Hixhreti – Mësimet dhe porositë

Hixhreti është rast për të mësuar. A do të mësojmë?

Sot është 1 Muharrem 1433. Sot po e përcjellim njërin vit dhe po hymë në vitin tjetër. Në ditën e sotme para 1433 vjetëve ndodhi një ngjarje e rëndësishme që hapi një epokë të re ne historinë e njerëzimit, hapi epokën e historisë islame dhe kalendarit islamik. Pikërisht në këtë datë ndodhi hixhreti – shpërngulja kolektive e muslimanëve të parë nga Mekeja në Medine. Ky ishte një emigrim ideologjik, cili i hapi rrugën krijimit të shoqërisë së parë dhe shtetit të parë islam.
Me qenë se ngjarja u zhvillua në një distancë kohore prej gati 15 shekujsh, shtrohet një pyetje logjike, cili është përfitimi ynë nga kjo ngjarje. Kjo tashmë është histori dhe nuk ka dobi nga njohja e historisë, nëse nuk dimë të mësojmë dhe të përfitojmë prej saj.
Prandaj, në vazhdim më lejoni t’ua prezantoj disa pikë për të cilat mendoj se ia vlen t’i potencojmë me shpresë se do të mësojmë dhe përfitojmë prej tyre.
1. Muslimanët e Mekkës braktisën çdo gjë, përveç islamit. Më parë braktisën vendin se idenë. Ne që jemi në diasporë e dimë mirë se çfarë do të thotë ta braktisësh vendlindjen. Por më mirë se ne këtë e dinë ata të cilët gjatë luftës braktisën çdo gjë për të shpëtuar shpirtin. Çfarë do të thotë të braktisësh çdo gjë për të shpëtuar idenë?
2. Muhammedi (a. s.) mbetet i fundit me Ebu Bekrin. Kjo tregon brengosjen e tij për muslimanët. Kjo është cilësi e udhëheqësit të mirëfilltë. Ai që qëndron në ballë të njerëzve, që u prinë atyre, duhet ta ketë parasysh këtë, sidomos ne hoxhallarët dhe pushtetarët…
3. H. Omeri bëri hixhret haptazi, duke e shpallur atë publikisht në pikë të ditës. Pejgamberi fshehtazi! Çdo të thotë kjo? Dikush mund të thotë si ka mundësi që Omeri të jetë më i “rëndësishëm” dhe më i “guximshëm” se Pejgamberi (s)? Jo nuk është ashtu. Veprimi i Omerit është akt personal dhe nuk obligon askënd, ndërsa veprimi i Pejgamberit (s) ishte, është dhe do të jetë gjithmonë model për të gjithë njerëzit. Janë të rrallë ata që mund ta ndjekin shembullin e Omerit, ndërsa shembulli i Pejgamberit është i kapshëm, i arritshëm dhe i aplikueshëm nga të gjithë njerëzit. Pikërisht për këtë arsye All-llhau (xh. sh.) e “personifikoi atë me modelin më të mirë”.
