Ish-futbollisti brazilian dhe legjenda e Real Madridit, Roberto Carlos, ka mohuar publikisht zërat se është konvertuar në Islam pas martesës me agjenten marokene të futbollit, Souhaila El Tahiri. Spekulimet u përhapën me shpejtësi në rrjetet sociale dhe në disa media ndërkombëtare gjatë ditëve të fundit.
Thashethemet nisën pas deklaratave të deputetit turk Ali Şahin, i cili pretendoi se kishte marrë informacion nga një figurë e komunitetit mysliman në Brazil se Roberto Carlos kishte vizituar sheikun Jihad Hamada dhe kishte shqiptuar shehadetin, deklaratën e besimit islam. Pretendimi u përhap më tej në mediat turke dhe në rrjetet sociale.
Spekulimet u shtuan edhe pas publikimit të fotografive nga martesa e Carlos me Souhaila El Tahirin, ku u shfaqën elemente të traditës islame. Këto pamje u interpretuan nga disa përdorues në internet si dëshmi e një konvertimi të mundshëm. Megjithatë, Carlos sqaroi se çifti organizoi ceremoni të ndryshme martesore për të respektuar bindjet fetare të të dyja familjeve: familja e tij është katolike, ndërsa bashkëshortja dhe një pjesë e rrethit të saj janë myslimanë.
Në një deklaratë për gazetën saudite Okaz, Carlos tha se ka respekt të madh për Islamin dhe për myslimanët, por theksoi se nuk është konvertuar në këtë fe. Ai gjithashtu tha se e respekton besimin dhe fenë e njerëzve të tjerë.
Edhe në rrjetet sociale qarkulluan imazhe të tjera që pretendohej se tregonin Carlosin të veshur në mënyrë tradicionale islame. Të paktën një prej këtyre imazheve është identifikuar si imazh i krijuar me inteligjencë artificiale, duke shtuar edhe më shumë konfuzionin rreth pretendimeve.