Çfarë i solli shekullarizmi Evropës?!

Punimi, të cilën do t’ua prezantojmë, mban titullin “Çfarë i solli shekullarizmi Evropës?!”, titull ky që nuk emërton një temë, problematika e të cilës nuk ka të bëjë me ne.

Në fakt, është një temë, e cila, me dëshmi të vet evropianëve, sjell para nesh rrezikun dhe pasojat e shumta e të mëdha të sistemit, tashmë të instaluar edhe në shoqërinë tonë: shekullarizmit. Ajo provon se sa i panevojshëm është një sistem i tillë për shoqëritë islame, për shkak se të arratisur prej tij, kanë gjetur strehimin pikërisht në Islam.
Ç’është shekullarizmi dhe çfarë fshihet pas tij?
Shekullarizmi është një ideologji e menduar për të zëvendësuar fenë. Në një studim rreth shekullarizmit dhe fesë, sociologu dhe teologu gjerman Gottfried Küenzlen, i cili është njëherësh dhe ligjërues në Universitetin e Forcave të Armatosura në Munih, thotë: “Shekullarizmi nënkupton ndarjen e tërësishme dhe përfundimtare ndërmjet bindjeve fetare dhe të drejtave qytetare, dhe këtë nën parimin: fe pa politikë dhe politikë pa fe.”
Pasojat e shekullarizmit
Megjithëkëtë, shekullarizmi nuk është fe dhe as që mund ta zëvendëson fenë. Përkundrazi, ai i ka shkaktuar probleme të mëdha dhe vështirë të riparueshme evropianëve, probleme këto që Dr. Küenzleni vazhdon t’i shpalos, gjithnjë në kontekst të shoqërisë evropiane:
1) Transformimi i bindjeve fetare (në këtë rast: të krishtera) në botëkuptime materialiste, duke ofruar madje modernizmin si ‘fe tokësore’, që mbështetet në logjikë dhe shkencë, për të zëvendësuar kështu fenë qiellore. Me këtë krishterimi do të zhvendoset nga epiqendra ndërsa roli do t’i zbehet në vazhdimësi, aq sa nuk do t’i mbetet as ajo rëndësia ceremoniale sikur që shumica e njerëzve do t’i ikin traditave fetare në përditshmërinë e tyre.
2) Zgjidhja si humbje. Evropa në vend të fesë do ta përvetësonte modernizmin, por shumë shpejt do të kuptonte se zgjidhja e bërë ishte më e gabuara e mundshme. Küenzleni na sjell detaje për fatin e modernizmit, i cili ndonëse zuri vendin e fesë, kurrë nuk arriti t’i përgjigjet pyetjeve që mundojnë njeriun e të cilave i përgjigjej feja. Kësisoj, edhe modernizmi u fut në një krizë, duke bërë që hutia, mëdyshja dhe konfuzioni ta ngufasin jetën; tashmë ishte shuar çdo yll orientimi dhe udhëzimi. Gjendja do të rëndohet për të keq atëherë kur modernizmin do ta pasojë post-modernizmi, i cili evropianin do ta hedh në greminën e nihilizmit, anarkizmit dhe agnosticizmit.
3) Referencat e gabuara. Evropianët u bindën se modernizmi dhe post-modernizmi nuk mund t’i përgjigjen pyetjeve më të rëndësishme të tyre (kush jam unë, prej nga kam ardhur, ku do të shkoj, cili është fati im pas vdekjes, etj), por, për çudi, ose thënë më mirë, për shkak të infektimit me teorinë e refuzimit të fesë, përgjigjen për pyetjet e sipërpërmendura u munduan ta gjejnë tek fallxhorët, astrologët, etj.
Nga përshkrimi që Gottfried Küenzlen i bën shoqërisë evropiane, mund të konstatojmë se mirëqenia, komoditeti dhe lumturia e tyre nuk është tjetër vetëm se një mashtrim optik, ndryshe, brendësisht, ata janë të varfër, shqetësuar, dëshpëruar dhe pesimist.
Në vijim, të dashur vëllezër besimtarë, për t’u bindur edhe më shumë për pasojat e shekullarizmit, gjendjen në shoqëritë evropiane do ta përshkruajmë me gjuhën e shifrave, që përputhet plotësisht me atë që analizoi dhe përshkroi më parë Dr. Küenzleni:
1) Vetëm 14% e evropianëve besojnë se ekziston Zoti, edhe nëse nuk e adhurojnë.
2) Evropa, që ka standardin më të lartë të jetesës, ka po kështu edhe nivelin më të lartë të stresit dhe vetëvrasjeve në botë.
3) Në Francë, i njohur si shteti më i madh katolik, vetëm 5% ose edhe më pak, shkojnë një herë gjatë javës në kishë.
