Hixhreti, rrugëtimi dhe integrimi i umetit islam

Periudha e thirrjes islame në Meke, në krahasim me atë në Medine, mund të cilësohet si periudhë e zhvillimit të umetit islam me hapa të ngadaltë, por të sigurtë, dhe me një fidbek stabil në individë dhe familje, ngase akoma nuk kishte marrë formën e shoqërisë së organizuar në shtet, edhe pse që në ditët e para, kemi edhe shoqërinë e parë islame nga burra dhe gra besimtarë, e që do të kulmojë, në këtë periudhë, me sistemimin e tyre në një qendër udhëheqësie dhe planifikimi në shtëpinë e Erkam bin El-Erkamit.

Por, hixhreti, gjegjësisht kalimi i muslimanëve në Medine, e hapi periudhën e dytë të zhvillimit të umetit islam, atë të prezantimit të tyre në arenën botërore si entitet i organizuar fetar, politik dhe ekonomik.
Ajo që la gojën hapur dhe që i futi në siklet të vërtetë idhujtarët e Mekes, në këtë periudhë të re të organizimit të muslimanëve, nuk qe qëndrueshmëria e tyre në parime dhe besim, ngase këtë e dinin që më herët nga periudha Mekase, por koncentrimi i tyre intenziv në organizimin e tyre si entitet i mirëfilltë me ambicje që i tejkalon kufijtë e Gadishullit Arabik, dhe kalimin e tyre në arenën e përballjes intelektuale dhe kulturore me bashkësit dhe civilizimet tjera, që i tejkalon kufijtë e përballjes ushtarake brenda Hixhazit. Në këtë kontekst, nuk u neglizhua as sistemimi i muslimanëve për t’u konsoliduar si entitet politikisht dhe ekonomikisht, si dhe për ta paraqitur këtë platformë hyjnore edhe si ofertë para botës, e cila ishte e humbur në valët e injorancës ideologjike dhe stagnimit intelektual.
Ky orientim, sistemim dhe këto hapa të fuqishëm të muslimanëve, sugjeronin për palën idhujtare një përfundim të ri, që deri më tash nuk u kishte shkuar në mend, se të shtypurit e djeshëm, do të shndërroheshin në zotërinj me nam të nesërm.
Hixhreti, shiquar në thjerrëzën e integrimit, atij të brendshëm, rajonal dhe ndërkombëtar, paraqet një pikë të rëndësishme në zhvillimin e shoqërisë dhe shtetit islam, si dhe të mendimit politik islam. Kështu, hixhreti bëri integrimin e brendshëm dhe ndërkombëtar të muslimanëve.

Integrimi i brendshëm
Në planin e integrimit të brendshëm, hixhreti shpalosi shpirtin human dhe solidar të muslimanëve si asnjiherë më parë dhe si askush më parë.
Dalja nga shëpitë dhe vendlindja, si dhe lënia e pasurisë dhe mallit në Mekë, janë karakteristika kryesore të hixhretit të muslimanëve në planin e të mirave materiale dhe të drejtës së pronës. Kjo derivoi probleme serioze ekonomike për bashkësinë muslimane, por kjo krizë u evitua falë shpirtit solidar të muslimanëve nikoqirë të Medines, të cilët prej këtij momenti u quajtën Ensar-Përkrahës. Solidariteti i muslimanëve të Medines, që buronte nga besimi dhe vetëdija e lartë fetare e vëllazërisë së besimit, bëri që pasojat e shkeljes së të drejtave të të gjitha llojeve nga ana e idhujtarëve të Mekes, e në veçanti të shkeljes së të drejtave ekonomike dhe pronësore të muslimanëve, të jenë minimale.
Ardhja duarthatë e muslimanëve prej Mekes, nuk pati impakt në krijimin e një tollovie dhe krize të përmasave të mëdha në shoqërinë Medinase, ngase muslimanët e Medines ndajtën me vëllezërit e tyre të fesë çdo gjë që kishin.
Fillimisht u bënë vendqëndrim në shtëpitë e tyre, pastaj u ofruan ushqim dhe mundësi për punë, u garantuan siguri të vetes dhe familjes së tyre, dhe bënë natyralizimin e tyre në shoqërinë Medinase. Librat e historisë janë përplot shembuj të pavdekshëm të këtij solidariteti dhe humaniteti të pashembullt në histori.
Por, thelbësore në integrimin e brendshëm të shoqërisë muslimane në Medine, ka qenë akti i vëllazërimit të muslimanëve të Mekes me ata të Medines nga ana e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., me dispozita të veçanta edhe në aspektin ligjor për këtë vëllazëri, të cilat më pas do të pësojnë modifikime përkatëse konform zhvillimit të shoqërisë muslimane. E poashtu, edhe akti i ndërtimit të xhamisë, si qendër shpirtërore, kulturore, politike, etj., për shoqërinë muslimane.

Integrimi ndërkombëtar
Komuniteti musliman, tani më i shndërruar në një shtet të mirëfilltë me sistem dhe vizion të qartë për ndërtimin e të ardhmes së qytetarëve të tij brenda shtetit, si dhe të raporteve të shtetit me forcat në rajon dhe botën e jashtme në përgjithësi, u integrua me sukses pas hixhretit edhe në planin ndërkombëtar falë politikës së qartë dhe të balansuar ndaj komuniteteve jomuslimane të cilët jetonin në Medine. Në fakt, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. me të ardhur në Medine, ndër aktivitetet e para që bëri qe edhe përpilimi i kartës së Medines ku parashiheshin të drejtat dhe obligimet e të gjitha palëve.
Me këtë, shteti islam dha një shembull fantastik dhe të paaritshëm nga sistemet ekzistuese, për respektimin e të drejtave të qytetarëve, apo të pakicave fetare dhe nacionale që jetonin brenda tij.
Derisa në perandoritë dhe vendet tjera përreth, njerëzit shtypeshin dhe cenoheshin të drejtat e tyre, edhe atë, jo vetëm ata që mund të cilësohen si pakica në atë vend, por edhe vetë shtetasit autokton, apo shumicë, në shtetin islam të Medines, të formuar pas hixhretit, jo vetëm banorëve që përbënin shumicën, pra muslimanëve, por edhe jomuslimanëve dhe joarabëve, iu njohën të drejtat e tyre, pa bërë asnjë fije cenim dhe diskriminim. Karta e Medines, çdo komunitet e trajtonte si qytetar të Medines me të drejta dhe obligime ndaj shtetit të njejta me të gjithë, pa marrë parasyshë përkatësinë e tij fetare. Jomuslimanëve iu njoh e drejta e besimit, nuk u ushtrua dhunë mbi ta që ta ndrrojnë fenë, por kjo iu la atyre që vetë, me vullnetin e vet, pa presion, të vendosin për këtë gjë.
Kjo pamje e paparë deri atëherë e rregullimit të brendshëm politik, bëri që shteti islam të integrohet ndërkombëtarisht si lider në inicimin e proceseve pozitive, mirëqenies, tolerancës dhe paqës në nivel mbarë njerëzor dhe mbarëbotëror.
Në planin e marrëdhënieve dhe politikës së jashtme, shteti islam u gjet me sukses, ngase tregoi frymë bashkëpunimi dhe lidhjes së paqës me forcat progresive në rajon dhe më gjërë, konform parimeve dhe rregullave që ia dikton feja dhe interesit legjitim të bashkësisë muslimane.
Iu bë thirrje përmes mesazheve gjithë liderëve të rajonit që të tregojnë fleksibilitet ndaj thirrjes dhe shtetit islam, të tregohen zemërgjërë ndaj popujve të vet dhe të lënë hapësirë për zhvillim kulturor të tyre. Të punojnë në hapjen e kufijve të vendeve të tyre dhe mosmbylljen e mendjeve të njerëzve me ideologji të gabuara dhe dekadente, si rezultat i krëcënimit me vdekje dhe dhunë, po qe se e ndrrojnë fenë.
Me këtë, shteti islam hapi rrugë për popujt që të çlirohen nga pushtetet absolutiste, dhe të riorganizohen, me qëllim që të mundësojnë një të ardhme të ndritshme për brezat e ardhshëm.
Vërtet, hixhreti është shkollë që nuk mbaron me klasë dhe vite.....


Artikulli radhës
Në takim me Ramazanin

Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi