Paragjykimet janë qëndrime kryesisht negative sepse këto nuk kanë argumente dhe as mbështetje reale dhe janë të ngarkuara me ndjenja intensive.
Njeriu i ngarkuar me paragjykime ndaj të tjerëve reagon pa menduar, vrullshëm dhe pa e mbështetur reagimin e tillë në argumente reale dhe bindëse, e keqja me e madhe e paragjykimeve janë pasojat e tyre të renda për keqësimin e marrëdhënieve ndërmjet atij që ka paragjykime dhe që vepron sipas tyre dhe objektit te këtyre paragjykimeve.
Paragjykimet janë të urryera për faktin se ato reflektojnë gjithnjë qëndrime të gabuara. Ato, në vend të ndërtimit të urave të komunikimit, i shkatërrojnë ato. Paragjykimet janë sinonim i hendeqeve të pakapërcyeshme. Ato janë adresa e fajit pse në botë ende ka intolerancë, konflikte dhe luftëra. Paragjykimet janë fajtore edhe për intolerancën fetare në botë. Ato janë shkak i propagandave të ndyra të njerëzve me qëllime të ulëta, të njerëzve me vizion të izoluar, të miopëve, të atyre që vuajnë nga zemërngushtësia dhe verbëria mendore e shpirtërore. Këta njerëz nuk reshtin së shpifuri dhe akuzuari, nuk kursehen aspak nga shtrembërimi i të vërtetave dhe deformimi i fakteve, çka për pasojë bën që njerëzit krijojnë një frikë të panevojshme dhe të paarsyeshme ndaj një gjëje të caktuar.
Pejgamberi alejhi selam, ka thënë: "Ruajuni paragjykimit, se paragjykimi është gënjeshtra më e madhe." (Transmeton Buhariu)
- Llojet e paragjykimeve
Ai ndahet në dy lloje:
1. Paragjykimi i çastit, nëse e lufton shpërblehet sepse ai vjen pa vetëdijen e tij të plotë.
2. Paragjykimi i çastit i cili kultivohet dhe rritet. Ky hynë ne grupin e ndaluar dhe është mëkat.
• Paragjykimi të lënë natën pa gjumë dhe ditën pa mend. Ndan të dashurit, shokët, bashkëshortët, prish familjen, shoqëritë e shtetet.
• Ligësia jonë na bën të mendojmë që edhe të tjerët janë të ligë.
• Edhe tek një kafshë e ngordhur gjej diç pozitive dhe lavdëroje. Pra mendo mirë për të gjitha situatat.
• Ibën Abasi thotë: "Gëzohem kur të bie shi në fund të dunjas edhe pse kurrë nuk do t’i ha të mirat që rriten prej atij shiu".
• Lëri njerëzit të jetojnë të qetë nga paragjykimet e tua sepse ato e ndezin kulmin tënd me zjarrin e huaj.
Kështu ka ndodhur dhe po ndodhë edhe sot me Islamin. Shumë jomuslimanë, jo vetëm që nuk e pranojnë Islamin, por për shkak të këtyre propagandave, kanë formuar një bindje se Islami është sinonim i të keqes, dhunës, shtypjes, padrejtësisë. Thënë të drejtën, kjo praktikë e shtrembërimit të të vërtetave islame nuk është e re. Mund të jenë disa forma dhe mënyra, porse si metodë, njihet shumë moti. Do tua rrëfej një rast shumë interesant nga koha e Muhammedit alejhi selam për të dëshmuar këtë që po them. Ibni Kethiri përmend rrëfimin se si Tufejl ibn Amr ed-Dusi pranoi Islamin. Ishte njeri me pozitë në fisin e tij. Kishte ardhur në Mekke ndërsa Kurejshët ishin tubuar rreth tij dhe e paralajmëronin për Muhammedin alejhi selam që të mos takohej me të dhe të mos dëgjonte fjalët e tij. I bënë presion aq shumë dhe e frikësuan prej tij saqë Tufejli mbushi veshët pambuk në mënyrë që të mos e dëgjonte asnjë fjalë.
Kur shkoi në Qabe, pa Muhammedin alejhi selam tek falej dhe, megjithëse kishte veshët e mbyllur, fjalët Kur'anore depërtuan tek ai. I dëgjoi. Duke qenë se ishte poet dhe dinte ta dallonte të vërtetën nga e shpifura, tha: "Do ta dëgjoj; nëse është e mirë, e pranoj, ndryshe, e refuzoj. Qëndrova derisa e mbaroi i Dërguari i Allahut alejhi selam namazin, e pastaj i shkova pas. Hyra në shtëpinë e tij dhe i thashë: O Muhammed, vërtetë populli yt më thanë për ty kështu e kështu dhe më frikësuan aq shumë nga fjalët që më thanë aq sa mbusha veshët me pambuk që të të mos dëgjoja fare, por, Allahu deshi që unë ta dëgjoj fjalën tënde, andaj ma prezanto çështjen tënde." I Dërguari i Allahut alejhi selam, ia prezantoi Islamin dhe ia lexoi disa ajete Kur'anore. Pasha Allahun! – betohet Tufejli - kurrë nuk kam dëgjuar diç më të mirë dhe më të drejtë se ai, kështu që e pranova Islamin dhe e deklarova dëshminë e së vërtetës...
E shihni, propaganda për t'i frikësuar njerëzit nga Islami ka qenë metodë e pabesimtarëve që atëherë dhe vazhdon edhe sot e kësaj dite. Shumë njerëz nga e mbarë bota, për shkak të njoftimit me Islamin vetëm nga ajo që jomuslimanët kanë thënë për të, kanë krijuar bindje të gabuara dhe armiqësi të panevojshme ndaj tij. Ata janë viktimë të mediave, të cilat nuk hezitojnë ta paraqesin Islamin si të vrazhdë, si shkaktar kryesor në botë të dhunës dhe, rrjedhimisht, edhe përgjegjësin kryesor; mediat dhe mentorët e tyre janë ata që, siç shprehej Eduard Saidi, "kërcënimin Islam" duan ta mbajnë gjithnjë në rend të ditës. Ata, edhe në qoftë se ndodhë një rast i rrallë tek muslimanët, që në rrethet dhe ambientet e tyre është i përditshëm, nuk do të kursehen ta publikojnë si rrezik ndaj njerëzimit.
Më konkretisht, në rast se një musliman do të martohej me një grua të dytë, do ta zmadhonin atë, do ta paraqisnin si rrezik për gruan, si shkelje e dinjitetit të saj, derisa tradhtitë bashkëshortore dhe shthurja seksuale në perëndim janë përditshmëri. Madje, ndonjëherë këto tradhti janë aq të rënda saqë truri do të ndalej, por ja që në asnjë rast ato nuk publikohen më shumë se një lajm ose kronikë e rëndomtë. Një grua 36 vjeçare nga Zelanda e Re ka ngelë shtatzënë dhe ka lindur një fëmijë nga dashuria e paligjshme që ka çuar me shokun e djalit të saj, një njëmbëdhjetë vjeçar. Paramendoni sikur ky rast të kishte ndodhur në ndonjë vend islam, sa rrëmuja do të shkaktohej, si reagimet do të pasonin, sa sulmet dhe etiketimet do të bëheshin...
Allahu thotë në Kur'anin famëlartë: "Ata nuk dinë asgjë për atë (emërtim), ata nuk ndjekin tjetër vetëm paragjykime, e paragjykimi nuk është asgjë ndaj së vërtetës." (Nexhm; 28)
Fjala arabe "dhann" ka kuptimin e paramendimit, të paragjykimit, të vlerësimit të diçkaje sipas probabilitetit, të dyshimit, të ngurrimit. Paramendimi për mirë (husnu dhann) është të vepruarit duke hamendësuar e paramenduar për mirë për çështjet në shqyrtim. E kundërta e kësaj është paragjykimi (su-i dhann).
Zoti ynë, në Kur'an, në një ajet ku radhit njëri pas tjetrit disa parime morale, na urdhëron që t'i shmangim paragjykimet, duke u shprehur se një pjesë e tyre janë mëkat.
"Frenoje gjuhën tënde, të të mjaftojë shtëpia jote dhe qaj për mëkatet e tua." (Fjalë e urtë Profetike )
Allahu thotë në Kur'anin famëlartë: “O ju që besuat, nuk bën të tallet një popull me një popull tjetër, meqë të përqeshurit mund të jenë më të mirë nga ata të cilët përqeshin dikë tjetër, e as gratë me gratë e tjera, sepse mund të ndodhë që gratë e tjera të jenë më të mira se ato që përqeshin (duke e nënçmuar njëri-tjetrin) dhe mos etiketoni njëri-tjetrin me llagape. Pas besimit është keq të përhapet llagapi i keq. E ata që nuk pendohen, janë mizorë. O ju që keni besuar, largohuni prej dyshimeve të shumta, meqë disa dyshime janë mëkat dhe mos hulumtoni për zbulimin e të metave të njëri-tjetrit, dhe mos përgjoni njëri-tjetrin; a mos ndonjëri prej jush dëshiron të hajë mishin e vëllait të vet të vdekur? Atë pra e urreni! Kini frikë nga ndëshkimi i All-llahut, e All-llahu është mëshirues, Ai pranon shumë pendimin. (Huxhurat, 11-12)
"Mos iu qas asaj për të cilën nuk ke njohuri, pse të dëgjuarit, të pamurit dhe zemra, për të gjitha këto ka përgjegjësi." (Isra; 36)
Paragjykimi që nuk gjen mbështetje te realiteti është një lloj shpifjeje dhe njollosjeje për tjetrin, ndaj edhe ka të bëjë me cenimin e së drejtës, apo të hakut të robit. Për të mos rënë në një situatë të tillë, duhet shmangur gjykimi përmes hamendjes. Në rastet dhe vendet, në të cilat nuk kemi argumente dhe njohuri të sakta, është detyra jonë që çështjen ta vlerësojmë paraprakisht për mirë dhe jo për keq.
Pejgamberi alejhi selam, ka thënë: "Paramendimi i mirë është bukuria e ibadetit." (Transmeton Ahmedi)
Na tërheq vëmendjen në këtë pikë. Në shpifjen që iu bë nënës sonë, Aishes , Allahu i lartësuar paralajmëron në këtë mënyrë sesi duhet mbrohemi nga to.
Allahu thotë në Kur'anin famëlartë: "E përse kur e dëgjuan atë (shpifje) besimtarët dhe besimtaret të mos mendonin të mirën si për vete dhe të thonin: "Kjo është shpifje e qartë?!" (Nur; 12)
Pejgamberi alejhi selam, ka thënë:
"Allahu e ka bërë haram paragjykimin mbi gjakun, dëlirësinë dhe nderin e myslimanit." (Transmeton Bejhakiu)
Paramendimi i mirë për njerëzit duhet të kthehet në një çështje thelbësore dhe të pëlqehet si një disiplinë, sepse, si pasojë e ashpërsisë sonë, mund të mos jemi në gjendje të ushqejmë mendim të mirë për gjithsecilin. Mirëpo si në shumicën e çështjeve që i përkasin Islamit, veprimi i vazhdueshëm me një mënyrë të tillë të menduari mund ta kthejë atë në pjesë të karakterit të njeriut. Në lidhje me individët, me aq sa është e mundur, duhet ushqyer paramendim pozitiv. Ndërsa paragjykimi është burim i shumë e shumë të ligave. Sipas këtij parimi, gjersa t'i dalin në shesh të këqijat me shenjat dhe argumentet e veta, njeriu duhet konsideruar i mirë e i pafajshëm. Edhe ne duhet të tregojmë respekt ndaj kësaj pafajshmërie. Pohimi, sipas të cilit "gjersa të mos ketë prova për të kundërtën, njeriu mbetet në thelb i pafajshëm", është një ndër parimet themelore e universale të drejtësisë.
- Mosteprimi në lëvdata
Mendimi pozitiv paraprak dhe dëshmia e mirë në lidhje me njerëzit ka përmasa të caktuara. P.sh., nëse themi fjalë lëvduese për një njeri, ai mund të mos jetë i pjekur sa ç'duhet për t'i asimiluar ato, ndaj edhe mund të rrezikojë të bëhet arrogant ose të mashtrohet prej të tjerëve. Dhe kjo, sipas shprehjes së Pejgamberit, do të thotë që ta dëmtosh rëndë atë njeri. Atëherë, ajo që kemi për detyrë është që, krahas mendimit të mirë që duhet të ushqejmë për gjithkënd, të mos i ngarkojmë të tjerët me më shumë lëvdata nga ç'u takojnë dhe të mos japim garanci të plota karshi Allahut për ta.
Po, nganjëherë, duke ushqyer mendim të mirë në përmasa më të mëdha nga sa është e drejtë, japim garanci përpara Allahut për njerëzit; ndërsa nganjëherë, duke u thurur lavde të tepërta, i bëjmë arrogantë e mendjemëdhenj. Në këtë mënyrë, mendimi i mirë paraprak ndonjëherë mund të jetë i dëmshëm për individin përkatës, sidomos nëse ai nuk ka mbërritur një pjekuri të caktuar që do ta ndihmonte ta përvetësonte siç duhet këtë mendim të mirë…
Paragjykimi është edhe një çështje psikologjike. Pra, dikush që i pëlqen vetja dhe është mësuar të jetë vazhdimisht i suksesshëm, asnjëherë nuk i pëlqen dhe nuk i lëvdon të tjerët. Kjo gjendje është një sëmundje e vërtetë. Për shpëtimin e shoqërisë, të tillë tipa duhen kuruar pranë psikoterapistëve shumë të mirë, sepse psikologët dhe pedagogët, edhe për karakterin më të keq, pohojnë se ndjenjat e këqija mund të vihen nën trysni. Kështu, kundrejt të tjerëve kemi detyrimin e paramendimit të mirë. Njeriu, sado i pamëshirshëm që të tregohet ndaj egos së vet, kundrejt të tjerëve është i detyruar të ushqejë mendim të mirë. Nëse, për shembull, duke parë mënyrën se si disa ecin në rrugë, e gjykojmë me mendimin: "Sikur të ishin muslimanë, do t'i ndalnin sytë prej të ndaluarës, apo kur të shihnin të ndaluarën, do të lanin sytë", atëherë vjen një ditë që kjo na çon në gjykimin: "Atëherë ata nuk janë myslimanë", gjykim që është e qartë se sa i rrezikshëm është.