4. Pejgamberi (s), doli me Ebu Bekrin, e për ta ishte lëshuar urdhri me shpërblimin prej 100 devesh! Suraka b. Malik ishte nisur për të fituar atë shpërblim. Kur e pa pafuqinë e vet dhe kur Pejgamberi (a. s.) e liroi dhe e lëshoi, pati nderin të dëgjojë prej Pejgamberit lajmin e mirë dhe paralajmërimin mbi pushtimin e mbretërisë së Kisraut (mbreti i Persëve), gjë të cilën as nuk mundi ta imagjinonte. Më vonë kur u pushtua me të vërtetë mbretëria e Kisraut, Omeri (r. a.) e thërret Surakën dhe e pyet a i kujtohet paralajmërimi i Pejgamberit dhe ai i përgjigjet se i kujtohet shumë mirë. Atëherë Omeri (r. a.) ia vuri byzylykët e Kisraut.
Këtë e paralajmëroi Pejgamberi në kohën kur e lëshoi Mekkën e tij. D.m.th., vetëdija e vazhdueshme për qëllimin, synimet në jetë. Shikimi përpara. Shpresa për të ardhmen.
Ashtu edhe ndodhi. U kthye në Mekke. Prej saj doli natën, u kthye ditën, doli me as’habin e tij, u kthye me ushtrinë prej njëzet mijë vetash, doli nga Mekeja fshehtazi, u kthye haptas dhe me dinjitet. Triumfalisht.
Ç’do të thotë kjo!?
E vërteta ngadhënjeu dhe do të fitojë, por kur?! Kur do të ketë bartësit e saj. Njerëzit. Kush janë ata, çfarë njerëz janë ata? Ata, për të cilët vdekja është më e dashur se jeta. E vërteta patjetër duhet të ketë njerëz. Ajo nuk ngadhënjen vetë, përveç se kur dëshiron këtë All-llahu.
وَإِن يُرِيدُواْ أَن يَخْدَعُوكَ فَإِنَّ حَسْبَكَ اللّهُ هُوَ الَّذِيَ أَيَّدَكَ بِنَصْرِهِ وَبِالْمُؤْمِنِينَ {62} وَأَلَّفَ بَيْنَ قُلُوبِهِمْ لَوْ أَنفَقْتَ مَا فِي الأَرْضِ جَمِيعاً مَّا أَلَّفَتْ بَيْنَ قُلُوبِهِمْ وَلَـكِنَّ اللّهَ أَلَّفَ بَيْنَهُمْ إِنَّهُ عَزِيزٌ حَكِيمٌ {63} يَا أَيُّهَا النَّبِيُّ حَسْبُكَ اللّهُ وَمَنِ اتَّبَعَكَ مِنَ الْمُؤْمِنِينَ
“Po nëse duan të të mashtrojnë, ty të mjafton All-llahu. Ai është që të fuqizoji me ndihmën e vet dhe me besimtarët. Dhe Ai është që bashkoi zemrat e tyre. Edhe sikur ta shpenzoshe gjithë atë që është në tokë, nuk do të mund t’i bashkoje zemrat e tyre, por All-llahu bëri bashkimin e tyre, sepse Ai është i gjithëfuqishëm, i urtë.” (Enfal - 8:62 - 63.)
Nëse duam ngadhënjimin e së vërtetës, duhet të jemi ushtarët e saj. Ushtria qiellore e ndihmoi atë tokësore, sikurse në Bedër.
Kur është në pyetje interesi islam, të ndershmit janë të parët, e kur ndahet plaçka apo diçka tjetër ata janë të fundit, nuk shtyhen.
Ne nuk mund të ekzistojmë (të mbijetojmë ) pa islamin, për ne nuk ka krenari pa islamin. Pa këtë Din ne nuk vlejmë asgjë.
H. Omeri (r. a.) ka thënë: “Ne kemi qenë populli më i poshtëruar, e All-llahu përmes këtij dini na dha krenari dhe fuqi dhe sa herë që do të kërkojmë krenari tjetërkund e jo të All-llahu, All-llahu do të na poshtërojë dhe dobësojë”!

