Beteja e madhe e Bedrit.

Falënderimi i takon Allahut. Atë e falënderojmë dhe prej Tij falje dhe ndihmë kërkojmë. Kërkojmë mbrojtje nga Allahu prej të këqijave të vetvetes dhe të veprave tona. Kë e udhëzon Allahu, s’ka kush e lajthit, dhe kë e largon nga rruga e vërtetë, s’ka kush e udhëzon. Dëshmoj se s’ka hyjni tjetër përveç Allahut, i Cili
është Një, dhe dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i dërguar i Tij.
Allahu xh.sh. në Kuranin famëlartë, urdhëron e thotë: “Allahu u ndihmoi ju në Bedër, kur ishit pak në numër, e për të qenë mirënjohës, kini frikë nga Zoti.”(1)

Të nderuar xhemat,
Në muajin e bekuar të Ramazanit, përveç shumë ngjarjeve të rëndësishme, ka ndodhur edhe Beteja e Bedrit, që është beteja e parë dhe më e rëndësishme në historinë islame. Ne për çdo vit e përkujtojmë Natën e Bedrit (Lejletul- Bedrin) të 16 Ramazanit të vitit 624 (viti i dytë hixhrij), që sivjet është ditën e martë në mbrëmje, më 16 shtator 2008. Në atë betejë mori pjesë edhe vetë Pejgamberi s.a.v.s. Ngjarja është zhvilluar në vendin e quajtur Bedër, në jugperëndim të Medinës, në largësi rreth 150 km.(2)

Shkaqet e betejës

Si shkak i betejës në Bedër konsiderohet dalja e Pejgamberit s.a.v.s., me një grup ashabësh për të takuar karvanin e kurejshëve, i cili po kthehej nga Shami në Mekë. Nuk ishte planifikuar ndonjë përleshje me përmasa të mëdha. Kur merr vesh Ebu Sufjani, udhëheqësi i karvanit, kërkon ndihmë në Mekë dhe atij i përgjigjen rreth 1000 luftëtarë (prej tyre 500 me parzma, me 100 kuaj dhe rreth 700 deve). Pas tyre shkonin robëreshat dhe këngëtaret, të cilat, me dajre e këngë inkurajonin luftëtarët, po edhe ofendonin Islamin dhe myslimanët. Në anën tjetër, myslimanët ishin me armatim shumë më të dobët. Përveç kësaj, ishin edhe tri herë më pak në numër. Historianët theksojnë numrin prej 313 ose 314 luftëtarësh. Kishin 70 deve dhe vetëm dy apo tre kuaj. (Nga radhët e muhaxhirëve kishte pak më tepër se 80
veta, nën komandën e Ali b. Ebi Talibit r.a., të tjerët, shumica ishin ensarë – 61 nga fisi Evs, kurse 170 nga fisi Hazrexh, nën komandën e Sa’d b. Muadhit r.a.(3).

Vëllezër të dashur,
I Dërguari s.a.v.s. dhe ashabët dolën në Bedër, që t’i kundërviheshin forcës dhe dhunës, që ta ndryshonin historinë, t’i hapnin rrugën fesë së vërtetë, lirisë, drejtësisë, mëshirës dhe humanizmit. Në fjalimin e tij para betejës, i Dërguari s.a.v.s., ashabëve të tij nuk u jep udhëzime për veprime gjenocidi apo shkatërrimi, por në mënyrë të qetë u drejtohet me këto fjalë:

Fjalimet para betejës

“Falënderimi i qoftë Allahut, Krijuesit të botëve. Ju inkurajoj ta ruani Islamin! Për këtë ju udhëzon Allahu! Ju largoj nga dhuna, edhe Krijuesi juaj këtë jua ndalon! Allahu është i Madhërishëm, urdhëron të vërtetën dhe përcakton drejtësinë. Ai u jep të mira atyre që e meritojnë, sipas gradave që kanë te Krijuesi i tyre. Njerëzit në mes tyre, sipas së mirës, dallohen dhe përmenden. Keni ardhur në Bedër, në vendin e sprovës së vërtetë, tek Allahu pranohet vetëm ajo vepër me të cilën Ai është i kënaqur. Përmes durimit, Allahu xh.sh. në momentet vendimtare u heq brengën dhe i shpëton njerëzit nga vuajtjet dhe vështirësitë. Përmes durimit arrihet shpëtimi për të dy botët. Kini kujdes për detyrat që Allahu xh.sh. ua ka përcaktuar në Kuran, mos i harroni obligimet që jua ka mësuar Ai me ajetet e Tij. Pranoni me forcë veprat me të cilat Krijuesi juaj do të jetë i kënaqur. Tregoni besimin tuaj para Krijuesit tuaj dhe, në këtë vend, në Bedër, do ta meritoni mëshirën dhe faljen e Tij, që ju është premtuar. Premtimi i Allahut është i vërtetë. Mbrojtja e Tij është forca dhe siguria jonë. Vetëm Atij i lutemi për ndihmë, Atij i mbështetemi dhe tek Ai kthehemi. Allahu më faltë mua dhe besimtarët”(4).
Pastaj u çua Ebu Bekri dhe foli shumë bukur. U çua Omeri dhe foli shumë bukur. Pastaj u çua Mikdadi: “Për Zotin, o i Dërguari i Allahut,- tha ai, - ne nuk themi ashtu siç i thanë benu-Israilët Musait a.s.: “…Shko pra ti e Zoti yt dhe luftoni, sepse ne po rrimë këtu.” (5:24) “Ne do të luftojmë djathtas teje dhe majtas teje, para teje dhe prapa teje.” I Dërguari s.a.v.s. u gëzua dhe i ndriçoi fytyra nga këto fjalë. “Më tregoni, o myslimanë, ç’mendim keni?”,- iu drejtua i Dërguari s.a.v.s. U ngrit Sa’ad ibn Muadhi, kryetari i ensarëve, dhe tha: “Më duket se po na drejtohesh neve, o i Dërguari i Allahut. Unë betohem për Zotin që të ka dërguar ty me të drejtë pejgamber se, sikur të na urdhërosh të hyjmë në det, ne futemi menjëherë të gjithë. Nesër, ne jemi gati t’i bëjmë ballë armikut bashkë. Ne jemi durimtarë në luftë dhe të vendosur e të patundur kundër armikut. Ndoshta Allahu do të ta tregojë ty trimërinë tonë, që ti të gëzohesh. Prandaj, marsho, o i Dërguar, bashkë me ne, drejt të mirave të Allahut! Për Zotin, që të ka dërguar ty pejgamber, sikur t’i lodhim devetë tona edhe deri në Berkul Gimad, ne do të vijmë pas teje”.(5)

Besimtarë të nderuar,
Pas kësaj paraqitjeje të vendosur të prijësit të ensarëve, i Dërguari s.a.v.s. propozoi vendin ku do ta prisnin armikun. Mirëpo, i Dërguari s.a.v.s. e ndërroi vendin pas propozimit edhe më të mirë të Habbab bin Mundhirit r.a. dhe atëherë myslimanët zunë pozitën që u mundësonte t’ua prisnin ujin idhujtarëve. Pejgamberi s.a.v.s., e dëgjoi këshillën e Hababit dhe e zhvendosi kampin e tij në vendin e zgjedhur nga Hababi. Më pas Sa’d bin Muadhi në një vend paksa të ngritur, ngriti një çadër për Pejgamberin s.a.v.s., prej nga do të drejtonte ushtrinë. Pejgamberi u kujdes që njerëzit e tij të ishin të gatshëm për betejë dhe i urdhëroi që të mos ishin ata të parët që do të nisnin betejën.

