Paqja në praktikën e Muhamedit a.s. (1)


Para kohës të Muhamedit a.s, si i Dërguari i Zotit, situata dominante ishte sistemi klasor në saje të ndikimit fisnor dhe kapitalit, në bazë të parimit zotërinj dhe robër, kështu që pasanikët dhe prijësit ishin klasa sunduese që pasoheshin dhe u nënshtroheshin atyre, ndërsa të varfrit dhe të ngjyrosurit ishin robër skajshmërisht të nënshtruar.
Ndryshe thënë, skllevërit nuk dallonin aspak, ishin pasuria të cilën e posedonte njeriu për tregti, për dhuratë etj. Klasa aristokrate u impononte zakone dhe situata të cilat ishin shumë afër legjislacionit, ku u ngarkonin njerëzve duke i nënshtruar ndaj pushtetit të tyre, kështu që i konkurronin Zotit të Vërtetë, që Vetëm Ai duhet adhuruar me të drejtë, në pushtetin e Tij dhe Hyjninë e Tij.(1)
Paraqitja e vulës së fundit të profetëve zhvendosi vëmendjen e njerëzimit duke krijuar një kod të ri moral dhe një shpresë të mirëfilltë për jetën e njerëzimit. Ai gjatë jetës së tij u përpoq dhe mbolli vazhdimisht vlerat njerëzore, si butësia, dashuria, respekti, toleranca, respekti ndaj prindërve, dashuria dhe mirësjellja ndaj jetimit, dhembshuria ndaj shtresës së varfër dhe miskinëve etj.
Krahas kësaj, dërgimi i tij është mëshirë për të gjithë njerëzimin. Çdo shfletim i sirës së Pejgamberit a.s. na rrëfen se ai ishte njeri i përsosur nga morali, sjelljet me të tjerët dhe këto virtyte ishin prej shenjave të pejgamberllëkut të tij. Edhe Allahu e ka lavdëruar në Kuran: "Vërtet ti je në piedestalin më të lartë të moralit". (El-Kalem, 9).(2)
Mëshira ishte nga atributet më të çmuara të personalitetit të tij, pra kjo vlerë përfshinte të rriturit e të vegjlit, besimtarët e jobesimtarët, të lirët dhe robërit, për se vuri rregulla, me të cilat garantoi dhe i nxiti shokët e tij për t'i liruar skllevërit, që edhe ata të jetonin të lirë si gjithë të tjerët. Bile, lirimi i skllevërve ishte përplasja më e madhe që u bë ndërmjet kampit të Muhamedit a.s. dhe kampit të kurejshitëve që s'donin të përqafonin këtë vlerë të mëshirës.
Thirrja e tij shembi çdo mur a pengesë shoqërore në mes skllevërve dhe zotërinjve, barazoi shoqërinë, hoqi kastat dhe mbolli vlerën se Allahu nuk shikon ngjyrën as prejardhjen, veçse shikon takvallëkun (devotshmërinë) në zemrën e secilit njeri.
Horizontet e rahmetit të tij, a.s., mbushën siren dhe jetën e tij, po edhe thirrjen e tij. Ai mëshiroi të vogël e të madh, të afërm e të largët, gra e të pafuqishëm, jetimin e fukaranë, shërbëtorët e robërit, madje edhe kafshët e sendet. Pra, mesazhi i tij ishte vërtet mirësi dhe bardhësi për të gjithë njerëzit.
Ardhja e Muhamedit a.s. është për çdo njeri favori më i madh dhe mirësia më e gjerë e Zotit. Se kjo është kështu, na e thotë vetë Allahun xh.sh në Kuranin Fisnik : "Allahu ua ka bërë një favor të madh besimtarëve duke e dërguar nga mesi i tyre një pejgamber që t'u lexojë argumentet e Tij, t'i pastrojë (nga të këqijat,nga mëkatet) dhe t'ua mësojë librin dh urtësitë".(3)
Shikoni se ç'ndryshim u sol li Kurani arabëve dhe gjithë popujve të botës në atë kohë. Ja pse Gëte (Goethe), më i madhi i poetëve gjermanë, kur flet për Kuranin e shenjtë, thotë: "Ky libër do të vazhdojë të ushtrojë influencë të madhe mbi të gjitha epokat". Kjo gjithashtu është arsyeja pse Xhorgj Bernard Shau (George Bernard Shaw) thotë: "Nëse ndonjë fe mund të drejtojë Anglinë dhe Evropën, të themi në 100 vjet, kjo fe është Islami".(4)
