Urtësia e martesës së të Dërguarit të Allahut, s.a.v.s. me shumë gra

Muhamed Ali Sabuni

Që në fillim të përmendim se martesa e të dërguarit të Allahut s.a.v.s. me shumë gra është bërë për shumë urtësi, e ne do t’i rrumbullakojmë në sa vijon:

I-URTËSIA ARSIMORE
II-URTËSIA LEGJISLATIVE
III-URTËSIA SOCIALE
IV-URTËSIA POLITIKE

Në vazhdim do të flasim shkurtimisht për çdo njërën nga këto katër urtësitë, e më pas do të flasim për nënat e ndershme të besimtarëve dhe urtësinë e martesës së të dërguarit të Allahut me çdo njërën prej tyre në veçanti. Lus Allahun të na ndihmojë ta realizojmë këtë.


I-URTËSIA ARSIMORE

Qëllimi esencial i martesës së të dërguarit të Allahut s.a.v.s. me ma shumë gra, ka qenë kualifikimi i një grupi mësuesesh për gratë që t’ua mësojnë dispozitat fetare, ngase gratë janë gjysma e shoqërisë dhe janë të obliguara me detyra fetare njëjtë sikur burrat. Shume prej tyre turpëroheshin ta pyesnin Muhammedin a.s për disa dispozita Islame, në veçanti ato që kishin të bëjnë me gratë, si që ishin dispozitat e menstruacioneve, lehonisë, papastërtisë fetare-xhenabet, çështjet bashkëshortore dhe çështje tjera të kësaj natyre. Po ashtu, turpi ka qenë edhe virtyt i të dërguarit të Allahut s.a.v.s. Pejgamberi s.a.v.s.,siç transmetojnë librat e Sunnetit, "ka qenë më i turpshëm se beqaresha në dhomën e nusërisë". Për këtë, i dërguari i Allahut s.a.v.s. nuk kishte mundësi që në mënyrë të qartë t'i përgjigjet çdo pyetje që i parashtrohej nga ana e grave, kështu që nganjëherë përgjigjej në mënyrë alegorike, por disa nga gratë nuk arrinin ta kuptonin se ku e kishte qëllimin i dërguari i Allahut s.a.v.s. Aishja r.a transmeton se një grua prej ensarëve e pyeti të dërguarin e Allahut s.a.v.s. për pastrimin nga menstruacionet. I dërguari i Allahut s.a.v.s. e mësoi se si të pastrohet, e pastaj ia tha edhe këtë:"Merre një copë pambuk te parfumosur dhe pastrohu me të" Ajo i tha:"Si të pastrohem me të, o i Dërguari i Allahut? Ia ktheu:"Pastrohu me të" Ajo përsëri e pyeti:"Si të pastrohem me te o i Dërguari i Allahut? Ai i tha pastaj:"Subhanallah, pastrohu me të" Aisheja ka thënë: "Ia mora asaj pambukun prej dore dhe i thashë: "Vendose në këtë vend dhe kij vëmendjen ndaj njollave te gjakut", dhe ia shpjegova asaj vendin se ku duhej ta vej atë”, aludonte në organin intim të femrës.

I dërguari i Allahut s.a.v.s. normalisht se turpërohej te shprehej drejtpërdrejt në pyetje të këtilla,por gjithashtu edhe prej grave kishte shume pak që e zotëronin vetveten dhe turpin dhe e pyetnin haptazi të dërguarin e Allahut s.a.v.s. lidhur me problemet e tyre.

Ta marrim si shembull hadithin e Ummi Selemes,e që është transmetuar në dy Sahihet. Në hadith qëndron se Ummu Seleme ka thënë: "Erdhi Ummi Sulejmi (gruaja e Ebu Talhës) te i dërguari i Allahut, s.a.v.s. dhe i tha:"O i Dërguari i Allahut, Allahu i Madhërishëm nuk turpërohet nga e vërteta. A duhet të pastrohet gruaja nëse në ëndërr përjeton orgazëm?" I tha:"Po, nëse sheh lagështi." Ummu Selemeja tha: "Janë çmendur gratë, e mjera ti a, thua edhe gruaja përjeton orgazëm në ëndërr?" I dërguari i Allahut s.a.v.s. ia ktheu: "Po atëherë me çka do t'i përngjajë fëmija asaj?" I dërguari i Allahut s.a.v.s. me këtë kishte për qëllim se foshnja krijohet prej spermës së burrit dhe vezores së gruas, dhe për këtë ajo i përngjanë nënës. Në këtë kontekst janë edhe fjalët e të Lartmadhërishmit: “Ne e krijuam njeriun prej një uji të bashkëdyzuar për ta sprovuar atë, andaj e bëmë të dëgjojë e të shohë (2)”.[1]


