“Dhe mos thoni gënjeshtra me gjuhët tuaja: “Kjo është e lejuar, ndërsa kjo është e ndaluar“, që të mos shpifni gënjeshtra për All-llahun. Ata që shpifin gënjeshtra për All-llahun- për ta nuk ka shpëtim”. (En-Nahl, 16.)
Mendimi juridik i Sheriatit (fetva-ja) është paraqitur në ankand publik, e shumë njerëz që kanë fare pak dije të Sheriatit, pa menduar dhe ngurruar fare, japin fetva, të cilat kanë të bëjnë me çështje të rëndësishme të interesit të përgjithshëm. Në një transmetim thuhet: „Ai i cili midis jush është më i guximshmi për dhënien e fetvave, është më i guximshmi edhe për ta duruar zjarrin“. Përveç kësaj, ka edhe prej atyre që pas vetes kanë pesë-gjashtë nxënës dhe veten e konsiderojnë „grupi i ndihmuar dhe i shpëtuar“,ndërsa të gjithë të tjerët janë në lajthitje (të humbur) ose janë renegatë, shpifës dhe mëkatarë. Për ta krerët e shtetit janë jobesimtarë, shkrimtarët të pafe (heretikë), poetët të pamoralshëm, dijetarët të regjimit, daitë mashtrues, nëpunësit zullumqarë, tregtarët gënjeshtarë...
Kështu ka vepruar harixhiu modern kur mikut të vet i ka thënë: “Askush përveçmeje dhe teje nuk do të hyjë në Xhennet!” –Subhanallah! Në Xhenetin gjerësia e të cilit është sa qiejt dhe Toka, do të hyjnë vetëm dy veta!?
Unë po ta lë ty atë! Ky nuk është ai Xheneti, të cilin Allahu i Lartësuar ua ka premtuar robërve të Tij – me habi iu përgjigj miku. Fetvaja është gjykim (mendim), me të cilin myftiu paraqitet në emër të Allahut, mjerë për ata që gabojnë kur paraqiten në emër të Atij që është Një dhe të Cilit I nënshtrohet gjithçka. Secili njeri ka aq shumë lëshime e mëkate në jetë, saqë ato mund ta shtyjnë në detin e pendimit, e çfarë do të ndodh me ata që i marrin edhe gjynahet dhe gabimet e njerëzve të tjerë?!
Rreziku i të folurit mbi fenë e Allahut të Lartësuar pa dije
Allahu (xh. sh.) në Kur’an thotë: “Ata që bënë gënjeshtër ndaj All-llahut, do t’i shohësh në Ditën e Gjykimit me fytyra të nxira”. (Ez-Zumer, 60)
Shejh Abdul-Kerim el-Hudajr, thotë: “Më të merituarit që i atakon ky ajet kuranor, janë ata që japin përgjigje për çështje të Sheriatit dhe flasin për All-llahun pa dije”.(1)
Allahu (xh. sh.) thotë: “Mos iu qas asaj për të cilën nuk ke njohuri, pse të dëgjuarit, të pamurit dhe zemra, për të gjitha këto ka përgjegjësi.” (El Isra, 36).
Shejh Abdurr-Rrahman es-Sa’di, rahimehullah, në tefsirin e tij (2/920) thotë: “D.t.th. mos paso atë për të cilën nuk ke dije (njohuri), por vërtetoje dhe verifikoje mirë atë që flet dhe punon”.
“O ju njerëz, hani nga ajo që është në tokë e që është e lejuar dhe e mirë, e mos shkoni hapave të djallit se ai është armik i hapët i juaji. Ai ju urdhëron vetëm me të këqija e turpësi, dhe ju shtyen të thoni për All-llahun atë që nuk e dini. (El Bekare, 168-169);
“Kur punojnë ata (idhujtarët) diçka të shëmtuar, thonë: “Ne i gjetëm që kështu prindërit tanë, edhe All-llahu na urdhëroi këtë (vizitën rreth Qabes lakuriq). Thuaju: “All-llahu nuk urdhëron të shëmtuarën, a thoni për All-llahun çka nuk dini?” (El E’raf, 28).
