Said Najdeni Hoxhë Voka (Vogli) (1864-1903)

Said I. Najdeni, i cili njihet edhe si Hoxhë Voka apo Hoxhë Vogli, rilindës, patriot, atdhetar dhe veprimtar i shquar i çështjes kombëtare, lindi në Dibër të Madhe në vitin 1864.

Ishte biri i Islam dhe Esma Najdenit, që rridhnin nga një familje zejtare. Arsimin fillor dhe atë plotësues Saidi i kreu me sukses në vendlindje në vitin 1882, ndërkohë inteligjenca dhe zgjuarsia e tij bënë që babai i tij me dëshirë dhe vullnet të madh për ta shkolluar të birin sa më shumë e dërgoi së pari në Edirne e më pas në Stamboll, ku Saidi me sukses i përfundon studimet teologjike në medresenë e Hajdar Pashës.

Gjatë studimeve të tija në Stamboll, edhe pse ishte i ri, Saidi pati fatin që të takohej me Naim e Sami Frashërin dhe Ismail Qemalin, të cilët ia forcuan vendosmërinë për t’iu kushtuar me tërë energjinë dhe potencialin intelektual dhe moralin e karakterin e lartë njerëzor që kishte, idealit të çështjes kombëtare, që edhe popullit të tij sikurse popujve të tjerë t’i mundësohet arsimimi dhe shkollimi në gjuhën amtare.

Pas kryerjes së shkollimit në Stamboll në vitin 1888, një vit pasi ishte hapur shkolla e parë shqipe në Korçë, Saidi i urtë dhe i dashur, punëtor, i palodhur dhe trim, i frymëzuar për idealin kombëtar, u kthye në atdhe ku iu përvesh me zell çështjes kombëtare. Saidi mori me vete një sasi të madhe abetaresh të Shoqërisë së Stambollit (1879), dhe ato të Samiut (1886), me dëshirën e flaktë që të hapë në vendlindje shkollën e parë shqipe dhe në të njëjtin vit, më 1888, Saidi arriti që në shtëpinë e tij të hapë shkollën e parë shqipe, e cila punonte në fshehtësi. Asokohe shtypi i kohës për Dibrën shkruante: “Si në vende të tjera, edhe këtu në Dibër zuri me hy dashuria e mëmëdheut bashkë me të gjuhës! Sot në Dibër kemi shumë zotëri pleq të ndershëm që përpiqen për pavarësinë e gjuhës shqipe… i madh e i vogël thërrasin: me gjuhë ruhet mëmëdheu, me shkollë mirësohet kombi!”

Mirëpo veprimtaria e kësaj shkolle sa vinte e vështirësohej. Ndërkaq autoritetet qeveritare Hoxhë Vokën filluan ta akuzojnë, si njeri që e largon rininë nga rruga e fesë. Hoxhë Voka i mençur, i vendosur, plot energji dhe guxim, ishte zotuar se asgjë nuk do të mund ta shmangte nga rruga e interesit kombëtar, ndërkaq që ai kishte si udhërrëfyese për besimtarët fjalët: “Myslimanët e vërtetë duhet të dinë se feja islame urdhënon me e dashtë atdheun”, dhe “Për mëmëdhenë duhet me qenë shërbëtorë, njeriu sa dashuri të ketë në mëmëdhenë, aq dashuri ka në fenë”.

Shkolla u mbyll pas një viti. Autoritetet osmane Hoxhë Najdenit i ofruan punë në administratë, por ai zgjodhi dhe eci në rrugën tjetër, siç kishte thënë edhe vetë: “Nuk vuaj për para e për grada, por për komb e atdhe. Unë dua të fitoj liri me i mësua këtij populli gjuhën shqipe, që ta njeh veten e tij e të përpiqet për vetvete”.

Veprimtarinë dhe aktivitetin ai nuk e pushoi dhe përsëri e rihapi shkollën në vitin 1893, duke i pajisur nxënësit me tekste shkollore libra dhe fletore, të cilat i sillnin tregtarët dibranë dhe patriotët, siç ishin Selim Rusi dhe Kadri Fishta. Me rihapjen e kësaj shkolle, interesimi për mësim në gjuhën shqipe vinte gjithnjë duke u shtuar, kështu që numri i nxënësve prej 9 vetash tashti kishte arritur në 26. Por pas një vit pune për herë të dytë u mbyll me 1894. Shkollat u mbyllën por jo ideja, këshillat, dhe frymëzimi i Hoxhës që ndikonte edhe në rrethanat politike. Në këtë mënyrë dhe në këto kushte dhe rrethana, Hoxhë Saidi ndiente nevojën për të kontaktuar drejtpërdrejti me krerët dhe veprimtarët e lëvizjes shqiptare të Stambollit, që t’i njoftojë për gjendjen në Dibër e cila ishte mjaft kritike. Kështu që në vitin 1895, Saidi bashkë me shokun e tij të medresesë Hafiz Ibrahim Mitrovicën marrin rrugën për në Stamboll. Autoritetet e ndoqën lëvizjen e tyre dhe i arrestuan, duke i çuar në burgun e Edirnesë, ku ndodheshin të burgosur patriotë të tjerë shqiptarë si Haxhi Zeka dhe Hamdi Ohri.

