Hafiz Maliq Nezir Jakova - njeri i thjeshtë, luftëtar dhe i nderuar për të gjithë brezat

Nga Mustafa Faja

Në pranverën e vitit 1968, unë, autor i shkrimit isha me punime operative (ushtarake) bashkë me disa shokë në fshatin Stërmas të Tiranës, buzë lumit Erzen.

Këtu pas disa ditësh njihem me mësuesin e moshuar të ciklit të ulët me katër klasë kolektive, para shkatërrimit të institucioneve fetare kishte punuar në to. Sapo e mori vesh që unë isha nga Shijaku m’u shpreh hapur mbi fenë. Quhej Mustafa Gyshi. Se sa ishte apo është e vërtetë më pat thënë: – “Tri xhamitë e para në Shqipëri kanë qenë të ndërtuara në Dibër, Pogradec dhe Bozanxhije të Shijakut. Shijakasit njihen si muslimanë të mirë pas Kavajës. Ka pas Hafiz Maliqin që ishte me emër në gjithë Shqipërinë. Madje ka qenë dhe në Luftën e Shkodrës.
Si i ri dhe me shkollë të mesme që isha e dëgjoja me vëmëndje mësuesin veteran të fshatit nga Tirana.
`Më vonë, pasi mbarova ushtrinë, më ra rasti të punoj si mësues në fshatin Likeshë të Shijakut bashkë me të birin e Hafiz Maliqit, Shefqetin, ku me ardhjen e regjimit demokratik ka drejtuar xhaminë e qytetit. Mësues Shefqeti ku punonim bashkë në fshatin Likeshë në vitet 1972 – 1974 kur doli në pension, në momentin kur ai bënte faljen e orës brenda lokalit të shkollës, unë e ruaja derisa të kryente ritin fetar. E kuptoni vetë pse e bëja këtë?! Më vonë kur doli në pension i kërkova Kur’anin e të atit për ta lexuar. Edhe pse ishte i vjetër ishte shumë i kuptueshëm në përkthim. Mund të thoni cili ishte i ati? Ç’njeri? Si e formoi dinjitetin e tij tek njerëzit ku jetoi? Nga ishte e nga vinte? Si punoi e sa e deshën Hafiz Maliqin do të lexoni më poshtë. Një fjalë e urtë nga krahina e Shijakut thotë: – Dikushi bëhet kur lind nga dikushi. Kështu dhe Maliq Jakova nga Gjakova e Kosovës. Hafiz Maliqi kishte lindur në qytetin e bukur të Gjakovës në vitin 1872. Në shpirtin e tij ishin të gatuar dashuria për atdhe dhe për dije. Pasi njohu propogandën antikombëtare turke dhe synimet shoviniste të Serbisë, në vitin 1909, pasi vendos një gur të rëndë në zemrën e tij, e cila pikonte gjak për vendlindjen, Gjakovën largohet e vendoset njëherë e përgjithmonë në qytetin e vogël e të bukur të Shijakut, buzë Erzenit. Populli bujar i Shijakut e priti dhe e njohu Hafiz Maliqin si njeri i ndershmërisë, dhe i trimërisë. Këto virtyte e bënë që ai të gëzojë respektin e të gjithë popullit të Shijakut, qytet e fshat. Ai, që kur ishte 10 vjeç dhe pse jetim, mbaroi shkollën fillore e të mesme fetare në Gjakovë. Mjedisi patriotik ku jetoi e detyroi të njihej me dashamirësi me Isa Boletinin, me Bajram Currin, Hasan Prishtinën e me shumë patriot të tjerë. Në këto vite ai niset për në Stamboll, për të vazhduar studimet e larta për teologji. Si Shqiptar i vërtetë ai në Stamboll njihet me mentalitetin e atdhetarëve të Rilindjes Kombëtare, si Samiun dhe Naimin. Bile këta e ndihmuan që ai të frymëzohet për të mësuar dhe për të përhapur gjuhën shqipe me alfabetin e Stambollit. Kështu, do s’do për të mirën e kombit shqiptar, Hafiz Maliqi u bë propagandist i madh i mësimeve të gjuhës shqipe. Hyrjeti turk, kur pa që banorët e Kosovës filluan të pajiseshin me idetë atdhetariste, dërgoi në Kosovë për shuarjen e kësaj lëvizjeje një ekspedite ushtarake me në krye oficerin Xhavit Pasha. Serbët filluan pushtimin e tokave shqiptare të Kosovës. Luftërat ballkanike u bënë të rrezikshme dhe për Shqipërinë. Populli shqiptar duhej ngritur për të mbrojtur trojet e tij. Shovinistët malazezë u turrën për të marrë Shkodrën. Kështu, ashtu si në gjithë Shqipërinë nga veriu në jug, edhe në zonën e Shijakut, Hafiz Maliq Jakova filloi të shkonte fshat më fshat. Ai u thonte fshatarëve: – Me hasmin ka vetëm një gjuhë dhe vendoste dorën mbi revolverin që mbante në brez. Kështu filloi dhe tellalli kushtrimin duke i bërë thirrje popullit të zonës së Shijakut për të shkuar për të mbrojtur Shkodrën. Fjalët e tij ishin: – “Ndigjo o milet! Karadaku ka msy Shkodrën. Të mos presim asnjë dekik. Kush e do vatanin të shkruhet gjonli (vullnetar).”
Të parët u shkruan si vullnetarë: Hasan Mahmud Deliallisi, Hafiz Maliq Jakova dhe Ram Kasa.
Ja, si e folklorizon thirrjen për luftë, bejtexhiu shijakas prej Sheteli Lem Biba.
…n’kam o trimat e Shijakut,
t’shkojmë t’i bimë ne Karadakut
e t’luftojmë së bashku sot,
tokës tonë t’i dalim Zot…
tetëqind burra n’kam jan çue
e drejt Shkodrës seç kan shkue
pleq e djem të rij
jo veç nji por tre – katër për ship
kush me pushkë, kush me allti
për me i ra atij Mali t’Zi.
Duke luftuar shqiptarët në Bërdicë e Tarabosh, për kombin e tyre, bejtexhiu

