"Në Akademinë e Arteve isha e vetmja që mbaja shami"
"Kam filluar që në moshën 16 vjeç, më ka folur motra ime për Islamin dhe e kam pranuar duke filluar të falem. Kështu kam vazhduar shkollën e mesme po ashtu dhe vitin e parë të shkollës së lartë. Në fund të vitit të parë shkollor në Akademinë e Arteve kam vendosur mbulesën. Atëherë e ndjeva, edhe më parë e kisha dëshirë po në atë moment e vendosa plotësisht me dëshirën time. Ndihem shumë mirë dhe shumë e lumtur, kam gjetur një qetësi shpirtërore me pranimin e islamit dhe vendosjen e mbulesës. Më ka sjellë qetësi shpirtërore, e cila ka reflektuar edhe në punët e mia. Në Akademi kam qenë e vetmja që e kam vendosur shaminë. Kisha dhe dy shoqe besimtare, por deri në atë kohë nuk e kishin vendosur shaminë. Islami është përputhur me mendimet e mia. Nuk është se ka pasur diçka që unë nuk e kam pëlqyer. Unë e kam aprovuar, sepse ashtu kam qenë edhe më parë dhe për sa i përket pikturës në Islam ndalohet thjeshtë portreti apo imitimi i detajuar, sikur do t'i japësh shpirt, apo jetë diçkaje".
Ajo flet më mirë me anë të një tabloje apo pikture se sa me zë. Denisa Paho është nga Pogradeci dhe përkohësisht shtëpia e saj do të jetë në Tiranë. Nuk është zhvendosur në kryeqytet për pushime, por për të hapur një ekspozitë pikture.
E ndrojtur, e veshur e gjitha në kafe dhe me sy që i shkëlqejnë, ajo shpjegon me radhë 49 pikturat e saj, të cilat i kanë marrë plot 2 vjet kohë.
Pikturat e Pahos vijnë nga realiteti, por duke i parë në këndvështrimin dhe syrin e saj. Sipas Denisës, jo gjithçka është ashtu siç duket. Kontrasti i ngjyrave dhe një lloj qetësie mbresëlënëse bie në sy në të gjitha tablotë e varura në mur.
E njëjta “qetësi” nuk mund të kalojë pa u venë re edhe në karakterin e piktores. Ndërsa na rrëfen me një zë të butë punët e saj, në trup ka të zbuluar vetëm fytyrën.
Është besimtare myslimane e mbuluar me shami. Kjo gjë nuk e ka penguar Denisën të shpërfaqë talentin dhe e të jetë e suksesshme. Telajot e saj janë pjesë nga jeta përditshme, të cilën shpesh e shmangim për të kërkuar kush e di se çfarë më tej.
Më bindjen e plotë që në fëmijëri se do të bëhej piktore, ajo na tregon se pas tentativës së tretë të konkurrimit ka mundur të fitojë të drejtën e studimit në Akademinë e Arteve për Grafikë.
Jeton së bashku me djalin dhe bashkëshortin në qytetin piktoresk të Pogradecit, por për një javë pikturat e saj kanë udhëtar në kryeqytet për t’u zhvendosur në një galeri.
- Denisa, kjo është ekspozita e parë që ju hapni?
- Po, është e para, është një punë dyvjeçare. Janë 49 piktura.
- Cila është piktura e parë që keni bërë për këtë ekspozitë?
- Ka qenë vjeshta negative. Janë pesë punime.. I kam parë nga dritarja. Dhe mendova që ketë ta realizoj, jo ashtu siç e shohim ne, por me ngjyrat e vjeshtës në negativ.
- Kur keni marrë për herë të parë lapsin dhe letrën?
- Që në shkollën 8-vjeçare. Gjithmonë pas mësimeve, merrja lapsin dhe vizatoja. Stiloja modele fustanesh, të cilat më pëlqenin shumë. Pastaj më vonë bëja vizatime, piktura, në letër, me bojëra uji, kështu kam vazhduar deri në mbarim të klasës së tetë. Më vonë konkurrova në Liceun e Korçës dhe fitova aty. Më vonë, për tre vjet me radhë konkurrova në Akademinë e Arteve e vitin e tretë të konkurrimit e fitova. Gjatë konkursit varet si ndihesh, ka momente që nuk jep maksimumin tënd.
- Piktura ka qenë dëshira juaj më e madhe?
- Po, po, isha shumë e bindur në rrugën që kisha nisur, pasi konkurrova tre vjet në degën që fitova dhe nuk konkurroja në asnjë degë tjetër. O pikturë, o s’ka! Vetëm në pikturë.. Isha investuar dhe punoja në këtë profil. Nuk është se kisha vetëm talentin dhe kënaqesha me kaq, gjithmonë kam punuar shumë. Edhe në Lice në vitin parë në atë kohë bëja akuarel në letër dhe nuk rrija asnjë ditë pa punuar. Gjithkush mund të ketë një talent, por, nëse atë nuk e zhvillon, ngelesh.
- Çfarë të frymëzon më shumë për të marrë penelin në dorë ?
- Tani në kohën që ne jetojmë ka shumë mënyra për t'u frymëzuar. Unë kam fotografinë të parën, të cilën e vë në dispozicion të pikturës sime. Për shembull, për të filluar të pikturoj e bëj gati foton dhe vazhdoj. E mbaj aparatin me vete apo celularin. Më bën përshtypje një moment, dhe fotografoj. Ashtu siç unë e dua, në atë këndvështrimin tim..
- Cila është specifika e pikturës suaj?
- Domethënë, ato gjëra që neve na duken të përditshme si të pa vlera, nuk i kushtojmë rëndësi, pasi është jeta jonë e përditshme. Unë i vë re dhe i përdor ato qoshe, ato pjesë të dritareve, perdet, të cilat kryejnë një rol në banesat tona. Më pëlqen të shoh përtej xhamave.
- Të gjitha pikturat e tua e kanë një subjekt, niseni nga diçka reale?
- Po, gjithmonë nisem nga ambienti që më rrethon. Nisem nga realiteti, nuk janë të fantazuara nga mendja ime. Po, gjithmonë atë imazh që e marr, e përpunoj.
- Ju keni një studio tuajën ku punoni?
- Pikturoj në shtëpi, kam disa dhoma. Në një prej dhomave nuk është se e kam bërë studio, por, brenda kushteve minimale, shtroj diçka që të mos bëj pis ambientin. Është pak e bezdisshme, pasi është më mirë që të kesh një studio dhe ku ke të gjitha mjetet e nevojshme aty.
- Ju jeni besimtare myslimane dhe kjo duket nga fakti që je e mbuluar, feja myslimane nuk e lejon vizatimin e portreteve, keni realizuar ju të tilla? Si paraqiten portretet tek ju?
- Unë edhe para se të bëhesha myslimane kisha stilin tim të pikturuarit. Asnjëherë nuk mundohesha të bëja një portret ashtu si e shikoja, duke e bërë identik, por gjithmonë e interpretoja, jo duke e imituar me imtësi çdo gjë që e shikoja. Nuk më ka pëlqyer asnjëherë kjo gjë. Edhe tani që jam besimtare përsëri kam të njëjtën teknikë. Figurën njerëzore nuk më pëlqen ta jap ashtu si e shikoj, më pëlqen të jetë i veçantë në një këndvështrim ndryshe, jo siç e shohim gjithmonë një portret.
- Çdo pikturë ka një mesazh, flasin pikturat e tua?
- Nuk është se kanë ndonjë temë të veçantë, tema është dytësore, parësore është piktura. Ajo që ne shohim dhe çfarë transmeton. Është ngjyra, forma, kompozimi. Ai që e shikon e merr mesazhin, nuk ka ndonjë gjë për tu shpjeguar. Në këtë ekspozitë ka shumë rëndësi kompozimi i ngjyrave. Këndvështrimi është më parësor se sa tema që kam përzgjedhur /Gazeta Shekulli/