Saidin dhe H. Ibrahimin i dënuan me nga 15 muaj burgim. Gjatë qëndrimit në burg Saidi kishte qëndisur një flamur të cilin më vonë e nxirrte në dasma. Me t’u kthyer në Dibër nga burgu i Edirnesë, Hoxhë Voka vazhdoi punën.

Në Dibër në fushën Qernanica (Kërnanica) me iniciativën e Saidit u organizua një kuvend i ngjashëm me atë të Lidhjes Shqiptare të Pejës të janarit 1899, të kryesuar nga Haxhi Zeka. Ky Kuvend punimet e tij i filloi me një miting të madh dhe të hapur më 27 shkurt 1899 ku morën pjesë 1000-1500 vetë. Në të përveç kadive, e myftinjve kishte edhe qytetarë, zanatlinj, tregtarë, fshatarë dhe persona të cilët deri atëherë kishin qenë të mbyllur nga gjakmarrja. Kuvendi i Dibrës i kishte kaluar edhe caqet lokale të këtij sanxhaku dhe ishte kthyer në një mbledhje të përgjithshme shqiptare, në të cilën kishin marrë pjesë delegatë edhe nga vise të tjera të Shqipërisë së Veriut dhe të Mesme. Në organizimin e këtij kuvendi një ndihmesë të madhe dha edhe Said Hoxha.

Meqë në njërën nga vendimet e Kuvendit të Dibrës ishte edhe hapja e shkollave shqipe në territorin e Dibrës, Hoxhë Voka nuk ndenji duarkryq, por menjëherë iu vërsul angazhimit dhe meqenëse në Dibër tani kishte një rreth përkrahësish e sidomos duke pasur mbështetjen e Xhemal Pashës, Sali bej Dohoshishtit dhe të Abdurahman Salihut, hapi në vitin 1900 për herë të tretë një shkollë të vogël për mësimin e gjuhës amtare. Por kjo shkollë sërish shumë shpejt u mbyll nga autoritetet. Sidoqoftë funksionimi i saj për një kohë shumë të shkurtër arriti t’i japë frytet e saja.

Lëvizjet dhe angazhimet e mëdha ia kishin përkeqësuar shëndetin, tek i cili tanimë kishin filluar të paraqiten shenjat e para të tuberkulozit dhe prindërit e tij më kot kishin kohë që e këshillonin të kujdesej për veten.

Në vitin 1903, Hoxhë Vogli ndërmori një udhëtim të vështirë, por të nevojshëm për çështjen kombëtare në Tripoli, ku do të hartohej programi për një kryengritje shqiptare. Në këtë mbledhje Said Hoxha përfaqësonte Dibrën dhe Kosovën, Refik Toptani Shkodrën, simboli i pavarësisë, Ismail Qemali, përfaqësonte Janinën. Mbledhja kryesohej nga Xhemal Pasha. Lajmi për këtë takim të përfaqësuesve shqiptarë i kishte tronditur autoritetet. Hoxha me ndihmën e shokëve arriti të kthehet në Tiranë. Por ky udhëtim ia kishte përkeqësuar shumë shëndetin dhe sapo kthehet në Dibër, ra në shtrat dhe nuk arriti të çohet më. Për sëmundjen e tij na informon edhe Ismail Qemali në kujtimet e veta kur thotë: “Një nga miqtë e mi më të vjetër shqiptarë, Said Efendi me rastin që shkonte në Tripoli, erdhi të konsultohej në Romë, për të patur një marrëveshje me Mareshal Rexhep Pashën. U kthye pas pak kohësh nga Tripoli shumë i vrarë, nga një sëmundje që e shqetësonte prej kohësh. U bë një konsultë me mjekët më të mirë të Romës, por ishte një sëmundje e pashërueshme. Arriti të marrë pak forca, dhe shkoi në qytetin e tij të lindjes në Dibër, ku vdiq pak ditë më vonë.”

