Ka përfunduar vizita disa ditore në Kosovë e një grupi prej rreth 50 grash dhe vajzash shqiptare që jetojnë në Turqi

 


Ka përfunduar vizita disa ditore në Kosovë e një grupi prej rreth 50 grash dhe vajzash shqiptare që jetojnë në Turqi, familjet e të cilave ishin shpërngulur nga trojet shqiptare më shumë se një shekull më parë.
Vizita u organizua nga Shoqata e Kulturës dhe Kontributit për Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni, me seli në Bursa të Turqisë, në bashkëpunim me Bashkësinë Islame të Kosovës. Gjatë qëndrimit në Kosovë, grupi u shoqërua nga Rexhep Gündüz, përfaqësues i kësaj shoqate, i cili ishte pjesë e vizitës gjatë ditëve të qëndrimit të tyre në vend.
Gjatë qëndrimit disa ditor në Kosovë, grupi vizitoi institucione, komuna dhe vende me rëndësi fetare, historike e kulturore.
Vizitën e nisën në Prishtinë, ku u pritën nga kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava. Ai u uroi mirëseardhje dhe vlerësoi vizitën e tyre, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së lidhjeve me vendin e origjinës, gjuhën shqipe dhe traditat shqiptare.
Gjatë takimit, Myftiu Tërnava i njohu mysafiret me aspekte të historisë së Kosovës dhe me jetën fetare e kulturore në vend, ndërsa i inkurajoi që lidhjen me Kosovën dhe trashëgiminë shqiptare ta ruajnë e ta përcjellin edhe te brezat e rinj.
Më pas, të shoqëruara nga udhëheqësja e Departamentit të Gruas, znj. Vaxhide Podvorica-Bunjaku, dhe profesoresha e Medresesë "Alaudin" në Prishtinë, znj. Hatixhe Jashanica, grupi vizitoi Shoqatën Bamirëse "Bereqeti", ku u prit nga drejtori, z. Xheladin Fazliu. Aty u njohën nga afër me veprimtarinë e shoqatës dhe kontributin e saj në mbështetje të qytetarëve në situata të ndryshme.
Grupi u prit edhe nga ministrja e Kulturës, Saranda Bogujevci, ndërsa vizitën e vazhdoi në komuna të ndryshme të vendit, ku u pritën nga përfaqësues komunalë, qytetarë dhe familjarë.
Gjatë qëndrimit në Kosovë, ato vizituan edhe objekte të ndryshme fetare, historike e kulturore, duke u njohur nga afër me historinë dhe trashëgiminë e vendit të të parëve të tyre.
Për shumë prej tyre, kjo ishte hera e parë që vizitonin Kosovën, vendin nga i cili ishin shpërngulur familjet e tyre më shumë se një shekull më parë. Vizita u shoqërua me emocione dhe rrëfime për historitë familjare, ndërsa përfundoi me dëshirën e tyre për ta ruajtur dhe forcuar më tej lidhjen me Kosovën.