Injoranca dhe gabimi pa dashje në çështje të besimit (2)


I Dërguari a.s. thotë: "Ai që i thotë vëllait të tij - o jobesimtar - atëherë njëri prej atyre të dyve është jobesimtar". Ndërsa Allahu i Lartësuar në Kur'anin Famëlartë thotë: "Mos iu qas asaj për se nuk ke njohuri".(El Isra, 36);


Ja pra, ky Enes bin Nadër, nga injoranca që kishte, pati kundërshtuar vendimin e të Dërguarit a.s., po i Dërguari a.s. nuk veproi asgjë përveçse ia shpjegoi atë që ai nuk e dinte.


Argumenti i pestë: Allahu i lartësuar ka thënë: (shih: el E'araf,138). Pra, këta janë populli i Musait që nuk e njihnin caktimin e Allahut të Madhërishëm dhe nuk e dinin se Allahu është pa rival dhe se askush nuk është i ngjashëm me Të. Ne nuk po themi se ata kanë qenë injorantë, por këtë po jua thotë vetë Musai a.s.: "Ai (Musai) tha: "Ju jeni popull që nuk dini".( El A'araf, 138).


Argumenti i gjashtë: kemi përmendur më herët atë që kanë transmetuar Shatibiju, Ibn Hazmi, El-Kurtubiju dhe Ibn Kethiri, kur disa prej arabëve injorantë i kishin thënë të Dërguarit a.s.: "Na cakto për ne një lis, ku t'i varim armët sikurse e kanë politeistët". E i Dërguari a.s. u tha: "Pasha Atë, në dorën e të Cilit është jeta e Muhamedit, ju keni thënë ashtu sikur i tha populli Musait: O Musa, na e bëj edhe neve një zot (statujë) si zotat që i kanë ata (ai popull). E Musai u tha: Ju jeni popull që nuk dini. Ju do t'i ndiqni rrugët e atyre që qenë para jush".(Ibn Hazmi, Xhevamiu Sireti f. 238).
Ky është një argument që hedh poshtë supozimin e atyre që thonë se të gjithë në kohën e të Dërguarit a.s. i kishin njohur në përgjithësi kuptimet e termave: el-Uluhijetu, err-Rrububijetu dhe et-Tevhidu. Ky është një argument si ai që ishte më parë, që argumenton se ai që është injorant, është person që ka arsyetim të justifikueshëm derisa t'i ofrohen faktet-shpjegimet.


Argumenti i shtatë: Shënon Ahmedi dhe Taberiu (Allahu qoftë i kënaqur me ta) nga Ebu Musa el-Esh'ariju r.a., se ka thënë: Na mbajti një fjalim i Dërguari a.s., duke thënë: "O ju njerëz, ruajuni prej politeizmit, ngase ai është më i fshehtë se këmbët e buburrecave". I ka thënë dikush të Dërguarit a.s.: E si të ruhemi prej politeizmit që është më i fshehtë se këmbët e buburrecave? I Dërguari a.s. tha: "Thuani: O Zoti ynë, ne kërkojmë mbrojtje prej Teje, që të na mbrosh e të mos Të bëjmë Ty dikë rival, nga ai politeizëm që e dimë, dhe kërkojmë falje nga ai politeizëm që nuk e dimë". Ky, i Dërguari a.s., na mëson ne se të bërët politeizëm është dy llojesh: një lloj që për ne është i njohur, dhe lloji tjetër që ne nuk e dimë. Na ka urdhëruar i Dërguari a.s. që të kërkojmë falje prej Allahut të Madhërishëm për atë lloj të politeizmit që nuk e njohim. Po ashtu, ne e dimë se i Dërguari i Allahut a.s. nuk na ka urdhëruar që të kërkojmë falje përveçse për atë që Allahu lejon të kërkohet falje. Është e saktë se politeizmi të cilin nuk e njeh njeriu, nuk është synimi i ajetit që flet: (Shih: En-Nisaë, 48). Është e saktë se ai që është injorant, është person i justifikueshëm për shkak të injorancës së tij. Nuk ka asnjë mospajtim në mes të dijetarëve rreth asaj kur politeizmi është i hapur dhe personi e di atë, por nuk frikësohet prej tij dhe e vepron, atëherë ky konsiderohet jobesimtar politeist dhe gjykohet si renegat.


