Revolucionet antitotalitare arabe dhe roli i diasporës islame

Vitet e para të dekadës së dytë të shekullit XXI, marrë parasyshë përcaktimet gjeostrategjike në politikën botërore në rajonin e lindjes së mesme, reflektuan si asnjiherë më parë dhe më fuqishëm, nevojën e faktorizimit të popullit dhe pastrimin e tokës së kontaminuar nga korrupsioni, nepotizmi, dhuna politike dhe abuzimet e të gjitha llojeve mbi të cilën qëndronin pushtetet diktatoriale në botën arabe.

Pas ngjarjeve të cilat filluan në Sidi Bu Zejd në Tunizi, ku mjerrimi bëri që një i ri, ta ndez veten në shenjë të pakënaqësisë dhe humbjes së shpresave, u komentuan në forma të ndryshme nga palë, të cilat mbase lidhen edhe me agjenda dhe interese të ndryshme. Nga stërzmadhimi, e deri te kolaborimi, u dhanë vlerësime për ngjarjet që tronditën botën dhe vazhdojnë të paraqesin lëvizjen më të admiruar në kohën më të re, u bënë studime dhe analiza që shpalosin aspekte dhe dimensione të ndryshme të këtyre ngjarjeve, të cilat në kohën kur po i shkruajmë këto rreshta, ende nuk kanë mbaruar, bile janë duke bërë rezistencën më të fortë ndaj njërit nga regjimet më servile në Botën Arabe, atij Sirian. Ngjarjet e këtilla nuk mbarojnë shpejt dhe lehtë, ngase janë procese, dhe proceset janë të gjata dhe të shumëanëshme, përkundër atyre që këto ngjarje u munduan t’i paraqesin si projekte të përgatitura në kuzhina të caktuara. Është për të ardhur keq, e jo për t’u habitur, se si oratorë të ndryshëm bërtasin në emisione debative në kanale të ndryshme arabe, për të satanizuar lëvizjet popullore dhe protestat masive që e përfshinë gjithë rajonin, në mbrojtje të bastionit të kalbur komunist bathist me një të kaluar dhe të tashme të dëshmuar kriminele në Siri.
Riformulimi i kartës politike dhe gjeostrategjisë të lindjes së mesme, në dekadën e dytë të shek.XXI, shtron problemin e konfuzionit të pozicionimit të vërtetë dhe strategjisë afatgjate të perëndimit karshi lindjes së mesme, marrë parasyshë kooperimin pa kushte serioze dhe të dukshme të qeverive perëndimore me qeveritë e përmbysura arabe. Lëvizjet të cilat shkuan përtej dhunës, si alibi kryesor të shpërthimit të revoltës popullore në vendet arabe, sollën krizën e identitetit të stërvjetëruar të politikës servile të shteteve arabe, dhe shënuan identitetin e ri të politikës së popullit dhe vendeve arabe, kahjen kah e cila do të ec dhe ombrellën e përfshirjes së inetersave reale arabe dhe islame që u hap në arenën politike. Ky hapërim i ri në politikën e vendeve arabe, nuk shënon shkëputjen ndërmjet fesë, kombit, kulturës dhe interesave strategjike tejrajonale dhe tejkombëtare. Së këtejmi, për rrjedhojë, do të vijojnë edhe siklete jo të pakta për kampin perëndimor në pozicionimin e tyre karshi çështjeve të hapura arabe dhe islame, gjë që detyrimisht do të sjell rimarrje të një dimensioni të ri të lëvizjeve politike dhe diplomatike perëndimore në botën arabe, për dallim nga stereotipet e luftës kundër terrorizmit, ekstremizmit dhe lirisë së mendimit, që rehabilitonin qëndrimet për një politikë agresive në këtë rajon. Mirëpo, manipulimi me koncepte moderne, nuk është patjetër edhe garancë për rehabilitim të lëvizjeve politike dhe diplomatike në botën arabe, që nuk i shërbejnë realisht paqës, stabilitetit të vërtetë dhe zhvillimit demokratik real të rajonit.
