Shkeputje nga jeteshkrimi me titull "KUJTIME", botuar ne SHB "LOGOS-A", SHkup, 2009.
Nga arrestimi e deri sot, por sidomos gjatë vuajtjes së dënimit, disa herë kam përjetuar situata të rënda shëndetësore. Edhe atëherë kur mendoja se ka ardhur fundi i kësaj jete të përkohshme, edhe në grahmat e fundit, Allahu i dashur më ka dhënë forcë t’i kthehem jetës. Pikërisht ashtu si transformohet në vazhdimësi Hëna e Re: ajo sërish ndriçon. Çdo muaj ajo kalon nëpër disa faza dhe çdoherë rishtazi për njerëzit shfaqet e freskët, e plotë, optimiste dhe frymëzuese. Herë na zbulohet, herë na humb, por rishfaqja e saj për njeriun është jetë, udhëzim, mësim; shkollë e pazëvendësueshme për njerëzit. Nuk e di përse e bëri këtë Allahu i madhërishëm, por detyrë e imja ishte të besoj, të përpiqem me të gjithë dijen dhe forcën intelektuale e shpirtërore për fitoren e Fjalës së Allahut Një dhe i Vetëm dhe të shpresoj në shpërblimin e Tij.
Shumë herë e kam përjetuar ndërhyrjen e Allahut në mbrojtjen time. Kjo ndjenjë nuk mund të përshkruhet; fjalët njerëzore disi nuk kanë aftësi komunikuese, nuk kanë mekanizëm për ta shprehur këtë ndërhyrje të providencës hyjnore. Mendoj se nga Allahu jam sprovuar sa herë që Ai e ka pa se për mua është e dobishme dhe e nevojshme. Pa dyshim, çdo sprovë ka kuptim të thellë dhe shkakun përse ndodh. Nëse këtë mendim timin do të përpiqeni ta vlerësoni në perspektivën njerëzore, në perspektivën e racionalizmit vulgar perëndimor të kësaj bote, atëherë e keni gabuar përqasjen. Vlerësimi meritor mund të bëhet vetëm nga perspektiva e Ahiretit, e Botës së amshueshme. Fjalët e Muhamedit a.s. janë melhem i pakrahasueshëm: “Njerëzve të mirë vërtetë iu ndodhin vështirësi dhe fatkeqësi në jetë. Por, pa dyshim, besimtarit nuk do t’i ndodh kurrfarë fatkeqësie, madje as nuk do ta shpojë thera në këmbë, e që për këtë një mëkat nuk do t’i falet dhe dinjiteti nuk do t’i ngrehet për një shkallë te Allahu!”
Nuk mund ta imagjinoj jetën time pa këto sprova, me të cilat Allahu i lartësuar më ka “shpërblyer”. Nuk do të pranoja kurrfarë oferte tjetër, sado joshëse, pos kësaj që me dëshirën e Allahut e kam zgjedhur. Përkundër shëndetit relativ që kam pasur deri atëherë, rrahjet, dhuna, presioni psikik, traumat e rënda nga dhuna policore serbe e rënduan shëndetin tim edhe më shumë. Por, problemi gjithnjë e më i theksuar me shëndetin nuk e zvogëloi dëshirën time që të këmbëngul në misionin tim. Edhe në çastet më të rënda, në dhomën e tmerrshme të UDBA-së në Prizren, kur më shkoi mendja të kërcej nga dritarja për t’i shpëtuar dhunës së llahtarshme, hamendja që a ta tërheq me vete një apo dy inspektorë policorë serbë më vonoi në veprim dhe ndikoi të tërhiqem nga ai vendimi i parë. Allahu më sprovoi por njëkohësisht dhe ma freskoi mendjen dhe zemrën që unë ta marr vendimin më të mirë. Kjo vuajtje, ky pësim, kjo dhembje dhe frikë, është mëshirë dhe shpërblim i Allahut për krijesën e pafuqishme të Tij.
Këtë ndihmë që Allahu ma fali mua shpresoj që edhe unë një pjesë të saj t’ia fali edhe rinisë së sotme muslimane, shqiptare; ta bëjë atë të fuqishme, të ndërgjegjshme përballë vlerave të shumta që i ka Islami dhe që i kanë krijuar muslimanët gjatë historisë, në të katër anët e botës. Ajo duhet të lirohet nga kompleksi i indiferentizmit, vogëlsisë dhe të mburret me vlerat që ka Islami. Vetëm atëherë rinia muslimane do të mund ta zbulojë Islamin siç do ta zbulonte kureshtari kështjellën e bukur të ndonjë sunduesi, e cila e mbështjellur nga landrat e bimët e tjera dekoruese, nuk shihej lehtë. Vetëm pas prerjes së gjelbërimeve, kështjella do të shndriste me tërë bukurinë e saj. Por, kujdesi duhet të vazhdojë, sepse kurthet e “dexhallëve” janë të shumtë dhe të ndryshëm.
Me plotë shpirt e zemër i drejtohem Allahut të madhërishëm që kurrë më ideja e njeriut, besimi në Zotin dhe fjala e lirë mos të pengohen e burgosen nëpër birucat e betonit me dritare “pa dritare”, që njerëzit mos të vriten vetëm pse mendojnë ndryshe, vetëm pse i përkasin një populli ndryshe, një race ndryshe. Shpresoj që populli im kurrë nuk do ta harrojë dhunën e egër nën diktaturën e së cilës ndodhën dëmet dhe gjenocidet më të dhembshme gjatë shekujve XII-X1V dhe XX.
Përkundër të gjitha këtyre që më shkaktuan mua dhe popullit tim, unë nuk i urrej ata por ndjej keqardhje për të keqen që është e mbëltuar në brendi të qenies së tyre. Unë nuk ndjej as nevojë për hakmarrje as zemërim kundër tyre, sepse i shoh si popull monstrum, i cili ka nevojë të mjekohet e shërohet. Por, ky qëndrim i imi është vërejtje për brezin e ri që ta pengojnë këtë kategori njerëzish, çfarëdo gjuhe të flasin ata, që ta marrin sundimin dhe ta shtrijnë dominimin e tyre.
Vetëm nëse brezi i ri e kupton të kaluarën e dhembshme dhe i kthehet vlerave të mirëfillta, vuajtjet e mia dhe të shumë të tjerëve, do ta kenë kuptimin e vetë.
***
Duke e shkruar këtë libër kujtimesh, pas shumë ikjesh e zmbrapsjesh, dëshiroj që ky tregim të bëhet kontribut sado i vogël i historisë së popullit tim dhe të fesë sime. A kam arritur ta sendërtoj fotografinë e vetvetes dhe fotografinë e vendit tim, e cila ka ekzistuar tek unë nga rinia më e hershme, mbetet ta vlerësojnë të tjerët, por do të thoja se kurrë nuk i kam ndjekur joshjet e lukset e kësaj bote as fatin tim në dëmin e tjetrit. Madje, vetveten e kam gjetur në miqësi, dashuri dhe punë, e cila të tjerëve rreth meje ua lehtëson jetën kurse e vërteta triumfon mbi gënjeshtrën. Kurrë nuk kam synuar drejt forcës sepse qysh në fëmijëri kam zbuluar në vete se forca ime nuk gjendet në fuqinë fizike por gjendet në brendësinë time, tek unë, jo në muskujt e mi, por në përkushtimin tim ndaj asaj që është e ndershme, e drejtë dhe e bukur. Ky kërkim drejt të bukurës, të mirës dhe dinjitetit do të vazhdojë deri në Çastin e Fundit, sepse ky është edhe synimi i vullnetit të Allahut, vullneti i të Cilit është i vetmi i amshueshëm.
Dëshiroj që shpërblimi më i madh për mua të jetë kënaqësia e Allahut me angazhimin tim, me luftën time, durimin tim, jetën time. O Allah, më shpërble me mëshirën tënde, sikur edhe të gjithë muslimanët!
Libri do të vazhdojë të shkruhet aq sa ka thënë Allahu të jetoj. Për këtë arsye, ky epilog është i hapur, dhe këta kapituj do të zgjasin deri sa shpirti im të largohet nga kjo botë kaq e afërt por kaq misterioze dhe e panjohur.
O Allah, lutja ime e fundit është për të gjithë të gjallët dhe të vdekurit një El-Fatiha:
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit!
Çdo lavdërim i përket Allahut, Zotit të botëve,
Të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit, Sunduesit të Ditës së Gjykimit.
Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm prej Teje ndihmë kërkojmë.
Udhëzona në rrugën e drejtë!
Në rrugën e atyre që u ke dhuruar mirësi e jo në të atyre që kanë shkaktuar zemërimin Tënd, as në të atyre që janë të humbur!” (El-Fatiha, 1-7)