Zhvillimi i betejës

Dy ushtritë ndodheshin përballë njëra- tjetrës. Situata u rëndua dhe hija e vdekjes ra mbi luginë. Pejgamberi, paqja qoftë mbi të, e dinte se nga rezultati i kësaj beteje varej fati i myslimanëve dhe i Islamit. Kjo ishte një betejë në mes Islamit dhe Mosbesimit, në mes së Vërtetës dhe së Kotës. Ai ra në sexhde dhe E luti Allahun: “O Allah! Nëse ky grup myslimanësh mposhtet, në këtë botë s’do të mbetet më njeri që do të Të adhurojë!” I pari nga myslimanët që hyri në dyluftim, ishte Hamza bin Abdulmutalibi, xhaxhai i Pejgamberit, i cili vrau një pabesimtar që u përpoq të arrinte pellgun e ujit për ta shkatërruar. Kjo ishte nisja e betejës. Më pas tre luftëtarë kurejshë dolën në shesh dhe sfiduan tre myslimanë. Hamza bin Abdulmutalibi, Ali bin Ebu Talibi dhe Ubejde bin Harithi ishin myslimanët që pranuan sfidën. Hamza dhe Aliu i mposhtën shpejt kundërshtarët e tyre, kurse Ubejdeja dhe kundërshtari i tij plagosën rëndë njëri-tjetrin. Të zemëruar nga kjo humbje, kurejshët derdhën mbi myslimanët një shi shigjetash dhe pastaj u hodhën në sulm. Ata sulmuan si dallgë dhe humbën shumë ushtarë, por nuk qenë në gjendje të thyenin rreshtat e myslimanëve. Myslimanët pritën derisa armiku harxhoi fuqinë dhe pastaj u hodhën në kundërsulm me ashpërsi dhe me forcë duke i marrë përpara armiqtë. Pejgamberi s.a.v.s., ishte në vijën e parë të frontit dhe i udhëhiqte myslimanët duke lexuar Kuran me zë të lartë dhe duke lutur Allahun. Pasi pësoi një humbje të madhe, ushtria e kurejshëve mori arratinë, kurse myslimanët i ndoqën dhe zunë shumë robër. Por, Ebu Xhehli nuk e pranonte lehtë humbjen. Ai u përpoq të riorganizonte ushtrinë e thyer, po mbeti vetëm me disa heshtëtarë për ta ruajtur. Muadh bin Amri u nis drejt Ebu Xhehlit dhe e goditi me shpatë, kurse një mysliman tjetër e shpoi atë me heshtë dhe e vrau.

Të nderuar xhemat,
Humbja e pabesimtarëve ishte e madhe: 70 të vrarë, në mesin e tyre 20 komandantë, dhe 70 të tjerë të zënë robër. Në këtë betejë u vranë 14 myslimanë.
Lajmi i fitores së myslimanëve mbërriti në Medinë, dhe qyteti u gëzua. Megjithatë medinasit nuk mund t’u besonin syve kur më 23 Ramazan Pejgamberi dhe shokët e tij hynë triumfalisht në Medinë, duke mbajtur prapa edhe 70 robër. Kjo ishte Beteja Madhështore e Bedrit, që u zhvillua në Ramazan. Asnjë betejë tjetër nuk ka qenë më vendimtare në historinë e Islamit. Përpara saj myslimanët ishin të dobët dhe të persekutuar vazhdimisht nga armiqtë. Pas kësaj beteje ata dolën në skenë si një komb i fuqishëm, vetëm falë ndihmës së Allahut të Madhëruar, i Cili ka fuqi mbi çdo gjë!6

Ç’mund të mësohet nga Beteja e Bedrit(7)

Mësimi më i rëndësishëm dhe më i dobishëm, që mund ta marrin myslimanët sot nga kjo betejë e lavdishme, është bindja e fortë e besimtarëve dhe sigurimi në ndihmën e Allahut, pa marrë parasysh forcën, gatishmërinë dhe kompaktësinë e armikut të kësaj feje. Duke përshkruar të Dërguarin s.a.v.s. dhe besimtarët, Allahu xh.sh. thotë: “E atyre (shokëve të Pejgamberit) që dikush u tha: “Populli (idhujtarët) është tubuar t’ju sulmojë, pra kini frikë!” Ajo, vetëm ua shtoi edhe më shumë besimin e thanë: “Neve na mjafton që kemi Allahun, Ai është mbrojtësi më i mirë!”(8)
Natyrisht, krahas kësaj bindjeje dhe sigurie, është e domosdoshme të plotësohen edhe disa kushte, për të arritur fitoren e sigurt dhe të qartë. Jo rastësisht, kushtet janë përmendur në suren el-Enfal, e cila është shpallur me rastin e betejës së Bedrit. Shkurtimisht, fjala është për këto kushte:

Sinqeriteti

Allahu xh.sh. thotë: “Mos u bëni si ata që dolën prej shtëpive të tyre sa për krenari e për t’i parë bota, e që pengonin nga rruga e Allahut. Allahut nuk mund
t’i shpëtojnë me atë veprim të tyre.”(9)
Sinqeritet, sipas disa dijetarëve, do të thotë barazim i anës së brendshme me anën e jashtme, kurse kulmi i sinqeritetit është që e brendshmja të jetë më e mirë se e jashtmja. Fatkeqësisht, jo rrallë, nga goja e atyre që punojnë për fenë e Allahut, mund të dëgjohet: “Unë punoj, kurse ai e ai jo. Unë e përcjell të vërtetën, kurse ai e ai e zbulon. Unë u ndihmoj myslimanëve, kurse ai e ai i ka lënë në lëndinë…”, etj. që tregon qartë për zvogëlimin apo në humbjen e tërësishme të sinqeritetit (Allahu na ruajttë nga kjo!).
Imam Ibnul-Kajjimi thotë: “Është e domosdoshme të ruhemi nga shprehjet si: “Unë”, “Tek unë”, sepse me to janë sprovuar Iblisi, Faraoni dhe Karuni”. Iblisi ka thënë: “Unë jam më i mirë se ai (Ademi a.s.)”. Faraoni ka thënë: “Unë kam pushtet mbi tërë Egjiptin”. Kurse Karuni ka thënë: “Këtë që kam unë, e kam fituar me diturinë që kam”. Vendi më i mirë ku është përdorur fjala “Unë”, janë fjalët e njeriut: “Unë jam rob i Allahut mëkatar, i cili e pranon mëkatin dhe kërkon falje nga Allahu”. Vendi më i mirë ku është përdorur fjala “kam”, janë fjalët e njeriut: “Kam shumë mëkate, kam shumë gabime”. Vendi më i mirë ku është përdorur fjala “tek unë”, janë fjalët e Pejgamberit s.a.v.s., në hadithin që transmeton Imam Buhariu: “Më fal edhe atëherë kur jam serioz, edhe atëherë kur nuk jam, kur veproj diçka me gabim edhe kur veproj me qëllim. Krejt këto gjenden tek unë”. (Zadul-Mead, 2/37).

Harmonia dhe bashkimi

Allahu xh.sh. thotë: “O ju që besuat, kur të konfrontoheni me ndonjë grup…”(10), “Dhe Ai është që bashkoi zemrat e tyre. Edhe sikur ta shpenzoje gjithë atë që është në tokë, nuk do të mund t’i bashkoje zemrat e tyre, por Allahu bëri bashkimin e tyre, sepse Ai është i Gjithëfuqishëm, i Urtë.”(11)
Është interesant se Allahu xh.sh. në Kuran nuk i drejtohet kurrë individit, për urdhëresë apo ndalesë, por i drejtohet kolektivit: “O besimtarë”, “O ju njerëz”,në mënyrë që, sipas mendimit të disa dijetarëve, të vërë në dukje rëndësinë e bashkësisë dhe punës kolektive, si dhe të tërheqë vërejtjen për faktin se vepra atij që i ndan dhe përçan myslimanët, është e mangët, e dobët dhe e parëndësishme.

Respektimi i Allahut dhe të Dërguarit Tij

Allahu xh.sh. thotë: “Respektoni Allahun dhe të dërguarin e Tij…”(12), “O ju që besuat, përgjigjuni (thirrjes së) Allahut dhe të të dërguarit kur ai (i dërguari) ju fton për atë që ju jep jetë…”(13)
Gjatë punës për fenë e Allahut, nuk është e rëndësishme sasia dhe shuma, por me rëndësi është që ajo që është bërë, të jetë në pajtim me Kuranin dhe Synetin e Pejgamberit s.a.v.s. Pejgamberi s.a.v.s., tre ashabëve që ishin zotuar se do të bënin vetëm ibadet duke i braktisur krejtësisht kënaqësitë e kësaj bote, u kishte thënë: “Unë jam më i devotshmi ndër ju, dhe megjithëkëtë agjëroj edhe e ndërpres agjërimin, fal namaz edhe fle, edhe martohem. Kush largohet nga Syneti im, nuk është prej meje (d.t.th. Nuk është në udhëzimin tim)”(14).

Shmangia e diskutimit dhe grindjes

Allahu xh.sh. thotë: “…e mos u përçani në mes jush, e të dobësoheni e ta humbni fuqinë (luftarake)…”(15)
Pejgamberi s.a.v.s., ka thënë: “Asnjë populli nuk i është dhënë diskutimi (grindja) e të mos jetë lajthitur”. Natyrisht, këtu mendojmë për diskutimin që nuk i përmbush kriteret e diskutimit islam (që sot është bazë për diskutim) siç janë: njohja rrënjësore e asaj për të cilën diskutohet, respekti reciprok i pjesëmarrësve në diskutim, ruajtja e nderit, autoritetit dhe mendimit të mirë për vëllanë, edhe nëse gjatë diskutimit nuk pajtohet me ne, etj. Jemi dëshmitarë që në trojet tona bëhen shumë diskutime që sjellin rezultate të dëmshme, i largojnë myslimanët edhe ashtu të larguar nga njëri tjetri, dhe ato krijojnë pasqyrë të gabueshme për Islamin tek ata që e njohin pak, ashtu që mendojnë se Islami përçan e nuk bashkon. Me këtë u hapin derën injorantëve të flasin për gjërat rreth të cilave bëjnë sesione dijetarët më të mëdhenj të Umetit, etj.
Allahu xh.sh. thotë: “E ju përgatituni sa të keni mundësi force (mjete luftarake),e kuaj të caktuar për betejë kundër atyre (që tradhtojnë) e me të (me përgatitje), ta frikësoni armikun e Allahut, armikun tuaj dhe të tjerët…”(16)
Në komentin e këtij ajeti, shejh Sa’di thotë: “Do të thotë: Përgatituni, me të gjitha mundësitë që keni, kundër armiqve tuaj, të cilët po bëjnë angazhime maksimale për shkatërrimin tuaj dhe shfarosjen e fesë suaj. Përgatituni fizikisht, psikikisht dhe materialisht. Përgatitni të gjitha llojet e armatimit tokësor, ajror dhe detar, të cilat do t’ju ndihmojnë kundër tyre. Shfrytëzoni idetë dhe politikat që myslimanët i çojnë përpara dhe i largojnë nga e keqja e pabesimtarëve. Mësoni gjuajtjen me armë dhe trimërinë. Në kohën e të Dërguarit s.a.v.s., armët me të cilat mund të frikësohej armiku, kanë qenë kalorësia e fortë dhe shigjetarët shenjëtarë të mirë, kështu që atij dhe ashabëve të tij i është urdhëruar një përgatitje e tillë. Në bazë të rregullit të Sheriatit, i cili thotë: “Dispozita vlen kur për të ka shkas”, mund të themi se ne jemi të detyruar të përgatitemi me atë që në ditët e sotme më së tepërmi i frikëson armiqtë tanë. Nëse diçka e tillë nuk është e mundur përveçse me mësimin e disiplinave, të shkathtësive dhe mjeshtrive të caktuara, krejt këto bëhen të obligueshme, siç kuptohet nga rregulli i Sheriatit: “Ajo pa të cilën nuk mund të kryhet vaxhibi, edhe ajo bëhet vaxhib”.(17)
Në fund, mund të konstatojmë se, nëse myslimanët dëshirojnë të realizojnë atë që realizuan myslimanët e Bedrit, duhet t’i plotësojnë patjetër kushtet për të cilat flitet në suren el-Enfal (që i kushtohet betejës së Bedrit), të cilat i ekspozuam shkurtimisht.
E lusim Allahun xh.sh. që Bedri të na bëhet udhërrëfyes në kuptimin e fesë, nxitës për punë dhe angazhim, forcë në momentet e dobësisë dhe ngushëllim e qetësi në momentet e sprovës. Amin!(18)


______________________
Fusnotat:
1. Kur’ani, sureja Ali Imran, 123.
2. http://www.zeriislam.com/gjuhe.te.huaja/BITKA-NA-BEDRU.html.
3. Safijurrahman el-Mubarekfuri, http://www.studiodaveti.com/
4. http://www.zeriislam.com/gjuhe.te.huaja/BITKA-NA-BEDRU.html.
5. Safijurrahman el-Mubarekfuri, http://www.studiodaveti.com/
6. http://www.rocksonte.com/forum/viewtopic.php?f=28&t=10257&view=previous.
7. Për përgatitjen e pikave vijuese me të madheështë shfrytëzuar materiali marrë nga:Studio din - Bitka na Bedru je“ dan razdvajanja istine od lazi” (prof. Semir Imamovic).
8. Kur’ani, sureja Ali Imran, 173.
9. Kur’ani, sureja El-Enfal, 47.
10. Kur’ani, sureja El-Enfal, 45.
11. Kur’ani, sureja El-Enfal, 63.
12. Kur’ani, sureja El-Enfal, 46.
13. Kur’ani, sureja El-Enfal, 24.
14. Transmeton Buhariu dhe Muslimi.
15. Kur’ani, sureja El-Enfal, 46.
16. Kur’ani, sureja El-Enfal, 60.
17. Tefsiru Sa’di, fq. 285, 286, cituar sipas: Bitkana Bedru je“ dan razdvajanja istine od lazi”
18. http://www.islambosna.ba/index.php?option=com_content&task=view&id=1953



Miftar Ajdini