Mbulesa islame – dinjitet dhe siguri

Autorë laikë kanë shumë paragjykime ndaj femrës së mbuluar muslimane. Ata pretendojnë se të mbuluarit e kokës tregon nënshtrimin e saj.

Mbulesën islame laikët ekstremë e përshkruajnë si një element të shtypjes dhe pengesës për emancipimin e femrës! Femra, sipas tyre, duhet të lirohet nga vargonjtë sikurse janë feja, morali dhe besimi, në mënyrë që ajo të jetë e lirë.
Shumë prej tyre luajnë me kartën e famshme se bukuria e një gruaje është më e vlefshme se sa aspektet e tjera të identitetit të saj, duke përfshirë edhe ndershmërinë dhe bindjen e saj fetare. Prandaj kërkojnë që, në emër të bukurisë, femra të heqë mbulesën e saj në mënyrë që të mund të ekspozojë bukuritë e trupit.
Për rrjedhojë femra muslimane e mbuluar konsiderohet si femër e shtypur dhe viktimë e kontrollit dhe dominimit nga mashkulli. Asaj i është rrëmbyer liria dhe të drejtat!!!
Ky është një vlerësim qëllimkeq dhe tendencioz, për shkak se nuk shkruajnë kështu edhe për murgeshat e mbuluara. Përkundrazi, murgeshat e mbuluara emërohen dhe vlerësohen si motra të nderit. Ndërkaq femrat muslimane me shami etiketohen si të prapambetura.
Mbulesa është simbol i dëlirësisë, modestisë dhe mirësjelljes. Muslimania duhet t’i përmbahet natyrës së saj. Zoti i dënon ato femra që sillen si meshkujt dhe anasjelltas. Prandaj mbulesa është ruajte e natyrshmërisë së femrës dhe manifestim i devotshmërisë. Muslimania duhet të jetë dinjitoze në aspektin fizik dhe e përkushtuar në aspektin shpirtëror.

Mbulesa një akt i bindjes së muslimanes ndaj Krijuesit

Mbulesa është e obligueshme për muslimanen dhe një akt i bindjes së saj ndaj Krijuesit. Veshja islame nuk është vetëm mbulim i trupit të femrës, por ajo është adhurim dhe afrim i saj te Zoti dhe çuarje në vend e urdhrit të Tij. Kështu ajo i bindet Krijuesit dhe me dëlirësinë e saj i nënshtrohet urdhrit të Tij.
Mënyra në të cilën gruaja duhet të vishet, të zbukurohet, të ecë dhe të shikojë, është një çështje shumë e ndjeshme. Prandaj, feja islame i jep rëndësi të veçantë kësaj çështjeje për shkak të bukurisë së trupit, ndjenjave e delikatesës së saj. Allahu i Madhërishëm në Kur’anin fisnik thotë: “O Pejgamber, thuaju grave dhe vajzave të tua, si dhe grave të besimtarëve, që të lëshojnë mbulesën e tyre (të kokës) përreth trupit...” (El Ahzab: 59).
Nuk plotësohet modestia dhe turpi i femrës muslimane veçse duke respektuan urdhrat e Zotit, duke përfshirë edhe urdhrin për mbulimin e saj. Turpi është ai që e mban nën kontroll njeriun. Po u gris kjo “perde”, njeriu shfaqet si një kafshë e pakontrolluar. Turpi është stolia e njeriut, është virtyti i lartë i tij. Kurse për femrën ai është pjesa më me vlerë e qenies së saj.

Qëllimi i veshjes islame

Qëllimi i veshjes islame është që femra të ruajë integritetin, ndershmërinë dhe modestinë e saj. Mbulesa synon ta mbrojë femrën dhe t’ia shtoj asaj vlerën dhe fisnikërinë, duke treguar se ajo është e denjë për respekt. Femra e mbuluar, kur gjendet në vende publike, nuk shikohet dhe nuk gjykohet në bazë të trupit të saj, sikurse vlerësohen femrat e zhveshura, por në bazë të sjelljes dhe inteligjencës.
Muslimania nuk duhet të ketë veshje dhe sjellje joshëse. Femra e mbuluar imponon respekt me veshjen e saj, me ecjen, qëndrimin dhe të folurit e saj. Ajo na paraqitet si një personalitet i respektuar dhe i pavarur dhe jo si një person që ekspozon dhe abuzon me bukuritë e trupit të saj. Ajo, e veshur me veshje islame, është e mbrojtur nga shikimet provokuese të njerëzve dhe nuk është pre e ngacmimeve të tjerëve që tregojnë mungesë respekti për të. Prandaj, ajo ndihet më e lirë dhe më e sigurt.
Studime të shumta tregojnë anët pozitive të një veshje modeste që i përshtatet natyrës së femrës. Statistikat tregojnë se femra e mbuluar ndihet më e sigurt kur del nga shtëpia dhe nuk i nënshtrohet provokimeve e shqetësimeve. Mbulesa femrës i jep dinjitet dhe siguri.
Qëllimi i shamisë nuk është vetëm për të mbuluar, por për të vendosur rend dhe respekt në një ndërveprim të vërtetë njerëzor. Veshja islame është një pengesë për të parandaluar shikimin me pasion dhe ambiciet e njerëzve me zemra të sëmura drejt saj, që duan të kënaqen në mënyrë të paligjshme. Ajo e mbron femrën nga ata që mundohen t’i afrohen asaj me një mënyrë të papërshtatshme.
Sigurisht se gjithnjë ka njerëz që duan t’i shikojnë apo provokojnë gratë, pa marrë parasysh sjelljen apo veshjen e tyre. Megjithatë, mbulesa është një mbrojtje e sigurtë në refuzimin e gjithë sjelljeve të liga.
A thua vallë femra muslimane gjendet sot aty ku e ka caktuar Allahu apo ku e kanë vendosur të tjerët për të ekspozuar bukuritë e saj?
Sot, për fat të keq, shohim shumë gra muslimane që kanë ra pré e një propagande të mbrapshtë dhe gjithnjë e më shumë po zhvishen në mënyrë të paskrupullt.
Femra e zbuluar në mënyrë ekstravagante çdo çast rrezikon të jetë objekt i sulmit apo ngacmimeve. Ajo është joshëse për shikimet pasionante të të tjerëve dhe ndikon në dobësimin e moralit të tyre. Ajo kështu nuk i mbetet lojale dhe besnike natyrës së saj femërore, të cilën e ka zgjedhur Zoti për të.
Mesazhi që jep një grua e mbuluar është "Respekt ndaj meje për atë që jam. Mos shikoni atë që kam mbi kokën time, por atë që kam në kokën time. Unë nuk jam një objekt tundues dhe ngasje nga aspekti epsharak."

Muslimania një margaritar i mbështjellë

Mos harro, o muslimane, se ti je një xhevahir i çmuar që duhet të ruhet dhe mbrohet. Përmbaju mbulesës sepse ajo është nder, respekt e krenari për ty. Për muslimanen mbulesa është urdhër dhe adhurim, prandaj nuk duhet ta neglizhojë dhe as ta nënvlerësojë një urdhër të tillë të Allahut. Muslimania duhet ta mbajë mbulesën islame që të jetë një muslimane shembull dhe model për femrat e tjera. Kështu ajo do jetë e mbrojtur nga rreziku i ngasjes dhe pretendimet e armiqve.
Me mbulesë, muslimania lartësohet sepse merr shembull gratë e Pejgamberit a.s., nënat e besimtarëve. Me mbulesë, ajo është e bindur ndaj Zotit. Muslimania është një margaritar i mbështjellë dhe i ruajtur. E veshur me veshje të denjë dhe modeste ajo është e pajisur me moral dhe virtyte. Pa këto, ajo vështirë se mund të gjejë rrugën e pastërtisë dhe etikës. Ndershmëria dhe etika është çelësi për lumturi dhe rehati. Vetëm kështu muslimania mund të jetë e sigurt dhe e kënaqur.

Bukuria e muslimanes

Bukuria e muslimanes është në moralin e saj dhe jo në grim. Bukuria nuk është në makijazhin e saj, por në sjelljen dhe angazhimin e saj për fenë, në bindjen dhe lojalitetin ndaj Zotit.
Bukuria e muslimanes është në ndershmërinë, thjeshtësinë, dëlirësinë, modestinë, ruajtjen e parimeve, në mirësjellje, mënyrën e jetesës, veshjen islame dhe pastërtinë e zemrës.
Bukuria e muslimanes është në zgjuarsinë e mendjes së saj dhe në punët dhe veprat me të cilat ajo fiton kënaqësinë e Allahut. Makijazhi hiqet me larjen e fytyrës. Ndërkaq, etika dhe morali mbeten. Andaj bukuria qëndron në moral dhe jo në makijazh.
O besimtare për makijazh (kozmetike) përdor:
Për gojën tënde: të drejtën. Për zërin tënd: përmendjen e All-llahut. Për sytë: uljen e shikimit. Për dorën: bamirësinë. Për qëndrimin tënd: këmbëngulësinë tënde në rrugën e Allahut. Për zemrën tënde: dashurinë ndaj Allahut. Për mendjen tënde: diturinë. Për veten tënde: bindjen dhe nënshtrimin ndaj Krijuesit, kurse për pasion tëndin: besimin dhe imanin.
Kështu do të jesh robëreshë dhe besimtare e vërtetë përballë Krijuesit dhe mbretëreshë përballë të tjerëve.


Artikulli i kaluar
Modestia dhe kursimi
Artikulli radhës
Në takim me Ramazanin

Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi