Të dhënat statistikore:
- Emri ndërkombëtar në anglisht: Chad.
- Emri zyrtar: Republika e Çadit.
- Sistemi i qeverisjes: Republikë.
- Sipërfaqja: 1,284,000 km².
- Numri i banorëve: 11. 780. 600 (2010).
- Dendësia: 7. 9 (banorë në 1 km²).
- Feja[1]: Myslimanë 53.1%, katolikë 20.1%, protestantë 14.2%, besime vendore afrikane 7.3%, përkatësi besimesh të tjera 0.5%, të papërcaktuar fetarisht 1.7%, ateistë 3.1% (të gjitha këto, bazuar në regjistrat e vitit 1993).
- Kryeqyteti: N’xhamena, i cili llogaritet qyteti më i madh në vend.
- Qytetet (Ndarjet administrative) e tjera kryesore: Faja, Abeçe, Moundou, Sarh dhe Doba.
- Grupet etnike: Sara 27. 7%, Arabë 12. 3%, Majo Kebbi 11. 5%, Kanim Borno 9%, Ouaddai 8. 7%, Hadxharaj 6. 7%, Tandxhile 6. 5%, Xhoranë 6. 3%Fitri Batha 4. 7%, të tjerë 6. 4% dhe të papërcaktuar 0. 3%.
- Gjuhët kryesore: Frëngjishtja dhe Arabishtja (që të dyja janë gjuhë zyrtare), kurse në Jug të vendit përdoren gjuhët Sara dhe Sango, si dhe 120 gjuhë dhe dialekte të tjera vendore.
- Njësia monetare: Frangu i Afrikës së Mesme (1. 00 xof = 0. 0015 EURO).
- Data e pavarësisë: 11 gusht 1960.
- Festë kombëtare: 11 Gushti 1960.
Pozita gjeografike
Çadi është shtet afrikan, i cili shtrihet në pjesën qendrore-veriore të kontinentit, pikërisht në zonën e Saharës së Madhe të Afrikës. Për nga sipërfaqja, është një shtet i madh, i pesti me radhë në Afrikë, por nuk ka dalje në det. Emërtimi Çad i kësaj republike, është bërë sipas emrit të një liqeni të vendit, që quhet po kështu dhe është shumë i njohur në vend dhe më gjerë.
Republika e Çadit është e kufizuar me gjashtë shtete afrikane. Nga veriu kufizohet me Libinë, me një gjatësi 1055 km; nga lindja me Sudanin, me gjatësi 1360 km; nga jugu me Republikën e Afrikës Qendrore, me një gjatësi 1197 km; nga jugperëndimi me Kamerunin me gjatësi 1094 km dhe me Nigerinë, me gjatësi 87 km.
Sipërfaqja totale e Çadit është 1, 284,000, 1,259,200 km i takojnë zonës tokësore dhe 24,800 i takojnë zonës ujore – liqeni Çad(2). Në veri të vendit shtrihen malet Tibesti, të cilat konsiderohen vargmalet më të mëdha të Saharës.
Republika e Çadit llogaritet një shtet i mbyllur, sepse nuk ka shtrirje në ndonjë det a oqean. Vendi posedon dy lumenj stinorë - Logo dhe Shari, të cilët takohen në kryeqytetin N’xhamena, për t’u derdhur pastaj në liqenin Çad, i cili gjendet në veriperëndim të kryeqytetit.
Toka e Çadit në përgjithësi anon ga jugperëndimi, si rezultat i orientimit të ujërave nga të gjitha anët në drejtim të liqenit Çad. Toka e vendit gjithashtu është e përbërë nga një fushë e gjerë sedimentare, e cila nga të gjitha anët rrethohet me kodra. Republika e Çadit, liqenin Çad e ndan me tri shtete të tjera, me Nigerinë, Nigerin dhe me Kamerunin. Ky liqen është i cekët, thellësia më e madhe e tij nuk tejkalon 4.5 metra, kurse mesatarja e thellësisë është 2 metra. Liqeni Çad kryesisht është i rrethuar me male dhe rrafshnalta, nga veriu - me malin Tibest, nga lindja - me malin Djebek Marra, nga jugu - me malet Adamaoua dhe Mandara dhe nga veri-perëndimi - me malin Hoggar. Liqeni i Çadit, për jetën e 20 milionë banorëve të rajonit ka rëndësi socio-ekonomike dhe politike, për shkak të veçorive të tij hidrologjike. Uji i këtij liqeni konsiderohet burimi kryesor i ekonomive shtëpiake për popullsinë e rajonit, sepse bujqësia, peshkimi dhe blegtoria
mbështeten në ujin e këtij liqeni. Dikur liqeni Çad me përmasa kontinentale konsiderohej njëri ndër liqenet më të mëdha të Afrikës dhe në renditjen botërore vinte i gjashti. Mirëpo, që nga viti 1960 e deri më sot, sipërfaqja e këtij liqeni është zvogëluar për 90%, prandaj, me të drejtë, vitet e fundit fenomeni i zvogëlimit – me përmasa të mëdha – të sipërfaqes së liqenit, tek popullata e rajonit, që jeton përreth këtij liqeni, ka shkaktuar brengosje serioze dhe alarm gjithëpërfshirës, sepse është një rrezik që kërcënon përherë ekzistencën e mëtejshme të liqenit. Sipërfaqja e liqenit Çad arrin afërsisht 17.800 km, mirëpo sipërfaqja dhe thellësia e liqenit gjatë stinëve të vitit ndryshojnë. Çadi ka gjithsej 55 aeroporte dhe vetëm 7 prej tyre të asfaltuara(4). Në Çad janë dy universitete, Universiteti i N’xhamenas, i cili u themelua në vitin 1971, si dhe universiteti ‘Mbreti Fejsal’, i cili u themelua në vitin 1991(5).