Paragjykimi i ushqyer për profetët, sipas shumicës së dijetarëve, është kufër. Ndërsa paragjykimi për evlijatë dhe shehët është një gabim që mund të bëhet shkak për rënie e shkatërrim. Fjalët që themi, stili i sjelljes, gjestet dhe mimika jonë nuk duhet të shërbejnë për të shtyrë të tjerët në gabime. Po, një njeri që është joshës për sytë e shoqërisë, që, për ta shprehur ndryshe, shndërrohet në qendrën e vëmendjes së njerëzve, është i detyruar ta braktisë të qenit si gjithkush. Ai, edhe nëse në jetën vetjake ose në marrëdhënien me Allahun, sipas urdhrit "të jesh një njeri mes njerëzish", ta pranojë veten si një njeri të zakonshëm, në pozitën që gëzon në shoqëri nuk mund të sillet kurrsesi si një njeri i zakonshëm.
Për këto çështje që trajtuam, sa i bukur është shembulli i Kreut të Profetëve alejhi selam! Kur Profeti ynë ishte duke bërë itikaf në xhami, nëna jonë, Safija, vjen që ta vizitojë. Pas vizitës, kur nëna jonë, Safija u kthye të ikte, Profeti ynë i dashur (ai Profet i Lartë që e gjithë bota duhej t'i ngrihej në këmbë) ngrihet dhe del gjer jashtë xhamie për të përcjellë bashkëshorten e vet. Po, Ai alejhi selam ushqente një mirësi, besnikëri e madje plot ndjenja respekti për bashkëshortet e tij, në një masë që në mendjet e feministëve të sotëm nuk ka feksur ende.
I Dërguari i Allahut alejhi selam, sillej në një mënyrë që u jep mësim disa muslimanëve të sotëm që, me një koncept që s'dihet nga e kanë marrë, i vënë bashkëshortet e tyre të ecin tri-katër hapa prapa. Ai e merrte bashkëshorten pranë vetes, ecte bashkë me të. Në një rast, ndërsa ai dhe e shoqja ecnin së bashku kështu, dy sahabë u shkuan pranë me shpejtësi dhe i kaluan. Njëri prej tyre ishte një personalitet shumë i rëndësishëm i fisit Evs, i quajtur Usejd bin Hudajr, ndërsa tjetri ishte Abbad bin Bishri. Pejgamberia alejhi selam u urdhëroi: "Qëndroni aty ku jeni!" Pastaj i largoi perçen nga fytyra nënës sonë, Safijes dhe tha: "Shikojeni, është bashkëshortja ime, Safija!" Sahabët e nderuar u përgjigjën duke thënë: "Zoti na faltë, o i Dërguar i Allahut! E si mund të të paragjykonim ty?" I Dërguari i Allahut u tha: "Shejtani qarkullon aty ku qarkullon gjaku i njerëzve."
Imam Shafiu, në lidhje me këtë hadith ka dhënë hukmin që vijon:
"Sikur në mendjen e atyre sahabëve të lindte për një çast mendimi: 'Mos vallë Profeti ynë po bredh me një grua të huaj', ata do të bëheshin në vend jobesimtarë."
Çka do të thotë se për Profetët nuk duhet të çojmë nëpër mend asnjëherë asnjë paragjykim. Kjo nuk interpretohet duke pohuar se "për të tjerët mund të mendohet me paragjykim". Në lidhje me këtë çështje mund të thuhet se Profeti ynë alejhi selam, duke çelur fytyrën e Safijes dhe duke u treguar atyre se ajo ishte e shoqja, e ka mbyllur derën e paragjykimit. Edhe ne, duke u nisur nga ky konceptim, duhet të nxjerrim përfundimin se me veprimet, fjalët dhe sjelljet tona nuk duhet të bëhemi shkak që të tjerët të bien në paragjykime, pasi edhe ne kemi përgjegjësi për këtë. Ne vetë, sa ç'kemi përgjegjësi për të mos rënë vetë në mëkate, jemi përgjegjës që edhe të tjerët të mos bëjnë mëkate.
Allahu e di më së miri!
Allahu na ruajt prej paragjykimeve.
AMIN !