Dr. Haluk Nurbakii
Specialist i radioterapisë - radiobiologjisë
"(All-llahu) ju ka ndaluar juve (të hani) vetëm të ngordhtën (cofëtinën), gjakun, mishin e derrit, dhe atë që therret jo në emër të All-llahut. E kush shtrëngohet (të hajë nga këto) duke mos pasur për qëllim shijen dhe duke mos e tepruar, për të nuk është mëkat. Vërtet Allllahu fal, është mëshirues", (el-Bekara : 173).
Fakti se derrat janë kafshë të papastra (të ndyta), e në veçanti pse bartin qeskën (cistin ) e një paraziti të famshëm trishina, janë tregues i mjaftueshëm se ne duhet t'i shmangemi çdo kontakti me ta në jetën tonë të përditshme. Megjithëkëtë, madje edhe në shoqëritë që me vite të tëra e kanë ndaluar qarkullimin e mishit të derrit, disa individë kanë filluar të thonë se "mund të konsumohet pas një inspektimi të hollësishëm të veterinarit".
Po mirë, ç'janë arsyet reale që e ndalojnë (e bëjnë haram) konsumimin e mishit të derrit?
Studimet shkencore që janë kryer 25-30 vitet e fundit i kanë zbuluar arsyet e këtij vendimi, kurse shkencëtarët e kanë shikuar me habi këtë saktësi të mbinatyrshme të Kur'anit lidhur me këtë çështje. Për këtë arsye, në fillim dëshiroj t'i përmbledh e rendis elementet përbërëse të derrit që e dëmtojnë shëndetin e njeriut.
Mjeku gjerman Hans Heinrich Reckeweg , në mishin e derrit ka identifikuar një proteinë të re e të huaj të quajtur sutoksin, e cila shkakton alergji të ndryshme. Ky helm shkakton sëmundje alergjike si ekzemën dhe ekzantemën (shpërthimin) astmatike. Në qoftë se doza e sutoksinit është e ulët, i hap rrugë lodhjes e raskapitjes trupore dhe dhimbjes së nyjeve. Në këtë kontekst, në qoftë se mendojnë e llogarisin mirë ata që pohojnë se mishi i derrit është më ekonomik, do të shohin se, nga aspekti i pakësimit të forcës produktive në punë, do t'u dalë mishi më i shtrenjtë.
Ky ndikim i mishit të derrit është shënuar gjithnjë në eksperimentet e ndryshme të kafshëve. Kjo veti paraqitet nga çrregullimi që ndodh në sistemin limfatik të kafshës, si rezultat i ngrënies së vazhdueshme të ushqimeve të ndotura me bakterie. Do t'i rikthehemi kësaj teme më poshtë.
Në mishin e derrit ekziston sasi e madhe e mukopolisakaridit. Meqë kjo lëndë është e pasur me squfur, edhe kjo shkakton dhimbje të nyjeve. Më tutje, hormoni i rritjes ka një përqëndrim shumë të madh te derrat, çka rezulton me deformime trupore abnormale te njerëzit që vazhdimishte konsumojnë mishin e derrit.
Një sëmundje tjetër serioze që e përcjell mishi i derrit është virusi SHAPE (shapi) . Kjo sëmundje gjen vend në mushkërinë e bardhë të derrit. Për këtë arsye, në shumë vende evropiane është ndaluar ngrënia e mushkërisë së bardhë të derrit. Kurse, te ushqimet si suxhuku, sallami etj. rreziku për t'u infektuar nga ky virus është shumë i lartë.
Te njerëzit që e konsumojnë mishin e derrit, trupi i tyre merr formë gypi apo cilindri. Studimet që i ka bërë prof. Lettre lidhur me lëndët radioaktive, ka konstatuar se ushqimet tregojnë prirje të përqëndrohen në inde të përngjashme me indet të cilave u përkasin. Kurse kjo, po e vërteton mendimin se te njerëzit që e konsumojnë mishin e derrit, akumulimi i dhjamit te ta është më i përqëndruar në vithet e tyre.
