Është i paevitueshëm fakti se vazhdimisht në kokat e atyre që e kanë lënë vakëf veten dhe kohën aq të shtrenjtë për të gjurmuar në oqeanin e madh të mësimeve islame se mos vallë do të gjejnë korridore të ngushta dhe të çuditshme të “dobësive”, shkojnë vërdallë ide dhe dilema të cilat, nëse flasin për diçka, flasin vetëm për atë se në kokat e tyre ende ekziston ideja se do ta gjejnë fundin e botës.
Ata vazhdimisht plasojnë dilema dhe kontestime rreth të vërtetave të Islamit, me shpresë se do të arrijnë të nxisin dyshime rreth Islamit në kokat e pjesëtarëve të tij, ose do ta satanizojnë atë si fe në sytë e botës, ashtu që të pengojnë çdo tentim për ta përqafuar këtë fé madhore nga ana e jomuslimanëve. Edhe pse supozimet e tyre të imagjinuara rreth të vërtetave islame, të cilat asnjëherë de fakto nuk kanë dal prej botës së imagjinuar në atë reale, renditen në grupin e absurdeve dhe marrëzirave të cilat i pjellin kokat e atyre të cilët e hanë veten pse nuk arritën të bëjnë ndonjë punë të mbrapshtë, përsëri nuk mund të tregohemi neglizhent ndaj debatimit rreth këtyre të pavërtetave, sepse ritmi i zhvillimit dhe rrjedhat e jetës moderne, si dhe komunikimi i shpejtë ndërkombëtarë, na e imponojnë një gjë të tillë, sepse vazhdimisht do të ballafaqohemi me entuziastë të cilët kërkojnë përgjigje për dilemat e plasuara nga tjerët.
Në mesin e këtyre dilemave, të cilat vazhdimisht potencohen nga tjerët, është edhe ajo se Islami, edhe pse thirret në atë se është fe që i siguron njeriut liri dhe e respekton vullnetin e tij, si dhe nuk imponon asgjë me forcë, kur do të kthehemi në anën tjetër do të shohim se njeriu i cili e përqafon këtë fé do të ballafaqohet me një varg çështjesh të ndaluara, gjegjësisht menjëherë do të fillohet t’i thuhet se kjo është haram e kjo mekruh etj, që sipas tyre len përshtypje negative te njeriu, sepse ai me këtë ndalohet dhe izolohet nga shumë sende të kësaj bote!?
Kështu, lista e madhe e harameve me të cilat do të ballafaqohet njeriu bëjnë që Islami prej fesë së lirisë të shndërrohet, sipas tyre, në fé të ndalesave dhe kufizimeve të njeriut dhe vullnetit të tij, gjë që, sipas tyre, do ta shndërronte jetën e njeriut në një zonë të ndaluar që do ta lente njeriun pa i shijuar kënaqësitë e kësaj bote!
Çdo person i cili dëshiron ta njohë Islamin duhet ta ketë të qartë se Islami nuk është një sistem i shpikur nga mendja njerëzore, e që ka aspirata për të dominuar që ta sigurojë ekzistencën, andaj edhe ka nevojë për vizion fleksibil dhe strategji për veprim në të ardhmen. Islami nuk synon derdhjen e një lumi kuantitetesh në shtratin e jetës, por ai vendos themelet e kodit moral dhe kualiteteve të larta me të cilat duhet të pajiset njeriu dhe shoqëria. Kur’ani që me zbritjen e tij konstatoi fillimin e periudhës së reformave përmbajtësore në të gjitha domenet e jetës. Islami hapi faqe të re të historisë njerëzore, në të cilën fillon një periudhë ku paraqitet një vizion i ri dhe qëndrim e qasje tjetër ndaj dukurive të natyrave të ndryshme prezente në shoqëri. Në fakt ngritët një filozofi e re e jetës dhe koncept i ri mbi botën dhe njeriun. Proceset e filluara pas zbritjes së Kur’anit, kapaciteti përmbajtësor i të cilave është i pa kontestueshëm, e që parimisht synonin reforma rrënjësore shoqërore, duke përfshi këtu: besimin, moralin, bontonin, rregullat e jetës etj, duhet çuar përpara, sepse ato u mishëruan me realitetin e jetës, dhe jo vetëm që paraqitën sfidim të sistemit të atëhershëm të degjenuar në tërësi, por këtë karakter e ka edhe në ditët tona dhe këtë do ta ketë çdo herë.
Spektri i çështjeve dhe problemeve që e tangonin jetën e njeriut ishte me të vërtetë mjaft i gjerë, por Islami nuk la çështje të varur pa mos e sqaruar, e në veçanti kur është në pyetje mbrojtja e karakterit të njeriut dhe shoqërisë njerëzore nga sëmundjet shkatërruese. Andaj edhe vuri theks të veçantë në çështjet e ndaluara, duke e avancuar çdo herë pranë tyre të mirën dhe të bukurën. Poashtu, detyra madhore dhe serioze e Islamit për instalimin e vlerave të reja domethënëse dhe kualiteteve përmbajtësore në shoqëri ka imponuar nevojën e definimit të saktë dhe të qartë, në mënyrë të kristaltë, të fushës së ndalesave, duke e ndërruar në këtë mënyrë kursin e deriatëhershëm jetësor të sistemit të jetës pa rregulla dhe kufij.
Me një krahasim të thuktë ndërmjet dy formave të jetës, asaj që e përjetonte bota dhe njerëzimi deri para ardhjes së Islamit, ose larg instruksioneve të tij në çdo kohë, na bëhet e qartë se anarkia dhe jeta e shfrenuar paraqet hije të zezë e cila si fantazmë e ka përcjell njeriun dhe e ka tensionuar vazhdimisht jetën e tij nga secili kënd që të shikohet ajo. Intelektuali i shquar musliman nga Turqia, Ali Bullaç ka thënë:”Devijimet janë ato që e bëjnë të pashmangshëm shkatërrimin e shoqërive. Sa shumë popuj të mëdhenj që kanë bërë shtëpi në male, që kanë ngritur kështjella madhështore, që kanë ndërtuar piramida marramendëse në shkretëtirë, që kanë hapur kanale, që e kanë shfrytëzuar nëntokën janë shkatërruar për arsye se nuk i kanë shmangur devijimet. Të gjithë këta popuj pretendonin se pasurinë dhe madhështinë e kanë arritur me fuqinë, diturinë dhe aftësinë e tyre. Këto shoqëri, që e kanë mohuar hyjnoren, doemos kanë devijuar në keqbërje, e kanë shkatërruar baraspeshën, kanë bërë trysni, kanë rënë shumë në moral”.
Kështu, duke u nisur nga këto parime të qarta dhe përmbajtësore të kësaj feje, ajo e ven përpara atij që e përqafon atë, listën e harameve - gjërave të ndaluara të cilat ndikojnë pozitivisht në jetën e tij dhe i sigurojnë qetësi dhe lumturi, kurse për ata që i thejnë këto rregulla, janë të parapara ndëshkime ligjore dhe dënime të cilat apriori insistojnë në mbrojtjen e shoqërisë dhe jetës së njeriut nga anarkia dhe degjenerimi.