Mbulesa e gruas – havalja

Shumë qëllimkëqij nxjerrin lot krokodili për femrën e mbuluar muslimane, sepse, sipas tyre, ajo është privuar nga liria dhe i është bërë padrejtësi e madhe, duke e lënë të mbyllur, të izoluar dhe larg shkollimit e ngritjes intelektuale.

Akuzat e tyre janë krejt të zbehta, sepse mbulesa, para së gjithash, është përgjigje ndaj urdhrit të Zotit, i Cili robit të Vet ia urdhëron vetëm atë që është e dobishme për të. Poashtu, mbulesa është mbrojtje edhe për femrën, e më tepër për mashkullin dhe shoqërinë nga degjenerimi moral dhe përhapja e sëmundjeve të ndryshme, para së gjithash atyre morale, apo siç është shprehur edhe profesori i shquar musliman nga Turqia, Dr.Beqir Topallogllu, me këtë pritet ambicia e njerëzve që mund të kenë në zemrën e tyre sëmundjen e prostitucionit.[1] Ndërkaq, pandehja e tyre e pa logjikshme se kjo e ndalon nga shkollimi, është absurd dhe paradoks i kohës, sepse vendet e zhvilluara nuk e shohin këtë problem dhe as që e ndalojnë femrën e mbuluar t’i ndjek ligjëratat dhe mësimet, por këtë e problematizojnë disa të humbur dhe pseudointelektualë, të cilët nga mllefi ndaj Islamit dhe prapambeturia e tyre intelektuale marrin këso hapa absurd jo civilizues dhe jo njerëzorë bile edhe në meset islame, siç po ndodh, vjen fjala, në disa shkolla të Tetovës.
Për atë, ata që e sulmojnë mbulesën nuk kanë dert për pozitën e femrës dhe atë farë lirinë e saj “të humbur”, por kjo vjen nga synimi i një anarkie në këtë plan dhe zhveshjen e muslimanit dhe muslimanes nga të gjitha parimet dhe dispozitat fetare, të cilës fé njerëzit e tillë asnjëherë edhe nuk i kanë takuar me zemër, e as që e kanë kuptuar atë dhe as që ia duan të mirën.
Realisht, Islami me atë që e mbuloi gruan, dëshmoi se gruaja ka vlerë të madhe dhe pozitë të veçantë në Islam, për këtë edhe meriton mbrojtje të veçantë. Ajo nuk është monedhë për kursim dhe vegël në dorë të kompanive për të realizuar përfitime të majme nga reklamimi i prodhimeve të veta. Përfitimet që realizon femra nga reklamimet dhe favorizimi i saj në fushën e marketingut dhe reklamave, nuk është liri dhe nder për të, por realisht nënçmim dhe privim i saj nga funksioni më madhor dhe më i lavdishëm, të qenit nënë, ngase nxjerrja e saj në tregun e reklamimit, detyrimisht e obligon të ketë kujdes ndaj pamjes dhe vijave të trupit, gjë që e largon nga lindja dhe përkushtimi ndaj rritjes së fëmijëve. Në këtë kontekst, intelektuali i shquar musliman Ali Bullaç ka thënë:”Ajo (gruaja) sot gjendet në një robëri më të tmerrshme. Ja si duket sot realiteti i gruas në shoqërinë perëndimore: Ajo është mjet reklame e një çamçakëzi të thjeshtë. Kompanitë e mëdha kapitaliste e shfrytëzojnë atë tej çdo mase. Duke ia treguar dhe reklamuar tregut pjesët më intime, më të bukura të trupit të vet, gruas nuk i mbetet asnjë vlerë të cilën njeriu do ta dëshironte, do ta respektonte apo mbronte…Ajo është një krijesë e mjerë e lënë nën kontrollin, nën mbikëqyrjen e forcave, institucioneve të mëdha ndërkombëtare. Këto qarqe të profitit e të interesit e kanë bërë monopol dëshirën dhe vullnetin e saj, ndërsa ajo të gjitha dobësitë, të gjitha ndjenjat e interesat i ka lënë në dorë të tyre. Ndërmarrjet e mëdha reklamuese, kinematë, televizioni dhe shtypi jetojnë duke e thithur gjakun e saj si një shushunjë”[2].
Realisht, Islami e ngre gruan kur e urdhëron atë të mbulohet, ngase e konsideron njeri me vlerë, njeri me ideale dhe që lufton për kauzë. Poqese ndiqen ajetet Kur’anore të cilat flasin për mbulesën e gruas, do të shihet se gruas i bëhet thirrje të mbulohet me cilësi të saj si besimtare dhe bartëse e kauzës Islame, e jo thjesht për të bërë diferencë në imixh pa mbështetje ideore dhe pa bindje. I Lartmadhërishmi ka thënë: “Thuaju edhe besimtareve të ndalin shikimet e tyre, të ruajnë pjesët e turpshme të trupit të tyre, të mos zbulojnë stolitë e tyre përveç atyre që janë të dukshme, le të vejnë shamitë mbi krahrorin e tyre… “(3)
“O ti Pejgamber, thuaju grave tua, bijave tua dhe grave të besimtarëve le të vëjnë shamitë (mbulojë) e veta mbi trupin e tyre, pse kjo është më afër që ato të njihen (se nuk janë rrugaçe) e të mos ofendohen. Allahu fal gabimet e kaluara, Ai është mëshirues (59)”.(4)
Islami me atë që e urdhëroi gruan të mbulohet, e theksoi vlerën e saj dhe të qenit e saj shtyllë e familjes dhe shoqërisë. Është shumë normale se mbrohen gjërat me vlerë, ndërkaq gjërave pa vlerë nuk u kushtohet kujdes. Kështu është në jetën e përditshme të njerëzve. Edhe gruaja, duhet ta kuptojë se rregullat e Islamit për mbulimin e saj, tregojnë se Islami atë e respekton dhe e çmon lartë, e nuk bëhet kjo nga shkaku se atë donë ta shtypë apo ta kufizojë nga liria e prezantimit në publik e veshur sipas qejfit të saj. Mbulimi i pjesëve të trupit të gruas, në fakt është vlerësim i vërtetë që i bëhet pozitës dhe rolit të gruas, e jo kufizim i lirisë së saj. Ndërkaq, tregtarët e njerëzve, bossat e sfilatave të modës, garave të bukurisë-Miss dhe marketingut, me nxjerrjen e femrës në tregun e reklamave, ekspozimit të modës dhe në garat e bukurisë, ku femrës i matet çdo pjesë e trupit të saj, në fakt nuk e vlerësojnë femrën, por e devalvojnë duke e shndërruar në mjet reklame dhe objekt vlerësimi komisionesh të vijave të trupit, madhësisë së syve, buzëve dhe gjoksit, si dhe peshës së trupit.
Mbrojtjen e nderit të gruas dhe kujdesin për gruan në veçanti në drejtim të moralit, nga ana e Islamit, e kanë theksuar si veçori pozitive edhe disa mendimtarë joislamë. Kështu, Peter Bayle (v.1706) në librin e tij Dictionnaire Historique et Critique përmend ndjeshmërinë e grave turke në çështjen e nderit, duke e krahasuar këtë me shkujdesjen morale në Evropë.[5]
Me këtë rast, duhet përmendur edhe rrezikun që u kanoset sot femrave muslimane në drejtim të respektimit të urdhrit të mbulesës si rezultat i imitimit të verbër dhe shndërrimit të dukurive të këtilla negative në modë të kohës me përmasa botërore. Me fjalë tjera, ndoshta disa femra muslimane nuk e kuptojnë seriozitetin e mbulesës si rezultat i asaj se mosmbajtja e mbulesës është dominante në shumë mjedise, në veçanti në perëndim, ashtu që formohet bindja se ndoshta edhe kështu bën, apo se ja të gjithë shkojnë në këtë mënyrë.
Kjo bindje aspak nuk duhet të ekzistojë në kokën e muslimanes, ngase për të autoritet numër një dhe i pakrahasueshëm me askënd tjetër që duhet të respektohet është Kur’ani, e Kur’ani e urdhëron femrën të mbulohet. Poashtu, përhapja e një dukurie dhe dominimi i saj në një mjedis, saqë bëhet dukuri normale, nuk është dëshmi se ajo është e drejtë dhe rruga e vërtetë që duhet të ndiqet. E vërteta nuk vlerësohet në bazë të hapësirës që zënë te njerëzit, ngase është shumë e mundshme që pjesa më e madhe e njerëzve të mos e ndjekin të vërtetën, por në bazë të burimit dhe përmbajtjes, gjegjësisht nëse vjen prej burimit hyjnor, kjo është e vërteta që duhet të ndiqet, pa marrë parasysh se çfarë qëndrimi mund të kenë pjesa dërmuese e njerëzve.
Me këtë rast, duhet theksuar se edhe ata që nuk besojnë në burimin hyjnor të dispozitave islame, kanë dhënë vlerësime pozitive dhe kanë treguar respekt të veçantë ndaj përmbajtjes së dispozitave islame. Këtë rast e kemi edhe me mbulesën dhe rregullat tjera islame përkitazi me trajtimin e femrës. Dëshmia që do ta përmendim në vazhdim vjen nga një gazetare amerikane jomuslimane, e cila edhe pse nuk ka besuar në shpalljen e fundit të Zotit, ka treguar konsideratë të lartë për mënyrën e trajtimit të femrës së Islam, si dhe pakënaqësi ndaj mënyrës së trajtimit të femrës në perëndim, edhe pse ndoshta në shikim të parë duket se ka njëfarë lirie.
Gazetarja amerikane Hillsian Stransbury, pas një vizite në Kajro, ka thënë:”Shoqëria arabe është shoqëri e integruar dhe e shëndoshë. Ajo duhet që edhe në të ardhmen të jetë e lidhur fort me traditat dhe zakonet e saj, të cilat e kufizojnë lirinë e të rinjve në mënyrë të arsyeshme. Kjo shoqëri ndryshon nga shoqëria amerikane dhe evropiane, sepse ajo është e lidhur fort me traditat e trashëguara të cilat e kufizojnë lirinë e gruas dhe e obligojnë respektin ndaj prindërve. Për më tepër, në këtë shoqëri nuk lejohet degjenerimi i cili e ka shkatërruar shoqërinë dhe familjen në Evropë dhe Amerikë. Duke u bazuar në këtë, unë mendoj se kufizimi i lirisë së vajzës nën moshën 20 vjeçare në shoqërinë arabe është i vlefshëm dhe i dobishëm. Këshilla ime për këtë shoqëri është që të lidhen fort me moralin dhe traditat e tyre, të mos lejojnë bashkimin e djemve dhe vajzave në një shkollë dhe të kufizojnë lirinë e gruas. Kthehuni tek vënia e shamisë, sepse ajo është më e mirë se moskufizimi i asgjëje, shthurja dhe degjenerimi që ka pushtuar shoqëritë perëndimore.. Ndalojeni bashkimin e djemve dhe vajzave në një shkollë nën moshën 20 vjeç, sepse kjo gjë ka shkaktuar shumë probleme në Amerikë. Shoqëria amerikane është bërë më komplekse dhe aty shfaqen të gjitha format e shthurjes morale. Viktimat e lirisë dhe bashkimit të djemve dhe vajzave në shkolla nën moshën 20 vjeç, sot mbushin burgjet, trotuaret, pijetoret dhe shtëpitë publike ilegale. Liria që i kemi dhuruar bijve dhe bijave tona në Amerikë i ka bërë ata anëtarë të bandave kriminele dhe pjesëtarë të rrjetit të drogës dhe prostitucionit. Bashkimi i djemve dhe vajzave në shkolla dhe moskufizimi i lirisë në shoqëritë perëndimore ka rezultuar në shkatërrimin e familjes dhe në tronditjen e vlerave dhe parimeve morale. Vajza nën moshën 20 vjeç në Perëndim është gjatë gjithë kohës në kontakt me djem, frekuenton diskot, përdor alkool, pi duhan dhe merr drogë në emër të civilizimit, emancipimit dhe lirisë.
Ajo që habit më shumë në shoqëritë evropiane dhe amerikane është se vajza nën moshën 20 vjeç luan, dëfrehet dhe shkon në shtrat me cilindo që dëshiron me dijeninë e prindërve të saj. Ajo sfidon prindërit, mësuesit dhe kujdestarët e saj në emër të lirisë. Ajo mund të vendosë të martohet në çast dhe të ndahet pas disa orësh ose disa ditësh, dhe më pas, në emër të lirisë, martohet dhe ndahet përsëri”.[6]
• Dallimet e gjinive:Si për mbulesën, ashtu edhe për shumë gjëra tjera, megjithatë duhet të kihen parasysh dallimet në mes gjinive. Këtë dallime nuk janë për ta shkelur njërën gjini, por për ta vënë në vendin e merituar. Detyrimi i njërës gjini me një obligim të caktuar, nuk është për ta diskredituar dhe diskriminuar atë gjini, por bazohet në vetë natyrën e asaj gjinie dhe dallimet që ka nga gjinia tjetër. Në këtë kontekst duhet parë edhe obligimin e femrës me mbulesë, për dallim prej mashkullit.
Dallimet në mes gjinive i kanë vënë në dukje edhe vetë shkencëtarët, bile ata perëndimor. Në vazhdim do t’i përmendin fjalët e një shkencëtari të shquar perëndimor, i cili flet për atë se patjetër të merren parasysh dallimet në mes gjinisë mashkullore dhe femërore. dr.Aleksis Karel (Alexis Carrel) ka thënë:”Dallimet ndërmjet burrit dhe gruas, nuk kanë lindur si rezultat i dallimit të organeve gjenitale, ekzistimit të mitrës dhe shtatzënisë, apo nga mënyra e ndryshme e edukimit. Por, këto dallime, lindin nga një shkak shumë i thellë, gjegjësisht ndikimi i gjithë organeve trupore nga materiet kimike dhe sekrecionet e gjëndrave seksuale. Mosnjohja e këtyre gjërave thelbësore, i ka shtyrë prijatarët e lëvizjes feministe ta adaptojnë qëndrimin se të dy gjinitë, edhe meshkujt edhe femrat, mund të bëjnë punë të njëjta dhe të marrin kulturë të njëjtë. Mirëpo, e vërteta është se gruaja ka dallime të thella nga burri, çdo qelizë dhe pore e saj e ka natyrën e llojit të saj. Kjo vlen edhe për sistemet tjera organike, në veçanti sistemi nervor, ndërkaq ligjet fiziologjike nuk mund të tejkalohen, siç nuk mund të tejkalohen edhe ligjet astronomike. Është absurd që këto ligje t’i këmbejmë me dëshirat njerëzore, kur jemi të detyruar t’i pranojmë ashtu siç janë. Për këtë, gratë duhet ta zhvillojnë gatishmërinë e tyre në drejtim të natyrës së tyre specifike, pa mos u munduar që t’i imitojnë meshkujt, ngase roli i tyre në zhvillimin e qytetërimit është më i lartë se roli i meshkujve, për atë edhe nuk duhet të heqin dorë prej tij”.