Argumenti i tetë: E ka shënuar imam Shafiu r.a. se si kishte vepruar i Dërguari i Allahut a.s. me çdonjërin që kishte marrë në pyetje për çështjen e imanit -po ashtu këtë e shënojnë - imam Maliku në el-Muveta, Muslimi, Ebu Davudi dhe Nesaiu- për se el-Muavije bin el-Hakemi ka thënë: Pata shkuar tek i Dërguari i Allahut me një robëreshë, e unë i thashë: O i Dërguari i Allahut, kjo është robëresha ime, a ta liroj? I Dërguari i Allahut iu drejtua robëreshës: "Ku është Allahu"?. Ajo u përgjigj: Në qiell. E pastaj i thotë i Dërguari i Allahut: "Kush jam unë"?. Ajo tha: Ti je i Dërguar i Allahut. Atëherë i Dërguari i Allahut tha: "Liroje"! (Shafiu: Err Rrisaletu f. 75).


Argumenti i nëntë: Ky është një argument i prerë për të cilin nuk ka asnjë mospajtim. I gjithë Ymeti janë të mendimit me konsensus se ai që ndryshon një ajet të Kur'anit me qëllim, duke e ditur se ai është në mus'haf, ose heq apo shton ndonjë fjalë me qëllim, sipas konsensusit të gjithë Ymetit, është jobesimtar.
Ndërsa, kur njeriu gabon pa qëllim gjatë leximit, duke shtuar ndonjë fjalë apo duke lëshuar ndonjë fjalë, dhe kështu ndryshon Fjalën e Allahut nga mosdija, duke menduar se e ka qëlluar leximin, në këtë rast, sipas konsensusit të Ymetit, ky nuk është jobesimtar dhe as mëkatar.
E kur ndodh që të gabojë, por i tërhiqet vërejtja nga ndonjë lexues që i ofron fakte, e ai vazhdon ende leximin e gabuar prej mendjemadhësisë, ai është jobesimtar.


Ky është vendimi i vlefshëm në të gjitha çështjet fetare:
Disa mundohen të argumentojnë mendimin e tyre se çdokush është jobesimtar nëse kundërshton ndonjë rregull të besimit, duke u bazuar në një hadith që i referohet të Dërguarit a.s., se Kaderijet dhe Murxhiet janë zjarrputistët e këtij Ymeti. Po ashtu mbështesin mendimin e tyre në hadithin që përmend se Ymeti do të ndahet në shtatëdhjetë e sa grupe dhe të gjitha këto grupe do të jenë në Xhehenem përveç njërit grup që do të jetë në Xhenet.
Të dyja këto hadithe, në aspektin e zinxhirit të transmetimit (senedit), nuk janë të sakta, prandaj nuk merren si argument.
Po ashtu këta e mbështesin mendimin se ai që kundërshton ndonjë çështje të besimit, qoftë edhe prej injorancës, është i dalë prej besimit në këtë ajet: (Shih: El Kehf,103-104).
Fundi i ajetit hedh poshtë argumentimin e tyre, ngase Allahu kuptimin e këtij ajeti e lidh me ajetet në vijim: (Shih:El Kehf,105-106). Pra, argumentimi këtu është se fillimi ajetit flet për ata që i kundërshtojnë në përgjithësi rregullat e fesë.
Nëse dikush thotë: Po qe se ju i arsyetoni muxhtehidët kur gabojnë, dhe ata që nga injoranca bëjnë gabime, atëherë ju duhet t'i arsyetoni edhe ata që janë çifutë e të krishterë dhe të feve të tjera, të cilët si synim kanë arritjen e asaj që është e mirë. ne, me ndihmën e Allahut, u themi atyre:
Ne nuk e arsyetojmë askënd sipas mendimit tonë, sikundërqë nuk e gjykojmë askënd për jobesimtar sipas mendimit dhe pasionit tonë. Por ne e konsiderojmë të arsyetuar atë person që Allahu e ka konsideruar të tillë dhe që e ka falur gabimin që ka bërë ai për shkak të injorancës. Po ashtu, ne e pranojmë edhe atë se ai që bën ixhtihad, edhe nëse gabon, ka shpërblim dhe se Allahu e konsideron mysliman, pavarësisht nga gabimi që bën pa dashje dhe nga injoranca. Edhe ne këtë e konsiderojmë mysliman, ashtu sikur e ka vlerësuar Allahu i lartësuar.
Prandaj edhe ne këtë e konsiderojmë jobesimtar, politeist, duke e shprehur vetëm atë që ka përcaktuar Allahu i Lartësuar. Po ashtu askush nuk hyn në Xhenet ose në Xhehenem, po Allahu është Ai Që e shtie kë të dojë në Xhenet apo në Xhehenem.
Të gjithë banorët e kësaj bote janë të një mendimi, nuk po themi vetëm myslimanët, por secili person i cilësdo fe. I Dërguari i Allahut a.s. e ka konsideruar jobesimtar secilin person që nuk i përket fesë islame, prandaj edhe ne i përmbahemi këtij vendimi dhe qëndrimi.
Po ashtu të gjithë janë unanimë për atë që i Dërguari a.s. ka konsideruar mysliman secilin që e ka besuar dhe ka ndjekur rrugën e tij dhe që është larguar prej cilësdo fe përveç Islamit. Ne i përmbahemi këtij qëndrimi dhe nuk shtojmë asgjë më tepër.
Ai që sjell ndonjë tekst (ajet apo hadith) se dikush konsiderohet i dalë prej fesë islame, atëherë edhe ne e konsiderojmë atë të dalë prej fesë. Po ashtu, për atë që thuhet se, sipas konsensusit të dijetarëve, ka dalë prej Islamit, edhe ne e konsiderojmë të tillë, ngase e kemi obligim të ndjekim vendimin e caktuar me konsensus (ixhma).
Ndërkaq, nëse nuk ka tekst (ajet apo hadith), që përcakton se kush ka dalë prej Islamit dhe se nuk ka as konsensus (ixhma) për këtë, atëherë ne nuk mund ta gjykojmë askënd se ka dalë prej Islamit vetëm sepse ka ndonjë akuzë, paragjykim e as argument.


Rezyme e gjithë asaj që kemi thënë:
Allahu i lartësuar ka thënë: "e ne nuk dënuam askënd para se t'ia dërgojmë të dërguarin".(El Isra, 150); "Për Zotin tënd jo, ata nuk janë besimtarë (të asaj që të zbriti ty as të asaj para teje) derisa të të mos zgjedhin ty për të gjykuar në atë konflikt në mes tyre, e pastaj (pas gjykimit tënd) të mos ndiejnë pakënaqësi nga gjykimi yt dhe (derisa) të mos binden sinqerisht". (En-Nisa,65). Këto ajete argumentojnë atë që kemi thënë më herët. Është e saktë se personi të cilit i ka arritur shpjegimi për çështjet e fesë dhe nuk ka besuar, konsiderohet jobesimtar.
E, nëse beson, e më pastaj beson aq sa do Allahu, i zbaton urdhrat dhe shpjegimet e Allahut, por nga mosarritja e shpjegimit ai vepron diçka të kundërt me vendimin e të Dërguarit a.s., për të nuk ka kurrfarë dënimi derisa t'i shpjegohet çështja.
Po qe se njeriut i arrin shpjegimi i të Dërguarit a.s. dhe ai e kundërshton vendimin e të Dërguarit a.s., jo nga dëshira, po për shkak të ixhtihadit, ai, edhe nëse nuk ia qëllon çështjes, ka një shpërblim për shkak të angazhimit. Mu për këtë i Dërguari a.s. ka thënë: "Kur muxhtehidi gabon, ai ka një shpërblim , e nëse ia qëllon çështjes, ka dy shpërblime".
Po qe se dikush nuk e vepron të vërtetën për shkak të arrogancës, po nuk e mohon atë, ai është besimtar mëkatar.
E nëse mohon të vërtetën edhe me zemër, atëherë ky është mohues politeist, sepse nuk gjykon sipas vendimit të Dërguarit a.s. dhe nuk e pranon vendimin e tij.
Të gjitha veprimet e tilla e kanë dispozitë, pavarësisht se këto çështje kanë të bëjnë me besimin, me dispozitat e Sheriatit, të adhurimit dhe të fetvave.