Tani, le të kalojmë te tema e trishinës që është një sëmundje tejet e rrezikshme, e bartur nga mishi i derrit. Në librin e tij me titull This Wormy World (Kjo botë e krimbur), shkencëtari Stahl, ka shënuar se në botë ka afro 30 milionë viktima të trishinës. Sëmundja e trishinës, përkundër asaj që mendohet, nuk shkakton cist vetëm në tru. Te kjo sëmundje e përcjellur nga derri, meqë shkakton ngushtimin e enëve të gjakut, vërehen barkqitje si te kolera, tifoja e të tjera sëmundje dhe shkakton vdekjen e menjëhershme. Ajo shpesh vendoset nëpër muskuj duke shkaktuar dhimbje të rënda muskujsh.
Një sëmundje tjetër që bartet prej mishit të derrit është edhe shiriti i derrit . Është më i rrezikshmi prej të gjithë krimbave të zorrëve.
Tani le të kalojmë në ndikimin më të rrezikshëm të mishit të derrit për shëndetin:
1) Mishi i derrit e rrit sasinë e yndyrës në gjak. Sot për sot, ushqimi më i rrezikshëm për shëndetin e njeriut është dhjami i brendshëm i kafshëve. Siç dihet, te kafshët kemi dy lloje dhjamërash: i pari, është dhjami i brendshëm që shihet qartë në pjesën e sipërme të mishit, kurse i dyti, është dhjami që gjendet në masë të madhe ndër fijet e mishit. Njëherit, ky i fundit është edhe më i rëndësishmi sa i përket mishit të kafshës. Për sa i takon këtij dhjami, përqindjet dhjamore në artikujt e përditshëm ushqimorë, duken kështu:
a. Mishi i viçit.........10 %
b. Mishi i deles.........20 %
c. Mishi i qengjit.......23 %
Yndyrat që i marrim nëpërmjet mishit të kafshëve, tani për tani, konsiderohen si yndyrat që më vështirë digjen (konsumohen) në gjak. Si rezultat i kësaj vështirësie, në gjak rritet sasia e lipidit dhe kolesterinës . Në qoftë se ky nivel i lartë i këtyre lëndëve për një kohë të gjatë mbetet në gjak, së pari i ngushton enët e gjakut e pastaj i forcon (ngurtëson) ato. Sot, mendohet se faktori kryesor i sëmundjeve kardiovaskulare , është marrja e gabuar (pra, në masë të madhe) e yndyrave. Tepërsia e yndyrës në gjak është një arsye shumë e rëndësishme për paraqitjen e dukurive, si: plakja, matufosja, paraliza dhe ngushtimi apo zënia e damarëve të zemrës.
Sot çdo blerës kur hy në mishtore dëshiron të zgjedhë mish pa dhjam. Mirëpo, i rrezikshëm nuk është dhjami i dukshëm, por ai që gjendet brenda fijeve të mishit. Po, tani të pyes: Kur të hyni në mishtore, nëse kasapi shet vetëm mish derri, ç'do të bëni ju? Mund ta bëni njërën prej këtyre dyjave:
a. Ose ta merrni atë mish e t'i lëshoni helm gjithë shëndetit tuaj, e në veçanti enëve të gjakut; b. Ose të thoni se jeni muslimanë e të dilni pa blerë mish, duke e marrë kështu nën garancion shëndetin tuaj.
Ja pra, me urdhrin që jua jep Kur'ani, nuk ju jep thjesht një ndalesë, por ju dhuron një mirësi të madhe shëndeti.
Është për t'u habitur pse konsumimi i mishit të derrit në Perëndim vazhdon me të njëjtin avaz edhe përkundër faktit se kjo veti, pra sasia e madhe e yndyrës në të, është gjithandej e njohur. Besoj se në këtë, faktorët ekonomikë luajnë rol vendimtar. Mirëpo, në një të ardhme shumë të afërt kjo çështje do të aktualizohet si një problem shëndetësor shumë serioz. Edhe sot, madje, në shoqëritë ku konsumohet mishi i derrit, haptas vërehet rritja e sëmundjeve kardiovaskulare. Edhe pse deri vonë kohëve të fundit, çështja e yndyrës së tepërt në mishin e derrit nuk është diskutuar nëpër qarqe publike, sot kjo është bërë mjaft aktuale. Kurse në të ardhmen shpresojmë që gjithë bota ta braktisë konsumimin e mishit të derrit.