Po, pati ardhur ai në mes njerëzve për t'u lexuar atyre ajetet (versetet) e Allahut, për t'u shpalosur atyre pjesë - pjesë mrekullitë e Tij dhe për t'i mësuar njeriut vlerën e vet.
Muhamedi a.s. filloi ta zbatojë urdhrin e Zotit xh.sh., të thërrasë në adhurim në një Zot Fuqiplotë dhe t'i asgjësojë idhujt. Por, ftesa ka qenë e fshehtë nga frika që mos t'i befasojë kurejshitët të cilët ishin këmbëngulës në shirkun dhe idhujtarinë e tyre, andaj Muhamedi a.s. nuk e publikoi ftesën në tubimet e mëdha të kurejshitëve, dhe nuk i ftoi në besim përveç të afërmit e ngushtë ose ata që i njihte më herët. Të parët që e përqafuan fenë Islame ishin: Hadixhja, Aliu, Zejd iben Harithi, Ebu Bekri, Uthmani, etj.(5)
Qëndresa e këtyre myslimanëve të parë, ndikoi së tepërmi në përhapjen e Islamit. Është fakt që gjatë gjashtë viteve të para të profetësisë së tij, burra të fuqishëm si Hamzai dhe Omeri e përqafuan Islamin dhe e panë veten mes shokëve të Profetit. Sa më shumë rritej numri i atyre që besonin në Islam, aq shumë shtoheshin pengesat e paganëve të cilët mundoheshin të parandalonin përhapjen e kësaj feje të re.(6)
Në gjashtë muajt e parë numri i myslimanëve arriti në katërdhjetë e pesë veta, nga këta 28 ishin burra dhe 17 gra, gjë që tregonte rëndësinë e rolit të gruas. Etapa e parë e thirrjes të Muhamedit a.s fillon me shpalljen e Kuranit, që fillon në Mekë dhe zgjat 13 vjet, nga kjo kohë dolën myslimanë të dalluar në të gjitha fushat e jetës. Kurejshitët duke parë që keqtrajtimet dhe dhuna nuk dhanë rezultat, filluan të ndjekin politikën e kompromiseve dhe joshjeve me pasuri dhe poste, këto përpjekjet e tyre dështuan pasi Muhamedi a.s i refuzoi të gjitha kompromiset dhe joshjet.
Nga viti i 6-të deri vitin e 9-të fisi kurejsh vendosën sanksione ndaj Profetit, Muhamedit a.s, bojkotuan shitblerjen me ta. Etapa e jetës së Muhamedit a.s në Mekë, përmban një parim të rëndësishëm, i cili thotë: Sekreti i refuzimit të mesazhit me të cilin erdhi Muhamedi (sal-lall-llahu alejhi ve selem) ishte se ai paraqiste rrezik për pasuritë, postet dhe interesat e tyre vetjake.(7)
Viti trembëdhjetë është viti në të cilin Muhamedi a.s emigroi për në Medinë. Me emigrim in e Muhamedit a.s në Medinë, ku dhe formoi shtetin Islam dhe ndërmori disa masa me qëllim të forcimit të bashkësisë myslimane medinase, megjithatë, asaj bashkësie i mungonte një lidhje e brendshme e fortë, duhesh in konfirmuar të drejtat dhe obligimet e ithtarëve të tij, duhet të merrej vesh me jomyslimanët, si me ata arabë ashtu edhe me ata hebrenj, duhej organizuar jeta publike e bashkësisë duke i dhënë asaj institucione ligjore, edukative, financiare, ushtarake, fetare...


 


_____________________________________________
1. Nevoja e njerëzimit për mesazhin e Muhamedit (a.s.), Furkan ISM, Shkup 2007 f. 6
2. Kuran-i, 68 : 9
3. Kurani,03 : 164.
4. BFI në RM, Hëna e re, Viti XIX - 193 -mars 2007, f. 9
5. http:// www.horizonti.com/artikujt/artikulli
6. http:// www.kmsh.al/jeta-e-profetit-muhamed-as.htm
7. AmërHalid, GjurmëvetëtëDashuritTonë, f. 220, Shkup 2006


 


Nashit Ferati
Dituria Islame 335


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Simpozium shkencor për Muhamedin a.s. në Gjilan (VIDEO)