Hafiz Xhemal Mullaj (1881-1959)

Kryetar i Shoqërisë “Bashkimi”, Stamboll, Deputet, Nënkryetar i Asamblesë

Hafiz Xhemal Mullaj lindi në Dibër të Madhe në marsin e vitit 1881, në vitet e lavdishme të shprehjes së ndërgjegjes kombëtare shqiptare, Lidhjes së Prizrenit. Ishte bir i një familjeje të mesme qytetare. I ati, Haxhi Shaqiri, ishte hoxhë, si edhe i gjyshi dhe stërgjyshi i tij. E ëma, Ruzhdia, ishte vajza e vetme e Abedin Junzagollit, që kishte marrë emrin Habe Karadaku, për shkak të trimërisë së tij në luftërat për mbrojtjen e trojeve shqiptare, kundër ekspansionit serbo-malazez. Xhemali u rrit në një mjedis me tradita patriotike.

Në moshë shumë të re kreu hafizllëkun dhe mbaroi shkollën fillore në Dibër. Që në rininë e hershme u njoh me patriotë të shquar, siç ishte Ismail Pashë Saraçi, që jetonte në Stamboll dhe ishte një nga njerëzit më të pasur të perandorisë. Ky e mori me vete në Stamboll, duke çmuar inteligjencën e tij. Kështu ai mundi të kryente studimet e larta në teologji e më vonë, në drejtësi. U emërua pedagog i teologjisë në Universitetin e Stambollit dhe pastaj, anëtar i Gjykatës Islame. Asnjëherë nuk e pushoi veprimtarinë patriotike dhe pikërisht prandaj u zgjodh kryetar i Shoqërisë “Bashkimi” të shqiptarëve të Stambollit, si dhe drejtues i gazetës “Paqi”, që nxirrte kjo shoqëri. Ndonëse hoxhë, në ballkonin e klubit shqiptar të Stambollit, i përqafuar me priftin Pere Bonati, ngriti flamurin e Shqipërisë (28 Nëntor 1912). Atë ditë fëmijët e shqiptarëve të Stambollit, veshur me uniformën kuq e zi, i kishin mbushur tramvajet e kryeqytetit të perandorisë.

Në kohën e konferencës së paqes në Paris, më 1919, si drejtues i klubit ka punuar pa u lodhur për njohjen e Shqipërisë nga konferenca. Madje klubi kishte dërguar një delegacion në Paris. Ky delegacion financohej kryesisht nga Fuat bej Dibra, i biri i Ismail Pashë Saraçit, kryetarit dhe organizatorit të Kongresit të Dibrës më 1909. Ai fliste gjithnjë për përpjekjet e bëra me këtë rast e për telegramet që këmbente klubi me delegacionin e Parisit, me anë të flotës amerikane të ankoruar në brigjet e Stambollit.

Kur u mblodh Asambleja e parë kombëtare në Tiranë ai erdhi në Shqipëri si asamblist, përfaqësues i shqiptarëve të Turqisë. Në Tiranë u zgjodh nënkryetar i Asamblesë dhe si jurist, dha një kontribut të çmuar në përpilimin e ligjeve themelore të shtetit të ri shqiptar. Kështu ai erdhi përfundimisht në Shqipëri bashkë me familjen. Mundi të kthehej në Turqi vetëm si përfaqësues i qeverisë shqiptare (në vitin 1927), kur bashkë me patriotin Rauf Fico, arritën të nënshkruajnë marrëveshjen për mospranimin e kosovarëve që shpërnguleshin në Turqi, gjë që ndihmoi në ruajtjen e identitetit kombëtar të Kosovës.

Deri më 7 prill 1939 qe gjithnjë deputet i Dibrës dhe kryetar i komisionit të drejtësisë në parlament. Si i tillë dha një ndihmesë të çmuar në hartimin e Kushtetutës së shtetit shqiptar, duke këmbëngulur që Shqipëria të mbetej republikë. Ndihmoi në pajtimin e kthimin e deputetëve të Shkodrës, kur ata u larguan nga parlamenti, të zemëruar sepse Shkodra nuk u shpall kryeqytet.

Si teolog i shquar e njeri që i dëgjohej fjala midis myslimanëve të vendit, mbajti fjalimin e rëndësishëm argumentues për heqjen e perçes, duke u mbështetur në njohjen e thellë të fesë islame. Në çdo detyrë që i është ngarkuar, ai ka dalë faqebardhë e ka treguar një ndershmëri të admirueshme. Një rast i tillë, p.sh., ka qenë në kohën e krizës kur në zonat e thella malore ndaheshin ndihma në drithëra buke dhe kur ai nuk lejoi e demaskoi çdo abuzim. Të gjitha këto janë të pasqyruara në dokumentet që botonte parlamenti i kohës dhe në materialet e Arkivit të Shtetit.

Kur qeverisë shqiptare iu dorëzua ultimatumi fashist në prill të vitit 1939, ai mbajti një fjalim të zjarrtë në parlament, duke kërkuar arrestimin e të gjithë italianëve që në atë kohë ndodheshin në vendin tonë, si kundërpërgjigje. Prandaj, pas pushtimit të vendit, në qershor të vitit 1939, u arrestua e u burgos. Pas dy muajsh u internua në Itali, me porosi që të vendosej në një vend ku nuk kishte studentë shqiptarë. Kjo sepse dihej botërisht se gëzonte një dashuri e respekt të vërtetë midis popullit të thjeshtë e sidomos midis të rinjve. Internimi për 5 vjet motivohej me fjalët: “Njeri me influencë në Shqipërinë e mesme e veriore, armik i betuar i fashizmit”. Ai ka qenë një patriot i vërtetë, një njeri i ndershëm në kuptimin më të thellë të kësaj fjale, i pakorruptueshëm e i papërlyer. Dera e shtëpisë së tij ka qenë gjithnjë e hapur për të gjithë nevojtarët dhe kjo mund të dëshmohet, jo vetëm nga dibranët, por edhe nga shumë njerëz të krahinave të tjera, që i janë drejtuar atij për ndihmë e përkrahje. Si njeri i thjeshtë, që kishte arritur të arsimohej vetëm në sajë të vullnetit të tij të hekurt, ishte arsimdashës dhe përkrahës i flaktë i të rinjve që donin kulturën. Ndaj të shumtë janë ata që, me ndihmën e tij të pakursyer, kanë mundur të kryejnë studimet e larta jashtë shtetit. Dhe kjo në një kohë kur shumë të tjerë mendonin se Shqipërisë nuk i duheshin njerëz me arsim të lartë.

Si njohës i thellë i fesë islame, me kulturë të gjerë e shpirt liberal, e shquante toleranca e Rilindësve tanë të mëdhenj. Ndaj në shtëpinë e tij vinin njerëz të besimeve të ndryshme, si edhe kundërshtarë të regjimit dhe ai përpiqej t’i ndihmonte, pa iu trembur pasojave.

Ai ishte i pajisur me shpirt bujar e zë të mrekullueshëm. Kur këndonte ndonjë sure të Kur’anit, njerëzit qanin nga mallëngjimi. Madje edhe kur ishte i internuar në Bergamo të Italisë, ata që e dëgjonin zërin e tij aq prekës e të edukuar, e quanin “njeri të shenjtë” dhe iu drejtuan Vatikanit që ai të lirohej nga internimi para afatit të caktuar.

Gjatë viteve 1943-1944 (pas kthimit nga internimi në Itali), Hafizi për moshën që kish (63 vjeçar), nuk u aktivizua në politikë, por pa punën e tij, duke iu përkushtuar vetëm fesë si mësues në Medrese. Gjatë kësaj kohe materialisht ndihmoi luftën kundër okupatorit, duke besuar në drejtësinë e kësaj lufte. Por shumë shpejt ai u bind se fitorja e komunizmit në Shqipëri qe një pushtim i ri edhe më i zi se i mëparshmi.

Në vitin 1947 iu shtetëzua shtëpia e iu sekuestruan orenditë e saj. Më pas u nxor nga shtëpia ku banonte me qira dhe përdhunisht u vendos në Laprakë.

Edhe kjo nuk i kënaqi pushtetarët e kuq; e larguan për në Durrës, pa i siguruar as banesë, as mjete jetese. Të njohurit e morën në shtëpitë e tyre dhe besimtarët e ndihmonin për të jetuar.

Meqë në Durrës u bë tepër popullor, e sollën në Tiranë ku jetoi në kushte jashtëzakonisht të vështira ai familjarisht dhe familja e vajzës së tij që e strehoi.

Komuniteti Mysliman përpiqej ta ndihmonte duke e emëruar mësues në Medrese, por shpejt një presion nga lart e nxirrte në rrugë të madhe.

Gjatë kësaj kohe ai dhe familja e tij nuk u pajis as me triskë ushqimesh, as me triskë fronti.

Një humbje e madhe ishte shkatërrimi i bibliotekës personale të tij, që përmbante me mijëra vëllime të karakterit teologjik e juridik, të letërsisë turko-arabe-perse, gjuhë të cilat i zotëronte shkëlqyeshëm. Por biblioteka e tij kishte edhe të gjitha botimet e rilindësve, si dhe koleksionet e gazetave shqiptare, që dilnin në gjuhën shqipe. Nuk i shpëtoi humbjes as pjesa e bibliotekës që Hafiz Xhemali i dhuroi Medresesë së Tiranës pas shkatërrimit të kësaj të fundit në vitet 1960. Hafiz Xhemali, ky njeri i thjeshtë e me zemër bujare, që la gjithçka që kishte siguruar me mund e sakrifica në Turqi dhe erdhi në atdhe për t’i shërbyer vendit të tij, vdiq në mjerim, në një dhomë të errët, në shkurt të vitit 1959.

Me gjithë persekutimet e padrejta që pësoi nuk u pendua për kthimin në atdhe; ai gjente ngushëllim te kontributi i tij i madh për çështjen e atdheut si dhe për edukimin fetar të të rinjve të Medresesë së Tiranës. Njerëzit që e kanë njohur si dhe nxënësit e tij e kujtojnë me respekt Hafiz Xhemalin që të gjitha aftësitë e tij intelektuale fetare i vuri në shërbim të përsosjes atdhetare e morale të shqiptarëve./DI/


Artikulli radhës
Imam Raif Shaban Latifi

Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Kush është Zenel Hoxha ?