Zgjedhja e Omerit Halif - (IV)

Morali dhe vdekja e Omerit Modestia dhe përulësia e tij

Një ditë, Omeri ishte duke ecur me disa sahabë. Një grua plakë e ndali dhe i tha: “Eja, o Omer!” Omeri iu afrua dhe plaka i tha: “A të kujtohet kur të thërrisnin Omejr kur përlaheshe me djelmoshat e Mekës, kur u rrite filluan të të thërrasin Omer, kurse tani të thërrasin princi i besimtarëve? O Omer, ki frikë Allahun se do të të ndëshkoj...” Sahabët i thanë plakës: “Si i flet kështu princit të besimtarëve?” Omeri u tha: “A e dini se kush është kjo? Kjo është ajo gruaja së cilës ia dëgjoi Allahu xh.xh. në shtatë qiej ankesën e saj.” Omeri e kishte fjalën për ajetin: “Vërtet Allahu dëgjoi fjalët e asaj e cila bisedoi me ty lidhur me burrin e vet, që u ankua tek Allahu; Allahu dëgjon çdo bisedë dhe sheh çdo punë.” (El-Muxhadele, 1) Kjo grua plakë ishte Hule bint Thalebe. Pastaj, Omeri tha: “Pasha Allahun, sikur të ndalej një vit e të më qortonte, nuk do të lëvizja nga vendi im!” Një ditë, Omeri i tuboi njerëzit, u ngjit në mimber dhe u tha: “O ju njerëz, i kam ruajtur delet e tezes në Mekë. Merrja pagesë për këtë disa hurma. Nëse nuk e dini ku i kam ruajtur, atëherë dijeni.” Ali bin Ebu Talibi i tha: “O princi i besimtarëve, të shoh se nuk bën tjetër vetëm se po e nënçmon veten.” Omeri tha: “Këtë desha ta bëja ngase disi m’u duk vetja se u rrita kur mendova se jam princ i besimtarëve, prandaj desha ta edukoja veten.” Omeri ishte duke u ligjëruar një ditë njerëzve dhe u tha: “Mos e shtoni mehrin e grave më shumë se 40 eukije.” Një grua u ngrit dhe tha më sa zë që kishte: “Ti nuk e ke këtë të drejtë!” Omeri i tha: “Përse?” Gruaja tha: “A nuk ke dëgjuar thënien e Allahut kur tha: “Në qoftë se dëshironi të ndërroni (ta merrni) një grua në vend të një gruaje (të lëshuar), e asaj (të lëshuarës) i keni pas dhënë shumë të madhe, mos merrni prej saj asnjë send. A do ta merrni atë pa të drejtë e në mënyrë mizore?” (En-Nisa, 20)
Omeri e shikoi atë gruan dhe tha: “Po, gruaja ia qëlloi e Omeri gaboi.” Një ditë Omeri ishte duke ecur pranë shtëpisë së Abasit, xhaxhait të Pejgamberit alejhi selam. Ai pa se streha e shtëpisë së tij pikonte e pikat e shiut binin mbi udhëtarët që kalonin atypari. Omeri mori ta ndreqte strehën dhe e drejtoi pranë murit. Abasi zbriti tek ai dhe i tha: “A e di se ç’ke bërë?! A e di se kush e ka vendosur? Pejgamberi alejhi selam është ai që e ka vendosur aty. E nëse ti do të ndreqësh e ta drejtosh siç do, vepro...” Omeri ia ktheu: “Të përbej në Allahun, o Abas, hip mbi shpinën time dhe drejtoje siç ka qenë!” Abasi refuzoi. Omeri tha: “Jo, pasha Allahun, asnjëherë nuk e largoj një gjë që Pejgamberi alejhi selam e ka vënë me duart e tij!” Le të meditojnë e ta përfillin mirë këtë thënie të Omerit ata që kanë humbur traditën e Pejgamberit alejhi selam dhe e kanë ndryshuar atë. Jarfeja, shërbëtori i Omerit, tregon se një ditë e kishte parë rrobën e Omerit dhe kishte vërejtur se ajo kishte më shumë se njëzet e një arna, katër prej tyre në krah. Një ditë, Omeri u vonua për në namazin e xhumasë, pastaj doli para njerëzve dhe hipi në mimber. Ai vazhdoi t’u kërkonte falje njerëzve për një kohë të gjatë, duke u thënë: “Pasha Allahun, nuk jam vonuar për diçka tjetër vetëm se nuk kam rroba të tjera. Desha ta laja e të vija me rroba të pastra në xhami. Më falni që u vonova!” Kur erdhën disa pëlhura nga Jemeni, çdo mysliman mori nga një pëlhurë, e cila u mjaftonte për një palë rroba ose më pak. Kur Omeri ua ndau banorëve të Medinës, ai mori për vete një pëlhurë, por ajo nuk i mjaftoi, ngase Omeri ishte i gjatë. Kur doli para njerëzve në ditën e xhuma, në fjalën e tij ai i nxiste besimtarët t’i bindeshin Allahut xh.xh. dhe të respektonin udhëheqësit myslimanë. Njëri nga të pranishmit në xhami i tha: “As nuk të dëgjojmë e as nuk të bindemi sot derisa të na tregosh se nga i more këto rroba!” Omeri tha: “Allahu të shpërbleftë për interesimin tënd për myslimanët.” Pastaj thirri djalin e tij, Abdullah bin Omerin, që t’i përgjigjej asaj pyetjeje. Abdullahu u përgjigj se ai i kishte dhënë të atit dhuratë pjesën e tij të pëlhurës, pasi babai i tij ishte i gjatë dhe pëlhura e tij nuk i dilte për një palë rroba. Atëherë burri në xhami tha: “Tani të dëgjojmë dhe të bindemi!” Një ditë, Omeri ishte duke ecur në rrugë dhe një djalosh kishte hipur mbi gomar. Atij i erdhi keq për Omerin si princ i besimtarëve dhe i tha: “Hip, o princi i besimtarëve, kurse unë do të eci.” Omeri ia ktheu: “Jo, pasha Allahun, por do të hipim që të dy!” Djaloshi i tha të hipte para, kurse ai pas tij, por Omeri i tha: “Jo, ti hip përpara në vend të butë, e unë do të hipi mbrapa në vend të vrazhdë.” Omeri kërkoi dorën e një gruaje me të cilën deshi të martohej. Kjo grua ishte Umu Iban bint Umar. Kësaj gruaje i kërkuan martesë dy sahabë, Omeri dhe Talha bin Ubejdullahu. Ajo zgjodhi Talha bin Ubejdullahun. Kur e pyetën përse, tha: “Omeri e ka lëshuar këtë dynja dhe ka zgjedhur ahiretin. Sa herë që e shikoja, sikur e shihja se po shikon tek Allahu me dy sytë e tij. Nuk mund ta kaloj jetën me të...”
Një ditë, Shifa, bija e Abdullahut, ishte duke ecur dhe pa një grup njerëzish që ecnin të mekur e të lodhur dhe flisnin ngadalë e më zë të ulët. Ajo pyeti: “Si është puna e tyre?” I thanë: “Ata janë njerëz të devotshëm e të përvuajtur.” Shifaa tha: “Kur Omeri fliste, e dëgjonin të gjithë; kur ecte, shpejtonte; kur hante, ngopej, e kur godiste, të dhembte. E Omeri ishte vërtetë i përvuajtur dhe i devotshëm!”

Përvuajtja dhe fisnikëria e Omerit, Allahu qoftë i kënaqur me të

Pasi myslimanët çliruan Persinë, për ta u hapën shumë depo plot thesare. Myslimanët i mblodhën këto thesare dhe u nisën për në Medinë nga Persia dhe Iraku. I vendosën në xhaminë e Pejgamberit alejhi selam pa asnjë roje dhe mbi to vendosën vetëm një mbulesë. Më vonë erdhi Omeri dhe ngriti mbulesën që mbulonte thesarin. Aty kishte edhe unaza të vogla e copëza të vogla diamanti si dhe gjëra të tjera të vogla e të çmuara, të cilat mund të vidheshin fare lehtë. Omeri atëherë tha: “Populli që e ka bërë këtë është i sinqertë e besnik!” Aliu i tha: “Je vetë besnik, prandaj edhe ata janë treguar besnikë. E sikur të anoje ti, edhe ata do të anonin.”
- Omer bin Hatabi caktoi që ithtarëve të librit t’u ndahej një buxhet dhe për këtë ai emëroi një të krishterë që t’ua ndante pensionet. Ky nëpunës i krishterë i dha Omerit një palë rroba dhuratë dhe Omeri e pyeti: “A është prej pasurisë tënde? I krishteri i tha: “Është prej pasurisë sime, përveç një peri me të cilin kam plotësuar një qepje.” Omeri i tha: “Ma trego ku është”, dhe filloi ta shkulte, derisa e hoqi fare dhe tha: “O Allah, pastroje këtë rrobë nga çdo gjë që nuk i lejohet Omer bin Hatabit!”
- Omeri kishte caktuar një vend të mbrojtur për kullosë, që aty të mbaheshin vetëm devetë dhe kafshët e myslimanëve. Ai hyri një ditë aty dhe pa disa deve të majme e disa të dobëta. Ai pyeti se të kujt ishin devetë e majme. I thanë se ishin të Abdullah bin Omer bin Hatabit. Atëherë, Omeri u hidhërua shumë, ngase ata që punonin në atë vend ishin interesuar më shumë për devetë e djalit të tij sepse ai ishte biri i princit të besimtarëve dhe kjo ishte në dëm të deveve të tjera. Omeri e ndëshkoi me shkop dhe Abdullahu i tha: “Çfarë të keqe kam bërë unë?!” Omeri i tha: “I kanë shikuar për shkak të pozitës tënde.” Omeri e pyeti se cila ishte vlera e tyre para se të hynin në këtë vendkullosë dhe pastaj ia dha çmimin e kërkuar, ndërsa fitimin e tyre e futi në kasën e myslimanëve. Pastaj Omeri i mblodhi punëtorët e asaj kullose dhe i ndëshkoi me shkop dhe u tha: “Ju e keni bërë këtë duke pasur parasysh vendin e tij te princi i besimtarëve. Pasha Allahun, nuk hyn në gojën e djalit të princit të besimtarëve ajo që nuk është hallall.”
- Kur Omeri ndante dhuratat, ai kishte parasysh njerëzit e respektuar dhe me merita dhe nderonte edhe bijtë e tyre. Një ditë, Omeri pa një djalë të ri, babai i të cilit kishte marrë pjesë në luftën e Uhudit. Omeri i dha atij katër mijë dërhemë, kurse djalit të vet tre mijë dërhemë. Kur e pyetën njerëzit pse po e bën këtë dallim në ndarjen e dhuratave, u tha: “Babai i tij ka qëndruar më shumë në luftën e Uhudit.”
- Omeri goditi një ditë dikë me shkopin e tij dhe më vonë pa se ai njeri nuk kishte gabuar. Omeri i tha: “Të përbej në Allahun, merre hakun tënd sot!” Ai i tha: “Jo sot.” Ditën tjetër e gjeti Omerin te dera e shtëpisë së tij, ku kishte qenë duke pritur tërë natën. Kur ky njeri doli nga dera e tij, Omeri i tha: “A ka ardhur koha që ta marrësh hakun tënd prej meje?”, dhe i dha shkopin e tij, por ai i tha: “Jo, ende nuk është koha!” Omeri i tha: “Të lutem, merre hakun tënd. Unë nuk kam fjetur fare tërë natën duke të pritur të marrësh hakun. Ose merre hakun, ose më fal!” Ai burri i tha: “Ta kam falur rrahjen!”
- Omeri derdhte lot shumë dhe qante shumë. Në sytë e tij kishte dy viza të zeza nga të qarët. Një natë ai po ecte mes shtëpive që të njihej me hallet e myslimanëve. Papritmas dëgjoi një nga myslimanët që lexonte në shtëpinë e tij suren Tur, e kur erdhi te Fjala e Allahut: “Vërtet ndëshkimi i Allahut do të ndodhë, e atë nuk ka kush që do ta ndalë”, (Tur 7-8), u ndal dhe këmbët nuk e mbanin më. U ul dhe ia nisi vajit. Nuk mund të ecte, prandaj e morën dhe e dërguan në shtëpi. Thuhet se njerëzit shkonin dhe e vizitonin një muaj me radhë dhe nuk e dinin se ç’kishte.
- Omeri në shumicën e rasteve e lexonte suren Jusuf në namazin e sabahut. Kur arrinte tek ajeti: “Ai (Jakubi) tha: “Unë hidhërimin tim dhe pikëllimin tim ia parashtroj All-llahut, e unë di për Allllahun atë që ju nuk e dini” (Jusuf, 86), qante me dënesë. E qara e tij dëgjohej nga ata që ishin në rreshtin e katërt dhe të pestë.
- Omeri pyeste shumë për devotshmërinë. Një ditë thirri Ebij bin Kabin dhe i tha: “Më fol për devotshmërinë.” I tha: “O princi i besimtarëve. Zëre se je duke ecur në ara me plot ferra. Çfarë do të bësh?” Tha: “Përvjel mangët dhe mundohem.” I tha: “Ajo është devotshmëria. Përvil mangët për bindjen (taatin) ndaj Allahut dhe mundohu të mos e kundërshtosh Allahun e mos t’ia thyesh urdhrat.”
- Kur Omeri e shihte Musa El-Eshariun, i cili kishte zë të mirë kur lexonte Kuran, i thoshte: “Eja ma shto mallin për Allahun” dhe kërkonte që t’i lexonte Kuran.
- Një ditë e pyeti Ebij bin Kabin se si del shpirti dhe ai i tha: “A e sheh degën e lisit se sa degë ka? Sikur ta fusim në gojën e njeriut e të mundohemi ta nxjerrim nga aty, çdo degë kapet te damarët e njeriut derisa ta nxjerrim me forcë. Ashtu del edhe shpirti.” Omeri arriti bindje aq të fortë, saqë tha: “Pasha Allahun, sikur të çahet qielli dhe ta shoh xhenetin me sy, nuk do të më shtohet më shumë bindja!” Pejgamberi alejhi selam i pati treguar Hudhejfe bin Jemames emrat e hipokritëve dhe disa sekrete të tjera. Omeri shkoi tek ai dhe këmbënguli që t’i tregonte se a mos kishte përmendur Pejgamberi alejhi selam në mesin e hipokritëve, kurse Hudhejfeja nuk i përgjigjej. Omeri i tha: “Të përbej në Allahun që të më tregosh a më ka përmendur Pejgamberi alejhi selam në mesin e hipokritëve!” Hudhejfeja heshti e nuk foli, por Omeri kësaj radhe i tha: “Pasha Allahun, nuk të lëshoj derisa të më tregosh!” Hudhejfeja i tha: “Jo, o princi i besimtarëve!”, dhe u betua se nuk do t’i tregonte asnjë njeriu pas Omerit.

