Rasti i tyre është ende aktual dhe shumë i njohur në Francë. Ato janë shndërruar në simbol të luftës për të drejtat e njeriut dhe ato fetare, si dhe shembull i forcës dhe kurajos së femrës muslimane.
Edhe pse prindërit e tyre nuk i janë përkushtuar fesë (babai i tyre është hebrej, ndërsa nëna arabe ateiste), këto dy vajza janë dashuruar në fenë Islame.
Si filloi udhëtimi i tyre drejt besimit?
Duke lexuar dhe studiuar për Islamin. Ndryshimi i parë që ato kanë bërë në jetën e tyre ishte ndalimi i mishit të derrit. Pas kësaj, ato e njoftuan babanë e tyre se do të fillojnë ta agjërojnë muajin e Ramazanit. E më pas, ia bënë me dije atij se do të fillojnë t’i falin pesë kohët e namazit, ashtu siç urdhëron Islami. Për të gjitha këto, ato e kishin mbështetjen e babait. Pas kësaj, ato më nuk shkuan më në plazh. Gjatë natës, në vend se t’i vizitojnë baret, ato filluan t’i mësojnë përmendësh suret e Kur'anit. Miqtë e tyre të shkollës dhe të lagjes ishin habitur me ndryshimin e jetës së tyre.
Gradualisht, filluan të veshin rroba të gjata, madje edhe në verë. Pas një kohe shumë të shkurtër ato e vendosën shaminë, nuk shoqëroheshin me djemtë e shkollës dhe nuk shkonin në orën e edukatës fizike.
Drejtori i shkollës u tha të zgjedhin: ose ta heqin shaminë, ose do të përjashtohen nga shkolla. Por, për të qenë “më i butë” ai u ofroi një opsion për ta vazhduar shkollimin, nëse i zbulojnë veshët dhe qafën. Alma dhe Lila nuk e pranuar këtë kompromis dhe i hodhën poshtë sugjerimet e drejtorit. Në fund, ato u përjashtuan nga shkolla. Babai i tyre, hebre, e ka mbështetur vendimin e vajzave . "Vajzat e mija vetëm duan të jenë modeste! Unë i mbështes ato dhe jam shumë krenar për to!"
Një nga arsyet pse disa politikanë dhe studiues francezë e mbështesin ndalimin e mbulesës islame është se ajo për ta paraqet simbolin e shtypjes së grave nga ana e burrave.
Hanifa Cherifi, e angazhuar nga Ministria e Arsimit në Francë si ndërmjetës midis qeverisë dhe nxënëseve, thotë se problemi nuk qëndron vetëm tek shamia. "Problemi nuk është vetëm te shamia, por tek të gjitha ato që shamia i tërheq pas veti. Shpesh herë ndodh që një vajzë e re me shami të thotë: "Unë nuk mund të marr pjesë në orën e edukatës fizike sepse nuk dua të veshi rroba të shkurtra dhe kostume fitnesi. Ajo mund të thotë se nuk dëshiron të shoqërohet me meshkuj. Pra, vajza me shami i miraton të gjitha ndalimet që i kërkon besimi i saj."
Përgjigja e Alma Lévy-Omarit pas gjithë kësaj ishte: "Nëse ju doni t’i mbroni të drejtat e një femre të shtypur, mos e bëni duke ia mohuar të drejtat femrës tjetër." Sot, me qindra vajza, jo vetëm në Francë, përballen me të njëjtat dilema: ose ta heqin shaminë, dhe t’i vazhdojnë studimet, ose t’i braktisin studimet dhe të përballen me poshtërimin.”