E përmbyllim këtë duke thënë:
Nga shpjegimi i ajeteve dhe haditheve, është bërë e qartë e vërteta. Po ashtu këtë e ka bërë të qartë edhe fjala e të Dërguarit a.s.: "Ai që i thotë vëllait të tij - o jobesimtar - atëherë njëri prej atyre të dyve është jobesimtar". Po ashtu, kujto Fjalën e Allahut të Lartësuar: "Mos iu qas asaj për se nuk ke njohuri".(El Isra, 36); "e supozimi nuk është asgjë ndaj së vërtetës". (Junus, 36). Gjithashtu i Dërguari a.s. ka thënë: "Ruajuni paragjykimit, ngase paragjykimi është biseda më e rrejshme". Pra, njeriu duhet të jetë i kujdesshëm duke menduar se çfarë flet me gjuhën e tij, dhe veçanërisht në çështjen e përcaktimit të mosbesimit të dikujt apo politeizmit të dikujt, kur nuk ka fakte të prera dhe të qarta, për të cilat nuk ka asnjë dyshim. Po ashtu duhet të ketë kujdes të mos i nënshtrohet paragjykimit dhe të mos e gjykojë askënd për diçka që nuk e ka urdhëruar Allahu të gjykohet në Islam.
Transmeton Ibn Hazmi në "Xhevamiu Sireti", se Abbasi r.a. kishte ardhur me Ebu Sufjanin në ditën e çlirimit, e i Dërguari i Allahut i kishte thënë atij: "A nuk është koha e fundit të dish se nuk ka Zot tjetër përveç Allahut"?. Ebu Sufjani i tha: "T'u bëfshin fli babai dhe nëna ime, sa mirë u solle me mua dhe sa fisnik që je ndaj meje, kujtova se, sikur të kishte zot tjetër përveç Allahut, do të më kishte ndihmuar sot". Më pastaj i tha i Dërguari i Allahut "Or i mjeri Ebu Sufjan, a nuk është afruar koha fundit që të dish se unë jam i Dërguar i Allahut?. Ebu Sufjani i tha: "T'u bëfshin fli babai dhe nëna ime, sa mirë u solle me mua dhe sa fisnik që je ndaj meje, por për këtë çështje ende ka një dozë dyshimi". Abbasi i kishte thënë Ebu Sufjanit: Mjerë ti, prano Islamin para se të të shkojë kryet, e ai e pranoi Islamin. E Abbasi tha: O i Dërguari i Allahut, vërtet Ebu Sufjani është njeri që e ka merak mburrjen, atëherë mundësoji diçka për se do të mburret. Në këtë rast i Dërguari i Allahut tha: "Kush hyn në shtëpinë e Ebu Sufjanit, është i sigurt, ai që mbyll derën e shtëpisë prapa, është i sigurt, dhe kush hyn në Qabe, është i sigurt".
Ky pra është vendimi i dikujt se ka hyrë në Islam sipas veprimit të jashtëm, ashtu sikur ka vepruar i Dërguari Allahut a.s..
Më pastaj ne u themi atyre që kanë thënë: dhënia e besatimit ndaj halifit dhe ndjekja e komunitetit është njëri prej kushteve të besimit:
Vërtet, kushdo që shqipton shehadetin, është mysliman besimtar, edhe nëse është injorant për domosdoshmërinë e dhënies së besatimit ndaj halifit dhe ndjekjes së komunitetit derisa atij t'i arrijnë shpjegimet për këto çështje dhe t'i ofrohen fakte dhe argumente të prera. Po qe se ndonjëri, sipas ixhtihadit të tij, mendon të kundërtën rreth kuptimit të dhënies së besatimit ndaj halifit, komunitetit dhe prijësit, dhe këtë e bën për shkak të studimeve të tij përveçse ndjek mendimet e juristëve të njohur dhe të pranuar myslimanë, të cilët kanë divergjenca të mëdha në mes tyre, pra nëse ky ka gabuar me ixhtihadin e tij dhe ne jemi të bindur për gabimin e tij, ky është person që i pranohet arsyetimi dhe është i shpërblyer për shkak të ixhtihadit dhe konsiderohet mysliman besimtar.
Pas vdekjes së të Dërguarit a.s., të gjithë myslimanët janë të pajtimit me konsensus për dhënien e besatimit si halife ndaj Ebu Bekrit r.a. përveç Zubejr bin El Avamit dhe Ali bin Ebi Talibit. Zubejr bin El Avami kishte kuptuar se cila ishte e drejta dhe shumë shpejt hoqi dorë prej mendimit të tij e ia dha besën Ebu Bekrit. Ndërkaq, Aliu r.a., kishte kuptuar pas gjashtë muajsh se cila ishte e vërteta dhe pati hequr dorë prej mendimit të tij duke i dhënë besën Ebu Bekrit r.a. Ai, përgjatë gjashtë muajsh ishte i lirë, nuk e ndiqte askush, nuk ishte penguar të takohej me njerëzit dhe askush nuk kishte pretenduar se Aliu r.a. kishte dalë prej besimit dhe, krahas kësaj, askush nuk kishte dyshuar në Islamin e tij.


Hasan el-Hudajbi Duatun La Kudatun. 
Përktheu dhe përshtati nga gjuha arabe: mr.sci. Flamur Sofiu


Nuk ka artikull pas ketij.