vazhdon:
…dridhu krajl ore kodosh
se ktu i thonë Shkodër loçe
brima e miut pesëqid grosh
nuk asht lehtë me hy ke ne
për pa t’hangër goja dhe
s’e jep kurrë Shqipnin shqiptari
se e ka trashgim nga i pari.

Qerim Bleta, nga fshati Kokëlvorë i Shijakut, më ka treguar: Hafiz Maliqi nga Shijaku ka qenë tamam shqiptar. Para se të shkonim në Luftën e Vlorës ai na thonte: – “T’shkoni e t’lutoni kundër pushtuesit Italian n’Vlonë”. E pra në Luftën e Shkodrës dhanë jetën rreth nëtëdhjetë vetë si: komandanti Hasan Mahmud Deliallisi, Zenel Sure Keçi, Sulejman Dervish Keçi, Halil Ali Domi, Shaqir Ali Dashi, Daut Çalliku, Veli Abazi, Zenun Tusha, Isuf Shahini, etj, etj, etj të zonës se Shijakut. Të plagosur pa numrim. E ndër to i plagosur rëndë dhe zv/komandanti Hafiz Maliq Jakova i cili në ato moment tha fjalët e tij të shenjta: – “Ka vlerë më shumë atdheu se jeta jonë. Jeta jonë i takon atij.” Dikush në këtë luftë la këmbët nga fisi Molla, Arbana, etj. Në themelet e shtëpisë së tij, në faqen e jashtme të murit rrethues, buzë rrugës ndodhet pllaka përkujtimore që i kushtohet këtij patrioti të madh i cili vdiq në vitin 1949. Në shtëpinë ku ai jetoi sot banojnë nipat e mbesat e tij.


Artikulli radhës
Imam Raif Shaban Latifi

Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Kush është Zenel Hoxha ?