Omani përhapja e Islamit në Oman

 


Të dhëna statistikore:


• Emri ndërkombëtar në anglishte: Sultanate of Oman.
• Emri zyrtar: Sulltanati i Omanit.
• Sistemi i qeverisjes: Monarki absolute (sulltanat).
• Sipërfaqja: 309,500 km².
• Numri i banorëve: 3.027.959 (2011).
• Dendësia: 10,2 (banorë në 1 km²).
• Feja: Myslimanë 100% (prej tyre sunitë, ibadi dhe shiitë).
• Kryeqyteti: Muskat (llogaritet edhe qyteti më i madh në vend).
• Qytete të tjera: Hasab, Salale, Sur, Matrah, Nezva, Al Jazer, Haima, Mahooth, Mudhaybi, Mudhaireb etj..
• Grupet etnike: Arabë, Belushë, jugo-aziatikë (indianë, pakistanezë, shrilankianë dhe bangladeshianë).
• Gjuhët kryesore: arabe (gjuhë zyrtare), angleze, belushiane, urde dhe dialekte indiane.
• Njësia monetare: Rial omanez OMR (1.00 OMR = 1.94455 EUR).
• Data e pavarësisë: 1951 (nga Britania e Madhe). 27
• Festë kombëtare: 18 nëntor 1940 (Datëlindja e sulltanit të vendit Kabus ibn Seid).


Pozita gjeografike


Sulltanati i Omanit është një nga shtetet aziatike. Ndodhet në bregun juglindor të Siujdhesës Arabike, nga lindja shtrihet në gjirin e Omanit dhe nga jugu në Detin Arab. Shteti i Omanit kufizohet me tri shtete fqinje: me Emiratet e Bashkuara Arabe, me Mbretërinë e Arabisë Saudite dhe me Jemenin.(2) Shkakun e emërtimit të këtij vendi Oman na e rrëfen historiani Es-salimij-ju, i cili thotë se fisi El Ezd nga Jemeni ishte shpërngulur drejt Omanit, pas ngjarjes së njohur "Sejl El Arim", që ka ndodhur në vitin 120 para erës sonë, e cila kishte shkaktuar edhe shembjen e pendës së famshme "Me'reb", ishte fisi i cili e kishte quajtur vendin Oman. Më përpara fisi në fjalë kishte banuar në një luginë të quajtur Oman, e cila kishte qenë pranë pendës Me'reb, pra, kështu fisi El Ezd vendbanimin e tyre të ri e quajti me emrin e vendbanimit të tyre të origjinës.
Klima në Oman është e ndryshueshme nga një rajon në tjetrin: në zonat bregdetare gjatë verës moti është i nxehtë dhe me lagështi, ndërsa në zonat qendrore të vendit moti është i nxehtë dhe i thatë. Shirat kryesisht janë të pakta dhe të parregullta.
Maskat: Përveçqë është kryeqendra e Sulltanatit të Omanit, llogaritët qytet historik dhe me vlerë të rëndësishme në Botën islame. Ky qytet, si një stacion tregtar, kishte luajtur një rol të rëndësishëm, që nga kohët e hershme islame dhe konsiderohej si një nga qendrat më të rëndësishme tregtare, për shkak të pozitës së tij strategjike të veçantë.


Përhapja e fesë islame në Oman


Feja Islame në Oman arriti afërsisht në vitin 10 h, dhe kështu konsiderohet se ishte një nga vendet e para që përqafuan Islamin në periudhën profetike të Pejgamberit a.s.. Muhamedi a.s. një prej mesazheve të tij e kishte dërguar, përmes Amr ibn Asit r.a., tek dy vëllezërit Xhejfer dhe Abd, dy bijtë e El Xhulendij-ut, që ishin dy sundues të Omanit të atëhershëm, për t'i ftuar në Fenë Islame. Teksti i mesazhit të Muhamedit a.s. dërguar Xhejferit dhe Abdit, ishte ky: "Në emër të Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit. Nga Muhamedi i dërguar i Allahut tek Xhejferi dhe Abdi, dy bijtë e El Xhulendiut. Paqja dhe shpëtimi qofshin për ata që ndjekin udhëzimin, pastaj ju ftoj në Fenë islame dhe, po pranuat Islamin, do të shpëtoni. Unë jam i dërguar i Allahut për mbarë njerëzimin, që t'ua tërheq vërejtjen të gjithë të gjallëve, e të mos ketë arsyetim për pabesimtarët. E ju të dyve, nëse vendosni të pranoni Islamin, do t'jua mundësoj të sundoni vendin tuaj e, nëse refuzoni të pranoni Islamin, atëherë pushteti juaj do të merret nga duart tuaja, si dhe ushtria ime do të shtrijë pushtetin në vendin tuaj e do të vërtetojë pejgamberllëkun tim në vendin tuaj".
Pas leximit të mesazhit dhe kuptimit të tij, të dy vëllezërit iu përgjigjën thirrjes islame dhe vullnetarisht u bënë myslimanë. Pastaj ata të dy, filluan t'i thërrisnin parinë e fiseve arabe dhe krerët e familjeve të tyre që banonin në Omanin e atëhershëm, për të përqafuar Islamin dhe, që të gjithë, së bashku me familjet e tyre, iu përgjigjën thirrjes së drejtë islame me plot bindje dhe dëshirë. Mandej, si rezultat i kontaktit direkt të disa njerëzve të Omanit me Muhamedin a.s. në mënyrë individuale apo grupore, pasoi përhapja e Islamit në këtë rajon me kapacitet shumë të gjerë. Kjo frymë e re islame rezultoi me bashkimin e popullit të Omanit nën ombrellën e një flamuri të vetëm dhe nën një udhëheqësi të veçantë. Pra, që nga ajo kohë Omani hyri në kuadër të shtetit të ri islam, që kishte themeluar Muhamedi a.s. në Medinë.


