetet e tyre ata ndikuan në ndërtimin e qyteteve bregdetare. Nga mesi i shekullit VII h. / fillimi i shekullit XIII , qytetet islame ishin shtrirë përgjatë bregdetit lindor të Afrikës, nga Suakini - në Sudanin e sotëm - në veri, e deri tek Mozambiku në jug. Përpara ngjarjeve të mëdha dhe migrimeve të shumta islame drejt Afrikës Lindore dhe Mozambikut, historia e përhapjes së Islamit në Mozambik mund të përmblidhet në tri faza:
1) Faza e parë: Kjo fazë e përhapjes së Islamit në Mozambik kishte filluar me themelimin e dy qyteteve: Mozambik dhe Sofala. Udhëpërshkruesi i njohur Ibn Batuta, gjatë udhëtimit të tij në këto zona në shekullin VIII hixhri / XIV ka përshkruar gjendjen e qyteteve islame në bregdetin lindor të Afrikës dhe ka vlerësuar përparimin e tyre. Një përshkrim i ngjashëm vinte edhe nga udhëpërshkruesi portugez - Duarte Barbosa (vdiq në 1521) - i cili kishte vizituar bregdetin e Mozambikut në vitin 906 hixhri / 1500. Pra, Islami në fazën e parë kishte arritur në brigjet e Mozambikut përmes tregtarëve myslimanë që depërtuan në brendësi të vendit.
2) Faza e dytë: Kjo fazë filloi me shfaqjen e portugezëve përballë brigjeve të Afrikës Lindore, zona që përjetuan një konflikt të përgjakshëm, që e shkaktuan portugezët me fanatizmin e tyre kryqtar kundër principatave dhe qyteteve islame përgjatë brigjeve të Afrikës Lindore. Gjatë kësaj faze portugezët i vunë shpatën në qafë popullit dhe shkatërruan qytetin Kelve e treqind xhamitë e tij për të vazhduar shkatërrimet drejt qyteteve Lamu - në Keni - dhe në Bati - që mund të jetë në Etiopi -, ku konflikti në mes myslimanëve dhe portugezëve vazhdoi pothuaj për dy shekuj, dhe zhvillohej në brigjet e Afrikës Lindore. Pra, myslimanët nuk iu nënshtruan lehtë pushtimit portugez. Nën hijen e pushtimit portugez në Mozambik, misionarët e krishterë kishin filluar aktivitetet e tyre fetare me synimin e krishterizimit të popullatës. Myslimanët, të revoltuar ndaj pushtuesve portugezë dhe synimeve të tyre të këqija, i luftuan ata edhe për shkak të shfrenimit të misionarëve. Pavarësisht nga sfida portugeze, Feja Islame arriti edhe në Nyasaland - në Malavi - dhe tek brigjet e liqenit Tanganjika në Afrikë.
3) Faza e tretë: Kjo fazë filloi me pavarësinë e Mozambikut, nga pushtimi i gjatë prej portugezëve. Myslimanët me vendbanimet e tyre kryesisht u përqendruan në krahinat veriore të Mozambikut si dhe në zonën e kryeqytetit e në krahinën Sofala. Myslimanët, me luftërat e tyre, sakrifikuan shumë për pavarësinë e Mozambikut, po, megjithëkëtë, ata keqtrajtohen nga regjimi i ashpër aktual marksist. Shumica e myslimanëve këtu janë bujq dhe punëtorë të varfër, vetëm një numër i vogël i tyre merren me tregti.(7)
Historia e Mozambikut
Popujt që flisnin gjuhën bantu, banonin në zonat e Mozambikut të sotëm qysh nga shekulli i parë i erës sonë. Pastaj, disa shekuj më vonë, prej emigrantëve që u orientuan drejt këtyre zonave, qenë edhe tregtarët arabë, dhe kjo ndodhi në shekullin e nëntë. Ndërkaq, në vitin 1498 në krahinat e Mozambikut kishte arritur Vasko De Gama (1469 - 1524), i cili konsiderohet nga zbuluesit portugezë më të suksesshëm. Portugezët në vitin 1505 pushtuan edhe Mozambikun. Mandej, në vitin 1510 portugezët nënshtruan të gjitha autoritetet arabe që shtriheshin në brigjet lindore të kontinentit të Afrikës. Me pushtimin e Mozambikut, politika portugeze solli aty popullatë evropiane dhe i vendosën padrejtësisht në zona të ndryshme të Mozambikut, duke injoruar interesat e Mozambikut dhe të banorëve të tij autoktonë. Pushtimi dhe kolonializmi portugez në Mozambik zgjati më shumë se 450 vjet. Ky konsiderohet lloji më i keq i kolonializmit, ngase ishte përqendruar në zhdukjen e zakoneve dhe të kulturës së popujve që pushtonte. Më pastaj, në fillim të viteve gjashtëdhjetë të shekullit të kaluar populli i krahinave të Mozambikut shfaqi kundërshtimin e tij ndaj pushtimit të huaj, dhe formoi frontin për çlirimin e vendit. Ky front ishte thjesht një grup popullor, i cili nisi luftën e armatosur kundër portugezëve. Pas dhjetë vjetësh lufte - afërsisht nga viti 1960 deri në vitin 1974 -, lufta u zgjerua deri në detyrimin e Portugalisë që të dërgonte 40 mijë ushtarë nga forcat e veta, për t'i luftuar revolucionarët. Ndërkaq, në shtator të vitit 1974 u nënshkrua marrëveshja e armëpushimit, kur Portugalia u pajtua për t'i dhënë pavarësinë Mozambikut. Revolucioni i vitit 1974 në Mozambik përgatiti rrugën e transferimit të sistemuar të autoriteteve portugeze tek Fronti për Çlirimin e Mozambikut, kështu që më 25 qershor të vitit 1975, Mozambiku shpalli pavarësinë e vendit.(8)
Klima
Mozambiku ka një klimë tropikale, të ngrohtë dhe me shumë diell gjatë tërë vitit, shumë rrallë bën ftohtë. Këto karakteristika klimën e këtij vendi e bëjnë ideale për aktivitete turistike, të cilat mund të organizohen dhe realizohen gjatë gjithë vitit. Temperaturat mesatare të vendit sillen rreth 28 gradë celsius. Moti përgjatë bregdetit është me diell dhe i ngrohtë edhe në dimër. Klima në Mozambik, në një kohë të caktuar të vitit karakterizohet nga shira stinore. Stina e shirave fillon kryesisht në nëntor dhe vazhdon deri në prill, kur temperaturat mund të jenë të larta e moti me lagështi, veçanërisht në mes të dhjetorit dhe shkurtit. Mund të bie shi edhe gjatë muajve prill-maj, po është e pazakontë të bjerë në mes qershorit dhe nëntorit. Veçori tjetër e klimës në Mozambik është që 8 deri 9 orë ka diell çdo ditë gjatë tërë vitit, natyrisht me ndryshime sipas zonës. Ndërkaq, zonat në brendi kanë klimë të freskët, ndryshe nga zonat bregdetare. Në disa zona të larta mund të bjerë edhe dëborë, po edhe shi midis janarit dhe marsit.(9)
Gjendja ekonomike
Afërsisht 75% të popullsisë në Mozambik mbështetet në bujqësi dhe peshkim, dy sektorë që konsiderohen mbështetje për ekonominë kombëtare. Me gjithë sipërfaqen e vogël të tokës së punueshme që plotëson kushtet për bujqësi, e cila nuk është më shumë se 10% e sipërfaqes së përgjithshme tokësore, në Mozambik kultivohen disa kultura bujqësore. Prej tyre më të rëndësishmet janë: arrë kokosi, çaji, pambuku dhe sheqeri. Ndërkaq, sektori i peshkimit i siguron shtetit deri në 500 mijë tonë në vit. Në Mozambik ka qymyr dhe sasi të konsiderueshme ari, të cilat nuk janë vlerësuar ende saktësisht, si dhe diamant, mangan, uranium dhe sasi të mëdha të gazit. Qeveria e Republikës së Mozambikut kohën e fundit është orientuar për të mbështetur turizmin si bukuri natyrore, konkretisht në brigjet e Oqeanit Indian, ku sigurohen plazhe natyrore, pyje dhe arkipelagë të ishujve, duke e bërë atë një arsye për të zënë turizmi një vend të veçantë, vetëm po të shprehin interesim për këtë autoritetet e vendit. Ajo që ndihmon në progresin e projekteve turistike në vend, është rrethana se vendi ka gjurma arabe islame, afrikane dhe evropiane, të cilat datojnë nga shekuj më parë.(10)
________________________________________
*Përqindja e përkatësisë islame në Mozambik dallon shumë nga një burim tek tjetri, sepse mund të jetë edhe 30% e më shumë.
(1) Muhammed Atris; Muxhem Buldan El Alem, f. 537. Mektebetul Adab, 2007, Kajro. Amir B. Ahmeti; Atlas i Botës Islame f. 112, 113. Logos-a, 2009, Shkup. Vladimir Zoto; Enciklopedi gjeografike e botës, f. 169. Dasara, 2007, Tiranë. ar.wikipedia.org.
(2) Dr. Muhammed Mahmud Es serjani; El Vexhiz fi Gjugrafia El Alem El Islami, f. 292, 293, 294. Dar Alem El Kutub, 1997, Rijad.
(3) www.moqatel. com Muhammed Atris; f. 537.
(4) www.moqatel.com
(5) en.wikipedia.org
(6) ar.wikipedia.org/wiki. Amine Ebu Haxher; Mewsuatu-l- Muduni-l- Islamij-jeti, f. 459. Daru Usame, 2010, Aman, Jordani.
(7) www.al-islam.com
(8) Muhammed Atris,Ibid f.38. www.islam4africa.net
(9) www. mozambiquetravelservice.com
(10) www.nabdh-alm3ani.net
Mr. Samir B. Ahmeti
Dituria Islame 270