Hixhreti- Lëvizje nga dëshpërimi deri te shpresa
(Të braktisësh çdo gjë përveç islamit)

Hixhreti është një kthesë e madhe në historinë e njerëzimit. Është një kthesë nga jeta pasive në atë aktive. Është lëvizje nga situata e pashpresë deri te fitimi i shpresës. Ajo ishte një dëshirë e zjarrtë e shpirtit që të gjejë dritën. Hixhreti ishte ikje prej robërisë në liri. Ishte premtim për ta që e mira do të fitojë. Ndërsa e keqja do të dështojë. Sepse keqja nuk mund të mbijetojë.
“Unë nuk ia humb mundin asnjërit prej jush, mashkull qoftë apo femër. Ju jeni njëri nga tjetri por ata që u dëbuan prej shtëpive të tyre dhe emigruan, u munduan vetëm pse ishin në rrugën Time, luftuan dhe u vranë, atyre patjetër do t'ua shlyej mëkatet e tyre dhe do t'i vejë në xhennete në të cilët burojnë lumenj. Ai është shpërblim nga ana e All-llahut, se më i miri i shpërblimeve është tek All-llahu”. ( Ali Imran, 195)
Hixhreti është shenjë e jetës së gjallë, krijuese, e jetës e cila gjithmonë shkon përpara, e jetës në perspektivë duke i shndërruar pengesat në shkallë progresi. Hixheti ka në vete idenë e lëvizjes, aksionit, ndryshimeve dhe rimëkëmbjes, ka idenë e ripërtëritjes së mendimit islam në çdo moment dhe periudhë historike. Në rrugën e hixhretit nuk ka vend për përtaci, as letargji, sepse hixhrete (emigrime) të mëdha kanë bërë vetëm mendjet e larta vetëmohuese e flijuese dhe gjigantët moral – prej Ademit (a. s.) deri te Resulullah i madh – Muahmmedi (s).
Rruga e hixhretit është rruga e punëtorëve të ndershëm, arkitekteve dhe të shkathëtëve, atyre pa egoizëm personal.
Çdo hixhret, çdo emigrim nga viti i kaluar në vitin e ri, duhet të jetë edhe për ne nxitje e madhe për përparimin tonë shpirtëror, moral e fetar, nxitje për udhëtim në Rrugën e Zotit, për përpjekje, veprime, punë dhe aktivitet të palodhshëm për të krijuar një bërthamë të fuqishme të xhematit tonë. Këtë duhet ta bëjmë nga dëshira jonë e brendshme, sipas vullnetit tonë të lirë në Rrugën e All-llahut, në emrin e Tij dhe për hatër Tij. Hixhret në origjinal do të thotë afrim tek All-llahu përmes besimit – iman. Ta shndërrojmë imanin tonë në fuqi pozitive qe vepron. Do të thotë dorëzim, nënshtrim All-llahut dhe organizim i përgjithshëm jetësor – islam. Do të thotë të bëjmë mund dhe përpjekje dhe të bëhemi kurban, nëse është nevoja, në rrugën e së vërtetës (Hakut), të luftojmë me gjuhë, me fuqi, me zemër, shpirt dhe pasuri për ta realizuar atë në histori. Fuqia e zemrës, e shpirtit, e fjalës dhe e mendjes janë arma jonë bërthamore. Ta shndërrojmë xhihadin e shpatës në xhihadin e fjalës. Shpata e islamit është penda. Zoti është betuar për pendën (lapsin) dhe atë çfarë shkruhet me pendë. Shpallja e besimit islam ka filluar me fjalën “mëso (lexo)”.
Një pjesë e muslimanëve sot, për fat të keq, kërkojnë ta zëvendësojnë pendën me pushkën dhe atë për ta kompensuar boshllëkun që ka shkaktuar mungesa e asaj çfarë ka shkrua penda. Islami nuk ka nevojë për shpatën. Shpata shfaqet atje ku nuk është e pranishme logjika. Mirëpo, përkundër kësaj, nuk janë të gjithë avokatë të logjikës. Përndaj, kur është fjala për përdorimin e shpatës, islami është realist e jo idealist. Ideale do të ishte që të thyhen të gjitha shpatat, mirëpo a është e mundshme një gjë e tillë?
Përvoja ka treguar se, në fund, shpata e solli paqen në Kosovë, sikurse që e pati sjell edhe luftën. Për cilën qenie është fjala kur diskutohet për lidhjet dhe shkëputjen e lidhjeve, paqen dhe konfliktin? Është fjala për njeriun.
Çfarë është natyra e njeriut? Njerëzit janë qenie egoiste, që synojnë nga interesi personal dhe çdo gjë që është në përputhje me interesat e tyre e konsiderojnë të mirë dhe ajo u pëlqen atyre, ndërsa atë që bie ndesh me interesat e tyre e konsiderojnë të keqe dhe armiqësore. Nga ana tjetër, njeriu është qenie shoqërore dhe nuk mund të jetojë pa u shërbyer të tjerëve. Në bazë të kësaj është i detyruar të jetojë në shoqëri. Jeta shoqërore për pasojë ka ballafaqimin dhe konfliktin e interesave të ndryshëm... Mirëpo, muhaxhirët dhe ensarët ishin e dhe mbetën si pasqyrë që reflekton gjithmonë dritën e objektit e jo terrin e natyrë njerëzore.

Përmbyllje

Hixhretin e Muhammedit (s) nuk duhet kuptuar si një ngjarje që ndodhi në vitin 622, as si transferim, nga qyteti në qytet, i një aktiviteti me karakter islam. Tërë jeta e Muhammedit (s) është në shenjë të hixhretit të fundit të islamit, në shenjë të vendosjes përfundimtare të islamit në histori...
Kështu ne në fund, mund t’i përgjigjemi pyetjes çfarë do të thotë Hixhreti sot për ne. A i shihni se ai, në një kuptim, vazhdon përgjithmonë: ai i ndanë ata që janë të vendosur dhe të përkushtuar në islam prej atyre të cilët fenë e mbajnë vetëm si etiketë, të cilët nuk e vlerësojnë dhe të cilët nuk e dinë se çfarë mund të bëjë feja për ta në këtë botë dhe në Ahiret. Përveç kësaj, secili prej nesh patjetër duhet të plotësojë kushtin themelor, pikërisht “hixhretin më të mirë” në vete: të largohesh nga e keqja, harami. Ky është urdhër i përjetshëm për njeriun...


Artikulli i kaluar
Hasedi –xhelozia
Artikulli radhës
Në takim me Ramazanin

Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi