Historia botërore është e mbushur përplot me ngjarje historike dhe ndodhi të rëndësishme të cilat flasin për të kaluarën e lavdishme të popujve, të cilëve u takojnë këto ngjarje dhe ndodhi.
Popujt e mëdhenj kanë data të lavdishme dhe ndodhi grandioze, me të cilat kanë mbetur të pashlyeshëm në histori. Mirëpo, ndodhitë në përgjithësi kanë pasur karakter lokal apo nacional dhe u janë dedikuar popujve apo vendeve të caktuara, përderisa ndodhia madhështore e hixhretit i tejkaloi të gjithë kufijtë, qofshin ata nacional, lokal, kohor etj.
Si asnjë ndodhi tjetër, hixhreti nuk pati ndikim vetëm në botën islame dhe jetën e muslimanëve, por ai paraqet datë me peshë të madhe në historinë e gjithëmbarshme njerëzore. Ai pati ndikim dhe i lëshoi rrezet e veta në tërë rruzullin tokësor, dhe i ngjalli e freskoi zemrat e vdekura të njerëzimit. Ai nuk la gjurmë vetëm në kohën në të cilën ndodhi, por, gjurmët e tij shihen në të gjitha periudhat e historisë njerëzore.
Rrezet e hixhretit u reflektuan në të katër anët e botës. Në fillim, ato rreze u reflektuan në vendet dhe popujt që ishin përreth Arabisë, por me kalimin e kohës, me zgjerimin e shtetit Islam, me përhapjen e Islamit dhe takimin e tij me popuj e vende të ndryshme, ndikimi, influenca dhe jehona e hixhretit gjithnjë e më tepër vinte në shprehje.
Hixhreti është inspirim madhështor i rinisë së ummetit për reforma në jetën e tyre të gjithëmbarshme, ngjallës i ndjenjave islame te bijtë e kësaj feje që për hir të saj të sakrifikojnë çdo gjë që kanë në disponim; ai nxit fuqinë e besimit dhe arsyes së shëndoshë, që me çdo gjë t’i kundërvihet tiranisë, dhunës dhe padrejtësisë.
Sado që të mundohen penat e dijetarëve islam të thurin fjalë miradije dhe të tregojnë vlerën madhështore të hixhretit, ata nuk do t’ia dalin ta përfundojnë, ngase sa më tepër që të meditojnë rreth kësaj ndodhie madhështore, aq më tepër pasurohen me ide të reja, hapin horizonte dhe nxjerrin kuptime të reja. Kjo, ngase hixhreti është pikënisja e shënimit të kalendarit të ummetit më vigan në sipërfaqen e Tokës dhe popullit më të shquar. Ai është kufiri i cili bëri ndarjen në mes dritës dhe territ, realitetit dhe gënjeshtrës, të vërtetës dhe të pavërtetës, të mirës dhe të keqes...
Hixhreti, kjo ndodhi madhështore islame, nuk është me karakter monodimenzional, gjegjësisht nuk ka vetëm karakter fetar, por ai është ndodhi me karakter polidimensional, gjegjësisht ka karakter politik, shoqëror, ekonomik etj. Ndikimi i tij u reflektua në të gjitha sferat e jetës njerëzore, duke filluar nga lidhja e njeriut me Zotin, shoqërinë, natyrën, jetën, shkencën etj.
Me hixhretin filloi të fryjë një erë e re e rregullimit shoqëror dhe sistemit qeverisës në botë, një mënyrë e re objektive e marrëdhënieve shoqërore dhe ekonomike ku ruhej interesi i të gjitha palëve.
Hixhreti si fenomen me peshë në historinë botërore në përgjithësi dhe atë islame në veçanti, duhet vështruar në këndin e raporteve të ngushta e të pandara ndërmjet esencës dhe formës. Kjo njëherit do të ishte ndriçim real i kuptimit të fenomenit të hixhretit dhe demantim i të gjitha tentativave të cilat synojnë ta eksponojnë hixhretin nga një kënd negativ dhe të formojnë për të pasqyrë krejt të gabuar.
Thjesht, në formën e saj të jashtme, pa u thelluar në esencë dhe thelb, ndodhia e hixhretit duket si ikje dhe braktisje e vendit, për një jetë më të lumtur, dhe, jo gatishmëri për t’u ballafaquar me furtunat e jetës që dalin në rrugën e idealeve dhe misionit, si dhe jo trimëri e jo vendosmëri për t’u ndeshur me rreziqet dhe mynxyrat që dalin në këtë plan. Mënyra e këtillë formaliste, joobjektive, e qasjes ndaj fenomenit të hixhretit, është tipar dhe metodë jo reale e trurit perëndimor antiislam.
