Këndimi i Kur’anit sipas mekameve

Hfz. Safet Hoxha

Në këtë çështje të gjithë ata që shkruajnë edhe në ditët e sotme dhe më herët, del në pah se lidhur me çështjet e leximit të Kur’anit me se adhurojmë Allahun xh. sh. , duhet pasur kujdes për atë që është e lejuar dhe e ndaluar. Si mendimi që nuk e lejon këndimin e Kur’anit me melodi, ashtuedhe shumica që parapëlqejnë një gjë të tillë, synojnë në drejtimin që libri i Zotit të ruajë vendin e tij fisnik dhe të madhërishëm që ka si Fjalë e Zotit, e cila i është dhënë çdo besimtari për ta lexuar e kënduar. Por, për të dalë në shesh bukuria edhe më e madhe e Fjalës së Zotit, ajo, përveç kuptimeve, është specifike edhe në të lexuar që dallon nga çdo fjalë tjetër që flitet a shkruhet
nga njerëzit. Kjo traditë e leximit të Kur’anit në tubime të ndryshme, qoftë në fillim të tyre ose edhe më vonë, është një praktikë shumë e përhapur në Botën Islame edhe sot.

Qëllimi i lexuesit mbetet t’i kthejë njerëzit nga Kur’ani

Dihet mirë fakti për lexuesit e njohur që e lexuan Kur’anin me melodi dhe mekame të ndryshme, si Abdul Basit Abdu Samed, El-Menshaviu, El-Husariu Mustafa Ismail e shumë të tjerë në tërë Botën Islame, të cilët pak a shumë ua kthyen vëmendjen masave myslimane se Kur’ani është më i bukuri për ta dëgjuar dhe për t’u mbledhur rreth tij. Sikur shkruesi i Kur’anit që mundohet ta bëjë shkrimin sa më të bukur e më të qartë, ashtu edhe lexuesi i Kur’anit mundohet që mesazhin e Kur’anit ta japë sa më bukur e më të qartë, së pari
duke i artikuluar drejt tingujt dhe fjalët e Kur’anit, e pastaj përmes zërit dhe melodive të tërheqë vëmendjen për dimensionet e kuptimeve të Kur’anit. Por qëllimi i lexuesit nuk duhet të jetë që t’i kthejë njerëzit nga vetja po nga Kur’ani. Një grup i dijetarëve mendojnë se leximi i Kur’anit me melodi të ndryshme është mekruh, sepse një praktikë e tillë nuk ishte e njohur shumë më parë. Të këtij mendimi janë Enes ibn Maliki, Sejid ibni Musejib Seid ibni Xhubejr, Hasan el Basri ibni Sirin, Malik ibn Enes, Ahmed ibn Hanbel etj..Mendimin e tyre ata e bazojnë në këto argumemte:

1. Një rast tregohet se një lexues kishte ardhur te Enes ibn Maliku dhe ai i kishte thënë që të lexonte, e ai gjatë leximit kishte ngritur zërin dhe ndryshuar meloditë. Atëherë Enes ibn Maliku kishte hequr rripin për t’i rënë dhe i kishte thënë se ashtu nuk kishin dëgjuar më parë.
2. Tregohet nga Sejid ibn Musejib se e kishte dëgjuar Omer ibn Abdul Azizin duke kënduar Kuran me melodi në namaz dhe i kishte shkruar një letër: “Allahu të ka dhuruar një këndim të mirë, atëherë kënduesi i Kur’anit duhet të lexojë qysh janë të mësuar ata rreth tij, e kështu ne nuk jemi mësuar”. Prej këtij momenti Omer in Abdul Azizi nuk kishte përsëritur një lexim të tillë me melodi.
3. Ibn Kadhim tregon nga imam ibn Maliku se ishte pyetur për meloditë e këndimit të Kur’anit në namaz dhe kishte thënë: “Kjo mua nuk më bën përshtypje, nuk më kënaq. Këtë e bëjnë disa vetëm për të fituar të holla”.
4. Tregohet nga Abdullah ibn Jezid se e kishte dëgjuar një person duke e pyetur Ahmed ibn Hanbelin për leximin e Kur’anit me melodi, e ai ishte përgjigjur: “Si bën të lexohet emri Muhamed -Muhamede të zgjatet”.