Ibn Kethiri, përkitazi me këtë këtë ajet ka komentuar: ”Fjala “emshaxh” ka kuptimin “ehlat”(përzierje). “El-Meshxh” dhe “El-Meshixh” d.m.th. diçka e përzier në njëra-tjetrën. Ibn Abasi ka thënë: Këtu aludohet në ujin e burrit (spermën) dhe ujin e gruas kur bashkohen dhe përzihen”.

Përgjigjet për këto pyetje komplekse dhe të ndjeshme i morën përsipër gratë e pastra të të dërguarit të Allahut s.a.v.s. Andaj Aisheja ka thënë: "Allahu i mëshiroftë gratë e ensarëve, ngaqë nuk i pengoi turpi që të pasurohen me dituri fetare."

Kishte prej tyre që në errësirë vinin te Aisheja r.a. dhe e pyetnin për disa çështje fetare, për dispozitat e menstruacioneve, lehonisë, papastërtisë fetare etj. Kështu, gratë e të dërguarit të Allahut s.a.v.s. ishin mësuese dhe udhëzuese të mira për to, dhe përmes tyre gratë tjera e mësuan fenë e Allahut të Madhërishëm.

Poashtu, është e ditur se suneti nuk kufizohet vetëm në fjalët e të dërguarit të Allahut s.a.v.s., por i përfshinë fjalët, veprimet dhe pëlqimet e tij, e të gjitha këto janë parime që duhet t'i pasojë ky ummet. E kush tjetër, pos grave të të dërguarit të Allahut, mundet të na i transmetojë sjelljet dhe veprat e të dërguarit të Allahut s.a.v.s. në shtëp, ato gra që Allahu i Madhërishëm i nderoi duke i bërë nëna të besimtarëve dhe gra të të dërguarit të Tij fisnik në këtë botë dhe në botën tjetër.

Pa dyshim, gratë fisnike të të dërguarit të Allahut s.a.v.s. meritojnë çdo respekt dhe lëvdatë për ndriçimin e shumë punëve dhe veprave shtëpiake të të dërguarit të Allahut s.a.v.s. Disa prej grave të të dërguarit të Allahut s.a.v.s. u bënë edhe mësuese dhe transmetuese të njohura të haditheve, dhe u dalluan me mbamendje, përpikëri dhe mendjemprehtësi.


II-URTËSIA LEGJISLATIVE

Tash do të flasim për urtësinë legjislative e cila është një nga urtësitë e shumta të martesës së të dërguarit të Allahut s.a.v.s. me ma shumë gra. Kjo është urtësi e qartë dhe lehtë kuptohet. Këtu është fjala se martesa e të dërguarit të Allahut s.a.v.s. me ma shumë gra u bë që të delegjitimohen disa tradita të urrejtura injorante. Këtë mund ta ilustrojmë me zakonin e adoptimit të djemve që arabët e praktikonin para ardhjes së Muhamedit s.a.v.s. Ky zakon ishte shndërruar në ritual fetar që trashëgohej brez pas brezi. Ndonjëri e merrte një djalë që nuk ishte i gjakut të tij dhe e konsideronte si djalë të vetin për të cilin vlenin dispozitat ligjore që vlejnë për djalin që e ka lindur nga çdo pikëpamje, si: trashëgimi, shkurorëzim, martesë, ndalesat për martesë e shumë gjëra tjera që kishin marrë karakterin e zakonit fetar në kohën e injorancës-xhahilijetit.

Në kohën e xhahilijetit, kur një person e adoptonte një djalë të huaj, i thoshte:”Ti je biri im,unë të trashëgoj ty, dhe ti më trashëgon mua”. Islami nuk mundi të lejojë që njerëzi të vazhdojnë ta bëjnë ndonjë veprim të mbrapshtë e të pabazë e t’i len të bredhin në errësirat e injorancës. Çrrënjosjen e këtij zakoni prapanik, Allahu i Madhërishëm e bëri duke e parapërgatitur terrenin me atë që i dërguari i Allahut s.a.v.s.; para se t’i zbret shpallja, u la të adoptojë një djalë. I dërguari i Allahut s.a.v.s. e adoptojë Zejd ibn Harithen sipas traditës së arabëve para ardhjes së shpalljes.

Për sa i përket shkakut të adoptimit të këtij djaloshi nga ana e të dërguarit të Allahut s.a.v.s. ka një rrëfim mjaft interesant dhe ka një urtësi të rrallë të cilat i kanë përmendur komentuesit e Kur’anit dhe historianët. Ne këtu nuk do të ndalemi në këtë rrëfim, por vetëm do të përmendim se pas adoptimit të Zejdit nga ana e Muhamedit s.a.v.s., njerëzit e thirrnin Zejdi biri i Muhamedit.[2] Buhariu dhe Muslimi kanë transmetuar prej Abdullah bin Omerit se ka thënë: "Me të vërtetë Zejdin, të birin e Harithit, nuk e thirrnim ndryshe veçse Zejd bin Muhammed derisa zbriti ajeti Kur'anor: “Ju thirrni ata sipas etërve të tyre. Kjo është më e drejtë te Allahu”. Atëherë i dërguari i Allahut s.a.v.s. i tha: "Ti je Zejdi, biri i Harithe ibn Sherahilit”.

I dërguari i Allahut s.a.v.s. Zejdin e martoi me vajzën e hallës së vet zejnebn binti Xhahsh El-Esedijje. Një kohë jetuan së bashku, por kjo bashkëshortësi nuk zgjati shumë për shkak të përkeqësimit të marrëdhënieve mes tyre. Ajo shpesh e ngrinte zërin ndaj tij sepse e shihte veten në pozitë më të lartë se ai. Zejdi ishte rob para se ta merrte i dërguari i Allahut s.a.v.s, e ajo ishte me prejardhje fisnike dhe autoritative.

Qe urtësi e Allahut të Madhërishëm që Zejdi ta shkurorëzoj Zejneben, e pas kësaj, Allahu i Madhërishëm e urdhëroi Muhammedin s.a.v.s. që ta martojë atë ,për ta delegjitimuar adoptimin, t'i vendosë bazat e shëndosha të Islamit dhe ta shkul injorancën me gjithë rrënjë. I dërguari i Allahut s.a.v.s. frikësohej se hipokritët dhe plangprishësit do të flasin dhe do të thonë:"Muhammedi e mori gruan e birit te vet", andaj e zvarriti një kohë derisa erdhi qortimi i rreptë nga ana e Allahut të Madhërishëm në ajetin: “E ti e mbaje fshehtë në veten tënde, atë që Allahu do ta zbulojë dhe u frikësohesh njerëzve, por më e drejtë është që t’i frikësohesh Allahut. E pasi që Zejdi e kishte vendosur atë që kishte menduar ndaj saj, Ne ta kurorëzuam ty atë, e për të mos pasur besimtarët vështirësi (mëkat) në martesë me gratë e të adoptuarve të tyre, kur ata heqin dorë prej tyre. E vendimi i Allahut është i kryer”.[3] Kështu pra mori fund adoptimi i fëmijëve dhe u flakën ato zakone që i ndiqnin në xhahilijjet e qe ishin vetëm zakone fetare të trashëguara pa kurrfarë baze dhe arsye. Në konfirmim të këtij ligji të Allahut të Madhërishëm u shpallën fjalët e të Lartmadhërishmit: “Muhamedi nuk ka qenë babai i asnjërit prej burrave tuaj por ai ishte i dërguari i Allahut dhe vulë e të gjithë pejgamberëve, e Allahu është i dijshëm për çdo send”.[4] Kjo martesë u bë me urdhrin e Allahut të Madhërishëm dhe nuk u bë e nxitur nga epshi dhe dëshira për femra siç pretendojnë disa shpifës naiv dhe armiq të Allahut, por u bë për shkaqe të arsyeshme dhe qëllime fisnike, gjegjësisht u bë për eliminimin e zakoneve injorante paraislamike. Këtë e ka shprehur i Lartmadhërishmi në fjalët e Tij: “E për të mos pasur besimtarët vështirësi (mëkat) në martesë me gratë e të adoptuarve të tyre, kur ata heqin dorë prej tyre”.