Ngurrimi i ulemasë së gjeneratave të para të myslimanëve për të dhënë fetva
Gjeneratat e para të ulemasë i dënonin ashpër ata që, pa një aftësim paraprak shkencor dhe pa përgatitje të duhur, nxitonin të jepnin fetva. Një veprim të tillë e konsideronin dëm të pariparueshëm për Islamin dhe një të keqe të madhe që duhet çrrënjosur.
Imam Buhariu dhe Muslimi, në përmbledhjet e tyre të haditheve, shënojnë hadithin që e transmeton Abdullah ibn Amri r.a. nga Pejgamberi a.s.: “Me të vërtetë All-llahu nuk do ta tërheqë diturinë duke e shkulur nga zemrat e njerëzve, por do ta tërheqë diturinë duke bërë të vdesin dijetarët (ulemaja). E kur të mos mbetet asnjë alim, njerëzit do t’i marrin injorantët (xhahilët) për përfaqësues të tyre, të cilëve do t’u shtrohen pyetje e ata do të japin fetva pa dituri, dhe kështu edhe veten do ta humbin edhe të tjerët do t’i çojnë në lajthitje”.
Imam Ahmedi dhe Ibni Maxhe shënojnë hadithin nga Pejgamberi (s): “Kujt i jepet një fetva që nuk është e bazuar në dije, mëkatin do ta mbartë ai që e ka dhënë fetvanë”. Për këtë arsye ulemaja kanë konstatuar që ai që jep fetva e nuk është kompetent për të, është mëkatar i madh. Ndërsa ai që përkrah myftinë e tillë dhe është përgjegjës për vendosjen/zgjedhjen e tij, po ashtu është mëkatar i madh. Ibnul-Kajimi e transmeton nga Ebil-Ferdi ibnul-Xhevziu, i cili ka thënë: “Autoritetet janë të obliguara të ndalojnë punën e myftiut të tillë, sikurse kanë bërë sundimtarët nga familja e Umejjve”. Ebul-Ferdi vazhdon e thotë: “Myftinjtë e tillë janë sikur ata që të huajve dhe udhëtarëve u tregojnë rrugën, e vetë nuk e dinë, ose sikur ata që nuk e njohin mjekësinë, po i mjekojnë njerëzit. Ata janë shumë më të këqij sesa ata me të cilët i kam krahasuar... Ibni Tejmije kishte qëndrim shumë të ashpër ndaj personave të tillë dhe gjykonte ashpër një raport të tillë të papërgjegjshëm ndaj institucionit të fetvasë. Kur dikush e pyeti një herë: “A ke zgjedhur një vullnetar për fetva”?, u përgjigj: “Vullnetar mund të jetë një gjellëbërës dhe një furrtarë, po myftiu nuk mund të jetë vullnetar”!
Ebu Bekr es-Siddik ka thënë: “Cili qiell do të më mbulojë dhe cila tokë do të më fshehë, nëse them diçka pa dije për librin e Allahut!?(2)
Abdullah ibni Mes’udi r.a. ka thënë: “Me të vërtetë është i marrë (budalla) ai që i përgjigjet çdo pyetjeje që i parashtrohet”.(3)
Hudhejfe (r.a.) ka thënë: “Fetva japin vetëm tre lloj njerëzish: ai që i njeh ajetet deroguese dhe te deroguara, sundimtari që nuk ka rrugëdalje, dhe i marri me ngarkesë”. Pasi përcolli këtë transmetim, Ibni Sirini tha: “Sa për mua, unë nuk jam asnjëri nga dy të parët, e nuk do të doja të isha as si i treti”.(4)
Ibn Hazëm el-Endelusi ka thënë: “Nuk ka dëm më të madh për diturinë dhe bartësit e saj se ata që janë futur në mes tyre, e nuk u takojnë atyre. Ata janë injorantë, e mendojnë se dinë diçka dhe bëjnë rrëmujë (përçarje) e mendojnë se e përmirësojnë gjendjen”.(5)