Poashtu, ky shkencëtar, ka thënë:”Njerëzit, si zakonisht, e neglizhojnë funksionin e lindjes për gruan, edhe pse ky funksion është i domosdoshëm për kompletimin e zhvillimit të saj. Nisur nga kjo, është çmenduri dhe naivitet, ta largosh gruan nga të qenit nënë. Së këtejmi, të rinjtë dhe të rejat, nuk duhet të marrin kulturë të njëjtë, as të kenë mënyrë të njëjtë veprimi në jetë, dhe as të kenë shembull të njëjtë më të lartë në jetë. Edukatorët duhet t’i marrin parasysh dallimet trupore dhe mendore ndërmjet mashkullit dhe femrës, dhe dallimet ndërmjet roleve të tyre natyrore. Ndërmjet dy gjinive ka dallime të cilat nuk mund të zhduken, dhe është obligim që të merren parasysh në ndërtimin e botës së qytetëruar”.[7]
Mbulesa e gruas muslimane, në kohën e fundit u bë test serioz i demokracisë perëndimore. Edhe pse vazhdimisht perëndimi është parë si bastion i respektimit të të drejtave të njeriut pa dallim feje, ngjyre apo kombi, në rastin e mbulesës islame u pa se kjo demokraci akoma qëndron në këmbë të brishta kur janë pyetje muslimanët.
Në disa shtete evropiane u aktualizua çështja e mbajtjes së mbulesës nga gratë muslimane nëpër shkolla dhe në institucionet publike, në veçanti në Francë, e cila është simbol i demokracisë, lirisë dhe të drejtave të njeriut.
Çfarë logjike është ajo që e paraqet Evropën si djep të demokracisë dhe të drejtave e lirive të njeriut në botën e sotme, kur po në këtë Evropë, në disa pjesë të saj, femra muslimane ndalohet nga respektimi i një nga detyrat e saj fetare, mbajtjen e mbulesës. Me këtë vendim, femra muslimane diskriminohet në shoqërinë perëndimore ngase nuk i jepen asaj të njëjtat mundësi që i jepen edhe femrës jomuslimane, apo asaj që nuk mban mbulesë. Shoqëritë demokratike nuk do të duhej ta diskriminojnë në këtë formë një shtresë anëtaresh të tyre. Bile që është edhe më shqetësuese, vendimi i këtillë e diskriminon femrën muslimane të mbuluar edhe në aspektin e shkollimit, ngase e privon nga shkollimi në shkollat shtetërore të cilat janë pa pagesë, e ndoshta shkollimi në shkolla private nuk është i mundur për të gjitha femrat për shkak kushteve materiale.
Por, është për të pyetur se pse shoqatat e ndryshme qytetare për të drejtat e njeriut, nuk janë aq të zëshme në këtë rast, si në rastet tjera?! Dëgjon të ngritet zëri lartë për diskriminim gjinor, për shkak të qëndrimeve të caktuara ndaj homoseksualëve, por jo edhe aq fuqishëm për privimin e gruas muslimane me mbulesë nga shumë beneficione të institucioneve publike.

• MBULESA DHE NDERI ME FUQI

Kur jemi te mbulesa, nuk mund ta tejkalojmë dilemën që e parashtrojnë disa njerëz, bile edhe të palës muslimane, sipas të cilëve mbulesa është një mënyrë e imponimit të nderit për femrën me fuqi. Poashtu, në një mënyrë tjetër, ata pretendojnë se gruaja mund të jetë e ndershme edhe duke qenë e zbuluar e jo vetëm e mbuluar, gjegjësisht ka shumë prej atyre që mbajnë mbulesë dhe janë të shthurura moralisht, ndërkaq ka shumë femra që nuk mbajnë mbulesë dhe janë të paprekshme në aspektin moral.
Mirëpo, këto dilema janë të paqëndrueshme, ngase e neglizhojnë natyrën e femrës, e cila është tërheqëse dhe nxitëse për gjininë tjetër. Kjo nuk mund të mohohet. Për atë, një femër e zbuluar, edhe nëse nuk bën lëvizje dhe veprime porovokative, vetë pamja e saj është provokative për gjininë tjetër, e mos të flasim nëse ka veshje provokative. Për këtë, është më se e nevojshme që të ruhet gjinia tjetër nga provokimi, të mos lehet hapësirë për elementet destruktive dhe pasionet ta bëjnë punën e vet dhe në përgjithësi të mundësohet ambient stabil në këtë plan.
