Fituesi i çmimit Nobel, Albert Ajnshtajni : “Në Emër të Zotit, nëse Atij i besoni, merreni ju Atë më seriozitet, nëse jo, ne jemi te humbur”
Falënderimi i takon Allahut i Cili është i Vetmi që është Krijuesi i jetës dhe i vdekjes.
Vetëvrasja është një fenomen i njohur gjatë gjithë historisë së njerëzimit, andaj, mund të themi se një akt i tillë është i vjetër sa edhe vetë njerëzimi.
Vetëvrasja nënkupton veprimin e një personi i cili i merr jetën vetës duke qenë i vetëdijshëm për pasojat e një akti të tillë.
Vetëvrasja edhe pse është një akt individual, megjithatë një veprim i tillë bartë pasoja edhe tek familja, miqtë por edhe tek shoqëria.
Të dëgjosh se X- personi ka bërë vetëvrasje, është një tmerr i papërshkruar, e mos të flasim për tragjedinë e familjarëve të viktimës.
Pavarësisht faktit se Legjislacioni Penal i Kosovës vetëvrasjen nuk e konsideron si vepër penale meqenëse se personi është zot i jetës së tij, megjithatë përbën vepër penale dhe janë të ndëshkueshme veprimet e cilitdo person i cili e shtytë këdo që të kryej vetëvrasje ose e ndihmon atë të bëj një akt të tillë (nenin 151 i Kodit Penal të Kosovës).
10 Shtatori është përcaktuar si Dita Botërore e Parandalimit të Vetëvrasjeve.
Ditë më parë edhe në vendin tonë në mënyrë simbolike është shënuar kjo ditë.
Një dukuri e tillë shkatërruese vërtetë se është shqetësuese për shumë vende të botës, këtu duke mos përjashtuar edhe shoqërinë tonë kosovare, për faktin se një fenemon i tillë çdo ditë e më shumë është në rritje e sipër.
"Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë ky fenomen është rritur për 60% në mbarë botën gjatë 45 viteve të fundit.
Ekspertët e OBSH-së paralajmërojnë rritje të vetëvrasjeve në njëzet vitet e ardhshme.
Në bazë të statistikave të OBSH-së në botë çdo dyzet sekonda ndodhë një vetëvrasje.
Rreth 3000 njerëz kryejnë vetëvrasje brenda një dite në mbarë botën.
Po sipas OBSH, çdo vit, rreth 1 milion njerëz vdesin nga vetëvrasja.(1)
I nderuari lexues!
Vetëvrasjet përbëjnë një fenomen në rritje kudo në botë, andaj edhe Kosova nuk mund të jetë imune nga një dukuri e tillë devijuese.
Vërtetë jemi të shokuar me numrin e madh të vetëvrasjeve në familjet tona kosovare.
Vetëvrasjet në Kosovë sipas statistikave që posedon Policia e Kosovës kanë shënuar rritje në vitet e fundit.
Ismet Hashani, zëdhënës i policisë për rajonin e Gjilanit, thotë se gjatë periudhës Janar - Gusht 2013 në rajonin e Gjilanit janë raportuar gjithsejtë 13 raste, prej tyre 9 raste vetëvrasje dhe 4 raste vrasje në tentativë.
Gjersa në të njëjtën periudhë Janar - Gusht 2014, kemi të raportuara 14 raste, ku 7 raste janë vetëvrasje dhe 7 të tjera tentim vetëvrasje.
Sipas tij motivet shpesh mbeten të pa njohura por edhe mund të jenë të natyrave të ndryshme nga ato sociale deri te problemet shëndetësore, përfundon Hashani.
Psikologu Bekim Isaku, thotë se faktori kryesor që vije deri te ky akt në shumicën e rasteve është si rrjedhojë e depresionit ose sëmundjeve të tjera mentale.
Më pas shtonë, në të shumtën e rasteve njerëzit depresiv izolohen dhe nuk kërkojnë trajtim për tejkalimin e depresionit, nëse nuk arrijnë të tejkalojnë këtë gjendje ata përfundojnë me vetëvrasje.
Ai pohon se, fatmirësisht depresioni është i trajtueshëm dhe tejkalohet me kombinimin e terapisë farmakologjike (barnave antidepresive) dhe psikoterapisë.
Isaku përfundon se, detyrë e të gjithëve është që të i ndihmojmë këta njerëz të tërhiqen nga izolimi, të kërkojnë ndihmë tek profesionistët sepse në të shumtën e rasteve suksesi është i arritshëm.
Se një dukuri e tillë devijante është prezente në shoqërinë tonë kosovare, këtë më së miri e pasqyron kronika e zezë ditore dhe javore në mediumet tona.
Të mos harrojmë se para luftës në Kosovë numri i vetëvrasjeve ka qenë simbolik, madje fare pak është diskutuar rreth këtij fenomeni, por që nga pas lufta deri më tani, si rezultat i rritjes së kësaj dukurie janë shënuar rreth 800 vetëvrasje në Kosovë.
Një fakt tjetër shqetësues është se në mesin e këtyre rreth 800 personave, me dhjetëra është numri i ish-pjesëtarëve të UÇK-së që pas luftës kryen vetëvrasje.
Të shpëtosh nga vdekja atëherë kur jeta e tyre ishte në rrezikshmërinë më të lartë dhe në paqe t’ia cenosh vetës të drejtën për të jetuar, krahas se është një paradoks është edhe një kronikë e zezë për Kosovën.
Padashur të i bëjë përgjegjës institucionet shtetërore të Republikës së Kosovës, megjithatë mos-trajnimi institucional vërtetë se u ka munguar ish-luftëtarëve të UÇK-së.
Vetëvrasja është një akt shumë kompleks, andaj si të tillë shumë njerëz në botë se paku një herë gjatë jetës së tyre kanë menduar për një përfundim të tillë.
I tillë ishte edhe rasti (ditë më parë) kur një grua tentoi të vetëvritej duke kërcyer nga një urë në hyrje të Prishtinës, por e cila fatmirësisht është shpëtuar nga kalimtarët.
Në rast se ne si shoqëri kosovare, nuk mobilizohemi me të gjithë mekanizmat që kemi në funksion për të marrë masa në parandalimin e kësaj dukurie, vetëvrasja vërtetë se do të sjell pasoja fatale për ardhmërinë tonë.
Në përmbyllje të pjesës së parë, shpresojmë që kronika të tilla trishtuese në shoqërinë kosovare të dëgjojmë sa më pak që të jetë e mundur.
Koncepti Islam ndaj vetëvrasjes
Koncepti se vetëvrasja zgjidh problemet, mendoj se është tejet fatal dhe i gabuar.
Islami jetën e njeriut e konsideron të shenjtë.
Jeta është një dhuratë nga i Madhi Zot, ndaj së cilës do duhej të shtojmë kujdesin në nivelin më të lartë për ta ruajtur dhe kultivuar atë deri në momentin e vdekjes.
Privimi nga jeta nuk është e drejtë ekskluzive e njeriut, meqë ai nuk është krijues i saj, por është Allahu.
Dhënia e jetës dhe marrja e saj i takon vetëm Allahut.
Fakti se vetëvrasja është krim dhe mëkat, këtë e dëshmojnë edhe religjionet monoteiste si: Islami, Krishterimi dhe Hebraizmi.
Muslimani duke pasur parasysh faktin se një vepër e tillë vërtetë se bartë pasoja të mëdha, ai në asnjë mënyrë nuk lejon as të mendoj e aq me pak te ndërmerr diç për t’ia cenuar vetës lirin e të jetuarit.
Thotë Allahu: ”… mos mbytni veten tuaj (duke mbytur njëri-tjetrin). Vërtet, All-llahu është i mëshirueshëm për ju.” (2)
Qëndrimi Islam është i qartë në kontekst me vetëvrasjen si akt, duke e konsideruar si një ndër mëkatet më të mëdha.
Pejgamberi a.s u thotë shokëve të tij:
"Qëndroni larg shtatë gjynaheve shkatërruese për njeriun. Shokët i thanë o i dërguar kush janë këto shtatë gjynahe? Pejgamberi a.s tha: “ Shirku ndaj Allahut xh.sh, vrasja dhe vetëvrasja, ngrënia e pasurisë së jetimit, arratisja nga lufta, shpifja për zina mbi gruan e ndershme".(3)
Andaj si masë protestuese edhe vetë Pejgamberi a.s. në një rast kur bartej kufoma e një vetëvrasësi, ai (a.s.) jo vetëm se nuk e fali namazin e kësaj xhenaze, por edhe nuk mori pjesë në ceremoninë e varrimit.
Vetëvrasësi duke menduar se me këtë veprim do të zgjidh problemin e jetës së tij, ai në fakt në atë moment vetëm se është zhytur në problem dhe në këtë rast atë e pret një dënim i ashpër.
Masa ndëshkuese ndaj vetëvrasësit në botën tjetër do të jetë varësisht formës se si ai i ka dhënë fund jetës së tij në këtë botë.
Transmetoi Ebu Hurejre r.a , se Muhamedi a.s. ka thënë: "Ai që vret veten me hekur, hekuri i tij do të jetë në dorën e tij, të cilin e ngul në barkun e tij në zjarr të Xhehnemit përgjithmonë; ai që vret veten me helm, helmi i tij do të jetë në dorën e tij, e pi atë në zjarr të Xhehenemit duke qenë aty përgjithmonë dhe ai që hedh vetën nga ndonjë kodër dhe vret vetën ai do të hidhet në zjarr të Xhehenemit duke qenë përgjithmonë". (4)
Çdo njeri i cili përballet me kriza dhe probleme të natyrave të ndryshme, duhet që ta fuqizon lidhjen me Krijuesin e tij, njëherit duke shpresuar se pas vështirësive vjen lehtësimi.
Thotë i Lartësuari: ”Me të vërtetë, pas vështirësisë - vjen lehtësimi!”(5)
Çdo pretendim si: "jeta ime nuk ka vlerë", "nuk më duhet jeta ime", "çdo gjë për mua ka marr fund", "e vetmja zgjidhje është vetëvrasja", "askush më nuk më kupton mua" dhe shumë pretendime të tjera, mendoj se të gjitha këto nuk mund të justifikojnë vendimin për t’i dhënë fund jetës.
Vetëvrasja ka qenë e ndaluar edhe tek popujt tjerë para Muhamedit a.s.
Transmetohet nga Xhundub b. Abdullah se Pejgamberi a.s. ka thënë:
"Në njërin prej popujve para jush ka qenë një burrë i plagosur. Nga dhimbja e madhe e plagës nuk duron dot dhe pret krahun e vet. Në momentin kur pret krahun fillon të dalë gjak shumë dhe nga tretja e gjakut të shumtë vdiq.
Allah xh.sh pas kësaj ndodhie thotë: Robi Im doli para Meje në marrjen e shpirtit dhe Unë për këtë arsye i bëra haram Xhennetin atij".(6)
" Nëse dikush është larguar nga Xheneti për arsye se nuk ka mundur ta përballoj dhembjen e plagëve të veta, si mund të jetë arsye për dikë që ta vras vetveten për shkak të humbjeve materiale, për shembull në punë?"(7)
Të mos harrojmë se një dukuri e tillë vrasëse radhë herë ndodh që të jetë vendim i menjëhershëm, ngase shenjat dhe sinjalet paralajmëruese mund të vërehen tek personi kohë më parë.
Është mirë të e sjellim hadithin profetik: "Feja është këshillë", për faktin se është obligim i yni moral, njerëzor, fetar e kombëtarë qe t’i shpëtojmë njerëzit nga përfundime të tilla tmerruese.
Thotë Allahu në Kur’an: ” Dhe, nëse dikush shpëton një jetë, është sikur të ketë shpëtuar jetën e krejt njerëzve ”.(8)
I nderuari lexues!
Si asnjëherë më parë shoqëria jonë kosovare do duhet që t’i merr të gjitha masat parandaluese me qëllim që një dukuri e tillë shkatërruese të mos jetë pjesë e së ardhmes sonë.
Ngase kam frikë se mos vallë edhe neve na takon një pjesë e përgjegjësisë përderisa bashkëjetojmë me ta, e në anën tjetër nuk bëjmë asgjë për ta parandaluar këtë fenomen.
Jeta e njeriut do të ketë kuptim vetëm atëherë kur njeriu jeton për atë për çka është krijuar.
Ibn Kajjimi thotë: "Jetuan njerëzit jetën e tyre si deshën dhe u fundosën. Pasha Allahun sikur të jetonin si donë Allahu do kishin shpëtuar!"
Sa e bukur është jeta kur ajo jetohet për të arritur kënaqësinë e Mëshiruesit, Zotëruesit të kësaj bote.
__________________
1. www.telegrafi.com
2. Sure En-Nisa:29
3. Buhariu
4. Buhariu dhe Muslimi
5. Inshirah: 5
6. Buhariu
7. Ibrahiim Hewitt ‘’ ÇKA THOTË ISLAMI?’’
8. El-Maide:32
Autor: Fidan Bilalli (Ka mbaruar studimet në Fakultetin e Filologjisë, Dega e Orientalistikës, më pas edhe studimet në Fakultetin e Studimeve Islame në Prishtinë.)