Interesimi i Omerit për çështjet e myslimanëve

Imam Muslimi transmeton një hadith të Pejgamberit alejhi selam, i cili thotë: “Nuk ka ndonjë njeri që obligohet me ndonjë çështje të myslimanëve e nuk mundohet dhe lodhet për ta, vetëm se ai person nuk do jetë me ta në xhenet.” Omer bin Hatabi e kishte vënë këtë hadith para syve dhe përherë e përmendte, deri në atë shkallë saqë nuk gjente kohë të pushonte e pastaj thoshte: “Kur të fle?! Nëse fle natën, humb hakun e Allahut, e nëse fle ditën, humb hakun e robërve të Tij!” Interesimi i tij për myslimanët dhe jetën e tyre arriti në atë shkallë, saqë për çdo natë dilte në rrugët e Medinës që të ndiqte gjendjen e myslimanëve. Një natë, kur po ecte, gjeti një burrë që rrinte para një tende, kurse brenda ishte një grua që klithte. Omeri i tha: “Ç’ke?” Ai burri i tha: “Ajo është gruaja ime dhe nuk di si ta ndihmoj.” Omeri i tha të qetësohej dhe shkoi shpejt te gruaja e vet, Umu Kulthumi, bija e Ali bin Ebi Talibit, dhe i tha: “A ke dëshirë të fitosh sevabe që të hysh në xhenet?” Ajo tha: “Si është çështja?” Omeri i tha: “Një grua po lind, eja të shkojmë e të marrim sevabin bashkë. Shpejtuan drejt asaj gruas. Umu Kulthumi hyri në tendë që ta ndihmonte atë grua, ndërsa Omeri u ndal që të qetësonte burrin e gruas. Pas pak ata dëgjuan të qarën e fëmijës. Umu Kulthumi i tha Omerit: “Përgëzoje shokun tënd me djalë, o princi i besimtarëve!” Në këtë rast ai burri u step nga habia që ishte Omeri, princi i besimtarëve, ai që e kishte ndihmuar, kurse Omeri i tha: “Qetësohu, unë jam vëllai yt.”
- Një natë Talha bin Ubejdullahu doli dhe pa princin e besimtarëve duke ecur dhe iu vu mbrapa. E pa se trokiti në një derë, hyri aty e pastaj pas pak doli prej aty. Thotë Talha: “Hyra pastaj edhe unë në atë shtëpi dhe gjeta një grua plakë, të verbër e të paralizuar. I thashë: “Kush qe ai që erdhi më parë?” Tha: “Pasha Allahun nuk e di! Është një burrë që vjen një herë në javë prej dhjetë vjetësh, pastron shtëpinë dhe më sjell atë që kam nevojë. Kur e pyes, më thotë: “Jam rob nga robërit e Zotit dhe më thotë t’i lutem Allahut për të.”
- Kur Omer bin Hatabi lexonte në namaz suren El-Ahzab dhe arrinte tek ajetet 32-34, e ngrinte zërin. Kur e pyetën, tha: “Ngase e kujtoj me plot vetëdije zbritjen e këtyre ajeteve.”
- Një ditë, Omeri ishte duke ecur në Medinë dhe pa një djalosh që ecte si i llastuar dhe jo si burrë. Omeri e pyeti: “A mos je i sëmurë?!” Tha: “Jo.” Atëherë ia flakëroi një shkop në trup dhe i tha: “Ec me fuqi, si burrë!”
- Një ditë, Omeri pa se një plak i verbër ishte vonuar për në namazin e sabahut. Pyeti për të dhe mësoi se nuk kishte kush ta sillte në namazin e sabahut, prandaj tha: “Pasha Allahun, nuk dua që dikush të mungojë në namazin e sabahut.” Atëherë ia caktoi një njeri me pagesë nga buxheti i shtetit që të shkonte e ta marrte çdo ditë për në namaz, kurse burrit të verbër i tha të mos harronte të bënte nijet për punë të mirë sa herë që të vinte në xhami.
- Kur vinte koha që postierët e fronteve të muxhahidëve të vinin në Medinë, Omer bin Hatabi dilte jashtë qytetit të Medinës dhe i priste. Një ditë ishte duke pritur, kur ja erdhi një postier. Omeri e pyeti për lajmet e muxhahidëve, por postieri nuk e njihte se kush ishte Omeri, prandaj i tha: “Pa prit pak sa të shkoj te princi i besimtarëve dhe t’i tregoj.” Omeri këmbëngulte që postieri t’i tregonte se a kishin fituar myslimanët në frontet e luftës, duke i thënë: “Për Allahun, më trego, a kanë fituar myslimanët?” Postieri i thoshte: “Më ka thënë princi i besimtarëve që askujt të mos i tregoj derisa ta takoj atë.” Ai i thoshte: “Më trego të lutem”, e kur postieri i tregonte se myslimanët kishin fituar, Omeri nga gëzimi binte në sexhde dhe thoshte: “Allahume Lekel-Hamd!”, do të thotë: “O Zot, për Ty është falënderimi!”
- Omeri dilte ditën në rrugët e Medinës mbi devenë e tij. Ai kishte me vete pak rrush të thatë dhe pak hurma dhe kush e ndalte në rrugë për ndonjë kërkesë, ai i jepte nga ajo që kishte. E kur tregu i Medinës mbyllej, ai mblidhte gjërat që gjente në rrugë dhe në ditën e xhuma i çonte me devenë e tij te xhamia dhe i shpërndante. Një ditë ai u tha myslimanëve: “O ju njerëz, më keni lodhur! Deri kur do t’ua mbaj gjërat? Për Allahun, kini kujdes e mos i humbni gjërat tuaja!”
- Një ditë, Omeri shkoi në ahurin e deveve të sadakasë, kërkoi një letër dhe laps e nisi të regjistronte devetë dhe t’i maste sa peshonin. Ali bin Ebu Talibi i tha Uthman bin Afanit: “A ke dëgjuar për ajetin e Allahut xh.xh.: “Ai është njeriu më i mirë që mund ta marrësh me qira (për të punuar), i forti dhe i besueshmi.” (El- Kisas, 26)? Ja, ky është i forti dhe i besueshmi!”

Viti i hirit

Viti i hirit ishte viti i 18-të pas hixhretit. Ai vit qe viti i një urie të madhe që zgjati disa muaj. Ky vit u quajt “viti i hirit” ngase ngjyra e pluhurit u bë ngjyrë hiri. Ky vit ndikoi edhe te princi i besimtarëve, sa që edhe ngjyra e trupit të tij ndryshoi, u bë e zezë. Njerëzit në atë kohë luteshin me gjithë shpirt prej vështirësive që solli thatësia dhe kishin frikë se do ta gjente ndonjë e keqe princin e besimtarëve. Omeri i fliste barkut të tij: “Pasha Allahun, o bark, do të vdesësh për bukë e vaj derisa të jetojnë njerëzit (derisa të tjerët të kenë ushqim të mjaftueshëm).” Një ditë, Omeri pa në dorën e birit të tij një shalqi dhe i tha: “Bravo, bravo o djali i princit të besimtarëve! Ti po ha fruta, kurse umeti i Muhamedit është këputur nga uria.” Një ditë, disa myslimanë therën një kafshë dhe i dërguan një pjatë me mish e ushqim, por ai tha: “Sa vali i keq do të isha nëse unë do të haja ushqimin e mirë, kurse umetit do t’i jepja atë që mbetej dhe eshtrat!” Omeri i dërgoi mesazh valiut të tij në Egjipt, Amr bin El-Asit, duke i kërkuar atij ndihmë e furnizim. Amri i nisi nga Egjipti njëzet karvanë me furnizime dhe veshmbathje. Në vitin e hirit edhe jeta e Omerit ndryshoi. Ai i mblidhte njerëzit në xhami prej akshami deri në jaci dhe u shtronte darka. Në këto darka merrnin pjesë me qindra e nganjëherë edhe mijëra njerëz. Omeri merrte borxh për të shtruar këto darka dhe për të ushqyer njerëzit e uritur të umetit islam. Vetë Omeri i mbikëqyrte këto darka dhe kalonte në mesin e njerëzve. Kur shihte se ndonjë sofër kishte nevojë më shumë për ushqim, ai i thërriste shërbëtorit të tij, Jarfes: “Sill këtu ushqim e mish. Le të ngopen njerëzit.” Omeri shpesh thoshte: “O Allah, mos e përça umetin e Muhamedit alejhi selam sa të jem unë gjallë!” Vinte namazi i sabahut e ai ende nuk kishte ngrënë. Kur ia dërgonin ushqimin, thoshte: “Dërgojani këtë ushqim asaj shtëpie. Më duket se askush nuk u ka dërguar ushqim.” Në moshën 63-vjeçare, gjatë haxhit që Omeri bëri, njerëzit e dëgjuan duke thënë: “O Zot, jam i moshuar. Trupi më është dobësuar, ndërsa shteti i myslimanëve është shtrirë. Më merr te Ti duke mos lëshuar pe në hakun e myslimanëve!” Omeri u kthye nga haxhi në Medinë e Allahu iu përgjigj duasë së tij. Pas pesëmbëdhjetë ditësh, më 23 të dhul-hixhes, ai vdiq. Para se të vdiste, ai pa në ëndërr se një këndes e kishte çokitur me dy çukitje. Pastaj ai mblodhi njerëzit dhe u tha se kishte parë një ëndërr, e cila ishte e vërtetë. Omeri tregoi: Pashë një këndes që më çukiti dy herë dhe shoh se kjo është vdekja ime, ose rënia ime shehid, dhe shoh se vrasësi im është joarab.” Pastaj bëri këtë dua: “O Zot, më bëj dëshmor në rrugën Tënde dhe më bëj të vdes në qytetin e Pejgamberit Tënd!” Hafsa, bija e tij dhe bashkëshorte e Pejgamberit alejhi selam, i tha: “Nga të vjen kjo?” Ngase Medina është fortifikata e Islamit dhe në të nuk kishte luftë ku të bije dëshmor. Omeri tha: “Nëse do Allahu, bëhet!” Omeri e shpeshtonte këtë dua: “O Zot, më bëj dëshmor në rrugën Tënde dhe më bëj të vdes në qytetin e Pejgamberit Tënd!” Ai bënte edhe këtë dua: “O Allah, Ty të ankohem ndaj fuqisë së të pafeve dhe dobësisë së të besueshmeve!” E pyetën për cilësitë e atij që mund të ishte vrasësi dhe Omeri tha: “Kur është në mesin e njerëzve, ai nuk është prijësi i tyre, por paraqitet si të ishte prijësi i tyre. E kur ai është prijësi i tyre, ata nuk e ndiejnë se ai është prijësi i tyre.”