Kur është në pyetje çështja e detyrimit, mendoj se defekti qëndron në mënyrën si paraqitet detyrimi. Nuk ka gjë në sferën e legjislacionit që nuk ka një dozë detyrimi, por kjo është për të mirën e shoqërisë dhe individit. Në këtë drejtim, profesor Beqir Topallogllu thotë:”Edhe një kundërshtim i kësaj forme nuk është me vend. Sepse “virtyti formohet edhe pak me forcë”. Në këtë thënie ka një të vërtetë të madhe. Nuk formohen shprehi pa kushte dhe pa vepruar një detyrim. Detyrimi bëhet shkak, e ruan personin, dhe kështu fitohet shprehi, formohet virtyti. Mbulimi mënjanon shkaqet e këqija, përgatit mjedisin. Të mendosh të kundërtën e kësaj, do të thotë të kundërshtosh krijimin dhe kapacitetin njerëzor”.[8]
Poashtu, edhe dilema e shthurjes morale të fshehur nën mbulesë dhe nderit e moralit edhe pa mbulesë, nuk është e qëndrueshme dhe është një peizazh i pikturuar keq, ngase nuk diskutojmë për moralin e vetë femrës përkatëse, por për ndikim që ka pamja e jashtme e saj dhe veshja te gjinia tjetër. Nuk diskutohet se një grua mund të jetë e moralshme, edhe përskaj se nuk ka mbulesë fetare, por nuk mund të mohohet fakti se ajo me veshjen e saj jo sipas rregullave fetare, bën provokimin e gjinisë tjetër dhe i bën që të bëjnë mëkat duke ia ngulur sytë. E Islami, nuk mjafton vetëm me urdhrin për ta ulur shikimin, por merr masa konkrete që mos të shkaktojë tërheqjen e vëmendjes për gjininë tjetër dhe të mundësojë një stabilitet shoqëror në këtë drejtim.
Këtë çështje e ka shtjelluar edhe profesori i shquar Beqir Topallogllu dhe ka shënuar:”Thuhet se sa shumë gra të mbuluara të pamoralshme ka, më të këqija se të mbuluarat. Kjo është shprehje e tepruar. Le ta supozojmë të drejtë. Një grua e mbuluar e pamoralshme mund të kuptojë vetëm një burrë të pamoralshëm si veten dhe mund të krijojë lidhje me të. Por ama nuk ushtron ndikim mbi shumicën e të rinjve të padjallëzuar që s’marrin vesh asgjë. Ndërsa një grua e zbuluar, sido që ta ketë mendimin apo qëllimin, me paraqitjen dhe veshjen e saj i ngacmon njerëzit me fuqi seksuale, i shtyn ata në emocione seksuale. Çdo njeri është i ndershëm po s’ekzistoi i pandershmi. Prandaj me veprimet dhe veshjen duhet të respektojmë ndjenjat e të tjerëve, s’duhet të ushtrojmë dhunë mbi ta”.[9]


________________________________________
[1] Gruaja në Islam, f.166.
[2] Koncepte dhe sisteme bashkëkohore, f.69.
[3] En-Nur:31.
[4] El-Ahzabë:59.
[5] Cituar sipas:Ibrahim Kallën, Islami dhe Perëndimi, f.123.
[6] Cituar sipas:Sejid Sabik, Fikhus-sunneh, vëll.II, f.279-280.
[7] Cituar sipas:Jusuf el-Kardavi, Fetava mua’sire, vëll.III, f.46-47.
[8] Gruaja në Islam, f.167.
[9] Gruaja në Islam, f.167-168.


Artikulli i kaluar
Liri apo anarki
Artikulli radhës
Në takim me Ramazanin

Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi