Të gjithë jemi të vetëdijshëm se, një ndër fenomenet me të cila përballet shoqëria jonë kosovare dhe e cila është prezente dita – ditës edhe më shumë në mesin e të rinjve tanë, është narkomania – droga.
Madje një dukuri e tillë në bazë të statistikave të shumta, është në rritje e sipër, gjë që e bënë tejet shqetësuese ardhmërinë e shoqërisë sonë.
Në vazhdimësi, madje edhe tani, bëhen përpjekje të shumta në parandalimin e kësaj dukurie shkatërruese.
Por, pas gjithë këtyre përpjekjeve dhe masave parandaluese nga mekanizma të ndryshëm dhe pas shumë artikujve dhe kronikave të cilat i hasim në mediumet tona të shkruara dhe elektronike, megjithatë rrezikshmëria e zhytjes së të rinjve tanë në këtë fenomen është mjaft e lartë.
Pavarësisht faktit se Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar Kodin e Ri Penal1 në të cilin ka parashikuar një kre të veçantë për trajtimin e veprave penale të narkotikëve, megjithatë, mendoj se mekanizmat kompetent do të duhej të sensibilizonin edhe më shumë çështjen e narkotikëve, për ta parandaluar sado pak këtë fenomen, në mënyrë që të rinjtë të kenë sa më shumë informacione për pasojat që sjellin lëndët narkotike.
Krahas faktit se shumë të rinj abuzojnë me substanca narkotike, edhe më shqetësuese është fakti se në vitet e fundit është rritur numri i personave që vdesin si pasojë e përdorimit të substancave narkotike.
Një fakt tjetër shqetësues është përdorimi i substancave narkotike nga nxënësit nëpër shkolla, e që për fat të keq numri i këtyre përdoruesve është në rritje e sipër.
Safet Blakaj drejtor i qendrës rehabilituese nga droga ”Labirinti”, shprehet se, kjo qendër posedon të dhëna statistikore ku rreth 20% e nxënësve në shkolla përdorin substanca narkotike.
Ndërsa Jeton Veliu menaxher i qendrës ”Labirinti” dega në Gjilan, shprehet se, të dhënat statistikore të cilat i posedojmë në këtë qendër, rezulton se, numri i përdoruesve apo personave që kanë kryer shërbim në këtë organizatë sillet diku rreth 200 personave.
Klienti më i ri i cili ka kërkuar ndihmë në qendrën tonë shprehet Veliu, ishte një 12 vjeçare e cila kishte përdorur Mariuhane, ndërsa klienti më i vjetër është i moshës 55 vjeçare i llojit Heroine.
Ismet Hashani, zëdhënës i SHPK-së në Gjilan, thotë se, në përgjithësi përdoruesit janë të gjinisë mashkullore dhe i takojnë kryesisht grupmoshave të reja nga mosha 14 deri në tetëmbëdhjetë vjeç, por viteve të fundit kjo dukuri fatkeqësisht ka shënuar ngritje dhe në mesin e përdoruesve ka edhe një numër i caktuar femra.
Pasojat që rrjedhin si rezultat i konsumimit të narkotikëve janë të natyrave të ndryshme.
Prej tyre veçojmë: dhuna familjare, kriminaliteti, shkatërrimi i familjes, çrregullimet fizike, psikike dhe shpirtërore, vjedhja dhe prostitucioni për të arritur deri te parat, janë vetëm disa prej tyre.
Asnjë adoleshent apo i ri nuk ka menduar se në të ardhmen do të jetë një konsumues i narkotikëve.
Por, kureshtja e tyre për ta shijuar këtë substancë në prani të kolegëve të tyre, si pretekst për të kaluar çaste argëtuese dhe për të ikur nga realiteti (monotonia dhe stresi) në botën e iluzioneve, ka bërë që shumë të rinj të zhyten në këtë dukuri shkatërruese.
Pasojat nuk përfundojnë me kaq!
Ndikimi i narkomanisë nuk përkufizohet vetëm me narkomanët, por ajo shtrihet dhe përfshin edhe një pjesë tjetër të shoqërisë.
Andaj me të drejtë themi se, shitësit e drogave jetojnë duke shitur vdekjen, ndërsa narkomanët prej tyre e blejnë vdekjen.
Në vijim do të pasqyrojmë një storie e cilat flet për pasojat që mund t’i ketë një fenomen i tillë.
”Nënrreshteri Grej, kryeshef i policisë në Denver, kur hyri në një shtëpi të vjetër, në njërën nga dhomat e shtëpisë së vjetër shef vajzën tetëmbëdhjetë vjeçare, plotësisht e zhveshur - lakuriqe dhe e përlyer me gjak, vallëzonte rreth kufomës së fëmiut dyvjeçar të saj. Gjoksi i fëmiut ishte i gërvishtur dhe i çarë dhe në te e ngulitur shishja e thyer e Coca Colës. Kjo vajzë me emrin Karol Matherd ishte vrasësi i fëmiut dy vjeçar. Vallëzonte duke shqiptuar fjalë të pakuptimta dhe të turpshme. Në duart e saja mbante zemrën e fëmiut të nxjerr me thonjtë e saja nga gjoksi i fëmiut. Rreth mureve të dhomës qëndronin djemtë dhe vajzat tjera të droguara të cilët pinin drogë edhe më tutje duke përcjellë nënën - vrasësen e fëmiut në mënyrë të painteresuar.”
Fatmirësisht skena të tilla rrëqethëse me përmasa kaq mëdha fatale nuk kemi hasur te të rinjtë (konsumuesit) tanë, megjithatë mjafton që një dukuri e tillë të bartë me vete pasoja vdekjeprurëse.
Vallë sa të rinj gjetën vdekjen në këtë gjendje dhe sa të tjerë janë në rrugë e sipër për t’u hedhur në këtë greminë të mallkuar.
Unë personalisht kam njohur një person të moshës 35 vjeçare i cili nga varësia e drogës nuk mundi t’i bëjë ballë dallgëve të jetës.
I nderuari lexues! Nxito, nxito të shpëtosh së paku një jetë.
Në rast se nuk shpejtojmë për ta parandaluar këtë epidemi, kam frikë se fletët e historisë sonë do të mbushen me ngjarje të tilla tmerruese.
Nga e tërë ajo që u tha, shihet qartë se parandalimi i lëndëve narkotike te të rinjtë dhe lufta efikase ndaj këtij fenomeni kërkon domosdoshmërisht inkuadrimin e tërë shoqërisë.
Po e përmbylli pjesën e parë me shpresë se shoqëria jonë kosovare do të vetëdijesohet dhe do të shtoj kujdesin në nivelin më të lartë për t’u shmangur fenomeneve të tilla shkatërruese.
Qëndrimi Islam ndaj Narkomanisë
Allahu i Lartësuar thotë : ”Dhe mos mbytni veten tuaj ”… (En-Nisa 29)
Islami është sistem i jetës së njeriut.
Ai njeriut i mëson atë që është e mirë dhe e dobishme dhe atë që është e dëmshme dhe shkatërruese.
Me këtë Islami dëshiron të formojë një individ të shëndosh e që është parakusht për një shoqëri të shëndosh.
Ai që nga fillet e para të saj ka treguar gatishmëri të lartë për ta luftuar çdo dukuri devijuese dhe epidemi virusale që infekton shoqërinë njerëzore.
Qëllimi i Islamit është të eliminojë të gjithat dukuritë negative që dëmtojnë fenë, mendjen, shpirtin, trupin, familjen dhe pasurin e njeriut.
Por cili është qëndrimi i Islamit në raport me dukuritë negative, me theks të veçantë ndaj narkotikëve – drogave?
Pavarësisht faktit se hadithet që flasin drejtpërdrejt për drogën, janë teje të paketa, për faktin se një fenomen i tillë nuk ishte i njohur gjatë kësaj periudhe, madje edhe dëmi i saj nuk ishte i njohur me saktësi, megjithatë, dispozitat e Islamit janë më se të qarta në raport me çdo materie qe e humbë - dehë mendjen e njeriut.
Pejgamberi a.s. në një hadith thotë: “Çdo pije dehëse është haram”, dhe në hadithin tjetër: “Mos e dëmto veten e as të tjerët!”
Andaj hadithet aludojnë edhe për substancat narkotike dhe çdo materie tjetër që e dobëson mendjen dhe trupin e njeriut.
Çdo materie që përmban substanca dehëse dhe që turbullon mendjen apo zvogëlon mundësinë e të menduarit konsiderohet haram – e ndaluar.
Dijetarët islam pajtohen se është i ndaluar - haram edhe përdorimi i paktë i materieve dehëse, edhe i atyre që nuk janë dehëse por që krijojnë lidhje përdorimi, përdorimi i të cilave obligon personin qe të vazhdojë përdorimin e tyre.
Ibën Haxheri në lidhje me drogat, gjegjësisht me Hashashin thotë se: ”Hashashi, edhe pse nuk bën pjesë në grupin e materieve dehëse, për shkak se bën pjesë në grupin e materieve narkotike, - ai është i ndaluar së bashku me materie të ngjashme me të”.
I Lartëmadheruari thotë: ”...mos e hidhni veten në rrezik (rrënim)...” (El-Bekare: 195)
Islami e konsideron të shenjtë jetën e njeriut, duke e vlerësuar atë lartë dhe duke ndaluar shkatërrimin e saj.
Storia në vijim pasqyron gjendjen e një fëmiu në momentin e vdekjes se si i drejtohet prindërit me këto fjalë: Prind të mi! Jam duke e shijuar ithtinë e vdekjes. Pse më lëshuat në kthetrat e drogës. Pse ma humbët jetën. Pse më lëshuat nga duart tuaja m’u atëherë kur unë kisha nevojë më tepër për ju. Çka të bëjë tash në këtë rrugë të pa kthim. E di, ju do të qani, e do të vajtoni, por megjithatë do të vazhdoni te jetoni. A unë nuk do të mund ta përjetojë lumturinë dhe kënaqësitë e jetës, të bëhem prind sikur ju, të risë fëmijë e t’i edukojë e t’i kultivojë si lulen më të bukur. E ja unë tani po vdes, vetëm nga shkaku se më hodhët në rrëmujën e drogës dhe më latë të ma nxjerrin shpirtin dallgët e saja. Prind të mi deri sa unë po vdes, kthehuni në shtëpi. Shpëtoni vëllanë dhe motrën time të cilët janë në rrugë për t’i gëlltitë droga me dhëmbët dhe kthetrat e saja plotë helm. Nxitoni, më shpejt!. Mos përsëritni gabimin që bëtë në mua. Ah drogë, qofsh e mallkuar!
Vallë, si ka mundësi të mos mbushen sytë me lot, kur dëgjon rrëfime të tilla rrëqethëse.
Vallë, si ka mundësi të mos mbushen sytë me lot kur të rinjtë tanë po vdesin në mënyrën më të tmerrshme, madje edhe para syve tanë.
Ata kanë nevojë për këshillën dhe ndihmën tënde! Mos hezito!.
Thuaj atyre se JETA është e bukur, shijoni atë në mënyrën më të mirë të mundshme !
Thuaj atyre ta duan jetën pa drogë dhe larg dukurive shkatërruese, ngase i Mëshirshmi paralajmëron shpëtim për ata të cilët i shmangën dukurive të tilla. Ai thotë: ”Pra, largohuni prej tyre që të jeni të shpëtuar.” (El-Maide: 90)
Vëlla dhe motër e nderuar!
Rinia jonë kosovare sot më shumë se kurrë ka nevojë për një platformë të re.
Platformë - koncept i cili ua ndriçon të ardhmen e tyre në dritën e lumturisë, në dritën e fatbardhësisë dhe të shpëtimit të kësaj bote dhe botës tjetër.
Platformë e cila ua jep besimin duke mos ua rrëmbyer përparimin dhe zhvillimin, platformë e cila ua jep mirësitë e kësaj bote duke mos ua pakësuar begatitë e Ahiretit.
Andaj ta ruajmë rinin tonë, ngase vetëm me një rini të shëndosh do të kemi një shoqëri të shëndosh.
Vëlla dhe motër, sa e bukur është jeta kur ajo jetohet për të arritur kënaqësinë e Allahut, Zotëruesit të kësaj bote dhe të botës tjetër.
Pra mund të themi se shoqërisë njerëzore po i kanoset një epidemi e fuqishme, e cila do të bartë me vete pasoja fatale për të ardhmen e familjes njerëzore.
Pejgamberi a.s. thotë: ”Kush nga ju sheh një të keqe – le ta ndryshojë me dorën e tij, e nëse nuk mundet këtë ta bëjë – atëherë me gjuhën e tij, e nëse nuk mundet këtë ta bëjë – atëherë me zemrën e tij, porse ky është imani më i dobët.”
(Autori ka mbaruar studimet në Fakultetin e Filologjikut, dega e Orientalistikës, pastaj ka përfunduar edhe studimet në Fakultetin e Studimeve Islam në Prishtinë.)