Nga urtësitë e agjërimit

Kur njeriu bën gjynah, meleku që ka në të majtë e që e ka detyrën t’ia shkruajë të këqijat, rri duke mbajtur lapsin ngritur gjashtë orë mos po kërkon falje njeriu e të mos ia shkruajë fare!

Agjërimi ka në vete filozofi të thellë. Allahu i madhëruar në Kuran na ka treguar se me agjërim ishin obliguar edhe ymetet e tjera, edhe Nuhu a.s. kishte bërë agjërim.

Fakti që nuk hamë e nuk pimë, dy veprime këto që janë shkaqe gjallërie për jetën njerëzore, dhe as bëjmë marrëdhënie intime, veprim ky që është shkak i shtimit njerëzor; na e lë mesazhin se ne, kur mund të bëjmë pa këto, atëherë e kemi shumë më të lehtë të tërhiqemi nga veset, huqet e robërimet shpirtërore e fizike të tjera e të cilat nuk na janë as shkaqe gjallërie e as shkak për shtimin njerëzor.

Pastaj kur na vjen iftari dhe hamë e pimë, trupi na e kërkon pushimin, kurse ne pikërisht atëherë nisemi për xhami që të bëjmë pas sijamit kijamin-faljen e teravive, edhe njëherë kështu ia prishim nevojës trupore, duke edukuar shpirtin e trupin sa pas një kohe na vjen krejt tamam falë këtyre adhurimeve-ibadeteve të projektuara për ne nga Allahu me urtësitë e Tij.

Vërtet pa Ramazanin, edhe njerëzit më fetarë, do të mundeshin nga robërimet e dynjasë dhe s’do të kishin si të çliroheshin nga robërimet e nefsit e të trupit , mbase kjo është e synuara me fjalën e Allahut që e thotë qëllimin pse na ka obliguar agjërimin e Ramazanit-‘leallekum tettekuun( që të bëheni të devotshëm)’.



Ilmi Rexhepi