Ibn Abdul Berr transmeton që Imam Maliku hyri te shejhu i tij Rabiatu Re’j, i cili po qante. Ai e pyeti: Përse po qan? A të ka ndodhur ndonjë fatkeqësi? Ai tha: Jo, veçse janë pyetur për fetva ata që nuk kanë njohuri, prandaj në Islam ndodhën gjëra të mëdha. Disa që japin fetva, janë më të merituar të burgosen se hajdutët.(6)
Paraardhësit tanë të mirë, ulematë, kishin frikë kur duhej të jepnin ndonjë feta dhe mendonin gjatë e me themel para se të sillnin ndonjë fetva, e nganjëherë tërhiqeshin dhe refuzonin t’u përgjigjeshin pyetjeve të shtruara, dhe e respektonin atë që për gjërat për të cilat nuk kishte njohuri, thoshte: “Nuk e di”. I gjykonin dhe i sulmonin ashpër ata që merrnin guximin t’i qaseshin kësaj pune duke mos u kushtuar vëmendje pasojave të neglizhencës së tyre. Ata e bënin këtë për të treguar rëndësinë dhe seriozitetin e saj duke ndier nga larg pasojat. Të parët që kishin një qëndrim të tillë ndaj institucionit të fetvasë, ishin as’habët. Shumë prej tyre nuk kishin guximin t’u përgjigjeshin meseleve derisa të mos këshilloheshin me ndonjë koleg të tyre dhe të kërkonin mendimin e tyre, edhe pse atyre u ishte dhuruar largpamësia, pastërtia shpirtërore, korrektësia dhe ndihma e Allahut. Ata e merrnin për shembull Pejgamberin (a.s.), i cili, kur pyetej, ndonjëherë nuk përgjigjej para se atë pyetje t’ia shtronte Xhibrilit, i cili pastaj ia përcillte zgjidhjet nga Zoti i qiejve.
Katër Halifët e Drejtë
Kështu vepruan edhe Katër Halifët e Drejtë, edhe pse Allahu ua kishte hapur thesaret e diturisë. Kur shtroheshin para tyre çështje dhe raste për zgjidhjen e
të cilave kërkonin qëndrimin dhe zgjidhjen e Sheriatit, ata i mblidhnin as’habët e shquar dhe kërkonin prej tyre këshilla dhe i konsultonin mendimet e tyre. Këtu mund të shohim metodën e dhënies së përbashkët (me xhemat) të fetvasë, mbi bazat e së cilës është zhvilluar ixhmai në periudhën e parë. Disa as’habë refuzonin të jepnin fetva dhe atë çështje ua të tjerëve ose përgjigjeshin me fjalët: “Nuk e di”. Utbe ibn Muslim thotë: “Unë kam qenë në shoqërinë e Ibni Omerit gati tre vjet. Kur i bëheshin pyetje, ai përgjigjej shpesh: “Nuk e di”. Ibn ebi Lejla ka thënë: “Jam takuar me 120 as’habë ensarë, kur ndonjëri prej tyre pyetej për ndonjë problem, e dërgonte të interesuarin tek ndonjë as’hab tjetër, e ky e dërgonte tek i treti e kështu me radhë derisa pyetja nuk e kalonte rrethin dhe kthehej përsëri tek i pari, tek ai që ishte pyetur në fillim. Po ashtu, kur pyeteshin për diçka, ose kur kërkohej prej tyre të transmetohej ndonjë hadith i Pejgamberit (a.s.), ata të gjithë i jepnin përparësi vëllait të vet në fe. Ata ibn Es Saib (r.a.) thotë: “Kam takuar njerëz, të cilët dridheshin sikur t’i kishte goditur rrufeja, kur u bëhej ndonjë pyetje për diçka”. Umer ibnul Hatabi (r.a.) ka thënë: “Ai që është më trimi dhe më i guximshmi prej jush, kur është fjala për dhënien e fetvasë, ai është më i guximshmi që të kapë zjarrin e xhehenemit!”