Por, në fakt, hixhreti ishte ngadhënjim i vërtetë i guximit, vendosmërisë, besimit të fortë, gatishmërisë për sakrifikim dhe arsyes së besimit e shpirtit mbi pasionet dhe epshet, frikën dhe luhatshmërinë në besim.
Hixhreti është ndodhi e pashoqe në histori, e demonstrimit të besimit të fortë, guximit, trimërisë dhe sakrifikimit, e të gjithë asaj që posedon njeriu, duke nisur nga gjëja më e shtrenjtë dhe më e dashur për të shpirti. Kjo shihet nga vendosmëria e muslimanëve që për hir të besimit t’i sakrifikojnë edhe shpirtrat e tyre.
Kjo lëvizje e urtë e muslimanëve, me urdhrin e Zotit, në fakt ishte një strategji e thellë që do të sillte ndryshime rrënjësore në trendet botërore dhe fitore bindëse për palën e besimtarëve të drejtë. Kjo lëvizje, nuk ishte ikje nga paaftësia për t’u ballafaquar me realitetin e hidhur, por për të bërë një rirreshtim të radhëve, një sistem më të kompletuar të jetesës i cili do të përfshijë edhe disa detaje praktike krahas parimeve themelore teorike të vëna më parë që në Mekë, mënyrë e frytshme për të bërë përgatitje që t’ia japin goditjen e fundit, definitive, kauzës së kufrit dhe ta rrënojnë atë prej themeli, si nga aspekti ushtarak ashtu edhe ai diplomatik. Ky hap u kurorëzua me fitore bindëse të muslimanëve duke e çliruar Meken pas tetë vjetësh, gjegjësisht, duke shuar bastionin e fundit të idhujtarisë.
Hixhreti e ndërroi fizionominë e botës dhe ia dha jetës një kahje tjetër, ngase, në skenë dalin luftëtarët e paqes, prosperitetit, drejtësisë dhe bartësit e pastërtisë morale. Me këtë lëvizje të urtë e kolosale, para muslimanëve u hapën shpresa të reja për ngadhënjim; horizonte të reja në misionin dhe predikimin e së vërtetës, thirrjen në besimin e pastër islam; faqe të reja në fitoret e këtij ummeti dhe regjistrimin e të arriturave të tij; shtigje të reja të depërtimit të dritës dhe copëtimit të errësirës; ndjenja dhe aspirata në ngritjen e themeleve të forta të shtetit Islam në të cilin do të mbretërojë drejtësia, siguria, paqja; ku do të lulëzojë civilizimi, përparimi dhe lartësohet dini i All-llahut të Madhërishëm.
Kjo ndodhi madhështore e historisë sonë të lavdishme, është mësuese e denjë e njerëzimit për domosdoshmërinë e gjithanshmërisë së programit i cili synon transformimin e shoqërisë. Kështu, hixhreti ishte ndarës i dy periudhave të rëndësishme në historinë e formimit të shteteve dhe shoqërive të shëndosha. Periudha e parë u përqendrua në aspektin teorik të përgatitjes së individëve, ndërkaq periudha e dytë u koncentrua në jetësimin praktik të mbarë sistemit Islam.
Shikuar nga këndi i raporteve në mes elementit idhujtar dhe fenomenit të hixhretit, kjo ndodhi madhështore flet për kokëfortësinë dhe ngurtësinë e idhujtarëve ndaj të vërtetës. Ideja e çiltër dhe e arsyeshme islame nuk gjeti vend në shpirtin idhujtar, edhe pse ata e kuptonin kthjelltësinë e saj, ngase në rastin e tillë, duhej të humben beneficionet dhe privilegjet e aristokratëve idhujtar në udhëheqjen dhe shfrytëzimin e njerëzve, ndryshimin e tërësishëm të sistemit të deriatëhershëm rutinor të jetës, mënyrën e mendimit dhe raportet me njerëzit.
Hixhreti nuk ka qenë fenomen specifik vetëm për Pejgamberin e fundit, Muhammedin s.a.v.s., dhe shokët e tij - sahabët, gjeneratën më të lavdishme të historisë, por, hixhreti si fenomen i pandarë i da’vetit - thirrjes dhe rrugës së misionarëve, ka qenë prezent gjatë të gjitha periudhave historike dhe në të gjitha misionet e Pejgamberëve të All-llahut dhe misionarëve e zëdhënësve të së vërtetës, ngase armiqtë e së vërtetës çdo herë kanë dalë në skenë me kryeneçësinë dhe antipatinë e tyre ndaj të vërtetës, dhe luftën e ashpër kundër veprimtarëve islam.