Më 21 nëntor 1903, idealisti dhe punëtori i palodhur për të mirën dhe përparimin e kombit të tij, Hoxhë Said Najdeni, ndërroi jetë në moshë mjaft të re, 39 vjeçare.

Në momentet e fundit të jetës, para se t’i pushonte rrahja e zemrës, Hoxhë Saidi kishte lënë këtë porosi: “Pa fituar Shqipëria lirinë, mos më vini gurë mbi varrin tim. Pasi të fitohet liria të m’i vini gurët duke i shkruar shqip. Mbi ta të vini një flamur.”

Hoxhë Voka prej gjuhëve të huaja fliste turqisht, arabisht dhe frëngjisht.

Me rastin e vdekjes së Said Hoxhës nëpër gazetat e kohës u botuan artikuj nga njerëz që e njohën dhe i çmuan përpjekjet e tij për çështjen kombëtare, ndër të cilat veçojmë:

Kristo Luarasi do të shkruajë: “Në fund të motit 1903 vdiq në Dibër shqiptari me zemër e me mend Said Hoxha… Ish njeri i matur, me veti të mira dhe do t’i kish bërë shumë shërbime kombit sikur të kish rrojtur akoma.”

Nikolla Naço do të shkruajë: “Me të keqe të madhe mësuam vdekjen e atdhetarit Said Dibrani një shqiptari të vërtetë, një të madhi ushtar të palodhur të Shqipërisë.”

Kurse Sotir Kolea duke e portretizuar personalitetin e Hoxhës do të shkruajë: “I butë e i urtë, fjalë e gojë mjaltë, me zemër të gjerë dhe të thellë. Said efendiu qe atdhetar i rrallë, i pjellë e i lindur për punë propagande së cilës i qe dhënë me mish e me shpirt.”

Ndërsa Shahin Kolonja njeriu i cili i ndihmoi hoxhës shumë, gjatë vuajtjes së dënimit me burg në Stamboll do të theksojë: “Said Efendi Dibrani përhapi mendime të pëlqyera e bëri punë të mirë… Said Efendiu ishte shqiptar i vërtetë, i stolisur me veti të mira e me urtësi, me mish e me shpirt për mbarëvajtjen e Atdheut.”

Delegatët e Kongresit të Dibrës (1909) në mesin e të cilëve ishin edhe Aqif Pasha, Mytesim Këlliçi, Sadik Pasha, Islam Vrioni, Qenani Abdyli, Prenç Xhelali, Dervish Biçaku, Dervish Hima, dr. Ibrahim Temo, dhe Hafiz Ali Korça e vizituan varrin e tij dhe mbajtën fjalime.

Prej veprave që na kanë mbetur nga ky rilindës janë dy: “Fe rrëfenjësja e myslimanëve”, botuar në shtypshkronjën Mrothëria në Sofje në vitin 1900, që ka 64 faqe dhe e dyta është “Abetare e gjuhës shqipe ndë të folë gegënisht”, botuar po në Sofje më 1900, por pa emër të autorit, pra anonime me 16 faqe. E para është një vepër fetare e mbështetur në parimet Kur’anore, që janë të detyrueshme për të gjithë besimtarët myslimanë. Ky përfaqëson një manual fetar, por me mjaft të dhëna patriotike dhe filozofike. Ai pranon dy dituri: atë fetare dhe atë të mendjes, të cilat, duke u mbështetur në Kur’an, nuk i kundërvihen njëra-tjetrës. Ai mendonte se feja luan rol në ndërtimin moralo-etik të njeriut, nuk e pengon njeriun të ketë dashuri ndaj atdheut… dhe nëse shqiptari e pranon alfabetin latin nuk bën kurrfarë mëkati, sepse mund të mbetet përsëri besimtar i devotshëm… Parulla e Hoxhë Najdenit ishte: “Që shqiptarët të shpëtojnë nga rreziku, ka vetëm një rrugë: me u zgjua kombi, me mësue gjuhën e tij, me i dalë zot vetes.”

Në shenjë nderi dhe respekti sot në qytetin e Dibrës një shkollë mban emrin e këtij patrioti dhe veprimtari të paharruar.



Marrë nga enciklopedia “100 personalitete shqiptare të kulturës islame”


Artikulli i kaluar
Mulla Hysni Efendi Hoxha
Artikulli radhës
Imam Raif Shaban Latifi

Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Kush është Zenel Hoxha ?