Hegjemonia e injorancës, dhe territ mbi arsyen dhe dritën, duhej zhvendosur nga jeta e njeriut, ndërkaq vendin e saj duhej zënë arsyeja e shëndoshë e orientuar nga mesazhi i Krijuesit të njeriut dhe mendjes.
Po edhe njeriu, assesi të kënaqej dhe pajtohej me gjendjen e mjerueshme të tij në aspektin intelektual, etik, material, shoqëror, etj., si qenie më e dalluar në këtë botë. Për atë, kërkonte rrugëdalje në mënyra të ndryshme, e herë herë duke u mvetësuar nga bota dhe duke medituar për jetën, qëllimin e ardhjes së tij në këtë botë, rolin që ka dhe Krijuesin. Kështu veproi edhe Muhamedi s.a.v.s., dhe në gjendje të tillë meditimi, në muajin Ramazan, në natën e Kadrit, i erdhi përgjigja dhe i ofrua zgjidhja hyjnore për dalje nga kjo gjendje skajshmërisht e zymtë, përmes shpalljes nga Krijuesi.
Ajetet e para qartë theksojnë se shpëtimi qëndron në dije dhe në ngritje intelektuale, në zhytje në shkencë dhe ecje përpara me lexim: “Lexo me emrin e Zotit tënd, i cili krijoi (çdo gjë) (1)Krijoi njeriun prej një gjaku të ngjizur (në mitrën e nënës) (2) Lexo! Se Zoti yt është më Bujari! (3) Ai që e mësoi (njeriun) të shkruaj me pendë (4) I mësoi njeriut atë që nuk e dinte (5)” (El-Alek: 1-5)
Në këtë natë u hap varri më i madh dhe më i sofistikuar i padijes, injorancës dhe idhujtarisë, e bashkë me këto, në hirin e historisë, u plas edhe ideja pagane e përkufizimit të njeriut në bazë të lojalitetit të tij ndaj idhujve dhe shkallës së zhytjes në injorancë, duke hapur një horizont tjetër të vlerësimit të dinjitetit njerëzor dhe të përkufizimit të njeriut në bazë të lirisë së mendjes, duke i robëruar Krijuesit të vërtetë-El-Hakk.
Në natën e Kadrit, u shpall libri i fundit i zinxhirit të librave hyjnor të destinuara për njerëzimin. Pikërisht me këtë, nata e Kadrit, e meritoi të quhet nata e librit, leximit, dijes, penës dhe mësimit, ngase fillimi i misionit të profetit të fundit të Zotit, nuk qe me pllaka që mbajnë urdhra dhe ndalesa të caktuara të karakterit juridik, po as me ëndërr që e sheh i ngarkuari me shpallje, por fillimi qe duke qenë ai i zgjuar, plotësisht i vetëdijshëm, i djegur për dritë dhe udhëzim, i gatshëm për sfidim të territ, qe me shpallje të librit, që është një moment që kërkon vëmendje të madhe nga mendja njerëzore, me fjalë të cilat nuk janë të natyrës juridike, por kanë karakter intelektual dhe arsimues: “Lexo me emrin e Zotit tënd, i cili krijoi (çdo gjë) (1)”. Dhe kjo natë, e cila shënon fillimin e shpalljes së librit të Allahut, i cili hapi para njerëzimit një faqe të re dhe shpalli luftë të pakompromis kundër injorancës, politeizmit dhe imitimit të verbër, është më e vlefshme se një mijë muaj. E si mos të jetë, kur kjo natë është nata e shpalljes së fundit, nata e librit, dijes, ndritjes së mendjes dhe lartësimit të shkencës në Islam: “Ne e zbritëm atë (Kur’anin) në natën e Kadrit (1) E ç’të bëri ty të dijsh se ç’është nata e Kadrit? (2) Nata e Kadrit është më e rëndësishme se një mijë muaj! (3)” (El-Kadër: 1-3)
Në këtë natë, u dha një përgjigje e qartë për kohën që do të pasojë, gjegjësisht paraprakisht iu bë me dije njerëzimit se feja nuk është kundër shkencës dhe dijes, siç paragjykojnë disa, por feja e nisi misionin e të dërguarit të fundit, me zbritjen e librit dhe me fjalë të para të këtij libri, ku lëvdohet dija dhe pena. Në fakt, renesanca e vërtetë, nuk ndodhi në mesjetë, por në vitin 610 kur u shpall Kur’ani, gjegjësisht nata e Kadrit është nata e renesancës së vërtetë, shekuj më parë nga renesanca evropiane. Kjo, ngase në këtë natë u përligj arsyeja si vlerë më e dalluar e dhuruar për njerëzimin nga Krijuesi, u thirr në besim të ndërtuar në dije dhe argumente, që është një komponent jetik i hapjes së mendjes dhe horizonteve të zhvillimit e përparimit për njeriun, larg dogmave imagjinare dhe tabuve doktrinare.
Një moment tjetër i rëndësishëm që lidhet për natën e Kadrit, është edhe zbritja e melekëve dhe të qenit e saj natë e paqes: “Me lejen e Zotit të tyre në (atë natë) të zbresin engjëjt dhe shpirti (Xhibrili) për secilën çështje (4) Ajo (që përcakton Zoti) është paqe deri në agim të mëngjesit (5)” (El-Kadër:5-6).
Sei’d ibn Mensuri ka transmetuar se Esh-Sha’ëbiju përkitazi me fjalët e të Lartmadhërishmit: (për secilën çështje (4) Ajo është paqe deri në agim të mëngjesit(5)), ka komentuar:”Melekët i përshëndesin me selam ata që falen nëpër xhami natën e Kadrit deri në agim të mëngjesit”.
Katade dhe Ibn Zejdi përkitazi me fjalët e të Lartmadhërishmit:( Ajo është paqe…), kanë komentuar:” D.m.th. e gjithë nata e Kadrit është mirësi, në të nuk ka asnjë sherr deri në agim të mëngjesit”.
Po, pikërisht natën e shpalljes së librit të Krijuesit, natën më të ndritshme në historinë e arsimit dhe zhvillimit intelektual të njeriut, natën e shpalljes së projektit më madhështor iluminist-projektit “Ikre-Lexo”, natën që shënon renesancën e vërtetë mbarënjerëzore, Allahu i Madhërishëm e bëri natë të paqes, si dhe e ndriçoi dhe e ngriti lartë duke i dërguar melekët, krijesat e Allahut të krijuara prej drite, në tokë, në krye të këtyre melekëve është edhe meleku i shpalljeve, Xhibrili. Imam Ahmedi ka transmetuar prej Ebu Hurejres se i dërguari i Allahut për natën e Kadrit ka thënë: ”Ajo është në natën e njëzeteshtatë apo njëzetenëntë. Vërtet, atë natë melekët zbresin në tokë sa që janë ma tepër se gurët e imët që janë në tokë”.
Pikërisht ardhja e Xhibrilit në tokë, me urdhër të Allahut, në këtë natë, marrë parasysh se ai është melek i ngarkuar për shpalljet, që ndryshe do të mund të shpreheshim se është melek përgjegjës për librin, gjegjësisht librat e Allahut të cilat përfunduan me Kur’anin, për fjalët, gjegjësisht për fjalët e Allahut që iu kumtuan njerëzimit përmes të dërguarve të Allahut, është një numër i madh në faqen e dimensionit intelektual dhe arsimor të natës së Kadrit, gjegjësisht natës së librit, fjalës, leximit, penës dhe mësimit, si dhe të lartësimit të pozitës së dijes dhe shkencës në Islam.
Nata e librit, gjegjësisht nata e shpalljes së librit të fundit të Krijuesit, duhet gjallëruar në të gjitha format e shpjeguara në trashëgiminë islame, e në veçanti me lutje, ngase lutja ka vlerë të veçantë në këtë natë. Ahmedi prej Aishes se ka thënë: E pyeta të dërguarin e Allahut s.a.v.s. e i thashë: “O i dërguar i Allahut, nëse e hasi natën e Kadrit, si të lutem?” Më tha: ”Thuaj: O Allah, ti je falës, Ti e do faljen, më fal mua”.