Hixhreti ka qenë dhe vazhdon të jetë aktual edhe më tej. Ai ishte zgjidhje reale e shumë problemeve të cilat e preokuponin trurin dhe shoqërinë e atëhershme, e poashtu edhe sot. Besimtari, në ndodhinë madhështore të hixhretit, duhet të kërkojë zgjidhje për shumë probleme me të cilat ballafaqohet në jetën e përditshme. Hixhreti e pastroi në kokat tona problemin e kuptimit të drejtë të dashurisë ndaj All-llahut xh.sh. Dashuria reale ndaj All-llahut xh.sh. është orvatja për jetësimin e porosive të tija, përmirësimin e gjendjes së njerëzve, prosperitetin e njerëzimit dhe pastrimin e shpirtit njerëzor nga aktivitetet e të gjitha natyrave. Poashtu, hixhreti ndriçoi patriotizmin e vërtetë dhe dashurinë ndaj atdheut.
Patriotizmi ndaj atdheut, në islam nuk është imagjinatë apo term i zbrazët, i cili nuk ka thelb dhe esencë, por ai është fenomen i cili e ngarkon njeriun me obligime të caktuara. Patriot është ai i cili lufton me gjithë atë që posedon, që ta ruajë identitetin e vet dhe integritetin e atdheut të vet nga çdo lloj shkelje, ai që mundohet për pastrimin e tij nga të gjitha mbeturinat e ateizmit, djallëzisë, plangprishësisë, imitimit të verbër, amoralitetit dhe humbjes së veprave të besimit. Atdheu është djepi ku ke lindur, dhe, duhet të mundohesh që ta mbrosh atë dhe ta ngritësh e ndërtosh, ngase në të e ke adhuruar së pari Zotin, prandaj edhe nuk lëshohet ai pa arsye, për t’u tretur diku në vendet e huaja, ku nuk je i lirë ta adhurosh Zotin ashtu si duhet. Kështu na mësoi Pejgamberi s.a.v.s. me duanë e vet, kur tha: “Oj Mekë, Toka më e dashur e All-llahut, ti je Toka më e dashur për mua, sikur mos të më kish dëbuar populli yt, unë nuk do të lëshoja kurrë”.
Derisa jemi duke folur për hixhretin, duhet përkujtuar se muslimanët janë duke përjetuar në këto momente një dramë të tmerrshme të vëllezërve të tyre nga Siria, e cila nga shumë aspekte i ngjanë hixhretit, pra jemi dëshmitar edhe të një hixhreti tjetër, atij Sirian. Për sa u përket mënyrave dhe dhunës, këto janë identike. Ashtu siç u persekutua dhe terrorizua populli musliman në Mekë nga ana e mosbesimtarëve, ashtu po terrorizohet sot populli musliman i Sirisë prej qenieve të pashpirta komuniste alevite. Ashtu siç dëboheshin besimtarët prej shtëpive të veta para 14 shekujve, ashtu sot dëbohen po muslimanët e Sirisë nga trojet e tyre, në shekullin njëzetenjë.
Por, inshallah rezultati del i njëjtë si ai i hixhretit të madh, me ç’rast edhe pse makineria shkatërruese idhujtare u mundua në çdo mënyrë të bëjë asgjësimin e qenies islame, megjithatë përsëri ngadhënjeu e vërteta; besimtarët u larguan nga trojet e tyre që të përgatiten, që të forcohen më tepër, dhe pas tetë viteve u kthyen në Mekë si triumfues. Dhashtë Zoti që edhe muhaxhirët e nxjerrur me dhunë nga Siria, të hyjnë në trojet e veta si triumfues, bashkë me vëllezërit e tyre që triumfuan në revolucionet tjera të pranverës islamo-arabe. Ashtu siç dështoi makineria idhujtare mekase, dhashtë Zoti të dështojë dhe zmbrapset makineria e egërsuar alevito-komuniste. Muslimanët nuk kanë arritur ta shkatërrojnë stuhi e stuhi gjatë historisë, dhe nuk do të mund ta shkatërrojnë as tash të tërbuarit e Latakisë.
Muslimanët në këtë vit përkujtojnë dy ndodhi: Hixhretin e madh në historinë e përgjithshme islame dhe hixhretin e muslimanëve të Sirisë në dekadën e dytë të shekullit njëzetenjë.