4) 70% e katolikëve të Romës, atje edhe ku është Vatikani, nuk shohin të keqe në ushtrimin e marrëdhënieve seksuale para martesës. Gallupi në një hulumtim të bërë në vitin 2005 ka zbuluar se 74% e katolikëve veprojnë në shpërputhje me mësimet e krishtera përkitazi me moralin derisa ata që i mbahen mësimeve të kishës janë vetëm 20%.
5) Në Gjermani, respektivisht në 1/3 e kishave të Dioqezës së Essen-it, lutjet e përjavshme janë stopuar, për shkak të frekuentuesve të paktë. Si shkak i kësaj, Gjermania ka vënë në listë të mbylljes dhe shitjes mijëra kisha për të përdorur për qëllime tjera. Llogaritet se për çdo vit kishat humbin 100.000 (njëqind mijë) ithtarë.
6) Për shkak të shpërbërjes së familjes, Gjermania, Italia dhe Spanja, janë buzë shkatërrimit. Përqindja e vdekjeve është shumë më e lartë se ajo e lindjeve.
7) Në Angli 10% e kishave janë klasifikuar si të panevojshme, andaj edhe janë nxjerrë në shitje. Në Itali disa prej tyre tashmë janë shndërruar në restorante. Në fakt, kjo shifër është tejet e madhe. P.sh., në Republikën Çeke ka 10.000 (dhjetëmijë) kisha ndërsa janë nxjerrë në shitje hiç më pak se pesë mijë, ose 50% e tyre. Në Amerikë, në krahasim me vitet e pesëdhjeta të shekullit të kaluar, shifra e besimtarëve që shkojnë në kisha të dielave ka rënë për 40%.
Këto ishin disa nga pasojat që shekullarizmi i ka shkaktuar evropianëve për shkak të përvetësimit të tij si sistem jete dhe si alternativë ndaj fesë. Me këtë, duam të shpalosim se çfarë rreziqesh mund të sjellë një sistem i tillë edhe për ne, sidomos kur dihet se rrethanat në të cilat u instalua atje shekullarizmi dallojnë nga rrethanat e shoqërive islame. Ajo që dua të them është se do të ishte vërtetë mëkat që një skenar i këtillë të realizohej edhe në shoqërinë tonë, për faktin se, evropianët (dhe perëndimorët) jo vetëm për shkaqe ideologjike kanë braktisur kishën. Ata, siç nënvizon Küenzleni, kanë braktisur kishat, por në disa raste, e që ne e dimë se nuk janë të pakta, i janë drejtuar xhamive. Madje, në Danimarkë, respektivisht në Kopenhagen, 10 kisha dolën në shitje, gjë kjo që e zemëroi Sekretarin e Përgjithshëm të Kishave në Danimarkë, Kaj Polman, aq sa tha se do të kishte qenë shumë më mirë që ato të përdorën për stallë derrash se sa të shiten, duke aluduar kështu në atë se nuk do që ato të shndërrohen në xhami.
Islami është zgjidhja e duhur
E vëreni se ky sistem është plotësisht i panevojshëm për shoqërinë tonë, sidomos tash kur mësuam se prej ithtarëve të tij, një pjesë bukur e madhe, kanë braktisur atë dhe kanë gjetur Islamin si alternativë, andaj, braktisja e kësaj që posedojmë, e që të tjerët e shohim si shpëtimin e vetëm të njerëzimit, vërtetë do të ishte humbje. Mos harroni, Islami jep përgjigje për tërë atë që iu mundon, iu ofron zgjidhje për çdo problem që iu rëndon, në të gjeni lumturinë e vërtetë. Allahu ka thënë:
O ju që besuat, përgjigjuni (thirrjes së) All-llahut dhe të të dërguarit kur ai (i dërguari) ju fton për atë që ju jep jetë, (për fenë e drejtë) dhe ta dini se All-llahu ndërhyn ndërmjet njeriut dhe zemrës së tij, dhe se ju do të tuboheni te Ai.“ (el-Enfalë, 24)
O ju që keni besuar, përgjigjuni thirrjes së Allahu dhe të Dërguarit të Tij, Muhammedit (alejhis salatu ves selam) ngase në të është lumturia e të dy botëve, në të (fe-thirrje) është e mira juaj sikur që është edhe e vërteta dhe e qëlluara…
Këto ishin fjalët e Dr. Vehbe Zuhajlit të shkëputura nga ‘Et-Tefsiru-l-Munir’ (9/290), të cilat janë edhe mesazh dhe porosi përmbyllëse e këtij punimi modest.



Mbështetur kryesisht në: http://denana.com/main/articles.aspx?selected_article_no=12006&pgtyp=66


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi