Urtësia e krijimit të Shejtanit

Në kuptimin e plotë të fjalës, “shejtan” do të thotë “rebel” dhe përshkruan atë që është i pacipë e që shikon të devijojë njerëzit nga bindja ndaj Allahut, qoftë xhin ose njeri.

Katade ka komentuar thënien e Allahut “Shejtanët ndër njerëz e xhinë...”: “Ata janë shejtanë në mesin e xhinëve dhe shejtanë në mesin e njerëzve, që frymëzojnë njëri-tjetrin.” [Tefsiri i ibën Kethirit për versetin 112 të kaptinës së gjashtë]
Në përgjithësi, ky term ka të bëjë me Iblisin, i cili është nga mesi i xhinëve dhe është i krijuar prej zjarrit. Edhe xhinët janë krijesa të Zotit, u nënshtrohen urdhëresave e ndalesave sikur se njerëzit, si dhe njëjtë do të merren në përgjegjësi për veprat e tyre në Ditën e Gjykimit.
Në fillim Iblisi së bashku me engjëjt e ka adhuruar Allahun. Zoti i Lartësuar në Librin e Tij na ka informuar ne – fëmijëve të Ademit – rreth armiqësisë midis Shejtanit dhe njerëzimit, që ka nisur që nga dita kur është krijuar Ademi (alejhi selam). Kur Zoti i dha shpirtin Ademit, Ai urdhëroi engjëjt t’i biejnë në sexhde Ademit si shenjë nderi. Edhe pse Iblisi nuk ishte engjëll, ai përpiqej – dhe pretendonte – të imitonte sjelljet e veprat e engjëjve, e kjo ishte arsyeja pse ai qe përfshirë në grupin e engjëjve për t’i bërë sexhde Ademit, por Iblisi e mori veten për të madh dhe qe arrogant.
Muhamed ibën Ishaku ka transmetuar se ibën Abasi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) ka thënë: “Para se të marrë rrugën e mëkatimit, Iblisi ishte me engjëjt dhe quhej Azazil. Ai ishte një nga banorët e tokës dhe ishte një nga adhuruesit dhe më të diturit në mesin e engjëjve. Ky fakt e bëri atë arrogant. Iblisi qe nga një klasëgjini e quajtur “xhin”.” [Shih Tefsiri i ibën Kethirit për ajetin 34 të kaptinës 2] Pra, ai refuzoi Urdhrin e Allahut dhe tha: “Unë jam më i mirë se Ademi. Mua më krijove prej zjarrit, ndërsa atë e krijove prej baltës!” (Kuran, 7: 12). Për shkak të këtij rebelimi ndaj Allahut, ai qe larguar nga xheneti dhe u mallkua nga Zoti. Kjo krijesë është mënjanuar nga Mëshira e Zotit dhe ai kërkon të shpjerë njerëzimin në rrugë të humbur dhe pastaj në zjarr të Xhehenemit, bashkë me veten. Kështu, ai është armiku më i keq i njerëzimit.
Imam ibën Kajimi (Allahu e mëshiroftë!) ka bërë bashkë disa nga urtësitë prapa krijimit të Shejtanit, në librin e tij “Shifaa el-Galil”, ku në faqe 322, ai shkruan: “Në krijimin e Iblisit dhe të tijën klasëgjini ka një urtësi, detalet e së cilës nuk mund të gardhohen nga askush, pos nga Allahu.” Asgjëmangut, disa nga shumë arsyet që ka përmendur ai janë dhënë më poshtë:

1) Efekti i luftimit kundër Shejtanit dhe përkrahësve të tij shpie në përkryerje të adhurimit. Të dërguarit dhe robërit e Allahut e përkryejnë shërbimin e tyre ndaj Allahut duke u përpjekur kundrejt Shejtanit dhe duke iu kundërvënë përkrahësve të tij. Ata gjithashtu përkryejnë besimin e tyre duke kërkuar strehim nga Allahu prej Shejtanit dhe prej të këqijave të tij. Kjo shpie në arritje në pozita të larta adhurimi, të cilat nuk do të mund të arriheshin pa ekzistimin e Shejtanit.

2) Me ekzsitimin e Shejtanit, robërit e Allahut frikësohen për shkak të mëkateve të tyre qëkur kuptojnë se çfarë ka ndodhur me Shejtanin si rezultat i mëkatimit. Ata mësojnë nga rënia e tij nga të qenët ndër engjëj në shejtan – i refuzuar (merdud) – dhe me këtë shembull frika e besimtarit rritet dhe bëhet më e madhe.

3) Mësim për ata që duan të mësojnë. Edhe babai i njerëzimit, edhe babai i xhinëve qenë testuar me mëkat. Së këndejmi, Allahu bëri njërin baba – Iblisin – mësim për atë që vepron kundër Urdhrave të Tij, që është shumë krenar për t’iu bindur Atij dhe që vazhdon me mëkate. Ndërsa tjetrin baba, mësim për atë që pendohet dhe që i kthehet Zotit.

4) Shejtani është sprovë dhe testim për robërit e Allahut.

5) Manifestim i Aftësisë së plotë të Allahut për të krijuar të kundërtat. Iblisi është njëra ndër shenjat më të mëdha të Fuqisë, Vullnetit e Autoritetit të Tij për të krijuar të kundërtat, siç janë: qiejt dhe tokat, drita dhe errësira, Xheneti dhe Xhehenemi, uji dhe zjarri, të ftohtët dhe të nxehtët, e mira dhe e keqja, Xhibrili e engjëjt kundrejt Iblisit dhe shejtanëve.

6) Të mirat e një gjëje shfaqen me anë të së kundërtës së saj. Bukuria e një gjëje mund të manifestohet vetëm nëse krahasohet me të kundërtën e saj. Nëse nuk do të ishte e shëmtuara, nuk do ta vlerësonim vlerën e së bukurës; nëse nuk do të ishte skamja, nuk do ta kishim vlerësuar kamjen.

7) Vetëpërmbajtja dhe durimi i Allahut. Allahu do që robërve të Vet t’u manifestojë vetëpërmbajtje, durim dhe maturi, mëshirë të pafund dhe zemërgjerësi. Kjo dikton që Ai do të duhet të krijojë të tjerë që do t’i shoqërojnë Atij partner në adhurim dhe rrjedhimisht ta bëjnë të zemërohet e, megjithatë, edhe përkundër kësaj, Ai ndër ta lëshon të gjitha të mirat. Ai siqodoftë lëshon furnizim, u jep shëndet të mirë dhe u mundëson të shijojnë gjithfarë luksesh, u përgjigjet lutjeve të tyre dhe ua largon të këqijat. I trajton me butësi dhe kujdes, që është ndryshe nga trajtimi që kanë ata ndaj Tij, duke mos besuar në Të, duke i shoqëruar partner në adhurim dhe duke bërë blasfemi ndaj Tij. Në një hadith që është sahih thuhet “Nëse nuk do të gabonit, Allahu do t’ju shuante dhe do të binte njerëz që do të gabonin dhe pastaj do të kërkonin faljen e Tij, kështu që do t’i falte.” Një transmetim që është hasen thotë: “O bir i Ademit, ti nuk ke qenë i drejtë me Mua. E mira Ime të bie, ndërsa prej teje Më vijnë vepra të liga. Unë provoj të përfitoj dashurinë tënde duke të dërguar një bekim, në kohën kur Unë fare s’kam nevojë për ty, dhe si ti provon të përfitosh urrejtjen Time duke shfaqur mosbindje ndaj Meje, në kohën kur ti ke nevojë për Mua?!”

8) Gjërat që Allahu i do e që ndodhin për shkak të ekzistimit të Shejtanit. Shpesh gjëra që ndodhin që Allahu i do, ndodhin për shkak se ekziston kjo farë krijese, të cilën Allahu e urren dhe me të cilën është i zemëruar. Pavarësisht se çfarë ligësish e mëkatesh kanë ngjarë për shkak të ekzistimit të armikut të Allahut, veprimet e dëgjueshmërisë që bëhen si rezultat i qenësimit të tij dhe përkrahësve të tij janë më të dashura dhe më të kënaqshme për Allahun, siç janë shkuarja kundër epsheve a tekave, dalja mbanë në raste vështirësish e mundimesh për të fituar dashurinë dhe kënaqësinë e Tij. Gjëja që më së shumti një i dashur e do është të shohë të dashurin e vet të përmbahet përgjatë vështirësish e mundimesh, me atë që ai me këtë veprim të dëshmojë dashurinë që ka për të. Përderisa mëkatet dhe mosbindja që shkaktohen nga Shejtani, zemërojnë Allahun, Allahu megjithëkëtë është shumë më i kënaqur kur robi i Vet pendohet sesa që kënaqet e gëzohet një njeri që humbet devenë e tij, e cila i mbart ushqim e pije, dhe pastaj e gjen atë në një shkretëtirë të izoluar e të rrezikshme. Si argument për këtë na shërben hadithi vijues: “Më shumë Allahu kënaqet me pendimin e një robi kur i kthehet Zotit me pendim sesa një nga mesi i njerëzve, që është mbi deve në një shkretëtirë pa ujë përreth dhe në të (në deve) ka ushqim e pije, kur papritmas i humbet ajo (deveja). Duke e pasur humbur shpresën (për të rigjetur devenë), shtrihet diku nën hije dhe dëshpërohet për devenë e tij dhe, mandej, sheh devenë duke qëndruar përballë tij. Njeriu pastaj kap devenë për kërpeshi dhe nga gëzimi i pafund thotë: “O Zot! Ti je robi im, kurse unë jam zoti yt. Ai bën këtë mëkat nga gëzimi i skajshëm.” [Sahihu i Muslimit (6618)]



Përktheu nga anglishtja: Arsim Jonuzi
Burimi: http://www.qsep.com/modules.php?name=assunnah&d_op=viewarticle&aid=241


Artikulli i kaluar
Vetëm 720 Orë
Artikulli radhës
Nata e Kadrit