Pikërisht, lëvizjet që e promovuan mendimin islam si zgjidhje të popullit arab musliman në botën arabe, duke i dhënë një kornizë më të gjërë dhe gjithpërfshirëse nocionit të shtetit islam, se sa thjeshtë zbatimi i ligjeve dhe miratimi i një legjislature të caktuar, ushqyen shëndetshëm, gjatë dhe përshtatshëm, apetitet e brezit të ri të botës së globalizuar, për t’u ripozicionuar si popull dhe entitet, në hartën politike dhe në zonat strategjike të botës bashkëkohore, e që filloi me pastrimin e terrenit nga parazitët politikë dhe nacional, të cilët falë diktaturës, e lanë mbas çështjen arabe me dekada.
Duke u shërbyer shpesh herë me historinë, që disa e cilësuan si monotone, demode dhe të papërshtatshme për mentalitetin e ri, lëvizjet islame vunë në pah dështimin e pushteteve, qeverive dhe shteteve të ndryshme, për shkak të të njejtave shkaqe që i detektonin edhe te qeveritë tashmë të përmbysura pseudonacionaliste servile arabe. Duke përdorur si simbole të të keqes emra nga vokabullari Kur’anor, i cili ka theksuar si destruktivë dhe mohues të Zotit, Faraonin, Nemrudin, Karunin, Hamanin, etj., lëvizjet islame folën mjaftë në një mënyrë mjaft të sofistikuar për dështimin e pushteteve të dhunës, korrupsionit, abuzimit dhe anarkisë, ngase ligjet e Zotit në botë, me dëshminë e Kur’anit dhe historisë, kanë vërtetuar një përfundim të tillë, por këto mesazhe, o nuk u kuptuan drejtë, o nuk deshën të kuptohen nga ata kundër të cilëve drejtoheshin. Megjithatë, mbetën objekt frymëzimi për forcat progresive popullore.
Pas hapit të parë të përmbysjes formale, lëvizjet islame përsëri alarmojnë për rrezikun e celulave të mbetura të regjimeve të falimentuara, të cilat nuk ndalen së kolaboruari për ta penguar punën e estabilishmentit të ri, e që për këtë poashtu përdorin vokabullar islam, duke ritheksuar rolin e munafikëve dhe kreut të tyre Abdullah ibn Ubej ibn Selulit, i cili ishte një kolaboracionist në dëm të shtetit dhe popullatës muslimane në Medine. Sot, këtë rol e kanë Amër Musa, Muhamed Beradai, Hamdin Sabahi dhe shumë tjerë jo aq të dukshëm në Egjipt, të cilët i kundërshtuan format bazë të demokracisë: referendumin dhe shprehjne e lirë të vullnetit të popullit përmes kutive të votimit.

Përvoja evropiane e diasporës islame

Regjimet e egra komuniste arabe, bënë që një pjesë e madhe e veprimtarëve të shquar muslimanë, të cilët me gjuhën e sotme mund të quhen demokratë të vërtetë në kontekste të caktuara, t’ia mësynë botës, gjegjësisht Europës dhe Amerikës. Nga një vend me pushtet diktatorial absolutist, dhe me përvojë të varfër demokratike, kaluan në një vend me përvojë të pasur demokratike dhe me një sistem politik të konsoliduar. Kjo bëri që krerët dhe veprimtarët e lëvizjeve islame, të cilët për idetë e tyre përparimtare antiabsolutiste dhe antimoniste, u detyruan me dhunë ta lëshojnë vendin, të aftësohen në fushën politike dhe të përfitojnë nga përvoja demokratike e shteteve europiane, gjë që u ndihmoi si suport shtesë për t’i tejkaluar sfidat politike të periudhës pas përmbysjes së pushteteve të dhunshme arabe.


Artikulli radhës
Në takim me Ramazanin

Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi