Hafiz Iljaz Efendija (1857-1920)

Hafiz Iljaz Efendiu u lind në Gjakovë në vitin 1857. Është djali i tretë, prej katër djemve, i hafiz Muhamedi Efendiut, myderriz në Medresenë e Madhe në Gjakovë.

Katër djemtë e Hafiz Muhamediut efendiut ishin hoxhallarë, Mulla Salih Efendiu, Mulla Ali Efendiu, Myderriz Iljaz Efendiu dhe Mulla Abdurrahim Efendiu.
Djali i tretë, Iljaz Efendiu mësimet fillestare i kreu pranë babait të tij, Hafiz Muhamediut, prej tij e mësoi edhe hivzin, e mësoi Kur’anin përmendësh që në moshën 9 vjeçare. I vazhdoi mësimet në Medresenë e Madhe në Gjakovë, ku mësimdhënës ishte babai i tij, Myderrizi, Hafiz Muhamediu dhe Myderrizi, Hafiz Ismail Efendiu, axha, vëllai i babait.
Studimet e larta i kreu në institucionin edukativ-arsimor më të njohur të kohës në “Fatih” të Stambollit, ku qëndroi tetë vite, pa ardhë asnjëherë në vendlindje, derisa diplomoi me sukses të shkëlqyeshëm. Diploma (Ixhazetnameja) e Hafiz Iljaz Efendiut ende ruhet tek nipi i tij, dr.Ali F.Iljazi, e cila është shkruar me një kaligrafi të bukur, mahnitëse, lëshuar nga Fakulteti “Fatih” në Stamboll.
Pas studimeve në Stamboll, Hafiz Iljaz Efendiu u kthye në vendlindje në Gjakovë, ku shërbeu si myderriz në Medresenë e Madhe në Gjakovë, ku vuni rregull, si me qenë në Stamboll! Dallohej si pedagog, por shquhej për zërin e bukur që kishte, në veçanti gjatë këndimit të Kur’anit. Thoshte mulla Hamdi (Bajram) Doli, (1897-1994) ish nxënës i Hafiz Iljazit, ”Kur këndonte Kur’an Hafiz Iljaz Efenija, sidomos, suren el-Kijame, edhe bilbilat, zogjët, për rreth, në Çabrat, pushonin cicërrimat e tyne!”
Hafiz Iljaz Efendiu shërbeu si myderriz deri në vitin 1920, viti që kaloi në jetën e vërtetë, në Ahiret, në moshën 63 vjeçare, aq sa jetojë edhe pejgamberi, Muhammedi (a.s.)!
Myderrizi, Hafiz Iljaz Efendiu ka lënë djalin, Fahriun, (1903-1985), hoxhë, hafiz, myderriz, i njohur në çdo vend të Kosovës, si Fahri Efenija i Gjakovës...!



Mexhid Yvejsi