Është e njohur në mesin e popullatës muslimane, dhe përdoret në fjalorin e tyre të përditshëm se, ka muslimanë sezonalë, gjegjësisht të atillë që e presin vetëm Ramazanin për të vajtur në xhami dhe për t’i kryer adhurimet, me shpresë se në këtë muaj të bekuar e të veçuar, do të arkëtojnë shumë sevape dhe të mira, dhe kjo do të jetë një rezervë e mjaftueshme, për të ngelur më pas jo shumë afër adhurimeve, dhe për mos t’u shkëputur krejtësisht nga Islami.
Me fjalë tjera, këtu kemi të bëjmë me fenomenin e kërkimit të sezoneve për përfitim sa më të madh, për çka mendoj se është folur shumë, dhe është thënë qartë se logjika sezonale e dëmton pikërisht matricën e besimit, ngase e shndërron në pjesëza që funksionojnë varësisht prej faktorit kohë.
Mirëpo, ajo që është më e rëndësishme në këtë drejtim është pyetja:si ta shfrytëzojmë këtë logjikë sezonale, për të formuar një bindje se duhet të jemi njerëz që në kontinuitet do të jemi në raport pozitiv me besimin në kuptim të reflektimit të tij në vepra dhe sjellje.
Pikërisht Ramazani, si sezon dhe kohë e begative dhe mirësive, duhet të përdoret në drejtim të formimit të logjikës së kontinuitetit, duke e gjallëruar këtë muaj me një program preciz dhe të punuar mirë për punë me njerëz, ngase përparësia e këtij muaji karshi muajve tjerë, është se programet e këtij muaji mund të realizohen edhe me palë që përfaqësojnë kampin e “sezonerëve”, e që shikuar në këtë dioptri, është një mundësi e madhe për konvertim të këtij mentaliteti në bindje të fortë, vullnet për të qenë i nënshtruar dhe për të vazhduar në rrugën e përkushtimit të vërtetë fetar.
Tridhjetë ditë Ramazan, nuk janë edhe pak, për të punuar në investimin e tyre racional në konvertimin e mentalitetit sezonal. Nuk duhet menduar çdo herë si arsyetim kalimin e kohës shpejtë dhe angazhimet, për ta amnistuar veten nga programi i konvertimit, por, në të shumtën e rasteve, moszbatimi i programit të konvertimit të mentalitetit, qëndron në mosvënien e pikave dhe koordinatave të përcaktuara qartë në drejtim të veprimit në fushën e konvertimit. Mungesa e aktiviteteve të menduara mirë, që do të sillnin rezultate solide në këtë plan, dhe mosveprimi në kontinuitet nga dënuesit e veprimit sezonal dhe jo në kontinuitet të njerëzve, janë pikërisht nga shkaqet e mosrezultateve të dukshme dhe të prekshme në fushën e konvertimit.
Në këtë kontekst, do të nënvizoj dy elemente të rëndësishme, që besoj se janë mjaftë produktiv, në këtë plan:
1-Puna me grupe të veçanta në Ramazan, krahas ligjëratave të përgjithshme me masën. Ramazani është mundësia më e mirë që të vihen lidhje serioze dhe të zbatohen programe daveti, pikërisht me ata që nuk janë të rregullt në praktikimin e detyrave fetare, por, e kanë bërë traditë që të jenë në xhami në Xhuma dhe në Ramazan. Me këtë rast, daiju duhet të ven një program të takimeve dhe ligjëratave sistematike me këta njerëz, në mënyrë që të thyhet rutina e prezantimit vetëm në derset e përgjithshme, dhe poashtu, përmes këtyre takimeve dhe temave të zgjedhura që do të preken, të veprohet në konvertimin e mentalitetit sezonal. Ramazani, gjegjësisht tridhjetë ditë e zbatimit të këtij programi në mënyrë efektive, është një mundësi e shkëlqyeshme e mësimit të kontinuitetit, që do të jepte fryte edhe pas Ramazanit.
2-Aktivitetet sportive dhe kulturore, si: kuizet, kurset, etj., duke u dhënë përgjegjësi pikërisht këtyre që quhen “sezonerë”, në mënyrë që të formojnë shprehi pune kolektive, dhe të lidhen edhe më tepër për xhami dhe për ambientin fetar. Në këtë mënyrë, Ramazani do të përdoret për të përfituar veprimtarë të rinj, dhe për të ndikuar në ngritjen shpirtërore të këtyre personave që e kanë bërë traditë t’i frekuentojnë xhamitë vetëm në Ramazan, apo të xhumajave.
Suksesi i konvertimit të logjikës së perceptimit të nocionit të besimit dhe praktikave fetare, do të reflektojë në drejtim të raporteve të njeriut me Krijuesin, me veten, me familjen, me rrethin dhe me mbarë shoqërinë. Ky është aspekti reformues i adhurimit të agjërimit, po edhe i adhurimeve tjera në Islam.
