Me shpërthimin e luftës së UÇK-së dhe forcave serbo-sllave, hoxhë Beçiqi, tashmë në moshë të thyer, u detyrua bashkë me banorët e fshatrave të linin shtëpitë dhe të mësynin Çiçavicën.
Në lagjen e muhaxherëve të Krasaliqit, hoxha vendosi të kthehej në shtëpinë e vet në Beçiq. Nga ajo kohë (3 prill 1999) Hoxha kurrë më nuk u gjet, as i gjallë e as i vdekur.
Idriz Idrizi ka lindur më 01.01.1917 nga babë Beqiri e nënë Fazilja në fshatin Beçiq. Shkollën fillore e kreu në Prekaz të Epërm në gjuhën serbokroate dhe po aty mori mësimet e para mbi fenë Islame nga mulla Hyseni i Prekazit.
Pas mbarimit të shkollës fillore, mësimet i vazhdoi në Medresenë e Gjakovës te Fahri efendiu, mirëpo, për shkak të ngjarjeve të kohës, kaloi në Medresenë e Prizrenit te Nusret efendiu dhe Hasan ef. Nahi. Ndërkohë ai shërbeu si imam për dy vjet rresht në fshatin Galicë.
Për shkak të Luftës së Dytë Botërore, që kishte përfshirë edhe vendin tonë, ai u detyrua të ndërpriste shkollimin, ndonëse ishte nga përfundimi.
Gjatë luftës Idrizi bashkë me të vëllanë Abdullahun dhe nipin Rexhepin u rreshtuan në radhët e luftëtarëve të Brigadës së Shaban Polluzhës.
Pas luftës së kësaj brigade dhe rënies së komandantit të saj (Shaban Polluzha) dhe humbjeve që pësoi kjo brigadë nga ushtritë jugosllave, brigada qe shpartalluar tërësisht. Pjesëtarët e kësaj brigade u mobilizuan dhe u dërguan në frontin e Sremit në Banat (Vojvodinë).
Në Srem një pjesë e madhe e këtyre të mobilizuarve u sëmurën dhe vdiqën nga tifoja e morrit, kurse Idrizi atje punoi si Hoxhë për nëntë muaj.
Pas kthimit nga Sremi, Idrizit iu ofrua të punonte në Entin e sigurimit në Mitrovicë, pasi lufta kishte përfunduar dhe vendit i duheshin njerëz të shkolluar. Idriz efendiu aty punoi për dy vjet. UDB-ja jugosllave i bie në gjurmë se ai kishte marrë pjesë në luftën e Drenicës me Shaban Polluzhën në krye dhe menjëherë u përjashtua nga puna e u shpall si reaksionar. Gjithashtu qe përjashtuar edhe nga Lidhja socialiste si njeri i rrezikshëm për shtetin jugosllav e vëllazërim-bashkimin.
Atë kohë UDB-ja i mblodhi fshatarët e fshatrave përreth, e edhe të fshatit Beçiq, të cilët i detyroi ta përjashtonin dhe ta leçisnin.
Mulla Idrizit ia ndaluan që të ushtronte detyrën e hoxhës kudo qoftë. Por, mulla Idrizi, i njohur në popull si hoxhë Beçiqi, nuk e ndërpreu, por e shtoi aktivitetin fetar e kombëtar duke dalë haptas kundër sistemit sllavo-komunist, meqë as që kishte ç’të humbiste. Ai u ngarkua edhe me tatim tepricë, një masë e ashpër për shumë familje të padëgjueshme. Aktivitetin fetar e vazhdoi në fshatin Dubovc, ku shumë familje ia hapën dyert e shtëpive të veta për të dëgjuar ligjëratat e tij mbi fenë. Ai gjatë kësaj kohe u burgos disa herë për t’u liruar përsëri, sepse njerëzit e përkrahnin dhe e donin shumë.
Tubimet e ndryshme - dasma a të pame - ai i shfrytëzonte për propagandë kundërshtetërore.
Njihej si nacionalist dhe nuk i duronte parullat e vëllazërim-bashkimit dhe faktimin se Shqiptarët janë jugosllavë. Mulla Idrizi në një tubim të tillë, ku kishte edhe njerëz të UDB-së, kishte rrëfyer për historinë e popullit shqipëtar dhe, ndër të tjera, kishte thënë: “Ne Shqiptarët nuk kemi asgjë të përbashkët me sllavët, se ne jemi popull autokton, ndërsa sllavët janë ardhacakë në trojet tona. Titoja është gënjeshtar dhe i ndytë, ai i ka gënjyer Shqiptarët”. Për këtë deklaratë, e pati marrë në pyetje UDB-ja dhe i kishin thënë: “A e di ti, ore hoxhë, se ne e dimë se çka flet ti edhe kur je vetëm, ti po e shan kryetarin, po e shan Jugosllavinë...”. Hoxha ia kishte kthyer: “Mirë, bre zotni, po këtë kryetar ti mos e ke dajë. Po ky është edhe kryetar imi dhe unë e kam sharë hisen time, e ti tënden ruaje”.
Me shpërthimin e luftës së UÇK-së dhe forcave serbo-sllave, hoxhë Beçiqi, tashmë në moshë të thyer, u detyrua bashkë me banorët e fshatrave të linin shtëpitë dhe të mësynin Çiçavicën. Në lagjen e muhaxherëve të Krasaliqit, hoxha vendosi të kthehej në shtëpinë e vet në Beçiq. Nga ajo kohë (3 prill 1999) Hoxha kurrë më nuk u gjet, as i gjallë e as i vdekur.
Rushit Idrizi