Në hadithin nga Hudhejfe ibni Jemame, Pejgamberi a.s. thotë: ”Lexoje Kur’anin me melodi arabe”, e ka disa argumente të tjera të këtij rangu, të cilat nuk e parapëlqejnë leximin me melodi apo mekame. Me të vërtetë leximi i Kur’anit me melodi të shumta, për ta tërhequr vëmendjen në zërin e bukur, të vë në pozitë sikur po luan me fjalët e Allahut xh. sh.., edhe të sjell në situatë që disa nga rregullat nuk i përmban si duhet për shkak të vëmendjes në zbukurimin e zërit. Për sa i përket leximit, i cili për shkak të melodive të detyron të gabosh, s’ka dyshim se është i papranueshëm, por leximi që ndikon për interesim më të madh për dëgjim dhe e tërheq më shumë dëgjuesin, ashtu si mendojnë shumica e dijetarëve, është i lejuar. Ndër dijetarët e hershëm janë: Abdullah ibn Abasi, Abdullah ibn Mesudi, Ata ibn Rebahi, imam Ebu Hanife dhe shumë nga ndjekësit e tij, imam Shafiu dhe shumë ndjekës të medhhebit të tij, ibn Mubareki, E- Taberiu, ibn Arabiu e të tjerë. Imam E-nneveviu në librin e tij “E-tibjan” thotë: “Dijetarët e gjeneratës së parë dhe të mëvonshmit të kohës së ashabëve, tabiinëve dhe gjeneratat pas tyre, dijetarët e vendeve të ndryshme në Botën Islame, myslimanët e parë dhe të fundit, që të gjithë pajtohen lidhur me pyetjen: A lejohet zbukurimi i zërit në këndimin e Kur’anit? Të gjithë pajtohen se kjo bën (të veprohet) dhe parapëlqehet”. Taberiu tregon se imam Ebu Hanife si dhe disa nga nxënësit e tij, kishin dëshirë të dëgjonin Kuran me melodi-mekame, me zë të bukur. Tregon Muhamed ibn Abdul Hakem: ”Kam parë babanë tim, është fjala për imam E- Shafiun, si dhe Jusuf ibn Omerin, se preferonin të dëgjonin duke u kënduar Kuran me melodi”. Dijetarët që e lejojnë dhe e preferojnë këndimin e Kur’anit me melodi, mbështeten në këto argumente:

1. Hadithi që transmetohet nga Ebu Davudi: Pejgamberi a. s. thotë: ”Zbukuronie leximin e Kurait me zërat tuaja”.
2. Ed-Darimiu në sunenin e tij transmeton nga Bera ibn Azibi, që thotë: Kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut të ketë thënë: ”Shfaqni bukurinë e Kur’anit me zërat tuaja, se me të vërtetë zëri i bukur e tregon edhe më shumë bukurinë e Kur’anit”.
3. Ibn Mesudi thotë se kishte dëgjuar Pejgamberin a.s. duke thënë: ”Zëri i bukur është zbukurim i Kur’anit”. Nga Seid ibn ebi Seid thotë: Ka thënë i Dërguari i Allahut: ”Nuk është prej nesh ai që nuk e këndon Kur’anin gjatë leximit të tij “.
4. Nga Ebu Hurejra r.a., i cili thotë se i Dërguari i Allahut ka thënë: ”Allahu askujt nuk ia veneron shumë kujdesin sikur Pejgamberit, i cili e këndon Kur’anin me zë të bukur”. Hadithin e transmeton Muslimi. Allahu i Madhërishëm e dëgjon edhe atë që e ka zërin të bukur, edhe atë që s’e ka, por, sikur thotë Ajshja r.a., i Madhi Zot shikimin e Tij e drejton nga Pejgamberi i Tij kur të lexojë Kuran.
5. Nga Sad ibn ebu Vekasi që thotë: E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut duke thënë: ”Vërtet ky Kuran ka zbritur me vaj, kur ta këndoni, qani e, nëse nuk qani, bëhuni sikur jeni duke qarë dhe këndojeni, se ai që nuk e këndon, nuk është prej nesh”.
6. Nga Ebi Musa r. a. thotë: I Dërguari i Allahut i tha Ebu Musa el-eshariut: “Sikur të më kishe parë duke të dëgjuar si lexoje Kuran, do të kishe qenë i ngazëllyer. Ty të është dhënë prej theksave të zërit nga zëri i Davudit”. Ky hadith është transmetuar nga Muslimi. Hazreti Davudi a. s. e ka pasur zërin shumë të bukur dhe, sipas këtij hadithi, po kuptohet që Pejgamberi a. s. ka pëlqyer një zë të tillë të bukur, dhe në reagimin e Ebu Musait, pasi i tha Pejgamberit a. s. “po të më kishe parë, do të këndoja edhe më bukur”, kuptohet se këndimi me zë të bukur parapëlqehej edhe nga Pejgamberi a. s..
7. Nga ibn Mesudi r. a. që tregon se në një rast Pejgamberi a. s. i kishte thënë: “Më lexo Kuran”!. I thashë: “Si të lexoj unë, kur ty të është zbritur”?!. Ma ktheu: “Po, po, lexo, unë dëshiroj të dëgjoj Kuran nga dikush tjetër”. Atëherë lexova nga fillimi i sures Ennisa deri tek ajeti: “E kur Ne do të sjellim prej çdo ymeti dëshmitar e ty do të të sjellim mbi të gjithë ata, si dëshmitar”, më tha ‘mjaft mjaft’, e, kur e shikova, atij po i rridhnin lotët. Këtë hadith e shënon Buhariu në Sahih.
Sipas këtij vargu të argumenteve të bazuara në hadithe, shihet se këndimi i Kur’anit me zë të bukur dhe me melodi të pëlqyera, është më i kërkuar, prandaj tradita e këndimit të ardhur deri tek ne, është e drejtë dhe nuk bën të ndërpritet, po duhet vazhduar edhe nga gjeneratat që vijnë.
Për sa u përket njohurive rreth mekameve të këndimit, nuk është e lehtë të arrihen, aq më pak të praktikohen, por ata që e zotërojnë një dije të tillë, vërtet i japin këndimit të Kur’anit një dëgjueshmëri shumë më të madhe. Kur themi mekami i këtij lexuesi apo leximi në këtë mekam, mendojmë në melodinë apo intonacionin e zërit, të cilit i përmbahet lexuesi, por gjithnjë duke e ruajtur drejtshqiptimin e tingujve dhe rregullave të texhvidit, e jo ata që dalin jashtë këtyre parametrave, se zëri dhe melodia vetëm duhet t’u japin bukuri atyre rregullave, e jo t’i anashkalojë ato. Kjo,si dhe çështja tjetër, e cila është me rëndësi për zërin, ka të bëjë me çështjen e notave muzikore nëpër të cilat zëri duhet të kalojë për të qenë më i pranuar për veshin dhe bukurinë e leximit, sepse për çdo mekam duhet ditur prej cilave nota fillon, si ngrihet dhe si përfundon. Po ashtu çështja e kalimit prej një mekami në tjetrin është një problem që shkakton monotoni tek dëgjuesit. Me rëndësi është edhe mënyra e fillimit të leximit, e cila duhet të jetë me një përmbajtje të zërit e të mos jetë e neveritshme etj..