Problemi i të ashtuquajturve sezonerë, nuk duhet kërkuar vetëm tek ata, por edhe te mekanizmat e daijve-thirrësve, ngase disa e kanë zakon vetëm ta qortojnë të qenit sezonerë të Ramazanit, por jo edhe ta menaxhojnë këtë dukuri.
Shtytjen për kuptimin dhe menaxhimin e muajit të Ramazanit në drejtim të konvertimit të mentaliteteve, me theks të veçantë të atij sezonal, e kuptojmë nga shumë argumente, e ne me këtë rast do të veçojmë sa vijon:
1-Hadithi ku qëndron se: Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur me të, tregon se i Dërguari a.s., duke hipur në minber, tha:“Amin, amin, amin!” I thanë: “O i Dërguar i Allahut, duke hipur në minber të dëgjuam duke thënë: Amin, amin, amin!” Tha: “Më erdhi Xhibrili (alejhi selam) e më tha: “Cili e takon Ramazanin e nuk i falen mëkatet dhe hyn në xhehenem, e largoftë Allahu! Thuaj amin, e unë thashë amin.” (Shënon Ahmedi).
Ky hadith, përmes qortimit, na mëson ta shfrytëzojmë Ramazanin në përmirësim dhe ngritje shpirtërore të njerëzve, ngase ky është edhe qëllimi i këtij muaji. Hadithi sa ka karakter individual, aq ka edhe karakter kolektiv dhe misionar. Në fakt, me një fjalor tjetër, pasi ka humbur dhe dështuar ai që nuk e shfrytëzon muajin e agjërimit për t’iu falur mëkatet duke bërë punë të mira, pra nuk e shfrytëzon mirësinë dhe benifitet e këtij muaji, kanë dështuar edhe ata të cilët nuk e shfrytëzojnë këtë muaj dhe mundësitë e mëdha që ofron ky muaj për ngritjen, formimin dhe konvertimin e mentaliteteve dhe praktikave të njerëzve.
2-Hadithi: Nga Ebu Amri - e sipas disave Ebu Amrete, Sufjan ibn Abdullahu, radijall-llahu anhu, transmetohet se ka thënë:"Thashë: 'O Resulull-llah! Më thuaj për Islamin atë për çka nuk do të kam nevojë të pyes askënd përveç teje." Tha: 'Thuaj, e besoj All-llahun, pastaj përqendrohu (në këtë)!'"(Muslimi). Personaliteti i muslimanit të fortë është stabil, koherent dhe koheziv, nuk mposhtet nga stuhitë që synojnë ta lëkundin. Kontinuiteti dhe vazhdimësia në adhurim, dëshmon për një perceptim të drejtë të besimit, ndërkaq e kundërta e vazhdimësisë, flet për një perceptim jo të drejtë. Së këtejmi, defekti duhet riparuar, e Ramazani në veçanti, marrë parasysh begatitë e shumta që mban sy muaj, është një nga rastet më ideale në këtë drejtim.
3-Ajeti: “E, s’ka dyshim se ata që thanë:”Allahu është Zoti ynë”, dhe ishin të paluhatshëm, atyre u vijnë engjëjt (në prag të vdekjes dhe u thonë): të mos frikësoheni, të mos pikëlloheni, keni myzhde xhennetin që u premtohej” (Fussilet: 30). Ky ajet, qartë dëshmon se ata të cilët janë të përqendruar në fe, kanë përkrahje nga melekët e Allahut. Arritja e kësaj duhet të jetë synimi i çdo muslimani, dhe formimi i personalitetit që do të arrijë në stad të këtillë, duhet të jetë preokupimi i thirrësve islamë. Së këtejmi, një mundësi reale për t’u arritur një rezultat i këtillë është edhe Ramazani.
Në fakt, kështu duhet të jetë besimtari i vërtetë, i nënshtruar ndaj Allahut në çdo kohë dhe çdo rast, e jo vetëm në ditët dhe netët e mëdha, apo në sezone të caktuara. Besimtari i vërtetë i zbaton urdhrat e Allahut të Madhërishëm, për shkak se e beson dhe është i bindur në Allahun e Madhërishëm, e nuk e adhuron Allahun, për shkak se është një ditë, një natë, apo edhe një muaj i madh, ngase atëherë ai do t’i kishte bërë robërim këtij muaji, nate apo dite, e jo Allahut të Madhërishëm.
Daijtë duhet t’i shfrytëzojnë ditët, netët, muajt, sezonet dhe çdo çast, për të formuar personalitet konstant në besim dhe të përkushtuar në adhurim, gjegjësisht të paluhatshëm në besim dhe në zbatimin e urdhrave të Allahut të Madhërishëm.