Më trego për fitnen

Disa ditë para se të vdiste, ai i kërkoi sërish Hudhejfe bin El-Jemanit t’i tregonte se mos e kishte përmendur Pejgamberi alejhi selam në mesin e emrave të hipokritëve duke i thënë: “Të betohem, a më ka përmendur Pejgamberi alejhi selam në mesin e emrave të hipokritëve?” Hudhejfeja tha: “Të kam thënë, o princi i besimtarëve, se Pejgamberi alejhi selam nuk të ka përmendur në mesin e tyre.” Atëherë ai tha: “El-hamdulilah!” Pastaj e shikoi Hudhejfen dhe i tha: “Më trego për fitnen (problemet e myslimanëve).” Hudhejfeja tha: “Fitnen e njeriut në shtëpinë e tij dhe fitnen e njeriut në pasurinë dhe fëmijët e tij i mbulon namazi, zekati dhe sadakaja.” Omer Faruku i tha: “Nuk po të pyes për këtë, por po të pyes për fitnen që do të përshkojë umetin.” Hudhejfeja tha: “Çfarë lidhjeje ke ti me këtë fitne? Mes teje dhe fitnes është një derë e mbyllur, e cila nuk çilet sa të jesh ti gjallë.” Omeri tha: “O Hudhejfe, a hapet dera apo thyhet?” Hudhejfeja tha: “Jo, thyhet!” Omeri ia ktheu: “Atëherë, pra, nuk po kthehet në vendin e saj!” Hudhejfeja tha: “Ashtu është, o princi i besimtarëve!” Omeri u ngrit dhe nisi të qajë. E pyetën njerëzit Hudhejfen për fitnet dhe derën dhe ai tha: “Dera është Omeri dhe kur të vdesë Omeri, do të hapet dera e fitneve.” Omeri dha urdhër që të nxirrej nga Medina çdo rob i rritur, që të mbeteshin në Medinë vetëm myslimanët. Ky urdhër nuk u pëlqeu disa sahabëve, në mesin e të cilëve edhe Abbasit, xhaxhait të Pejgamberit alejhi selam, dhe Mugire bin Shu’bes, i cili kishte një rob që quhej Fejruz, nofka e të cilit ishte Ebu Lulu El-Mexhusi. Mugireja kërkoi leje nga Omeri që ta mbante në Medinë këtë rob, pasi ai njihte shumë mjeshtëri dhe myslimanët kishin nevojë për të. Omeri ia dha lejen. Ebu Luluja shkoi një ditë tek Omeri që t’i ankohej se zotëria i tij, Mugireja, nuk po e paguante sa duhet për punën që ai po ia kryente. Kur e pyeti Omeri se sa pagë merrte, ai i tregoi dhe Omeri i tha: “Ki frikë Allahun dhe sillu mirë me zotërinë tënd.” Omeri kishte vendosur t’i fliste Mugires për këtë dhe i foli. Ebu Luluja filloi të ankohet te njerëzit se Omeri mbante drejtësi me të gjithë njerëzit, vetëm se me të jo. Ai thoshte: “Omeri ma hëngri mëlçinë.” Ai ishte njëra palë e komplotit, në të cilin kishte edhe palë të tjera; dy mexhusë të tjerë dhe një çifut. Kur u bënë bashkë, ata të katër arritën një marrëveshje për ta vrarë Omerin. Pranë tyre kaloi Abdurrahman bin Ebu Bekri dhe ata u drodhën. Thika e mprehur në të dyja anët u ra nga dora, por për fat të keq Abdurrahmani nuk e vuri re. Ebu Luluja vazhdonte të ecte në mesin e njerëzve në Medinë dhe të thoshte se ku ishte drejtësia e Omerit.