Allahu i Madhërishëm vetë e urdhëroi këtë martesë, gjegjësisht martesën e të dërguarit të Tij fisnik me Zejnebin, gruan e djalit të tij të adoptuar. Për këtë, Zejnebeja mburrej para grave tjera të të dërguarit të Allahut s.a.v.s. me martesën e saj të cilën e caktoi dhe urdhëroi Allahu i Madhërishëm prej mbi shtatë kat qiej. Buhariu ka shënuar në Sahihun e tij se Zejnebi është mburrur para grave tjera të të dërguarit të Allahut s.a.v.s. dhe u thoshte: ”Juve ju kanë martuar familjet tuaj, ndërkaq mua më ka martuar Allahu prej mbi shtatë qiej”.[5]


Pra, kjo martesë ka qenë me qëllim legjislativ, ka qenë e urdhëruar prej vetë Allahut të Madhërishëm që është i Urtë e i Gjithëdijshëm. Qoftë lartësuar Allahu, urtësinë e të Cilit janë të paaftë ta zbulojnë mendjet e njerëzve: “...e juve ju është dhënë fort pak dije”.[6]


III-URTËSIA SHOQËRORE

Urtësia e tretë është urtësia shoqërore dhe kjo manifestohet qartë në martesën e të dërguarit të Allahut s.a.v.s. me vajzën shokut të tij më të madh, dhe ndihmësit të tij të parë, Ebu Bekrit r.a., e pastaj edhe me vajzën e ndihmësit të tij të dytë Omerit r.a. Poashtu, në këtë këndvështrim duhet parë edhe lidhja e të dërguarit të Allahut s.a.v.s. me fisin Kurejsh përmes gjakut dhe martesës. I dërguari i Allahut s.a.v.s. u martua me disa vajza të fisit Kurejsh duke bërë në këtë mënyrë një lidhje të fortë mes këtyre familjeve dhe fiseve, bëri që zemrat të bashkohen rreth tij dhe thirrjes së tij me besim, madhërim dhe krenari.

Muhammedi a.s e martoi Aishen, bijën e njeriut më të dashur dhe më me autoritet tek ai, e ky ishte Ebu Bekër es-Siddiku r.a i cili i pari e përqafoi Islamin dhe në shërbim të mbështetjes së fesë së Allahut dhe të mbrojtjes së të dërguarit të Allahut e vuri shpirtin, trupin dhe pasurinë e tij. Ai gjithashtu përjetoi shumë mundime në rrugën e Islamit, saqë Muhammedi s.a.v.s. në një hadith që e ka shënuar Tirmidhiu e tregon vlerën njerezore të Ebu Bekrit duke thënë: " Çdokush qe shtriu dorën (e ndihmës) ne ia kompesuam atë, përveç Ebu Bekrit.

Ai shtriu dorën e ndihmës e atë do t'ia kompensoj Allahu i Madhërishëm në Ditën e Gjykimit.

Nuk kam pasur dobi prej asnjë pasurie si prej pasurisë së Ebu Bekrit. Nuk ia kam paraqitur Islamin askujt e të mos ketë pasur rezervë dhe të mos jetë shtypur, përveç Ebu Bekrit, i cili pa u menduar e pranoi atë. Po ta kisha marre si të dashur ndokënd, do ta merrja Ebu Bekrin si të dashur. Dijeni se ky shoku i juaj është i dashur i Allahut të Madhërishëm”.[7]

I dërguari i Allahut s.a.v.s. nuk gjeti dhuratë më të madhe për Ebu Bekrin r.a. në dunja se sa ta gëzojë duke e martuar vajzën e tij e të lidh mes tyre miqësi dhe afërsi që ua shtoi edhe ma tepër shoqërinë dhe lidhjen mes vete.