Meka met më të njohura

Numri i mekameve është i madh, deri në katërdhjetë, por më të njohurat janë këto: Saba, Nehavend, Bejati, Rast, Sika, Hixhazi, Axhem. Këto janë mekamet bazë, por së bashku me to permenden edhe Kurdi, Xheharkadi etj..Nga lexuesit e Kur’anit disa lexojnë vetëm në një mekam e disa në dy e më shumë mekame, si p. sh. Mustafa Ismail, Menshaviu, Abdul Based e të tjerë kanë lexuar në shumë mekame. Sipas mekameve mund të lexojë vetëm ai që njeh mirë dhe drejt leximin e Kur’anit. Fillimi i leximit me mekam bejati është bërë praktikë e njohur nga shumë lexues. Por, ndonjëherë kur fillohet me rast është shumë lexim tërheqës. Me rëndësi është që leximi të fillohet
me zë të ulët me intonacion të përshtatshëm, për të qenë leximi më mbresëlënës. Sigurisht, duke pasur parasysh mbajtjen e të gjitha rregullave të texhvidit.
Si çdo sferë që ka rregullat e posaçme, po ashtu edhe në këtë lëmë duhet të merren njohuritë paraprake nga ata që janë të specializuar në shkencën e muzikës dhe njohurive të mekameve. Shpesh dëgjojmë kur një lexues këndon Kuran në ndonjë mekam, dhe lehtë mund të përcaktohet mekami i tij, por ai ndoshta nuk është në dijeni se në çfarë mekami lexon, ngase atë e ka përfituar duke i dëgjuar të tjerët dhe lexon në meloditë e tyre, pa pasur njohuri se si mbahet ai mekam apo si kalohet në tjetrin mekam të dëshiruar, etj..Një karakteristikë tjetër e mekameve është se ato ndërrohen sipas kuptimit të ajeteve. Kështu, mekami hixhaz lexohet në ajetet që tregojnë skena të dhimbshme të Ditës së Kiametit apo të mundimeve të banorëve të Xhehnemit, sepse përmes këtij mekami ato skena duken më trishtuese dhe më prekëse. Po e përmend edhe faktin që në Botën Islame ekzistojnë
shkolla të veçanta për mësimin e mekameve. Ai që ka zë të bukur dhe e lexon drejt Kur’anin, është shumë e nevojshme të dijë dhe të njohë mekamet, për të zbukuruar edhe më shumë këndimin dhe për t’i larguar neveritë e shpeshta që vijnë nga mosnjohja kur duhet ngritur zëri e kur ulur, kur ndryshuar e kur mbajtur ajo melodi etj..

Meloditë dhe tonet në këndimin e Kur’anit

1. Mekami Bejati: Është një ecje normale si valët e detit të qetë, ta tërheq vëmendjen për të medituar dhe menduar rreth Madhërisë së Allahut xh. sh. dhe argumenteve për ekzistimin e Tij. Përmes këtij mekami përjetojmë shumë dimensione të kuptimit në ajete. Mekami bejati është më i njohuri dhe më i përhapuri. Shumë ilahi e salavate këndohen me këtë mekam. Me mekamin bejati lexojmë edhe ajetet që flasin rreth përshkrimeve të Xhenetit. Por, ndonjëherë mund të lexohen edhe ajetet që tregojnë situata jo të lakmueshme në botën tjetër. Ky mekam përdoret përpara të gjitha mekameve të tjera. Mekami bejati quhet ndryshe edhe “Nëna e mekameve”. Me të fillohet leximi i Kur’anit dhe me të është mirë të përfundohet. Mekami bejati quhet kështu sipas familjes El-bejati në Irak, e cila ka qenë e njohur për leximin e Kur’anit në këtë mekam. Nënmekamet që hyjnë brenda mekamit bejati janë: Shuri, Husejni, Ibrahimi, Neva etj..
2. Nehavend: Ky mekam nxit për rezonime e mendime. U takon mekameve që lidhen me ajetet që japin myzhde dhe përshkruajnë Xhenetin pa përjashtuar edhe mundësinë që të lexohen edhe ajetet për mundimet e banorëve të Xhehnemit. Emri i tij është sipas vendit Nehavend në Iran. Kënduesit shpesh e përdorin këtë mekam, sepse përmes tij është lehtë të kalohet në mekame të tjera dhe për t’u kthyer prapë në të.
3. Mekami Rast: Është mjaft i njohur për lexuesit, ngase e përdorin shumë. Fjala “rast” është në gjuhën persiane dhe do të thotë drejt- mustekim. Përmes këtij mekami kënduesi mund t’i nxjerrë në pah bukuritë e intonacionit të zërit që posedon. Për shkak se përdoret shumë, këtë mekam ndryshe e quajnë edhe mbreti i mekameve. Ajetet që lexohen më së shumti në këtë mekam, janë ato që përshkruajnë Cilësitë e Allahut xh. sh. , Emrat e Tij të bukur. Ky mekam përdoret shumë nga myezinët pas mekamit hixhazi.
4. Mekami Saba: Ky mekam si dhe mekami hixhazi lexohen në ajetet që shprehin mallëngjim si për shembull tregimi rreth Jusufit a. s. apo ajetet që tregojnë gjendjet e rënda të pabesimtarve në ditën e gjykimit,si dhe ajetet që e tërheqin vëmendjen në diçka të veçantë.
5. Mekami Sika: Është me disa karakteristika dhe ngjyrime të zërit. Me këtë mekam lexohen ajetet e dëshpërimit, si ajetet që cilësojnë dënimin në zjarr, por edhe ajetet e përshkrimit të Xhenetit mund të pasohen për t’u dhënë shpresë atyre që punojnë mirë. Me këtë mekam lexohen edhe ajetet që parashtrojnë ndonjë pyetje dhe të cilave u jepet përgjigje. Këtë mekam e përdorin shumë lexues dhe, sipas specifikave të zërit të tyre, mund të dallohen lehtë. Pas këtij mekami lexuesit shpesh kalojnë në mekamet bejati, rast dhe hixhaz.
6. Mekami Hixhazi: Me këtë mekam lexohen ajetet që tregojnë ndodhitë e popujve të kaluar dhe sjelljet e tyre me Pejgamberët. Me këtë punim sado pak desha të prekja kureshtjen e lexuesve të Kur’anit tek ne, që të interesohen edhe më shumë për zbukurimin e leximit të tyre, qoftë të leximit që bëjnë në namaz dhe qoftë jashtë tij, përmes këtyre mekameve.



1. ”Et-Tibjan fi adab hameletil Kuran”En-Nevevij.
2. ”Menahilularefan fi ulumil-kuran”Ez-Zerkani.
3. ”Fethul Bari sherh sahihul Buharij”Ibni Haxher.
4. Sahihul Muslim bi sherh En- Nevevij.
5. ”Es-Sunen”. Ebu Davud.
6. Al-mekamat Bedihu zeman el-hemedani.