Myftiu Tërnava priti në takim përfaqësuesit politikë të Luginës së Preshevës

 


Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, ka pritur sot në takim përfaqësuesit politikë të Luginës së Preshevës, të cilët këtë të diel do të garojnë së bashku në një listë të përbashkët në zgjedhjet parlamentare në Serbi.
Delegacioni, i kryesuar nga deputeti z. Shaip Kamberi dhe kryetarja e Komunës së Preshevës, znj. Ardita Sinani, si dhe përfaqësuesit më të lartë të tetë partive shqiptare të bashkuara në këtë garë zgjedhore, u prit në selinë e Bashkësisë Islame të Kosovës nga Myftiu Tërnava, i cili i përgëzoi për këtë hap të bashkimit dhe u uroi sukses në zgjedhjet e 25 tetorit.
Myftiu Tërnava në një deklarim për shtyp shprehu mbështetje për nismën e përbashkët të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, duke shpresuar në një përfaqësim sa më të madh të deputetëve shqiptar në parlamentin e Serbisë.
Deputeti Shaip Kamberi tha se nevoja për përfaqësim të shqiptarëve në Parlamentin e Serbisë është e madhe dhe kërkon mobilizim të qytetarëve. Ai u bëri thirrje të gjithë shqiptarëve nga Kosova dhe diaspora që kanë të drejtë vote të marrin pjesë në zgjedhje.
Ndërkaq, z. Visar Mehmeti, kandidat për deputet duke vlerësuar ndikimin dhe rëndësinë që kanë Myftiu Tërnava dhe Bashkësia Islame e Kosovës në Luginën e Preshevës, shprehu shpresën që mbështetja e tyre të ndikojë në mobilizimin e qytetarëve për të dalë në zgjedhje dhe për të votuar Koalicionin Shqiptar.
Nga përfaqësuesit e subjekteve politike shqiptare u vlerësua lart edhe kontributi i imamëve shqiptarë që veprojnë nën juridiksionin e Bashkësisë Islame të Kosovës, për thirrjet e tyre drejtuar qytetarëve që të marrin pjesë në zgjedhje dhe të votojnë për Koalicionin Shqiptar.



Nuk ka artikull pas ketij.