Tabiinët (gjenerata e dytë e muslimanëve që erdhën pas ashabëve)
Nëse shikojmë çfarë qëndrimi kanë pasur ndaj fetvasë tabiinët, do të shohim që prijësi i tyre, juristi më i mirë dhe më i pjekuri Se’id ibnul-Musejjib, nuk kishte zakon të jepte fetva, por shpesh thoshte: “O Allah, Më ruaj mua, po edhe të tjerët prej meje”. El-Kasim ibn Muhammedit (njëri nga shtatë juristët e njohur të Sheriatit në Medinë) iu bë një pyetje lidhur me një çështje, e ai u përgjigj: “Nuk marr vesh shumë në të”, e bashkëbiseduesi i tha: “Kam ardhur tek ti, sepse nuk di njeri tjetër përveç teje, i cili do të mund të më përgjigjej”. El-Kasimi atëherë i tha: “Mos e shiko gjatësinë e mjekrës sime dhe kallaballëkun e njerëzve rreth meje! Për All-llahun, nuk e njoh mirë atë që më pyete”. Një plak me nam nga
Kurejshitët, i cili ishte ulur pranë Kasimit, tek e dëgjoi këtë, tha: “O axha im, përgjigju atij”! “Pasha Allahun, më shumë do të doja ta ma presin gjuhën sesa ta them atë që nuk e di”! Prej Sha’biut është kërkuar që t’i përgjigjej një pyetjeje të shtruar, e ai u përgjigj “nuk e di”. I thanë: “A nuk të vjen turp të thuash “nuk e di”, po ti je jurist i njohur dhe me famë në Irak”? Sh’abiu ua ktheu me këto fjalë: “Po melaqet nuk u turpëruan kur thanë: Subhaneke la ilme lena il-la ma al-lemtena...”. (El Bekare, 32)
Imamët e njohur: Ebu Hanife:
Hatib el-Bagdadi transmeton, duke cituar zinxhirin e tij të transmetuesve, i cili arrin deri tek Ebu Jusufi, i cili thotë: “E kam dëgjuar Ebu Hanifen të ketë thënë: “Kam frikë prej All-llahut para të Cilit do të përgjigjem nëse zhduket dituria (mendon për njohjen e dispozitave të All-llahut xh. sh.). Po të mos ishte kjo, askujt nuk do t’i jepja fetva e cila atë ta bëjë të lumtur, e për mua të jetë barrë të cilën nuk do të mund ta mbaj në Ditën e Gjykimit”.
Shafiu:
U pyet Imam Shafiu për një çështje dhe heshti. I thanë – A nuk po përgjigjesh?! Tha – (Jo) Derisa ta di (ta pyes zemrën time) nëse është më mirë të përgjigjem apo të hesht”.
Malik ibn Enes:
Ai e kishte zakon të thoshte: “Kujt i shtrohet ndonjë pyetje, para se të përgjigjet, duhet ta kujtojë Xhennetin dhe Xhehennemin dhe të pyesë se cili do të jetë fundi i tij në Ahiret, e pastaj mund t’i përgjigjet pyetjes së shtruar”. Ibnul-Kasim thotë: “E kam dëgjuar Malikun duke thënë: “Me të vërtetë mendoj për zgjidhjen e një problemi dhe përgjigjen e drejtë për të më shumë se dhjetë vjet, e edhe sot e kësaj dite akoma nuk e kam formuluar qëndrimin tim lidhur me atë pyetje”.
Ahmed ibn Hanbeli:
Ebu Davudi në një rast tha: “E kam dëgjuar Ahmed ibn Hanbelin, pasi i ishte bërë një pyetje, ai ishte përgjigjur: “Mos më bëj pyetje, të cilat janë rezultat i situatave të sapokrijuara”! Si mund ta lëmë të ardhmen e pasardhësve tanë dhe fatin e Ymetit tonë në duart e njerëzve, të cilët japin fetva për çështje, për të cilat janë stepur të mëdhenjtë prej dijetarëve. Po sikur ato pyetje t’i ishin shtruar Omer b. El-Hatabit, ai do t’i tubonte të gjithë pjesëmarrësit në luftën e Bedrit, që të këshillohej me ta”.
___________________
1) “Sheru durusil-muhimme li ammetil-umme”, f. 94.).
2)(shih. Xhami’u bejanil-ilmi ve fadlih” 2/41 nga Ibnu Abdil-Berri)
3) (shih. I njëjti burim: 2/48)
4) (shih: “Xhami’ubejanil- ilmi ve fadlih” nga Ibn Abdil –Berri).
5) (shih: “Ahlak ve sijer”, fq. 67 nga Ibni Hazmi).
6) (Edebu mufti vel mustefti od En Nevevija f. 85.)