N’xhamena: Është kryeqytet i Çadit, numri i banorëve të tij arrin në 721. 000banorë (sipas statistikave të vitit2005). Ky qytet ka shtrirje në liqenin Çad, përkatësisht bie në pjesën jugore të vendit. Qyteti është themeluar në vitin 1900 me emrin “Fortesa Lami”, me ndihmën e francezëve, për të përkujtuar emrin e oficerit të vrarë në betejën e po atij viti. Ky emër është ndryshuar më vonë në N’xhamena në vitin 1973, një emër ky arab i një fshati aty afër, që domethënë “Vend i pushimit”. Çadi nuk ka asnjë problem me ujë të pijshëm, sepse uji i tij konsiderohet prej ujërave më të pastra në kontinentin e Afrikës.
Shumica e mallrave ushqimore në vend importohen nga vendet fqinje, si Kameruni dhe Nigeria; gjithashtu shumë prodhime ushqimore edhe nga Libia dhe Egjipti. Populli i Çadit flet gjuhën arabe, së bashku me gjuhën frënge. N’xhamena, me që është qyteti më i madh në vend, është tërheqës për të gjithë vendësit e Republikës, dhe sidomos për ata që dëshirojnë të studiojnë, të punojnë apo të bëjnë tregti. Në kryeqytet ka dy universitete, universiteti ‘N’xhamena’, në të cilin planprogrami mësohet në gjuhën frënge, si dhe universiteti ‘Mbreti Fejsal’, në të cilin planprogrami zhvillohet në gjuhën arabe. Ky i fundit në aspektin akademik është më i avancuar, si dhe vazhdon të zhvillohet e të avancojë për çdo vit(6).
Historia e Çadit
Në veri të vendit janë gjetur gjurmë që dëshmojnë për banim të lashtë të njerëzve në këto rajone; gjurmët, bazuar në konstatimet historike, datojnë nga shekulli VII para erës sonë. Ky rajon, kryesisht ka shënuar rritje të vazhdueshme të numrit të popullsisë, saqë të shumtë janë ata që këtë vend e konsiderojnë prej vendeve më të rëndësishme arkeologjike në Afrikë.
Historia e Çadit i takon periudhës së perandorive. Mbretëria Arabe Islame e parë në Çad u themelua në shekullin II hixhri / në shekullin VI miladi, e cila është quajtur Mbretëria Kanem, në verilindje të liqenit Çad. Mandej, ndikimi i saj u zgjerua në shekullin III hixhri, duke përfshirë edhe tërë Sudanin Qendror, dhe ajo ka vazhduar sundimin e saj derisa ka rënë nën kolonializmin francez, duke filluar nga viti 1920, për të fituar pavarësinë e tij në vitin 1960, kur mori emrin e liqenit Çad, i cili është shumë i njohur në ato rajone. Në vitin 1979 pati filluar lufta civile, që zgjati deri në vitin 1982. Në dhjetor 1990, një grup revolucionarësh, që quhej “Lëvizja Kombëtare e Shpëtimit”, ishte në gjendje për të shpëtuar Qeverinë Habre, prandaj ky grup formoi një qeverie të re të udhëhequr nga Idris Deby. Ndërkaq, në vitin 1993 u organizua një konferencë, ku u bë bashkimi i të gjitha partive dhe aktiviteteve politike, si dhe u formua qeveria e përkohshme. Kurse, në vitin 1996 Çadi miratoi një kushtetutë të re dhe u zhvilluan zgjedhjet presidenciale. Mandej, në vitin 1997, u mbajtën zgjedhjet parlamentare, dhe Idris Deby mbeti president i vendit(7).
Historia e përhapjes së Islamit në Çad
Feja islame në Çadin e sotëm hyri në vitin 46h/666 m, atëherë kur në rajonin Kevar, përkatësisht në verilindje të liqenit Çad, nën udhëheqjen e komandantit të njohur mysliman Ukbe ibn Nafi El Fihri, arritën brigadat e para të ushtrisë islame. Që nga ajo datë e deri në ardhjen e kolonializmit, Çadi nuk ka njohur fe tjetër përveç Islamit, ashtu sikur banorët e Çadit nuk dinin gjë rreth Krishterimit, për se mësuan vetëm përmes leximit të Kuranit. Pikërisht për këtë arsye në Çad nuk ka gjurmë krishtere. Ndërkaq, feja islame në Çad, si në çdo vend tjetër, hyri vullnetarisht, si dhe historia nuk ka shënuar të ketë ndodhur asnjë betejë në mes myslimanëve dhe idhujtarëve në këto rajone të Afrikës. Në Çad, gjatë historisë, janë themeluar disa mbretëri, e mbretëria e parë që përqafoi Islamin, ishte mbretëria e sejfijinëve, e cila sot njihet si Mbretëria Kanem, e cila Çadin dhe rajonet përreth i sundoi për një periudhë të gjatë kohore, për më shumë se një mijë vjet. Kurse mbreti i parë i këtij rajoni që përqafoi Islamin, ka qenë Elmi Dunmeh, i cili themeloi shtetin islam Kanem. Sot e asaj dite stërnipat e tij në veri të vendit, ende i ruajnë gjërat e trashëguara të Mbretërisë Kanem(8).
Klima
Klima në Republikën e Çadit në përgjithësi është e nxehtë, me erë të thatë në verilindje të vendit; në disa raste bart me vete re, e nganjëherë edhe pluhur. Temperaturat e nxehtësisë në këto stinë janë të ndryshme. Stinët janë: Dimri, që dallohet për thatësi dhe të ftohtë. Kjo stinë fillon nga muaji nëntor dhe përfundon në mesin e muajit shkurt. Stina e dimrit karakterizohet nga ndryshime të mëdha gjatë ditës dhe natës, sepse temperaturat gjatë ditës arrijnë në 32 gradë celsius, kurse gjatë natës ulen në 10 gradë celsius. Vera, që karakterizohet nga thatësia dhe nxehtësia. Në këtë stinë, temperaturat e larta arrijnë deri në 40 gradë celsius, dhe kjo fillon nga mesi i muajit shkurt e zgjat deri fund të muajit maj(9).
Gjendja ekonomike
Fillimisht duhet ditur se Çadi është një shtet ekonomia e të cilit mbështetet në bujqësi, për shkak të angazhimit të 80% të popullsisë së vendit me këtë veprimtari, pa shpërfillur edhe blegtorinë. Vendi ka filluar të nxisë projekte të investimeve të huaja, të drejtpërdrejta në sektorin e naftës, që nga viti 2000, kur ka filluar nxjerrja e saj. Ekonomia e Çadit është ende në shkallë të dobët, për disa shkaqe, sikur janë: pozita e tij, i rrethuar nga të katër anët me tokë
të thatë, kostoja e lartë dhe jostabiliteti politik në vend. Çadi mbështetet gjithashtu edhe në ndihmat e huaja, në kapitalin e huaj, në shumicën e projekteve të investimeve, në sektorin privat dhe në atë publik. Prodhimi i naftës në vend filloi në fund të vitit 2003, ndërsa eksportimi i saj nga viti 2004, dhe kjo pritet të përmirësojë ekonominë e Çadit. Nga prodhimet më të rëndësishme bujqësore në Republikën e Çadit janë: pambuku, meli, kikiriki, orizi dhe patatja. Mishi më i përdorur në vend është ai i deleve, dhive dhe deveve. Ndërkaq, prodhime industriale dhe pasuri të tjera të vendit janë: nafta, tekstili pambuku, konservimi i mishit, peshku i liqenit Çad, sapuni, ari dhe materiale të ndërtimtarisë(10).
(1) Vladimir Zoto; Enciklopedi gjeografike e botës, f. 43. Dasara, 2007, Tiranë. Amir B. Ahmeti; Atlas i Botes Islame, f. 81. Logos-a, 2009, Shkup.
(2) - http://www.moqatel.com
(3) - http://ar. wikipedia.org Dr. Ismail Ahmed Jagi, Mahmud Shakir; Tarihu-l-Alemi-l-islami El hadithi ve-l-muasiri, f. 192. Darul Merih, Riad – Mbretëria e Arabisë Saudite.
(4) - http://www.moqatel. com
(5) - http://www.4icu.org
(6) - http://ar.wikipedia.org.
(7) - http://ar.wikipedia.org
(8) - http://www.mubarak-inst.org
(9) - http://www.11c11.com
(10) - http://www.moqatel.com
Mr. Samir B. Ahmeti