Një e keqe e madhe që vjen nga tepërsia e yndyrës në mishin e derrit, është se harxhon në masë të madhe vitaminën E. Te njerëzit që e konsumojnë derrin, vitamina E harxhohet menjëherë dhe paraqitet një mungesë e pahetueshme e saj. Siç dihet, vitamina E ka mjaft funksione interesante, prej të cilave më e rëndësishmja është ndikimi pozitiv në gjëndrat seksuale.
Ata që konsumojnë sasi të mëdha të yndyrave, e sidomos të mishit të derrit, për një kohë të shkurtër e harxhojnë vitaminën E dhe për pasojë, nga aspekti i marrëdhënieve intime, duken të plogësht, të paafrueshëm dhe të paaftë (impotentë). Mungesa e vitaminës E në mënyrë graduale shkakton edhe pamjaftueshmërinë e vitaminës A. Paraqiten sëmundje të ndryshme të lëkurës, të të parit (syrit) etj.
Tani mbërrijmë te problemi i dytë me rëndësi për shëndetin që lind nga struktura e derrit
2) Ashtu siç përmendëm në fillim të këtij shkrimi, derri është një kafshë që ushqehet me gjëra të pista (të fëlliqta), ndaj dhe sistemi limfatik i tij gjithnjë është në veprim. Për këtë arsye, për ta mbrojtur vetveten ai është i pajisur me lëndë të ndryshme mbrojtëse që përmbajnë albuminë . Këto lëndë që paraqiten në sistemin mbrojtës të trupit dhe që studiohen nga shkenca e imunologjisë, për gjallesat e tjera janë mjaft të rrezikshme. Sepse një gjallesë që i prodhon këto proteina për t'i mbrojtur qelizat e veta, për qelizat e një gjallese tjetër janë helm. Për këtë arsye, te njerëzit që vazhdimisht ushqehen me mish derri, paraqiten sëmundje formash të ndryshme alergjike dhe ënjtje indesh. Edhe pse akoma nuk dihet me saktësi, këto lëndë ndoshta mund të shkaktojnë destabilizime shumë negative edhe në sistemin tonë limfatik.
Mbasi derri është një kafshë që infektohet nga sëmundje të ndryshme, është gati e pamundur të ushqehesh me mishin e tij e të mos i fitosh këto albumina të dëmshme të quajtura antitruptha. Sipas kësaj, mishi i derrit nuk është një artikull që mund ta hash e të ushqehesh me të, por është një helmim me paramendim, me qëllim. Është për t'u qajtur halli i atyre që e preferojnë atë vetëm sa për t'u treguar e hequr si të mëdhenj e të pamposhtur, po edhe të panënshtruar ndaj Krijuesit.
Një urtësi tjetër me rëndësi e ajetit kur'anor është se ndalesa e mishit të derrit është bërë bashkë me ndalesën e konsumimit të gjakut të derdhur e të cofëtinës. Është bërë një përngjasim midis mikrobeve e toksinave të shumta që mund të shfaqen nga mishi i derrit. Këtu ka një porosi të veçantë; na tërhiqet vëmendja në përngjasimin që ekziston midis albuminave të serumit të gjakut dhe albuminave që derri i prodhon vazhdimisht me anë të sistemit limfatik. Kështu mishi i derrit, për nga infektimi me mikrobe e fëlliqësira, është përngjasuar me konceptin cofëtinë që përmendet në ajetin kur'anor, kurse, për nga albuminat e dëmshme të serumit, është përngjasuar me konceptin gjak.
Së fundi do ta bëj komentimin shkencor të një lidhshmërie që krijohet me mishin e derrit
Shumë disa mendimtarë muslimanë kanë mbrojtur idenë se derri ështa kafsha e vetme që nuk e xhelozon dhe nuk lufton për partnerin (çiftin) e vet dhe se njerëzit që hanë mish derri janë indiferentë (të painteresuar) për nga dëshira seksuale. Ashtu siç thamë edhe më lart, harxhimi i shpejtë i vitaminës E nga yndyra e derrit, i jep kredibilitet (besueshmëri) kësaj ideje.
Një mesazh tjetër i Librit tonë të shenjtë, Kur'anit fisnik, është se ai në katër ajete të ndryshme e thekson ndalesën e mishit të derrit. Në suren el-Bekara : 173, el-Maideh : 3, el-En'am : 145 dhe en-Nahl : 115 ka urdhëresa të njëjta për ndalim. Ndalimi i katërfishtë nëpër sure të ndryshme, thekson nevojën që çdokush duhet t'i qaset me seriozitet kësaj çështjeje.
Sot, problemi i mishit të derrit ka dalur në shesh dhe qarqet shkencore me seriozitet po ia vënë gishtin këtij ushqimi të neveritshëm e të rrezikshëm.
Përktheu nga anglishtja: Mr. Rejhan Neziri
________________________________________
Marrë nga libri i autorit të ndjerë, Kur'an-i Kerim'den Ayetler ve Ilmî Gerçekler (Disa ajete nga Kur'ani fisnik dhe të vërtetat shkencore), bot. Türkiye Diyanet Vakfi, Ankara, 1993, kap. 42, f. 269-274.
"Cist-i": mjek. Fshikëz e mbushur me lëng që shfaqet si sëmundje në inde ose në organet e trupit. (Sqarimet e këtyre termave i kam marrë kryesisht nga Fjalori i gjuhës së sotme shqipe e nga fjalorë të ndryshëm në internet).
"Trishinë-a"(Trichina): Nematodë (krimb me trup të zgjatur e të rrumbullakosur, disa prej tyre jetojnë të lirë kurse disa janë parazitë) parazite që ndodhet në zorrët e derrit, të miut e të njeriut dhe i cili prodhon larva që formojnë cist në muskujt skeletorë.
1. Vepra e tij lidhur me këtë është, Schweinefleisch und Gesundheit, 1977. "Sutoksin": Lloj i veçantë toksine (për fjalën toksinë shih fusnotën e parafundit).
"Alergji-a": mjek. Sëmundje që shfaqet me rritjen ose me uljen e theksuar të ndjeshmërisë së organizmit, kur hyjnë në të lëndë të huaja.
"Ekzemë-a": mjek. Sëmundje kronike e lëkurës që shfaqet me skuqjen e saj dhe me flluska a puçrra të lëngëta ose të thata.
"Astmë-a": mjek. Sëmundje që shfaqet me zënien e frymës herë pas here, për shkak të çrregullimeve të bronkeve, të zemrës ose për shkaqe të tjera; shpirrë, gulçim.
"Limfë-a": anat. Lëng pa ngjyrë që mbush hapësirat ndërmjet indeve e qelizave të trupit të njeriut e të kërbishtorëve; gjak i bardhë.
"Mukopolisakarid" (Mucopolysaccharide): Tërësi polisakaridesh (lloj karbohidrati që përmban molekula sheqeri të lidhura kimikisht me njëra-tjetrën) që përmbajnë një amino grup; kryesisht shfaqen si komponenta të indeve lidhëse.
"Shap-i": veter. Sëmundje e rëndë ngjitëse, që zë kryesisht gjedhin dhe që shfaqet me disa flluska në gojë, në gji e në thundër.
"Shirit-i": zool. Krimb i gjatë me trup të përbërë prej një numri të madh unazash të shtypura, që jeton si parazit në zorrët e njeriut dhe të disa kafshëve gjitare; lëvrizë.
"Lipid-i": Përbërje organike vajore që nuk tretet në ujë por që tretet në tretësirat organike; komponentë bazë strukturore e qelizave të gjalla (krahas proteinave dhe karbohidrateve).
"Kolesterinë-a": Lëndë organike me përmbajtje dhjamore, që gjendet me shumicë te yndyrat, në trutë e bagëtive, në të verdhën e vezës etj. dhe shkakton sëmundjen e arteriosklerozës, që është sëmundje kronike e cila shfaqet me trashjen dhe ngurtësimin e pjesës së brendshme të arterieve (enë gjaku që del nga zemra dhe shpërndan gjakun e pastër në gjithë pjesët e trupit).
"Kardiovaskular-e": mbi. Që ka të bëjë me zemrën dhe me enët e gjakut (arteriet, venët dhe kapilaret).
"Albuminë-a": Lëndë organike e përbërë, që gjendet me shumicë në të bardhën e vezës, në serumin e gjakut etj. dhe që është pjesa më e rëndësishme, baza e ndërtimit dhe e funksionimit të qenieve të gjalla.
"Toksinë-a": biol., mjek. Lëndë e helmët, që prodhohet nga disa mikrobe parazite në trup të njeriut, të kafshës a te bimët.