I dërguari i Allahut s.a.v.s. u martua edhe me Hafsën, bijën e Omerit, dhe kjo qe një prehje shpirtërore për babanë e saj, Omerin dhe konsideratë e lartë për kalimin e tij në Islam, për drejtësinë, sinqeritetin dhe sakrifikimin e tij në rrugën e kësaj feje. Omeri është heroi islam me të cilin Allahu e forcoi Islamin dhe muslimanët dhe e ngriti lartë flamurin e fesë. Në këtë mënyrë, lidhja e të dërguarit të Allahut s.a.v.s. me Omerin përmes martesës së bijës së tij, qe dhurata ma e mirë për gjithë atë që Omeri kishte bërë për fenë Islame. Me anë të kësaj miqësie e barazoi Omerin me ndihmësin e tij të parë, Ebu Bekrin. Së këtejmi, martesa e të dërguarit të Allahut s.a.v.s. me vajzat e këtyre dy figurave madhështore të historisë islame, qe nderi më i madh për ata, bile edhe dhurata dhe mirësia më e madhe. Nuk ishte e mundur që në këtë jetë t’u bëjë nder më të madh se ky. Vërtet, i dërguari i Allahut s.a.v.s. ka pasur një sjellje fantastike, dhe ka qenë bamirës ndaj njerëzve besnik e të sinqertë. Gjithashtu, i dërguari i Allahut s.a.v.s. u bëri nder Othmanit dhe Aliut kur i martoi me bijat e veta. Këta katër janë shokët më të ngushtë të tij dhe kalifët pas tij në përhapjen e fesë dhe thirrjes Islame. Sa urtësi madhështore dhe sa qellim fisnik.


IV-URTËSIA POLITIKE

I dërguari i Allahut s.a.v.s. u martua me disa me qëllim që t’i zbusë dhe t’i afrojë kah vetja dhe t’i bashkojë fiset rreth tij. Është e ditur për të gjithë se njeriu kur martohet me një grua nga një fis, lidh me ata miqësi, gjë që natyrisht i shtynë që ta mbështesin dhe ta mbrojnë. Në vazhdim do të sjellim disa shembuj që ta kuptojmë ma mirë këtë urtësi që e ka synuar i dërguari i Allahut s.a.v.s. përmes martesës.

1) Martesa e të dërguarit të Allahut s.a.v.s. me Xhuvejrije, bijën e Harithit, të parin e fisit Beni Mustalik. Xhuvejrija u zu rob bashkë me popullin e saj, e meqë u robërua, donte ta paguaj veten e të lirohet. Për këtë qëllim, shkoi te i dërguari i Allahut s.a.v.s. dhe kërkoi që t’i ndihmojë materialisht ta paguaj lirimin e vetes. I dërguari i Allahut s.a.v.s. i ofroi që ai ta paguan lirimin e saj, e ajo të martohet me të. Xhuvejrija e pranoi këtë ofertë. Kur ndodhi kjo, muslimanët thanë:”Miqtë e të dërguarit të Allahut po i mbajmë robër?!” Për këtë shkak, ata i liruan të gjithë të robëruarit. Kur e panë pjesëtarët e fisit Beni Mustalik këtë mirësi, fisnikëri dhe humanitet, të gjithë kaluan në Islam dhe u bënë besimtarë të denjë. Pra, martesa e të dërguarit të Allahut s.a.v.s. me Xhuvejrijen, ka qenë e bekuar për të, për familjen dhe fisin e saj, ngase ajo qe shkak për kalimin e tyre në Islam dhe për lirimin e tyre nga pengmarrja. Buhariu ka shënuar në Sahih-un e tij prej Aishes r.a. se ka thënë:”I dërguari i Allahut s.a.v.s. morri peng edhe disa gra të fisit Beni Mustalik. E nxori një të pestën e pasurisë së robëruar në luftë dhe ua ndau njerëzve. Kalorësit i dha dy hise, kurse këmbësorit një. Xhuvejrija si penge iu nda Thabit ibn Kajsit. Erdhi te i dërguari i Allahut s.a.v.s. dhe i tha: “O i dërguar i Allahut, unë jam Xhuvejrija, bija e Harithit, të parit të fisit tim. Unë jam në këtë gjendje që më sheh e Thabiti ma ka dhënë mundësinë që të lirohem nëse i jap kompensim nëntë okë ushqim. Për atë, më ndihmo të lirohem”. I dërguari i Allahut s.a.v.s. i tha:”A donë një ofertë edhe ma të mirë se kjo?” Xhuvejrija i tha: ”E çka qenka ajo?” I dërguari i Allahut s.a.v.s. i tha: ”Unë do ta paguaj kompensimin që duhet ta japish për t’u liruar, e ti do të martohesh me mua?” Xhuvejrija tha: ”Pajtohem o i dërguar i Allahut” I dërguari i Allahut s.a.v.s. tha: ”Edhe unë ta pagova kompensimin”. Njerëzit morën vesh se çka ndodhi, për atë edhe thanë: ”A na ka hije t’i mbajmë robër miqtë e të dërguarit të Allahut?!” I liruan të gjithë robërit e këtij fisi. Kështu, këta e fituan lirinë me martesën e të dërguarit të Allahut s.a.v.s. me vajzën e të parit të fisit.

