All-llahu i Madhërishëm në Kur’anin fisnik urdhëron e thotë:
“Ti (Muhammed) thirr për në rrugën e Zotit tënd me urtësi e këshillë të mirë dhe polemizo me ata (kundërshtarët) me atë mënyrë që është më e mira.” (En Nahl, 125)
Falënderojmë Allahun e Madhërishëm me falënderimin më të bukur që i takon madhërisë së Tij, në begatitë e shumta të Tij që nga thesaret e Tij na ka dhuruar, veçanërisht e falënderojmë në begatinë e fesë islame që na ka mbjell në zemrat tona, sepse sikur Ai të mos na udhëzonte, vërtet do të ishim të humbur.
I lutemi Allahut të na mbrojë nga shejtani dhe kurthet e tij. Dëshmojmë që nuk ka zot pos Allahut dhe dëshmojmë që Muhammedi a.s., është rob dhe i dërguar i Tij, paqja e Zotit qoftë mbi atë, familjen dhe shokët e tij besnik.
Në bazë të versetit të cituar kur’anor Allahu i Lartëmadhërishëm vërteton principet themelore të ftesës në islam, Pejgamberit të tij dhe gjithë misionarëve pas tij. Në formë analogjike të këtij verseti kur'anor, të gjithë ne duhet të ftojmë në këtë rrugë gjithëpërfshirëse të Allahut. Por, a thua jemi pjekur për këtë mision fisnik?
Në verset insistohet në urtësi e cila kupton, shikimin e gjendjes dhe situatës të cilëve u drejtohemi në mënyrë që ftesa mos t’u duket e rëndë. Gjithsesi këtë duhet bërë me urtësi dhe kujdes, kështu që duke i bindur me shembuj nga jeta personale. Ftesa ynë nuk duhet të jetë autokrate ose e dhunshme, por e butë në mënyrë që dëgjuesi të vërej që ne flasim nga dashuria ndaj Allahut pa asnjë interes personal.
Ftesa në fenë e Allahut nënkupton një spektër të gjerë të veprimeve të cilat sipas dijetarëve mund të ndahen në katër grupe: hutbe, ligjëratë (vaz), fjala e shkruar dhe shembulli personal. Këtu, në kushtet e tanishme mund t’i shtojmë edhe mediat elektronike, e veçanërisht web-faqet edukative në internet.
Hutba dhe vazi janë transmision i “Fjalës së Zotit”. Nëpërmjet tyre dëgjuesi duhet të kuptoj fenë ose nëse e ka ta forcoj. Gjatë ligjëratës, ligjëruesi duhet të ketë kujdes në disa momente të cilat do t’i përmendim këtu:
1. Gjatësia e ligjëratës dukshëm ndikon në kualitetin e ligjëratës dhe përshtypjen e dëgjuesve. Pa marrë parasysh ligjëratën dhe kualitetin e ligjëruesit njerëzit frikësohen nga ligjërata e gjatë. Pas një çerek ore koncentrimi u dobësohet dhe ata fillojnë të mërziten. Koha në të cilën jetojmë është e planifikuar dhe shumë dinamike. Njerëzit gjithnjë nxitojnë. Tërë jeta moderne është garë me kohën. Shumica nga dëgjuesit, sidomos të premten, i kanë lëshuar vendet e tyre të punës dhe mezi presin të kthehen te obligimet e tyre.
Ligjëruesi (vaizi-hatibi) gjithnjë duhet pasur në mend tempon në të cilën jeton njeriu i sotëm. Kështu është e mjerueshme të dëgjohet ligjëruesi i cili vie në mimber dhe sheh që nuk i ngutet fare. Secili që e zgjatë ligjëratën jeton jashtë kësaj bote dhe kohën në të cilën jetojmë dhe ka rrezik që me paraqitjen e tij mos të arrij efektin e duhur. Sikur ligjëruesit tanë të shkurtonin ligjëratat e tyre në dhjetë deri pesëmbëdhjetë minuta, do të fitonin më tepër dëgjues.
Fjalimi i shkurtë nënkupton koncentrim thelbësor në mendimin e bukur dhe veprues. Koha e fjalimeve dhe ligjëratave të gjata ka mbaruar. Njeriu e ka thjeshtësuar jetën, çdo gjë rrjedhë në ritëm të shpejtë, si në shirit filmi. Në këtë jetë dinamike, sa më të shkurtra të jenë mendimet dhe më koncize më tepër veprojnë në qendrën e vëmendjes dhe shpirtit njerëzor.
Le të kujtojmë fjalimet e Pejgamberit, s.a.v.s kanë qenë të shkurtër por përmbajtës. Ai i urrente fjalimet e gjata, por i lavdëronte paraqitjet e shkurtra, duke theksuar se këto janë shenjë e diturisë.
2. Mënyra e të drejtuarit ka gjithashtu rëndësi të madhe për hutbën dhe ligjëratën efektive.
Me interpretim joadekuat mund të nënvlerësohet edhe mesazhi më i bukur dhe i thuktë, ndërsa me paraqitje mjeshtërore mund të zgjon interesim.