Takimi i dytë

Një ditë, Omeri ishte me disa sahabë. Omeri e pa Ebu Lulunë dhe i tha: “Kam dëgjuar se ti bën mulli guri të mirë.” Ebu Luluja e shikoi Omerin dhe i tha: “Do të ta mbaroj një mulli guri që tërë njerëzit do të flasin për të.” Sahabët u gëzuan për këtë, kurse Omeri u tha: “A u gëzuat për këtë?” Ata i thanë se po. Omeri u tha: “Ai më kërcënon se do të më vrasë.” Sahabët i thanë: “Atëherë ta vrasim ne!” Omeri ua ktheu: “A doni ta vrisni njeriun vetëm me mendim, pa fakte? Pasha Allahun, nuk e takoj Zotin dhe në fyt timin të kem përgjegjësinë e gjakut të njeriut pa ndonjë fakt.” I thanë që ta çonin në mërgim, por Omeri u tha: “A t’i bëj padrejtësi njeriut e ta nxjerr nga vendi vetëm se unë mendoj se do të më vrasë? Nëse Allahu ka caktuar se vdekja ime do të vijë nga dora e këtij, atëherë ky është caktim i Allahut.” Në Medinën e Pejgamberit, në xhaminë e tij dhe në vendin ku prehet trupi i tij fisnik, në kohën e namazit të sabahut ndodhi tragjedia. Allahu xh.xh. i ishte përgjigjur lutjes së Omerit, që t’ia merrte shpirtin në qytetin e Pejgamberit alejhi selam dhe që ai të ishte shehid. Omeri jo vetëm që ra dëshmor në Medinë, por edhe në xhaminë e Pejgamberit alejhi selam dhe në mihrabin e tij, pranë vendit ku prehet trupi fisnik i Pejgamberit alejhi selam, teksa po falte namazin e sabahut me xhemat. Një nga tabiinët, Amr bin Mejmuni, e ilustron këtë rast duke thënë: “Isha në këmbë në rreshtin e dytë dhe mes meje e princit të besimtarëve ishte vetëm Abdullah bin Abasi. Drita në xhami ishte e zbehtë. Omeri dha tekbir në fillim të namazit dhe para se të lexonte Fatihanë, doli mexhusi dhe e goditi me thikë gjashtë herë. Omeri bërtiti: “Më vrau qeni!” Atëherë sahabët u munduan ta kapnin, por ai filloi të godiste në të majtë e në të djathtë. Abdurrahman bin Oufi i hodhi përsipër rrobën e tij dhe kur Ebu Luluja e kuptoi se do ta kapnin, atëherë qëlloi veten dhe vdiq. Princi i besimtarëve i tha Abdurrahman bin Oufit që t’ua falte namazin myslimanëve dhe Abdurrahmani e fali namazin shkurt, me suren El-Keuther dhe El-Asr. Erdhi Abdullah bin Omeri dhe e vendosi kokën e babait të tij në prehër. Omeri i tha: “Biri im, ma vendos faqen në dhe, se ndoshta më mëshiron Allahu.” Pastaj tha: “Mjerë unë e mjerë nëna ime, nëse nuk më mëshiron Zoti im! O djali i Omerit, kur të vdes, m’i mbyll sytë dhe mos harxho shumë qefin. Kur të shkoj te Zoti im e nëse Ai është i kënaqur me mua, m’i ndërron këto rroba me më të mira. E nëse shkoj te Zoti im e Ai është i hidhëruar me mua, m’i heq këto rroba.” Pastaj atij i ra të fikët. Atëherë njerëzit e transportuan teksa atij ende po i rridhte gjak. Kur deshën t’ia kthejnë vetëdijen, Ibni Abasi i tha: “Namazi, o princi i besimtarëve!”, e Omerit i erdhi vetëdija. Ai pyeti: A u falën njerëzit?” I thanë se po. Omeri tha: “Dua të marr abdest që të falem.” E ngritën që të merrte abdest, kurse plaga i rridhte gjak. Pastaj erdhi mjeku dhe kërkoi një enë me qumësht. Ia dha qumështin Omerit që ta pinte, por qumështi filloi t’i dilte nga plaga. Atëherë mjeku i tha: “O princi i besimtarëve, jep këshillat e tua, se exheli erdhi.” Omeri e shikoi mjekun dhe pa se rroba e tij po prekte tokën, prandaj i tha: “Ngrije petkun tënd, është më pastër për petkun tënd dhe më afër me Zotin!” Omeri dërgoi Ibni Abasin që ta dinte se kush e kishte vrarë. Kur Ibni Abasi erdhi dhe i tregoi se vrasësi ishte shërbëtori i Mugire bin Shu’bes, i cili quhej Ebu Lulu, atëherë Omeri tha: “Përse? Unë atij i kam bërë mirë.” Pastaj tha: “Falënderimi qoftë për Allahun xh.xh., që vrasjen time e bëri nga dora e atij që nuk i ka rënë në sexhde Allahut, që në Ditën e Kiametit të mos më konfrontojë me të.” Pas disa çastesh, Omeri shtoi: “A është marrë vesh me dikë nga myslimanët për këtë?” Doli Ibni Abasi dhe pyeti: “O paria e myslimanëve, a mos ka kush gisht në komplotin e Ebu Lulusë kundër princit të besimtarëve?” Myslimanët shtuan vajin e tyre dhe thanë: “Pasha Allahun, do të kishim më shumë dëshirë t’ia shtonim jetën Omerit nga jeta jonë!” Kurse gratë myslimane thanë: “Për ne më mirë do ishte të na vdisnin djemtë tanë sesa të vdesë princi i besimtarëve.” Umu Kulthumi bërtiti: “O Omer, ti mbyte fitnet dhe ngjalle traditën, sunetin!” Medinasit e kuptuan tani se sa e madhe ishte tragjedia. Ata e kuptuan se dera e fitneve ishte thyer. Këtu dua të theksoj një gjë të rëndësishme. Ebu Lulu mexhusiu nuk gjeti vend tjetër për ta vrarë Omerin përveç xhamisë, sepse Omeri nuk jetonte për veten e tij, por përherë ishte në mesin e njerëzve duke u kujdesur për hallet e tyre. Ai u detyrua ta vriste në xhami dhe në namazin e sabahut, atëherë kur drita ishte e zbehtë, kur njerëzit faleshin dhe e kishte të lehtë të shkonte tek ai. Omeri i thirri Ibni Abasit: “O Ibni Abas, ti dhe babai yt kishit dëshirë t’i shtonim mosbesimtarët në Medinë. A e sheh se ç’më ndodhi?”
Ibni Abasi tha: “Po të duash, do të bëjmë këtë e këtë kundër tyre.” Omeri i tha: “Mos e dhëntë Allahu ta bëjmë atë kundër tyre, pasi kanë hyrë në vendin tonë, kanë ngrënë bukën tonë dhe flasin tani gjuhën tonë. Nëse Ebu Luluja është ende gjallë, mos e keqtrajtoni. E nëse ka vdekur, mos ia prishni kufomën, ngase unë marr hak prej tij Ditën e Kiametit.” Pastaj pranë Omerit u afrua një djalë i ri dhe i tha: “Të përgëzoj me xhenet, o princi i besimtarëve! Ti e bëre hixhretin haptazi dhe e ndihmove Islamin. Me ty myslimanët falën namaz te Qabeja kur ti u bëre mysliman, pasi më parë nuk mundeshin. Pejgamberi alejhi selam vdiq dhe ishte i kënaqur me ty, po ashtu edhe Ebu Bekri ishte i kënaqur me ty. Gëzohu me xhenet, o princi i besimtarëve!” Omeri qau dhe tha: “Pasha Allahun, nuk kam frikë nga diçka tjetër vetëm se i frikësohem punës sime. Ia kam frikën tmerrit në varr (pyetjes) dhe ia kam frikën llogarisë së Allahut.” Pastaj hyri Abdullah bin Abasi, ia fërkoi gjoksin dhe i tha: “Qetësohu, o princi i besimtarëve! Sundove me Librin e Allahut, ndave me të drejtë.” Omeri buzëqeshi dhe tha: “A dëshmon për këtë në Ditën e Kiametit?” Ibni Abasi qau, kurse Omeri i ra në krah duke i thënë: “A e dëshmon këtë në Ditën e Kiametit? A dëshmon se kam sunduar sipas Librit të Allahut dhe kam ndarë me të drejtë? Ibni Abasi tha: “Dëshmoj, o princi i besimtarëve!” Në këtë rast edhe Ali bin Ebi Talibi tha: “Edhe unë dëshmoj, o princi i besimtarëve!” Pastaj tha: “Po halli i borxheve? Kam frikë ta takoj Allahun kur kam borxhe.” Ia llogaritën borxhin dhe doli 86 mijë dërhemë. Omeri i tha djalit të tij: “Shko pas vdekjes sime e jo para vdekjes sime në shtëpinë e financave të shtetit mysliman, në mënyrë që të mos i ngushtosh ata. Shiko se a kam ndonjë sasi malli aty. Nëse nuk gjen, atëherë shko te Beni Adijët. Kërko prej tyre që të ma lajnë borxhin. E nëse nuk gjen edhe aty, atëherë shko te kurejshët dhe kërko prej tyre që ta lajnë borxhin.” Njerëzit filluan të mbledhin para me qëllim që t’i lanin borxhet Omerit, që ai të mos shkonte tek Allahu duke qenë në borxh. Shuma e të hollave u mblodh pas vdekjes së Omerit dhe pas një jave iu pagua Uthman bin Afanit, halifit të tretë të myslimanëve.

Fqinjësia me Pejgamberin alejhi selam

Në çastet e fundit të jetës së tij Omeri kërkoi nga Aishja, bashkëshortja e Pejgamberit alejhi selam, leje që ta varrosin pranë Pejgamberit alejhi selam dhe Ebu Bekrit. Omeri i tha djalit të tij: “Thuaji se Omeri po e kërkon lejen dhe jo princi i besimtarëve, ngase nuk jam më princi i besimtarëve. Thuaj se Omeri nuk ka pasur ndonjë dëshirë më të madhe sesa të varroset pranë dy shokëve të tij. Thuaj se po të kërkon leje. E nëse të jep leje, eja shpejt e më trego.” Kur Ibni Omeri shkoi tek Aishja, nëna e besimtarëve, e gjeti duke qarë, ngase e dinte se vdekja e Omerit do të thoshte hapje e derës së fitneve. Djali i Omerit i tha: “Omer bin Hatabi të kërkon leje të varroset pranë dy shokëve të tij.” Aishja tha: “E dëshiroj këtë vend për vete, por kur është fjala për Omer bin Hatabin, unë e preferoj atë vend për Omerin para vetes.” Çfarë bamirësie e çfarë çiltërsie shpirtërore! Ajo u varros në El- Bekia dhe vendin ku dëshironte të varrosej vetë ia la Omerit. Ibni Omeri erdhi shpejt te babai i tij që t’i jepte lajmin e gëzuar. Omeri e pyeti: “Çfarë bëre, o djali i Omerit? Ai i tha: “Të përgëzoj, o princi i besimtarëve! T’u dha leja!” Omeri tha: “Elhamdulilah!” E pastaj shtoi: “O djali i Omerit, kur të vdes, më mbartni deri te dera e Aishes, e pyeteni sërish ngase ndoshta më ka dhënë leje sa kam qenë gjallë e i ka ardhur keq prej meje.” Omeri vdiq ditën e mërkurë, më 23 të dhul-hixhes në të 23-tin vit pas hixhretit. E qau Medina dhe i tërë umeti. Omerin, Allahu qoftë i kënaqur me të, e varrosën pranë dy shokëve më të dashur të tij. Para vdekjes së tij, Omeri zgjodhi gjashtë veta nga mesi i të cilëve duhej zgjedhur halifi i myslimanëve. Ata njerëz ishin: Uthman bin Afani, Ali bin Ebi Talibi, Talha bin Ubejdullahu, Zubejr bin Avami, Sead bin Ebij Vekasi dhe Abdurrahman bin Oufi. Kur e këshilluan që mes tyre të jetë edhe i biri, Adullah bin Omer Hatabi, ai tha: “Është mjaft për familjen e Omerit që njëri prej tyre të llogaritet tek Allahu xh.xh. në Ditën e Kiametit!” Hasan El-Basriu thotë: “Sikur e shoh Islamin se vjen në Ditën e Kiametit. Shfleton fytyrat e njerëzve dhe thotë: “O Zot, ky më ka ndihmuar e ky më ka poshtëruar, derisa arrin tek Omer bin Hatabi. E merr atë për dore dhe thotë: “O Zot, isha garib, i panjohur, derisa ky burrë u bë mysliman!”



Përktheu nga arabishtja: Tahir Kukaj