Çifti mysliman hap shtëpinë 100-vjeçare në Japoni për fqinjët dhe vizitorët

 


Në një zonë malore të Japonisë perëndimore, një shtëpi tradicionale më shumë se 100-vjeçare është kthyer në një vend mikpritjeje, ku fqinjët, vizitorët dhe banorët e huaj mblidhen për të pirë çaj, për të biseduar dhe për të ndarë përvoja.
Pas kësaj nisme qëndrojnë Fatih Ymran, një inxhinier maroken i teknologjisë së informacionit, dhe bashkëshortja e tij japoneze, Nanami, ish-punonjëse e administratës lokale, e cila u konvertua në Islam para martesës.
Çifti jeton në zonën malore të Hakutës, në qytetin Yasugi, në prefekturën Shimane. Në vitin 2023, ata blenë një shtëpi tradicionale japoneze, ku sot jetojnë së bashku me djalin e tyre dyvjeçar, Sami.
Shtëpia ruan elemente karakteristike të arkitekturës tradicionale japoneze, përfshirë hyrjen me dysheme prej dheu dhe vatrën e futur në dysheme. Ajo ndodhet pranë një rruge të rrethuar nga shtëpi të vjetra dhe banesa tregtarësh që datojnë që nga periudha Edo, ndërsa në kodrat përreth shtrihen plantacione çaji.
Fatih dhe Nanami u njohën në vitin 2016 në Kobe. Në atë kohë, Fatih ishte student ndërkombëtar në një universitet të qytetit, ndërsa Nanami punonte në administratën e qytetit të Kobes. Interesi i përbashkët për kulturën tradicionale japoneze i afroi shpejt.
Për Nanamin, afrimi me Islamin erdhi gradualisht. Ajo përjetoi për herë të parë Ramazanin në vitin 2018, një përvojë që, sipas saj, ndryshoi mënyrën se si e shihte ushqimin dhe jetën e përditshme.
"Ramazani më bëri të kuptoj se t'i kushtosh kohë dhe vëmendje çdo vakti mund ta pasurojë jetën", ka treguar ajo, duke shpjeguar edhe arsyen e vendimit për t'u konvertuar në Islam.
Çifti u martua në vitin 2020 dhe më pas u zhvendos në Yasugi, edhe pse nuk kishin pasur më parë lidhje me këtë zonë. Ata u tërhoqën nga natyra dhe qetësia e saj. Sot, shtëpia e tyre është bërë një vend ku jeta familjare ndërthuret me takimet me njerëz të tjerë.
Hapja e dyerve të shtëpisë ka zgjeruar gradualisht lidhjet e çiftit me banorët e zonës. Vizitorët mblidhen për të pirë çaj matcha, të përgatitur nga çifti, ndërsa marrin pjesë edhe në përgatitjen e ushqimeve sezonale.



"Ky është një vend ku mund të fillosh të flasësh me dikë që sapo e ke takuar", thotë banorja lokale Sachiko Omichi, duke përshkruar atmosferën që është krijuar në shtëpi.
Çifti ka pritur gjithashtu banorë të huaj të prefekturës Shimane, mes tyre njerëz nga Arabia Saudite dhe Bangladeshi, të cilët kanë qëndruar për disa ditë në shtëpinë e tyre, duke ndarë me familjen vaktet dhe jetën e përditshme.
Për çiftin, kjo mënyrë jetese është bërë edhe një përvojë e veçantë e bashkëjetesës në një zonë rurale të Japonisë. Megjithëse në disa pjesë të vendit janë raportuar raste diskriminimi dhe abuzimi online ndaj myslimanëve, Nanami thotë se përvoja e tyre në komunitetin ku jetojnë ka qenë krejt ndryshe.
"Askush këtu nuk na ka trajtuar ndryshe për shkak të pamjes apo besimit tonë", thotë ajo.
Sipas Nanamit, banorët e zonës i kanë pranuar thjesht si njerëz, pa e bërë dallimin kulturor apo fetar pikën kryesore të marrëdhënieve të tyre.
"Njerëzit këtu na shikojnë për atë që jemi. Mendoj se kjo është ajo që do të thotë bashkëjetesë mes kulturave - të respektosh njëri-tjetrin pa pasur nevojë të flasësh vazhdimisht për diversitetin."
Në këtë mënyrë, shtëpia e vjetër në Hakuta është kthyer gradualisht në një vend ku mikpritja, jeta familjare dhe marrëdhëniet mes njerëzve bashkohen natyrshëm.