Është shumë me rëndësi që përmbajtjes së fjalimit t’i japim dikcionin përkatës. Paraqitja e ngulfatur shkakton monotoni ndërsa bërtitja frenetike dëgjuesin bashkëkohor e huton dhe iriton. Xhematlinjtë duhet ndier afërsinë shpirtërore të ligjëruesit me temën e cila parashtrohet. Në të kundërtën, ftohtësia e zemrës dhe formalizmi i thatë, lehtë njihen. Nuk është e popullarizuar që ligjërata të lexohet në mënyrë abetareske (rresht për rresht). Lëvizja e pandërprerë me letra zgjon monotoni dhe ndihet që ligjëruesi nuk e ka përvetësuar temën të cilën e prezanton.
Sa herë kemi dëgjuar: “Po, kështu edhe un kam mundur ta lexoj”. Derisa ligjëruesi ndodhet në foltore në muhrab ose në member, nuk duhet larguar nga mendja se këto vende e kanë shenjtërinë e tyre.
Është e palejueshme që këto të shërbejnë për vullgarizëm dhe shembullin vokabular të xhamisë, duke dëshiruar në këtë mënyrë t’i mveshë vetitë, cilësitë e folësit të suksesshëm shpirtëror. Duke parë mënyrën e paraqitjes së Pejgamberit, s.a.v.s si dhe të përfaqësuesve të traditës së shëndosh (salefu salih), do të shohim që ambienti i xhamisë maksimalisht është nderuar dhe ka qenë i kursyer nga sjelljet dhe fjalët e padëshiruara.
3. Zgjedhja e temës gjithashtu ka rëndësi të madhe. Duhet pasur kujdes për vendin, momentin dhe strukturën e xhematit të cilit i drejtohet. Tema e qëlluar në vend të qëlluar dhe në kohë të qëlluar është gati kërkesa më e rëndësishme psikologjike e secilit ligjërues. Për këtë ligjëruesit (vaizët) duhet në mënyrë përmanente ta gdhendin ndjenjën për temë, rast dhe auditorium të cilit i drejtohen.
Përjetimi me xhematin, njohja e nevojave të tyre dhe problemeve që i mundojnë, e para se gjithash zgjedhja e fjalëve që ndikojnë tek ata është me rëndësi të veçantë për zgjedhjen e temës. Temat duhet të jenë në funksionin edukues dhe forcimin shpirtëror të besimtarit.
Përveç kësaj temat duhet të jenë aktuale në mënyrë që besimtarëve tu ofrojnë përgjigje adekuate në dilemat dhe vështirësitë me të cilat ballafaqohen në jetë. Temat të cilat shkaktojnë rezignacion dhe dëshpërim duhet mënjanuar. Përkundrazi, duhet zgjedhur tema të cilat zgjojnë lartësim shpirtëror të besimtarit, optimizëm dhe dashuri ndaj islamit. Ligjëruesi duhet të largohet nga roli i gjykuesit.
Sa herë pas luftës kemi dëgjuar ligjëruesit që fatin e kobshëm të popullit tonë ta lidhin me dënimin e Zotit për mëkatet e bëra. Në këto fjalë një xhematli me sy të përlotur u ankua: “Unë jam i vetëdijshëm për plagën time, por ky edhe më tepër më ngacmon. Në vend se në xhami të na japin pak ngushëllim ata edhe më shumë më tundin kokën.”
Për këtë Hasan el-Benna, ka thënë: “Ne jemi misionar (daij) e nuk jemi gjykatës (kadij).”
Nuk duhet harruar se njeriu i sotëm ka shije të rafinuar. Në krahasim me kohët e kaluara është shumë i informuar dhe mund të zgjedhë ligjëruesit, qoftë të gjallë në tribuna, në televizor, radio, internet etj. Kualiteti i cili i ofrohet në vende tjera ai dëshiron ta ketë në xhami. Vazi dhe hutba për njeriun bashkëkohor duhet të jenë nxitje me qëllim zgjimi dhe relaksimi të shpirtit të tij. Në të duhet të gjejë lirinë, qetësinë shpirtërore dhe shpëtimin e vërtetë për shkak të përkatësisë fetare.
4. Përmbajtja e parashtruar duhet të lidhet me zgjedhjen e temës dhe mënyrën e komunikimit. Fjalimi interesant dhe efekti pozitiv i tij varen shumë nga përmbajtja. Nëse me të vërtet dëshirojmë që ligjërata ose hutbja të jenë eliksir për shpirt, atëherë ligjëruesi duhet të përpiqet që përmbajtja e ligjërimit të tij të jetë gjithmonë e bazuar në të vërtetat fetare. Nëse e dimë që islami është si një sistem universal i jetës, para nesh paraqiten një zgjedhje e pashtershme e temave të cilat prekin të gjitha veçantitë që i përkasin jetës së njeriut në tokë. Ligjëruesi i cili e njeh islamin i mundësohet nëpërmes Kur’anit dhe hadithit të shpjegoj të gjitha segmentet e jetës private dhe publike. Potenciali i temave të njëjta, pa zgjidhje konkrete, që moti është bërë degutant dhe deplasuese. Për gjendjen e palakmueshme të ummetit në tërësi, rregullisht fajësohen të tjerët. Është e vërtetë që “të tjerët” janë mollë sherri në rrugën e përparimit tonë por jo të vetmit. Kryesisht ne vet jemi barriera më e madhe e stagnimit tonë, dhe për këtë është e domosdoshme të cekim dobësitë tona se sa ato të tjerëve.
Metoda e Kur’anit fisnik është shembull ideal. Sa herë që flitet për mëkatet e njerëzve, menjëherë pas kësaj vie ftesa për të bërë vepra të mira dhe pendimi, ndërsa pas verseteve për Xhehennemin, pasojnë versetet që flasin për Xhennetin etj. D.m.th. medoemos duhet vendosur balansin, në mënyrë që moralizimi i tepruar mos të shkaktoj pesimizëm dhe pa shpresa, ndërsa kënaqësia me gjendjen ekzistuese – lëshim dhe pa brengosje.
Me fjalë tjera, kuptimet e përsosura të fesë duhet paraqitur në dritën e bukurisë së saj, fuqisë së lumturisë dhe mëshirës gjithëpërfshirëse të Allahut të Madhërishëm e cila manifestohet për çdo ditë tek muslimani i vërtet.
5. Parashtrimi është shpjegim i të vërtetës Hyjnore e shpallur njerëzve përmes fjalisë së Tij. Hutba dhe ligjërata tek njerëzit zgjojnë ndjenjën e shenjtërisë. E përjetojnë si akt fetar, gjegjësisht si Fjalë e Zotit. Është me rëndësi të përmendim edhe një shkas psikologjik për çfarë është kështu. Besimtarët në xhami dëshirojnë të marrin vërtet diç që jashtë xhamisë, në fjalimet profane, më kotë e presin. Ambienti i xhamisë në esencë, është në fakt një oazë për njeriun në të cilën strehohet shpirti i tij në mes thatësisë së kësaj bote e cila për së tepërmi shkakton etje, dhe përsëri e freskon dhe vitalizon.
Ligjëruesit, në masën më të madhe, duhet të kenë mirëkuptim për atë që njerëzit ndjejnë. Mirëpo, shenjtëria e xhamisë dhe Fjalës së Allahut, shpeshherë e anashkalojnë dhe pak e respektojnë, duke u lëshuar në tema profane, jo rrallë duke anuar në shërbim të përkatësisë së tyre politike, gjërat personale me ngjyrosje politike ditore, hakmarrja personale, ndodhi ditore dhe trivialitetet e tjera nga jeta e përditshme. Ky është rol i mediave. Për këtë vaizët nuk janë gazetar as komentator politik, e më së paku agjitator politik. Besimtarët me këto janë të ngopur, sidomos gjatë zgjedhjeve.
Xhamia asnjëherë nuk duhet identifikuar me partitë politike ose sistemin politik udhëheqës. Duke favorizuar një opcion politik në ambientin e pluralizmit politik pa tjetër nxisim kundër vetës xhematlijtë e përkatësive tjera politike. Xhemati polarizohet ndërsa xhamia humb rolin e faktorit kohëzues në mes muslimanëve.
Besimtarët në xhami nga vaizi presin që për një moment, t’i shkëput nga jeta e shpejtë dhe e zhurmshme e dynjasë, nga brengat dhe peripecitë e shumta. Ata përmes vazit presin që së paku, bile shkurt të harrojnë errësirat e dynjasë duke shijuar bukuritë e ahiretit. Dijetarët të cilët merren me hutbe dhe ligjërata, për çdo ditë duhet të lexojnë vepra të cilat nxisin ndjenja subtile fetare, zhvillojnë dashuri ndaj Allahut të Madhërishëm dhe Pejgamberit s.a.v.s ndërsa me gazetat ditore dhe revista të shërbehen sipërfaqësisht aq sa të informohen për ngjarjet më të rëndësishme. Dashuria ndaj fesë islame e cila dëshirohet të përcillet në zemrat e besimtarëve duhet të ndizet në kufijtë e fundit në zemrën e secilit ftues, ligjërues dhe hatib. Në të kundërtën, ligjërata mbi fenë do të ngjasoj në fjalimet e filozofëve dhe orientalistëve.
O Zoti ynë, na frymëzo neve me përkujtim ndaj Teje në vetmi dhe në tubime, ditën e natën, haptas, dhe fshehurazi, në begati dhe në fatkeqësi! Zbukuroi veprimet tona, na pastro qëllimet tona, na bën të dashur fenë tonë.
O Zoti ynë, mëshiroje robin e dobët tëndin, me gjuhë të cunguar dhe vepra të pakta, begatoje me mirësinë Tënde, vendose në hijen Tënde, o Bujar, o Fisnik, o Mëshirues mbi mëshiruesit.