2) Martesa e të dërguarit të Allahut s.a.v.s. me Safije binti Hujej ibn Ehteb. I dërguari i Allahut s.a.v.s. u martua me Safijen e cila u morr peng pas vrasjes së burrit të saj në betejën e Hajberit. Safija iu nda si robe pjesëmarrësve në betejën e Hajberit, por pasi që disa nga personalitetet e shquara muslimane u konsultuan, thanë:”Kjo është zonja e parë e fisit Beni Kurejdha dhe nuk bën ta merr askush tjetër pos të dërguarit të Allahut s.a.v.s.” Ata këtë ide ia paraqitën të dërguarit të Allahut s.a.v.s., e ai e thirri Safijen dhe ia dha mundësinë që të zgjedh ndërmjet dy mundësive:O ta liron dhe të martohet me të, pra të bëhet bashkëshorte e të dërguarit të Allahut, o ta lirojë dhe ta len të lirë të shkojë te familja e vet.
Ajo zgjodhi që ta liron dhe të bëhet bashkëshorte e tij. Ajo këtë vendim e morri pasi e pa madhështinë, fisnikërinë dhe sjelljen e lartë humane të të dërguarit të Allahut s.a.v.s. Ajo kaloi në Islam, e me kalimin e saj në Islam kaluan edhe shumë njerëz tjerë.
Është transmetuar se kur ka hyrë Safija për së pari herë te i dërguari i Allahut s.a.v.s., ai i ka thënë:”Babai yt qe hebreji që u tregua armik ma i madh ndaj meje derisa vdiq”. Safija ia ktheu:”O i dërguar i Allahut, Allahu në Librin e Tij thotë: “Askush nuk do të bartë barrën e tjetrit”.[8] Atëherë, i dërguari i Allahut s.a.v.s. i ka thënë:”Ti duhet të zgjedhësh vetë, nëse e zgjedh Islamin, do të mbajë bashkëshorte, e nëse e zgjedh të mbetesh hebreje, ndoshta të liroj dhe të shkosh te familja jote”. Safija i ka thënë:”O i dërguar i Allahut, unë e kam dashur Islamin dhe të kam besuar ty edhe para se të më ftosh të futem në shtëpinë tënde. Unë nuk kam nevojë për hebreizmin, nuk kam simpati ndaj kësaj feje dhe në këtë fe nuk kam as prind e as vëlla. Ti ma dha mundësinë të zgjedhi ndërmjet mosbesimit dhe Islamit, e për mua Allahu dhe i dërguari i Tij janë më të dashur se lirimi prej robërie dhe se kthimi te populli im”. Kur i dëgjoi këto fjalë, i dërguari i Allahut s.a.v.s. e mbajti për bashkëshorte të vetë.

3) Martesa e të dërguarit të Allahut s.a.v.s. me Ummu Habiben, vajzën e Ebu Sufjanit, emri i të cilës ishte Remle. Babai i Ummi Habibes, Ebu Sufjani, atëbotë ishte bartësi i flamurit të idhujtarisë dhe armiku më i tërbuar i të dërguarit të Allahut s.a.v.s. Vajza e tij kaloi në Islam në Meke, e pastaj bashkë me bashkëshortin e saj emigroi për në Abisini për ta mbrojtur fenë. Mirëpo, atje i vdiq burri dhe ajo ngeli e vetme, pa ndihmës dhe të afërm. Kur morri vesh i dërguari i Allahut s.a.v.s. se çka i ka ndodhur asaj, i dërgoi lajm mbretit të Abisinisë që ta martojë këtë grua me të. Nexhashiu e lajmëroi Ummi Habiben se e kërkon për bashkëshorte i dërguari i Allahut s.a.v.s., e ajo u gëzua tejmase, ngase sikur të kthehej te babai dhe te familja e saj, do ta detyronin ta len Islamin dhe të kthehet në mosbesim, apo do ta ndëshkonin rëndë. Dhuratën e kurorës asaj ia dha në vend të të dërguarit të Allahut s.a.v.s. vetë Nexhashiu në lartësi prej katërqind dinarë ari[9], e poashtu i dha edhe disa dhurata tjera të çmueshme. Kur u kthye në Medine, Ummu Habibe u martua me të dërguarin e Allahut s.a.v.s.
Kur morri vesh për këtë gjë Ebu Sufjani, e miratoi këtë martesë dhe u mburr me të dërguarin e Allahut s.a.v.s. e nuk i mohoi kualitetet e të dërguarit të Allahut s.a.v.s. dhe të qenit e tij njeri i kalibrit të lartë. Më pas këtë Allahu e udhëzoi në Islam.

Nga kjo shihet qartë edhe urtësia e martesës së të dërguarit të Allahut s.a.v.s. me vajzën e Ebu Sufjanit, Ummu Habiben. Kjo martesë qe shkak i zbutjes së qëndrimit të palës mekase ndaj të dërguarit të Allahut s.a.v.s. dhe ndaj muslimanëve, pasi që tash më kishin lidhur miqësi. Edhe përskaj kësaj se Ebu Sufjani atëbotë ishte prej armiqve më të mëdhenj të fisit Beni Umejje kundër të dërguarit të Allahut s.a.v.s. dhe prej kundërshtarëve më të rreptë të tij dhe të muslimanëve, martesa e të dërguarit të Allahut s.a.v.s. me vajzën e tij qe shkak për zbutjen e zemrës së tij dhe të fisit të tij karshi të dërguarit të Allahut s.a.v.s. dhe muslimanëve. Poashtu, i dërguari i Allahut s.a.v.s. asaj i ofroi martesë në shenjë respekti ndaj saj për besimin, ngase ajo e la vendlindjen për ta mbrojtur fenë.



Prej arabishtes: Mr.Bashkim Aliu


________________________________________
[1] El-Insan: 2.
[2] Konsulto:El-Elusi, Kurtubiju dhe Ibn El-A’rebij. Në këto burime përmendet rrëfimi i plotë.
[3] El-Ahzabë: 37.
[4] El-Ahzabë:40.
[5] Hadithin e ka shënuar Buhariu. Shih:Fet’hu-l-Bari, vëll.III, f.347.
[6] El-Israë: 85.
[7] Hadithin e ka shënuar Tirmidhiju, nr.3662 dhe ka thënë: Hadithi është i gradës “hasenun garib”(i mirë i panjohur), dhe Buhariu, vëll.VII, f.10, me disa dallime. Shih:Xhami’u-l-usul, vëll.VIII, f.586.
[8] El-En’am: 164.
[9] Në transmetimin e Darekutnijut qëndron se dhurata e kurorës ka qenë në lartësi prej katër mijë dirhem argjendi. Të dy këto versione janë të sakta, ngaser vlera e një dinari të arit është sa dhjetë dirhem argjendi. Për atë, dhurata e kurorës ka qenë katër mijë dirhem argjendi. Shih:Kurtubij, El-Xhami’u li ahkami-l-Kur’an, vëll.XIV, f.165.


Artikulli i kaluar
Gjithësia dhe Kur’ani (I)
Artikulli radhës
Vlera e ditës së Xhumasë...