Historia e Omanit


Gërmimet arkeologjike dëshmojnë se Omani në vitin 3000 para erës sonë ishte një shtet i përparuar, që merrej me lundrim detar. Kjo periudhë kohore ishte në kohën e qytetërimit të Sumerëve në Irak. Në shekullin IX p.e.s. disa fise arabe migruan në drejtim të Omanit të sotëm. Mandej, aty migruan Kahtanët nga jugperëndimi i Siujdhesës Arabike, si dhe Nizarianët nga veriperëndimi migruan në drejtim të Omanit, ku u shfaq konkurrenca mes tyre. Pastaj, në shekullin IV p.e.s. Veriu i Omanit ra nën kontrollin e Persisë. Ndërkaq, në vitin 630 m populli i Omanit përqafoi Islamin, kurse, në vitin 751 m, Omani zgjodhi Ibn Mesudin imam - prijës - të vendit, për të mbetur vendi nën sundimin e imamëve deri në vitin 1154m, kur familja Benu Nebhan vuri themelet e sundimit të familjes së tyre në vend, për të zgjatur sundimi i saj - gjatë dy periudha kohore - e për të vazhduar deri në shekullin XVI, kur bregu perëndimor - duke përfshirë edhe qytetin Muskat - ra nën kontrollin e portugezëve. Mirëpo, sulltani Ibn Sejfi në vitin 1650 m arriti t'i dëbonte nga vendi portugezët. Ndërkaq, në vitin 1749 m Ahmed ibn Seid arriti të bënte ngritjen e sulltanatit Oman dhe Muskatit si shtet të pavarur dhe të zyrtarizonte familjen El Bu Seid, e cila vazhdon të mbajë sundimin në Oman deri në ditët tona. Në fillim të shekullit XIX shteti i Omanit dhe Muskatit, ka qenë ndër shtetet më të rëndësishme në rajon, sepse shtrinte kontrollin e tij në shumë brigje të Persisë dhe Pakistanit, si dhe sundonte ishullin e largët Zanzibar, i cili në vitin 1861 m, përmes ndërmjetësimit të Britanisë, u nda nga Omani dhe Muskati. Ndërkaq, në vitin 1951 m Sulltanati i Omanit dhe Muskatit realizoi pavarësinë e tij të plotë nga Britania. Pastaj, në vitin 1964 u zbulua nafta në vend, dhe ky zbulim bëri që shtetin nga një mbretëri e varfër, ta bënte një mbretëri bashkëkohore. Mandje, në vitin 1970 sulltani Seid ibn Tejmur hoqi dorë nga pushteti i vendit, të cilin e zëvendësoi i biri i tij, Kabus ibn Seid, dhe kështu ndodhi ndryshimi i emrit të vendit për t'u quajtur Sulltanati i Omanit.


Gjendja ekonomike


Ekonomia e sulltanatit të Omanit konsiderohet nga ekonomitë me të ardhura mesatare; ndër të tjera karakterizohet edhe nga burime të naftës, gazit, një vend me suficit buxhetor dhe me suficit të madh tregtar. Vendi ka shumëllojshmëri të burimeve të pasura minerale, përfshirë klasat më kualitative botërore, siç janë metalet: bakri, kromi, mangani, ari, argjendi dhe plumb.. Omani llogaritet nga vendet më të vjetra në botë, që ka ditur për eksplorimin e minierave, për gati pesëmijë vjet për nxjerrjen e bakrit nga lugina El Xhezij në veri të vendit. Qeveria e Sulltanatit të Omanit ka ndarë një buxhet të madh për proceset e shërbimit gjeologjik gjithëpërfshirës, pasi provoi ekzistimin e sasive të mëdha të mineraleve, që karakterizohen nga një cilësi e lartë.


 


Mr. Samir B. Ahmeti


Nuk ka artikull pas ketij.

Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Mbahen garat republikane të njohurive fetare (VIDEO)